Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gjekë Gjonaj: (S’) bëhet dasëm pa flamur

| E merkure, 13.03.2013, 09:55 PM |


(S’) bëhet dasëm pa flamur

Nga Gjekë Gjonaj

Shqiptarët në Malin e Zi në kohën e sistemit komunist përjetuan  fatin e  bashkëkombasve të tyre në ish Jugosllavi. Atyre u  cenoheshin disa të drejta kombëtare, të cilat përforconin bindjet e tyre patriotike dhe ndjesinë për   mospajtim me pushtetin e kohës. Padrejtësitë që u bëheshin shqiptarëve ishin të shumta. Në shpirtin e secilit shqiptar  pothuaj ishte ngjizur frika e tmerrshme nga pushteti jugosllav, e cila i shoqëronte gjatë gjithë jetës deri në vdekje.  Me këtë frikë madje lindnin edhe foshnjat. Njëra prej të drejtave të mohuara shumicën e kohës ishte edhe përdorimi i flamurit shqiptar. Historia e përdorimit të këtij simboli tonë kombëtar në ish Jugosllavi  ndryshonte nga klima politke: herë lejohej përdorimi, e herë ndalohej, si  i tekej pushtetit që s’na bënte hesap.  Gjërat nisin të ndryshojnë pas rënies së Aleksandër Rankoviqit në Plenumin e Brioneve të vitit 1966. Në vitin 1977  lideri I ish Jugosllavisë Josip Broz Tito ndër të tjera kishte inicuar edhe çështjen e lejimit të përdorimit të flamurit kombëtar shqiptar.

Flamuri i parë  shqiptar  valëvitet në dasmën e Palokë Shkrelit në Shtoj të Ulqinit

Zyrtarizimin  e lejimit të flamurit  të pakicave nacionale  në ish Jugosllavi Palokë Shkreli, sekretar në Shkollën Fillore “ Marko Nuculloviq” në Shtoj, siç shprehet ai,  e kishte lexuar në të përditshem “ Politika “  të Beogradit, të datës 4  gusht 1968. Ky lajm i mirë  e kishte inkuruajuar Shkrelin që të përdorë Flamurin Kombëtar Shqiptar  me rastin  e martesës së tij,  më 11 nëntor të vitit 1968. Një  veprim i tillë   burrëror e atdhetar nuk ishte aspak i lehtë për kohën, pasi deri atëherë në këtë komunë shqiptarët nuk e kishin përdorë flamurin shqiptar në ceremoni martesore.  “Deri atëherë   dasmat shqiptare  bëheshin pa  praninë e flamurit shqiptar dhe me sa di unë   ky ishte flamuri i parë  shqiptar që valvitej ne dasma në këtë komunë”,   na tregon  atdhetari  i devotshëm dhe  intelektuali I mirëfilltë prof.dr. Bahri Brisku, i cili në insistim të  Palokë Shkrelit, pasi kishte  arritur të zezën e ullirit t’I bind familjarët e vet,  ditën e dasmës   në rolin e dasmorit solli në  shtëpinë e  dhëndërrit të ri në Shtoj të Ulqinit  Flamurin Kombëtar.  Me këtë simbol më sublim të shprehjes së identitetit të shqiptarëve, kudo që jetojnë ata, të ngjitur në pjesën anësore  në furgonin e nuses me afro 30 dasmorë të shpërndarë në disa vetura   kaluan nëpër qytetin e Ulqinit, Tivarit e Titogradit ( Podgorica e sotme) dhe mbërritjën në  shtëpinë e Nikë Gorvokaj në bajrakun e Kojës, në këtë trevë  shqiptare e cila flijoi shtatë  trima   heronj  për ngrtijen e Flamurit Shqiptar në Deçiq në vitin 1911.

Lotë gëzimi

Sipas rrëfimit të dasmorit prof.dr. Bahri Briksut  gjatë rrugëtimit të gjatë nga Shtoji i Ulqinit  deri në Kojë të Malësisë së Madhe  flamurin e kishim  ngritur në derë të furgonit.” Edhe pse flamuri shqiptar nuk shihej me sy të mirë nga pushteti rrugës për në Kojë nuk patëm asnjë problem. Kur mbërrtiëm  para shtëpisë së nuses në Kojë  familjarët me duartroktije na dëshiruan mirëseradhje. Nuset dhe vajzat malësore na pritën  me këngë  dasme. Të gjithë u mallëngjyen dhe u gëzuan pa masë kur para shtëpisë së nuses valvitej  Flamuri Kombëtar. Nuk munguan as lotët e gëzimit. Kjoshi  faqebardhë, o dasmorë që na e prutë me veti nusen, duke aluduar në flamur. “Kjo nuse  që na e sollët ju asht    ma e bukur dhe ma madhështore se ajo çi po merrni ju. Ju sot me këtë flamur na gëzuat ne dhe krejt Malësinë e Madhe. Paskemi pas kujt me ia dhanë  binë tonë. E paçim për hajrë  e me nafakë   flamurin tonë kombëtar, të cilin deri sot nuk kemi guxua as  me e përmënd, e jo ma me e përdorë”, tha me shumë emocion  njëri prej shtëpiakëve.  – Ashtu kjoftë – brohoritën zëshëm  malësorët dhe malësoret e tjera.

