Mendime
Vincenzino D. A. Vaccaro: Skllavërimi i Kosovës nga Turqia
E shtune, 16.03.2013, 04:07 PM
Skllavërimi
i pabesueshëm i Shtetit të Kosovës përkundrejt privilegjeve të çmendura të
qeverisë turke
Nga Vincenzino Ducas Angeli Vaccaro
Do të
ishte diçka shumë e mirë sikur të gjithë ne, në këtë anë të botës, ta
konsideronim Historinë si një mësuese jete dhe shërbëtore të së vërtetës. Është
e nevojshme të dihet se një popull pa histori është jetim si nga nëna ashtu
edhe nga baba, e gjithashtu duhet të mbajmë mend se një popull shërbëtor nuk ka
asnjë të ardhme përparimi të vërtetë e nuk mund t’ua garantojë atë fëmijëve të
tij. Një komb krenar për origjinën e vet dhe për ngjarjet historike që i
përkasin, duhet të përfaqësohet dhe të qeveriset nga burra krenar dhe jo
renegat të bindjeve dhe ndërgjegjes së tyre. Ndodhi që mbrëmjen e kaluar, me
anë të disa mediave shqiptare përtej Adriatikut, u informova për vënien në jetë
të disa akteve vërtet “turke”: konkretisht qeveria turke, që tani na e deklaron
veten mike ose “mbrojtëse” të Kosovës, kërkon ti imponojë kësaj të fundit
revizionimin me shumë ndryshime thelbësore të përmbajtjes së disa teksteve
shkollore të historisë që kanë të bëjnë me periudhën osmane e që përdoren nëper
shkollat publike të arsimit parauniversitar. Duke reflektuar mbi këtë ngjarje,
i bëra pyetjen vetes: Por e gjith kjo çështje nuk është e lidhur me
civilizimin, zakonet e mira dhe dinjitetin e një populli të lirë, qe është ende
në kërkim të identitetit të tij etnik dhe kulturor? Dikush ka guxuar të
deklarojë se në mes të dy popujve egziston bashkëpunimi dhe miqësia, por ama
një mik i vërtetë nuk i imponon tjetrit ato bindje që i leverdisin atij më
shumë. Deklaratat e qeverisë turke – përmes ambasadorit të saj në Kosovë,
Songul Ozan -, duke kërkuar ndryshimin e përmbajtjes së teksteve shkollore
kryen një akt të qartë fyerje përkundrejt Kulturës, Historisë, protagonistëve
të ngjarjeve historike si edhe vet studjesve. Ministri i Arsimit të Kosovës,
zoti Buja, u shfaq në favor të kësaj rezolute duke rënë dakord me diplomatin
turk se kjo do të jetë një bazë e mirë për konsolidimin e marrëdhënieve të mira
mes dy vendeve.
Ashtu siç
shkruajn mediat fjalët “dhunë dhe vrasje” do të zëvendësohen nga fjalët
“pushtim dhe burgosje”, shprehja “osmanët vranë shumë shqiptarë” është fshirë
tërësisht, ose fraza “merreshin masa të rrepta ndaj atyre që nuk ishin të fesë
islame” do të transformohet në “të gjithë shtetasit në viset e tyre të
pushtuara nga Perandoria Osmane, në jetën e përditshme ishin të barabartë para
ligjit”, etj.
Po a mund
ju ta imagjinoni sikur në ditët e sotëme shteti i Izraelit dhe i Gjermanisë të
bien dakord për ndryshimin e historisë në përmbajtjen e saj dhe ndoshta ta
transoformojnë Hitlerin ne një shenjtor? Si mund ta ëmbëlsoni Historinë… duke e
shtrembëruar atë?
Mos vall
Turqit duan të lënë në harresë masakrën që kryen në mënyrë çnjerëzore në Vaikal
afër Ohërit në prill 1465, ku tetë prej gjeneralëve më të mir të Gjergj
Kastriotit si Moisiu i Dibrës, Muzaku i Angjelinës (Golem Arianiti), Moisi
Gjurica, Gjin Muzaka, Gjon Perlati, Nikollë Berisha, Gjergj Kuka, Gjin Maneshi,
u rropën të gjallë dhe trupat e tyre u’a hodhën qenve për ti ushqyer?
A mund të lënë turqit në harresë genocidin një shekullor kundër popullsisë armene? Nga viti 1895 deri në vitin 1997 janë masakruar nga turqit rreth 250,000 armenë. Jo zotërinj, ju nuk mund ta fshihni Historin! Edhe pse mund ta ndryshoni atë në letër ju nuk do mund ta fshihni kurrë nga guri i kohës ku e pavdekshme do të mbetet e gdhendur!
(Me kërkesë të autorit përktheu nga italishtja dhe përshtati në gjuhën shqipe: Brunilda Ternova)
Autori është arbëresh dhe pasardhës i familjes aristokrate shqiptare mesjetare Duka- Ëngjëlli.