Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Vizioni politik i politikanëve shqiptarë
E shtune, 09.02.2013, 07:05 AM
VIZIONI POLITIK I POLITIKANËVE SHQIPTARË
Nga Fritz RADOVANI
Nuk besoj se ka shtet tjeter në Botë perveç Shqipnisë, që deri në fundin
e shekullit XX nuk ka shkrue në mënyrë të saktë Historinë e vet në 100 vjetë të
formimit. Asnjëherë nuk kanë mungue perpjekjet individuale të shumë Atdhetarëve
për me realizue këte mangësi kaq të madhe.
A kishte Shqiptarë të talentuem të lindun dhe të paisun me këte dhunti
të veçantë dhe të aftë, me prirje dhe aftësi krijuese e kulturore, per me ba
dishka shumë të mirë per Historinë?
Pa dyshim që kishte dhe ka edhe sot Shqipnia njerëz të talentuem dhe
dijetarë të kësaj fushë, që per fatin e keq vazhdon me kenë një arë kulloset,
por jo lamë ditunije e studimi. Edhe atëherë kur pamundsia me punue në lamen e
dijës dhe kulturës kombtare ishte e plotë mbrenda Atdheut, nuk kanë mungue
perpjekjet e Atdhetarëve në mergim per një gja të tillë, madje aq me vlerë sa
edhe sot ata perpjekje të Tyne, mbesin një thesar i madh i Historisë, po per
fatin e keq edhe sot të pa shfrytzueme nga institucionet jashtë e mbrenda
shtetit Shqiptar. Veprat e shumë Profesorëve e dijetarëve si: Tajar Zavalani,
At Zef Valentini, At Athanas Gegaj, Ernest Koliqi, Namik Ressuli, At Marin
Sirdani, Karl Gurakuqi, At Shtjefen Gjeçovi, Mit’hat Frashëri, Zef Mirdita
etj., mbesin nder “kasaforta”...po jo nder shkolla... e aq ma keq nder
universitete.
Pse ngjet një gja e tillë në Shqipni?
Shqiptarëve u mungon vizioni politik per të tashmen dhe t’ ardhmen e
shtetit të vet!
Gjergj Kastrioti Skenderbeu (1405 – 1468), asht i vetmi Shqiptar i
lindun me një vizion të plotë në vetdijen e vet Atdhetare, fetare, politike,
ushtarake, liridashëse, unifikuese të shtetit dhe të Popullit Shqiptar, i
papersëritëshem në Historinë e Shqipnisë dhe t’ Europës. Ai nuk ka pasë asnjë
mundsi me i fitue këta veti me anen e shqisave, por ishin virtyte të linduna në
gjakun e Tij.
Ai ka dashtë Atdheun e vet dhe fenë e të Parëve. Ai ka pasë vizion
politik e ushtarak dhe si i tillë njihet në Historinë Europjane dhe atë Botnore.
Ai luftoi vetem per Lirinë e Atdheut të vet, Shqipnisë, dhe punoi deri diten e
vdekjes per Unifikimin e Trojeve Shqiptare, të banueme nder shekuj nga Popullsi
autoktone Shqiptare. Ai ka lanë vetem lavdi të Shpirtit Shqiptar.
Per 25 vjet rresht që luftoi per Atdheun e vet, Ai dijti me zgjedhë dhe
me bashkpunue me të gjithë Ata Shqiptarë, me të cilët e lidhte Atdheu, gjaku,
feja, gjuha, Flamuri, zakoni e doket, kanuni dhe ligji moral, modele të cilat
edhe sot studjohen nga Bota e qytetnueme. Këshilltarët, politikanët, ushtarakët
dhe dijetarët e Tij na lanë Emnin Shqiptar, Atdheun Shqipni, Flamurin Kombtar
me Shqipen Dykrenare, Dokumentin e Parë të shkruem të Gjuhës Shqipe, Krenarinë
Kombtare me Formulen e Pagëzimit, Gjeneralin e Luftave të Fitoreve per Atdhé e
Fé, Unitetin Kombtar në Lidhjen e Lezhës, në të cilen gjejmë Burrninë
Shqiptare, Bujarinë e sofres Shqiptare, dhe mbi të gjitha: Besen Shqiptare.
