Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Nana Katrinë
E enjte, 28.02.2013, 07:59 PM
“NANA KATRINË…”, NANA E PROF. KOLË
PRELËS…
Nga Fritz RADOVANI
Baba na
la të vegjel jetima…Mbas një viti që “hyne këta…” nuk përfituem as pension
mbasi u konsiderue gjithë fisi “reaksionar”…Na shtetizuen dhe një shtëpi që
kishim me qera… Të ardhuna tjera nuk kishim. Dajat filluen Kalvarin që në
1945…ndërsa, daja Don Kolec vdiq në vitin 1950…Na ndihmonte mos me shkue në
“preventorium” halla Gjyzepinë, e cila punonte infermjere në spitalin civil të
Shkodres…I vetmi burim jetese ishte “shitja e plaçkave” të shtëpisë për me
hangër bukë. Mbas shitjes së disa mobiljeve dhe tavolinave…Nana filloi me shitë
pajen e vet të përgatitun me duert e saja qyshë vajzë sigurisht me çmime që po
ti tregoj me siguri askush nuk do ti besonte, sëpse ishin të qendisuna me
gjylpanë nga duert e Saja t’ arta… Nga Nana pata fatin me trashigue artin e
pikturës për të cilin Ajo, asht kenë dallue në shkollën e Motrave Stigmatine të
Shkodres. Një stole që përdorin klerikët e punueme nga duert e Saja kur ishte 9
vjeç pra në vitin 1918, i asht dhurue Papës nga një delegacion që ka shkue në
Romë.
Bana këte
hymje për me tregue se cila ishte vlera e punimëve që vinim kokën sipër kur
binim me fjetë… Nana hapte baulen e nusisë dhe caktonte njenin çarçaf ose
sofrabez…që i duhej me shitë. Ato pak pare porsa i sillte “tallallesha” shkonin
drejtë e tek dyqani i bukës së misrit, o me pague borxhin e ditëve ma përpara e
shpesh, me ble bukën e freskët si “tullë”…
Kjo ishte
gjendja ekonomike e shumë shtëpijave të “prekuna” politikisht në
Oh, sa me
gëzim pritej thirrja e zanit të “tallalleshës” kur i trokiste derës së
shtëpisë!!
Edhe na
si fëmijë vraponim me i hapë derën me shpejtësi për mos me e lanë me pritë mbas
dere, e ftonim me hy mbrendë po, Ajo shumë rrallë pranonte ftesën tonë se, si
na thonte Nana, Asaj i vinte randë me hy për me pi kafe “mbasi edhe Ti o Vidë,
i ke këto pare për me i çue ushqim tek burgu si unë”, kështu i thonte Ajo Nanës
seme kur iu vente me hy mbrendë…
Ajo ishte
një grue e shkurtë e veshun me një fustan të zi e të gjatë dhe gjithmonë e
kujtoj me shami të zezë…kishte zanin pak të trashë, grue shumë e qeshun po me
tipare të theksueme malësorje kur fliste…Edhe na mësueme nga Nana jonë emnin e
Saj dhe gjithmonë e kemi thirrë shkurt “Nana Katë..!” pra, Nana Katrinë…Kjo
ishte “tallallesha”…që vinte tek ne…Kur dilte me shkue gjithnjë përsëriste të
njajtën thanje: “Në dorë të Zotit…u baftë vullnesa e Tij..!”.
Ma vonë
kur filluem me u rritë Nana na shpjegoi se Kjo “tallalleshë”, që shiste rroba
të vjetra e të reja ishte Nana e Prof. Kolë Prelës, që i biri kishte përfundue
universitetin jashtë dhe kishte kenë profesor në Gjimnazin e Shtetit në
Shkoder, e mbas 1945 ishte edhe deputet i njohtun i Dukagjinit. Ishte arrestue
kur po dënohej dijetari At Gjon Shllaku OFM. krejt i pafajshëm. Në atë gjyq
Prof. Kolë Prela flitej se i ka dalë zot pafajsisë së At Gjonit dhe për atë
arësye e kishin arrestue edhe prof. Kolën, i cili nuk ka dalë ma nga burgu,
madje as në gjyq. Një ditë Nanës Katë, tek dera e hetuesisë polici i ka thanë:
“Mos siell më ushqime… se djalin t’a kemi pushkatuar se ai ishte ‘armik i
Popullit’..!” dhe, Nana Katë, u ishte përgjegjë: “Po, prandej Populli e pat ba
deputet të vetin pse ishte ‘anmik’ i Tij..?” dhe ashtu e pikllueme kishte marrë
strajcën me plaçka e shkue në shtëpi të vet, e mbasi i kishte hapë në jerevinë
ku jetonte kishte pa njollat e gjakut të djalit ndër ndrresa nga
torturat…kishte kja disa ditë mbi ato rroba dhe i kishte futë në një arkë të
vjetër ku Ajo, i ruente si rrelike…Mësuem se Nana Katë jetonte vetëm mbasi edhe
djalin tjetër Markun, ia kishin arrestue dhe e kishte të dënuem shumë vite…
Një ditë
në pragun e festës së Pashkëve, aty nga viti 1949 Nana më mori me vete dhe u
nisëm nga Ara e Pashës, posa dolëm në Ballabane kaluem në krahun e majtë nga
një rrugicë e vogël që quhet Rruga Daijej, pothuej në fillimin e saj Nana
trokiti dhe më tregoi se aty ishte me banim Nana Katë…Ajo doli menjëherë dhe na
për mos me na pa kush pse kishim shkue u afruem tek jerevia ku jetonte Nana
Katë, tek dera nxorëm një tas të mbështjellun me mësallë, ku Nana eme kishte
përgatitë për drekë dishka ma tepër me ia çue për ditën e Pashkëve edhe Asaj.
