Mendime
Gjekë Gjonaj: (S’) bëhet dasëm pa flamur
E merkure, 13.03.2013, 09:55 PM
(S’)
bëhet dasëm pa flamur
Nga Gjekë Gjonaj
Shqiptarët
në Malin e Zi në kohën e sistemit komunist përjetuan fatin e
bashkëkombasve të tyre në ish Jugosllavi. Atyre u cenoheshin disa të drejta kombëtare, të cilat
përforconin bindjet e tyre patriotike dhe ndjesinë për mospajtim me pushtetin e kohës. Padrejtësitë
që u bëheshin shqiptarëve ishin të shumta. Në shpirtin e secilit shqiptar pothuaj ishte ngjizur frika e tmerrshme nga
pushteti jugosllav, e cila i shoqëronte gjatë gjithë jetës deri në vdekje. Me këtë frikë madje lindnin edhe foshnjat.
Njëra prej të drejtave të mohuara shumicën e kohës ishte edhe përdorimi i
flamurit shqiptar. Historia e përdorimit të këtij simboli tonë kombëtar në ish
Jugosllavi ndryshonte nga klima politke:
herë lejohej përdorimi, e herë ndalohej, si
i tekej pushtetit që s’na bënte hesap.
Gjërat nisin të ndryshojnë pas rënies së Aleksandër Rankoviqit në
Plenumin e Brioneve të vitit 1966. Në vitin 1977 lideri I ish Jugosllavisë Josip Broz Tito
ndër të tjera kishte inicuar edhe çështjen e lejimit të përdorimit të flamurit
kombëtar shqiptar.
Flamuri i
parë shqiptar valëvitet në dasmën e Palokë Shkrelit në
Shtoj të Ulqinit
Zyrtarizimin e lejimit të flamurit të pakicave nacionale në ish Jugosllavi Palokë Shkreli, sekretar në
Shkollën Fillore “ Marko Nuculloviq” në Shtoj, siç shprehet ai, e kishte lexuar në të përditshem “ Politika
“ të Beogradit, të datës 4 gusht 1968. Ky lajm i mirë e kishte inkuruajuar Shkrelin që të përdorë
Flamurin Kombëtar Shqiptar me
rastin e martesës së tij, më 11 nëntor të vitit 1968. Një veprim i tillë burrëror e atdhetar nuk ishte aspak i lehtë
për kohën, pasi deri atëherë në këtë komunë shqiptarët nuk e kishin përdorë
flamurin shqiptar në ceremoni martesore.
“Deri atëherë dasmat
shqiptare bëheshin pa praninë e flamurit shqiptar dhe me sa di
unë ky ishte flamuri i parë shqiptar që valvitej ne dasma në këtë
komunë”, na tregon atdhetari
i devotshëm dhe intelektuali I
mirëfilltë prof.dr. Bahri Brisku, i cili në insistim të Palokë Shkrelit, pasi kishte arritur të zezën e ullirit t’I bind
familjarët e vet, ditën e dasmës në rolin e dasmorit solli në shtëpinë e
dhëndërrit të ri në Shtoj të Ulqinit
Flamurin Kombëtar. Me këtë simbol
më sublim të shprehjes së identitetit të shqiptarëve, kudo që jetojnë ata, të
ngjitur në pjesën anësore në furgonin e
nuses me afro 30 dasmorë të shpërndarë në disa vetura kaluan nëpër qytetin e Ulqinit, Tivarit e
Titogradit ( Podgorica e sotme) dhe mbërritjën në shtëpinë e Nikë Gorvokaj në bajrakun e Kojës,
në këtë trevë shqiptare e cila flijoi shtatë trima
heronj për ngrtijen e Flamurit
Shqiptar në Deçiq në vitin 1911.
Lotë gëzimi
Sipas
rrëfimit të dasmorit prof.dr. Bahri Briksut
gjatë rrugëtimit të gjatë nga Shtoji i Ulqinit deri në Kojë të Malësisë së Madhe flamurin e kishim ngritur në derë të furgonit.” Edhe pse
flamuri shqiptar nuk shihej me sy të mirë nga pushteti rrugës për në Kojë nuk
patëm asnjë problem. Kur mbërrtiëm para
shtëpisë së nuses në Kojë familjarët me
duartroktije na dëshiruan mirëseradhje. Nuset dhe vajzat malësore na
pritën me këngë dasme. Të gjithë u mallëngjyen dhe u gëzuan
pa masë kur para shtëpisë së nuses valvitej
Flamuri Kombëtar. Nuk munguan as lotët e gëzimit. Kjoshi faqebardhë, o dasmorë që na e prutë me veti
nusen, duke aluduar në flamur. “Kjo nuse
që na e sollët ju asht ma e
bukur dhe ma madhështore se ajo çi po merrni ju. Ju sot me këtë flamur na
gëzuat ne dhe krejt Malësinë e Madhe. Paskemi pas kujt me ia dhanë binë tonë. E paçim për hajrë e me nafakë
flamurin tonë kombëtar, të cilin deri sot nuk kemi guxua as me e përmënd, e jo ma me e përdorë”, tha me
shumë emocion njëri prej
shtëpiakëve. – Ashtu kjoftë – brohoritën
zëshëm malësorët dhe malësoret e tjera.
