Mendime
Elida Buçpapaj: Skandali me policinë
E marte, 05.03.2013, 10:49 PM
SKANDALI
MË I FUNDIT NË POLICINË E SHTETIT
NGA ELIDA BUÇPAPAJ
Këta muaj
kanë qenë shumë tragjikë për Policinë e Shtetit shqiptar, sepse në një periudhë
gjashtë mujore janë vrarë tre kryekomisarë të kësaj Policie. Dhe kur janë në
rrezik komisarët e Policisë të Shtetit, e cila ka detyrë të mbrojë jetën e
qytetarëve të Republikës të Shqipërisë, merreni me mend sa sa në rrezik janë
jetët e qytetarëve të thjeshtë!
Vrasja e
kryekomisarit Dritan Lamaj ishte e treta në rradhën e vrasjeve. Dhe do të
kishte kaluar, ashtu si kaluan dy të parat, nëse në shtypin shqiptar nuk do të
ishin botuar fotografi të të akuzuarit për këtë vrasje Arben Frrokut me katër
zyrtarët më të lartë, thënë ndryshe kupolën e policisë të Shtetit, përjashto
Nr.1 Hysen Burgajn. Në këtë foto biznesmeni Arben Frroku ka pozuar gjatë një
dreke a darke në një restorant në zonën e Dajtit me Agron Kuliçajn, zv.drejtor
i Përgjithshëm i Policisë, Tonin Vocajn, drejtor i Krimeve të Rënda në Polici,
Muhamet Rrumbullakun, zv.drejtor i Përgjithshëm për Rendin dhe Sigurinë Publike
dhe Nikolin Bala, drejtor i Forcave Lëvizëse Operacionale.
Pas
botimit të fotos, të lartpërmendurit që ishin përfshirë në hetimin e vrasjes të
kryekomisarit, u deklaruan se tërhiqeshin. Lind pyetja nëse ata të pestë, që
bëheshin gjashtë me të zotin e restorantit, nuk do të kishin bërë foto asaj
dreke apo darke, të cilat nuk do të ishin botuar pastaj në shtypin e Tiranë dhe
këta njerëz do të kishin vazhduar hetimet ?! Sepse sa takime dreka e darka
bëhen privatisht pa dritën e blicave dhe kamerave!
Disa kohë
më parë, në Tiranë u diskutua edhe për një darkë ku mori pjesë pronari i
ABCNEWS me eksponentë të opozitës, e cila u pa me shqetësim si lëvizje kahu e
këtij Mediumi nga qendra e djathtë tek e majta! Sepse politikës i intereson
fitorja dhe pushteti, dhe për pushtet e hedh shtetin e së drejtës në kosh të
plehrave.
Duke iu
kthyer kronikës të vrasjes të kryekomisarit, i akuzuari për vrasjen e Dritan
Lamajt u arrestua në Greqi në mënyrë të menjëherëshme, që të linte të kuptonte
se ata që e arrestuan, shkuan menjëherë tek Arben Frroku, pa kryer asnjë hetim.
Dhe kjo
kapje po konsiderohej „një sukses“ i Policisë të Shtetit, nëse pas dy ditësh
nuk do të botoheshin fotot ku i akuzuari për vrasje do të shfaqej në një tryezë
me kupolën e Policisë. Çka vetëm si fakt përbën skandal. Hysen Burgaj, drejtori
i kësaj Policie në daljen e tij për mediat, tha se asaj kohe Arben Frroku nuk
kishte precedent kriminal.
Por ky
deklarim i Hysen Burgajt nuk mjafton për të fshehur skandalin. Për raportin
morboz që ka biznesi me politikën apo për raportin morboz që ka biznesi i
mediave me politikën, që janë raporte shtetshkatërruese, raporte që po
shkatërrojnë sistemin demokratik në Shqipëri, sepse edhe biznesi, edhe mediat
kanë lidhje interesash përfituese me politikën dhe viceversa. I japin
politikës, me qëllim që t’i marrin privilegje. Kur qëllimi i tyre do të duhej
të ishte mirëinformimi. Orientimi nuk ndalet, edhe bashkëpunimi, por kur nuk
cënon as integritetin e mediumit dhe as të politikës. Shohim zgjedhjet e fundit
në SHBA. New York Times deklaroi se do të mbështeste Presidentin Obama, por kjo
s’do të thotë se emrat e shquar që shkruajnë në atë gazetë si Paul Krugman,
Maureen Dowd, Roger Cohen, Thomas L. Friedmando të dalin nga roli që kanë për
të mbrojtur interesat e vendit të tyre.