Kështu
mësova atë vend ku Nana e Prof. Kolë Prelës, kalonte jetën në vetmi dhe në një
vorfni të papërshkrueshme…që askush nuk di me e mendue. Përveç mureve të
hapuna, jerevija nuk kishte as tavan as dysheme, shiheshin hatllat sipër e toka
poshtë pa asnjë drrasë si dysheme …ku në një skutë mbasdere një batani mbi dy
drrasa tregonte vendin ku Nana Katë flente…
Kishte
një komodin tek koka dhe një fugure të Zojës së Shkodres…pranë kishte një stol.
Aq më
bani përshtypje sa edhe sot mendoj me vete: “Si mund të jetojë njeriu në kushte
aq të vështira e sidomos në kohë dimni e ngrice që Shkodres nuk i kanë mungue
kurrë..?”
E,
megjithate…Ajo ishte optimiste, se një ditë djali tjetër Marku do të lirohet,
“se këta” nuk kanë me kenë gjithmonë…”një ditë… do ti hajë dreqi edhe ‘këta..!”,
thonte Ajo...
Shumë
vite kaluen. Nana Katë vazhdonte me strajcen e vet me dalë me shitë rroba…
Kushdo që
kishte nevojë me ble ndonjë plaçkë kërkonte tek tregu fshatarë një plakë të
vjetër “tallalleshën” e njohtun në Shkoder, mbasi secili mendonte edhe me e
ndihmue Até…me dishka të vogël sëpse të gjithë e dinin hallin e Saj…e mbi të
gjitha valën e jetës që e kishte përpi e përplasë ndër brigjet ma të
pamëshirshme tue i rrembye të dy djelmët si dy lule…
U gëzuen
edhe gurt e sokakut kur u hap lajmi se Nanës Katë ju lirue Marku nga burgu!
I madh e
i vogël e ndalonte Nanën që fluturonte nga gëzimi me i ba urimet e djalit…
Edhe kush
s’ e njihte do tu ndalonte me i shterngue dorën, toktë kokën me “tallalleshën”
për me i urue ardhjen e Markut në shtëpi…e kush nuk e shihte do ta ndalonte
Ajo, tue e ftue për një gotë raki për gëzimin e madh që i kishte sjellë ardhja
e djalit tek shtëpia. U dynd Shkodra tek ajo jerevi që i gëzonin edhe hatllat…
“Hajde, mirse u ka prue Zoti…!” ndihej deri tek rruga e madhe zani i Burrneshës
së Dukagjinit…Shumë shpejtë Zoti e gëzoi edhe me fejesen e Markut…
Por,
njeriu që nuk ka fat në jetë sado i mirë kjoftë kurrë nuk mund të parashikojë
se Nana Katë …nuk mundi ti shpëtojë “mjerimit” edhe pse njihej se nuk ka krye
asnjë vepër të keqe. U hap lajmi si rrëfeja se Katërinë Preles papritmas i ka
vdekë edhe djali tjetër i vetëm Marku…
“Asht
kenë vullneti i Zotit kështu…!” thonte Nana e mjerë…
Një ditë
kushrinjtë e morën me vete e shkuen tek shtëpija e vet në Dukagjin bashkë me
Nanën Katë, ku Ajo gjetë atje “djelmët e Malit” tek të Parët e Trojeve të veta,
ku mbylli edhe jetën e Saj nën kujdesin, dashtninë dhe bujarinë e Tyne…
Jam i
sigurt se edhe shkrepat e Malit do të kenë vajtue vdekjen e Nanës Katë…
E bashkë
me Ta këto pak rreshta le të jenë mirënjohja eme ndaj Asaj Nanë, që Shoqet e
veta me “shamija të zeza” i ka me mija edhe sot, në të katër anët e Shqipnisë…
Asaj Nanë…Burrneshë të Alpeve tona.., që na mësoi fjalën “qendresë”..!
Shenim:
Ju, lutem mos ngatrroni fjalën “qendresë” me fjalët “harrës”,”moskujtesë” etj.
që përdorën sot në institucionet e “Drejtësisë” moderne…të “demokracisë” shqiptare..!