Kthimi në Ulqin
Sipas
zakonit dasmorët pas dite u kthyen me nuse për në Ulqin. Kthimi, thotë nusja Gjyste Gorvokaj – Shkreli (atëherË 19 vjeç)pati dy ndalesa nga policia
rrugore. Njëra në hyrje të Titogradit ( Podgoricës) dhe tjetra në Tivar. “ Sa
isha e gëzuar që po martohesha aq edhe
ndjehesha e frikësuar. Rrugës mendoja për pasojat eventuale për shkak të
përdorimit të flamurit, i cili për kohën ishte risi dhe rrezik. Kur arritëm në Podgoricë i dëgjoja
komentet: “Kjo makinë
me këtë flamur sigurisht është e Ambasadës së Shqipërisë” I lutesha
Zotit që gjithçka të shkojë mbarë. Kisha frikë që të mos jem, siç shprehemi ne
malësorët, nuse hije zezë, “ thotë Gjystja
Asaj dhe prof.Bahri Briskut u kujtohet si sot se policia
e Titogradit ishte më e sjellshme
se sa ajo e Tivarit. “
Kontrollimi i policisë në
Titograd nuk shkatoi asnjë shqetësim në mesin e dasmorëve. Edhe pse
policët e shikon me habi flamurin
shqiptar ishin korrekt. Ata u sollën mirë me ne dhe nuk na kërcënuan. Ndërkohë
në Tivar policët ishin më të ashpër. Na pyetën se çka është ky flamur që e keni ngritur në makinë. „ Ne shqiptarët s‘kemi tjetër simbol
kombëtar. Ky është flamuri ynë, u thashë
policëve. Mirë – i tha polici bajraktarit të dasmorëve dhe shtoi pak me zë të lartë se ndër ne në dasmat tona
merret flamuri i Malit të Zi. Kush e di
se si do të na maltretonin policët sikur situatën të mos e „ qetësonte“ vëllai i dhëndërit Kolë Shkreli. Pas ndërhyrjes së Kolës policët
me nervozizëm na urdhëruan: „ Hajdeni,
largohuni këtu pari dhe mos u ndalni askund rrugës“, bërtiti polici, thotë Brisku.
Reflektimi i flamurit
Sipas
profesor Briskut me valëvitjen e flamurit shqiptar në dasmën e Palokë Shkrelit
në Shtoj të Ulqinit shqiptarët përfituan shumë. Së pari përdorimi i këtij flamuri ishte i pari në
dasmat shqiptare të komunës së Ulqinit. Së dyti ky
veprim ishte një fillim i mbarë në zgjimin e vetëdijes kombëtare të
popullatës shqiptare, veçmas shtojakëve. Së treti policia shtetërore në Ulqin filloi të humbas
besimin në bashkëpunëtorët e tyre nga
Shtoji.
Dëshmi e besnikërisë ndaj kombit
Protagonisti
i këtij akti burrëror Palokë Shkreli
gjatë bisedës që zhvillova për
këtë veprim të tij fisnik para pak ditësh në shtëpinë e tij në Plazhin
e Madh të Ulqinit në praninë e bashkëshortes së tij Gjystes shprehet me
modesti. „ Nuk bëra asgjë që meriton lavdëratë. Thjeshtë veprova ashtu siç do të
duhej të veprojë çdo shqiptar. Mora guximin
të përdorë në dasëm flamurin
kombëtar, i cili ka mbajtur gjallë qenësinë shqiptare në rezistencën kundër
pushtuesve të huaj sidomos në shekullin XX.
Flamuri për mua është dëshmi e
besnikërisë ndaj atdheut dhe ndaj kombit. Unë jam shqiptar dhe s’mund të jem askush tjetër. Por më vjen
keq që disa shqiptar e mohojnë të
qenurit shqiptar, duke mos ditur se çka janë.
Unë nuk mund të pajtohem me ata që e duan tjetrin më shumë se vetin“,
thotë Shkreli, duke shtuar se prej ditës
së martesës pushteti gjithmonë e ka shkikuar me sy të keq, por nuk patur
pasoja.