Kështu,
pas këtij skandali, u prit më kot që gazetaria investigative të thoshte fjalën
e saj, sepse në Shqipëri gazetaria investigative nuk ekziston, kështu që
ngjarja u fokusua sipas interesave të palëve.
Sokol
Balla në emisionin e tij Top Story nxori në dritë disa të vërteta të rëndësishme,
sepse për çdo gazetar të ndershëm perëndia e tij nuk është partia apo bosi i TV
ku merr rrogën, por e vërteta dhe interesat e vendit ku ti ke lindur e do të
lindësh e rritësh fëmijët e tu.
Sokol
Balla kishte ftuar Shemsi Prençin, oficer kariere i përjashtuar nga Policia e
Shtetit në fillim të 2012, pas akuzash reciproke midis palëve, Saimir Tahirin,
Henri Çilin dhe Andi Bushatin.
Saimir
Tahiri u bë personazh në Parlament kur midis tij dhe Ministrit të Brëndshëm u
shkëmbyen replika. Ministri Noka e humbi kontrollin me akuza shumë të
neveritëshme, ku në vend që të jepte shpjegime për ato që gjithë opinioni
publik i pa me sytë e ballit, akuzonte opozitën se kishte lidhje me të
akuzuarin. Skena shumë vulgare që i shohim rëndom në Parlamentin e Shqipërisë.
Në Top
Story u sollën edhe deklarimet telefonike të Arben Frrokut nga Greqia, ku
gjithë opinioni publik dëgjoi me veshët e tij se Frroku tha shprehimisht se i
kishte të njohurit e tij personazhët e fotografisë dhe bile ka plot miq
deputetë!
Po ashtu
Shemsi Prençi vuri re se i ndjeri Dritan Lamaj është emëruar dhe shkarkuar tri
herë nga detyra e kryekomisariatit nr.6 që bie në zonën e Kombinatit. Është
emëruar në këtë detyrë sa herë që postin e Ministrit të Brëndshëm e ka marrë
Bujar Nishani. Pra sipas një supozimi del se është emëruar nga Bujar Nishani
dhe shkarkuar nga kupola e Policisë të Shtetit, e cila përbëhet nga ata që
ishin të përfshirë në foto plus Hysen Burgajn. Kësisoj u la kuptohet se Dritan
Lamaj kishte mbështetje nga Bujar Nishani.
Ndërkohë,
shkarkimet e tij janë të habitëshme, kur kemi parasysh se si u përcoll i ndjeri
Dritan Lamaj në banesën e fundit, me nderimet më të larta nga Policia e
Shtetit, nga Ministria e Brëndshme dhe kryeministri, si oficer me merita !
Atëherë e përse është shkarkuar tri herë nga detyra lind një pyetje tjetër!
Duke u
nisur nga deklarimet telefonike të Arben Frrokut dhe nga fotografia e publikuar
në shtypin e Tiranës, del qartë se i akuzuar për vrasjen e kryekomisarit dhe
vëllai i tij që ka një restorant në Kombinat kanë patur lidhje me Kupolën e
Policisë të Shtetit, në foto mungonin vetëm Burgaj dhe Ministri Ndoka.Lidhje
ose ndërlidhje interesi përmes partisë.
Kjo sipas
një logjike të thjeshtë, sepse vetëm një njeri me influencë mund t’i bashkonte
katër kryepolicë të Policisë të Shtetit si bëri ai tek restauranti afër Dajtit.
Shemsi
Prençi tha tek TopStory se politika ndikon dhe nuk e lejon Policinë e Shtetit
të kryejë detyrën. Kjo përkon edhe me deklarimin që e dëgjuam të gjithë përmes
telefonit, kur Arben Frroku pohoi se kishte drekuar apo darkuar me të
lartpërmendurit me të cilët njihej dhe se po ashtu ai njihte edhe deputetë!