Kthimi në Ulqin

Sipas zakonit  dasmorët pas dite u kthyen   me nuse për në Ulqin. Kthimi, thotë  nusja Gjyste Gorvokaj – Shkreli  (atëherË 19 vjeç)pati dy ndalesa nga policia rrugore. Njëra në hyrje të Titogradit ( Podgoricës) dhe tjetra në Tivar. “ Sa isha e gëzuar që po martohesha  aq edhe ndjehesha e frikësuar. Rrugës mendoja për pasojat eventuale për shkak të përdorimit të flamurit, i cili për kohën ishte risi dhe rrezik.  Kur arritëm në Podgoricë i dëgjoja komentet:  “Kjo  makinë  me këtë flamur sigurisht është e Ambasadës së Shqipërisë” I lutesha Zotit që  gjithçka të shkojë mbarë.  Kisha frikë që të mos jem, siç shprehemi ne malësorët, nuse hije zezë, “ thotë Gjystja  Asaj dhe prof.Bahri Briskut u kujtohet si sot se  policia  e Titogradit  ishte më  e sjellshme  se sa ajo e Tivarit. “  Kontrollimi i policisë në  Titograd nuk shkatoi asnjë shqetësim në mesin e dasmorëve. Edhe pse policët   e shikon me habi flamurin shqiptar ishin korrekt. Ata u sollën mirë me ne dhe nuk na kërcënuan. Ndërkohë në Tivar policët ishin më të ashpër. Na pyetën se çka është  ky flamur që e keni ngritur në makinë.  „ Ne shqiptarët s‘kemi tjetër simbol kombëtar. Ky është  flamuri ynë, u thashë policëve. Mirë – i tha polici bajraktarit të dasmorëve dhe shtoi  pak me zë të lartë se ndër ne në dasmat tona merret flamuri  i Malit të Zi. Kush e di se si do të na maltretonin policët sikur situatën të mos e „ qetësonte“  vëllai i dhëndërit  Kolë Shkreli. Pas ndërhyrjes së Kolës policët me nervozizëm na  urdhëruan:   „ Hajdeni,  largohuni këtu pari dhe mos u ndalni askund rrugës“,   bërtiti polici, thotë  Brisku.

Reflektimi i flamurit

Sipas profesor Briskut me valëvitjen e flamurit shqiptar në dasmën e Palokë Shkrelit në Shtoj të Ulqinit shqiptarët përfituan shumë. Së pari   përdorimi i këtij flamuri ishte i pari në dasmat  shqiptare të  komunës së Ulqinit.  Së dyti ky  veprim ishte një fillim i mbarë në zgjimin e vetëdijes kombëtare të popullatës shqiptare, veçmas shtojakëve. Së treti  policia shtetërore në Ulqin filloi të humbas besimin  në bashkëpunëtorët e tyre nga Shtoji.

Dëshmi e besnikërisë ndaj kombit

Protagonisti i këtij akti burrëror Palokë Shkreli  gjatë bisedës që zhvillova  për këtë  veprim të tij fisnik   para pak ditësh në shtëpinë e tij në Plazhin e Madh të Ulqinit në praninë e bashkëshortes së tij Gjystes shprehet me modesti.  „ Nuk bëra asgjë që   meriton  lavdëratë. Thjeshtë veprova ashtu siç do të duhej të veprojë çdo shqiptar. Mora guximin  të përdorë në dasëm  flamurin kombëtar, i cili ka mbajtur gjallë qenësinë shqiptare në rezistencën kundër pushtuesve të huaj sidomos në shekullin XX.  Flamuri  për mua është dëshmi e besnikërisë ndaj atdheut dhe ndaj kombit. Unë jam shqiptar dhe  s’mund të jem askush tjetër. Por më vjen keq  që disa shqiptar e mohojnë të qenurit shqiptar, duke mos ditur se çka janë.  Unë nuk mund të pajtohem me ata që e duan tjetrin më shumë se vetin“, thotë Shkreli, duke shtuar se  prej ditës së martesës pushteti gjithmonë e ka shkikuar me sy të keq, por nuk patur pasoja.