Midis
debatit, ishte interesante një pyetje që i erdhi përmes Twitter-it ish oficerit
të lartë të Policisë të Shtetit Shemsi Prençi nga një cicërues „neutral“, ku
„neutrali“ e pyeste Prençin, se pas daljes të tij tek Top Story a do të fitonte
ndonjë post deputeti nga lideri i PS. Përgjigja e Prençit tregoi se ai ishte
simpatizant i PD-së! Fati i Prençit është si i shumë simpatizanëve të PD-së, të
cilët i ka ndjekur gjuetia e shtrigave brënda klaneve të PD-së.
Gjithnjë
ky tranzicion barbar ka bërë që të ballafaqohemi me segmentin biznes-politikë,
ku në Shqipëri ky segment është shumë i kompromentuar. Partitë politike janë të
interesuar që të marrin mbështetjen e biznesit dhe kur janë në pushtet ua
shpërblejnë. Kulmi arrin kur biznesmenë që mbështesin partinë kërkojnë
mbështetjen e institucioneve të saj për të hequr qafe dhe shkarkuar dikënd në
Policinë e Shtetit që ia prish qejfin. Sepse këto janë forma të qarta të kapjes
të shtetit të së drejtës.
Sa i
përket skandalit më të fundit, opinioni publik ka në dorë fotot, të cilat i pa
me sytë e ballit; ka në dorë deklarimin telefonik të Arben Frrokut, të
dyshuarit për vrasjen e kryekomisarit,– si dhe deklarimet e zyrtarëve më të
lartë të Policisë të Shtetit, ku sipas Burgajt „kur u fotografuan, Frroku nuk
ishte nën hetim“ apo sipas katërshes të fotos njëri syresh tha se „nuk e njoh
Frrokun“, tjetri tha se „e njoh Frrokun po me ne ndejti vetëm 10 minuta“ – e
kështu me rradhë, ndërkohë që Ministri i Brëndshëm akuzoi kreun e opozitës se
„është takuar me Arben Frrokun, para dy javësh“, pa asnjë provë, ndërsa ka në
dorë provat materiale që janë fotoja dhe telefonata, të cilat i zhurmon me sharje
dhe fyerje vulgare.!
Nga
faktet që kanë dalë publikisht, deshifrojmë qartë lidhjen e politikës me
biznesin. Dhe nëse një biznesmen arrin deri atje sa vret, kjo tregon se ky
biznes është kriminal. Nga këto të dhëna shohim edhe dramën e Policisë të Shtetit
dhe oficerëve të lartë të saj sepse fati i tyre varet nga politika dhe nga
plotfuqishmëria e klaneve, i më të fortëve. Policia e Shtetit do të duhet të
përfaqësohet me figura të përkushtuara dhe me integritet dhe jo shërbëtorë të
partisë në pushtet, sepse Policia e Shtetit duhet të jetë shërbëtore e Shtetit
dhe qytetarit dhe jo politikës dhe orekseve të saj. Fati i oficerit të Policisë
të Shtetit nuk duhet të jetë në mëshirën e pamëshirshmërisë të politikës në
funksion të pushtetit që bie ndesh me shtetin ligjor, sepse shteti ligjor
mbahet e mbrohet nga vlerat e meritokracia.
Ky
problem bëhet edhe më dramatik, kur kemi parasysh se sëmundjen e Policisë të
Shtetit e ka edhe Drejtësia, edhe Mediat, pasi edhe ato janë nën varësinë e
politikës dhe biznesit, sepse nëse do të ushtronin me përgjegjshmëri detyrën e
tyre ndaj opinionit publik për t’i treguar të vërtetën si është, atëherë vendi
nuk do të rrezikonte sistemin.
Sepse
edhe demagogu më i madh i rruzullit nuk do të pranonte kurrë të deklaronte se
qytetarët e Shqipërisë jetojnë të sigurt në shtëpitë dhe qytetet e tyre kur
brënda një periudhe kohe prej pesë gjashtë muajsh vriten tre kryekomisarë.
Pastaj kur Policia e Shtetit shpall se e ka kapur vrasësin dhe dy ditë më vonë
opinioni publik zbulon se si i akuzuari për vrasje pozon me çifteli me kupolën
e Policisë të Shtetit, kryepolitika në vend që të shkundet, na ofron të
dëgjojmë çiftelinë e Flamur Nokës. Quo vadis kështu Shqipëri!