Kështjella e Krujës asht edhe sot simboli i Lirisë së Tij.
Këto merita Gjergj Kastriotin e ngritën
në piedestalin ma të naltë të një Populli Heroik, tue e perjetsue me kunoren e lavdisë “Hero Kombtar
i Popullit Shqiptar”. Ishin Malësorët tanë të Veriut që dijtën me ruejtë dhe me
trashigue këta veti të Gjergj Kastriotit, jo pa sakrifica. Ishin ata Male që nder
shpellat e tyne ruejten të panjollosuna Flamurin, perzmoren dhe armët e Tij.
Ishin gjubletat e Nanave Shqiptare, që nen driten e mekun të pishës qendisnin
mbi shajakun e trashë vijat e zeza të çakçirëve dhe të xhamadanëve, mburoje të
Lirisë së Atdheut dhe të Fesë.
Kur dielli i Lirisë filloi me ndritë
nder ata Male në pranveren e Prillit të vitit 1911, prap ishte Burri Trim i
Traboinit Fisniku i pashoq Dedë Gjo’ Luli, që rroku armët e Lirisë së Atdheut.
Ishin Shqiptarët e gjakut të Gjergj
Kastriotit prap Ata, që me Flamurin e Tij flutruen nder Alpet tona, me krahët e
gjymtuem e të varruem nga armët e pushtuesëve shekullor.
Vrapuen në Gerçë, u ngritën peshë në
Mirditë me Prengë Pervizin, u betuen mbi Lterin e Don Nikollë Kaçorrit, u
mblodhën me Burra të Dardanisë dhe të Maleve të Shqipnisë Jugut në shtëpinë e
Luigj Gurakuqit, ndrruen cigare me Bajram Currin, Hasan Prishtinen, Isa
Boletinin, e në një barkë të sigurtë nga Mark Kakarriqi, udhtuen nder dallgët e
trazueme të Adriatikut plak, drejtë Vlonës Heroike të Ismail Qemalit ku
Shqipnia u shpall e Pavarun me 28 Nandor 1912.
Mbrenda dy viteve Shqipnia u ka tregue
të gjitha shteteve të Ballkanit dhe t’ Europës, se ka Burra Shqiptarë me vizion
politik, Atdhetarë të vertetë pa paragjykime fetare, që nuk kanë kursye as
jeten e vet dhe as të bijëve të Tyne, per Lirinë dhe Pavarsinë e Shtetit
Shqiptar. Mbas ngjarjeve të mëdha të vitit 1912 – 13, kishte prap Shqiptarë dhe
kishte Shqipni, por me drejtues shteti pa asnjë vizion politik, perveç
perfitimit dhe kolltukut personal. Në kjoftë se nder disa periudha të shkurta
kishte qeveritarë me vizion politik si Mehdi Frashëri, Mustafa Kruja, Kolë Mirakaj, At Anton Harapi, Caf Beg
Ulqini, Lef Nosi, Gjelosh Luli, Muharrem Bajraktari, Ibrahim Rrugova e ndonjë
tjeter, që veprat e tyne i njollosen ata që shiten Atdheun dhe Flamurin, kur
kishin në dorë jo vetem fatin por edhe çelsat e shtetit Shqiptarë, duhet pranue
se Shqipninë e drejtuen ata që jo vetem nuk punuene per Atdhe, por ishin edhe
tradhëtarë të shitun t’ Atdheut.
***
Periudha 47 vjeçare e pushtimit
sllavokomunist dhe sherbimi i pushtetarëve tanë ndaj tyne me vepra tradhëtije
shkombtarizimi, ateizmi dhe fanatizmi anadollak perçarës, i trashiguem brez
mbas brezi nder disa sfera politike, ka tregue kjartë se ku mund të perfundojë
pa asnjë farë shprese per rindertim dhe të ardhme Shteti Shqiptar. Katastrofa e
shumdishrueme nga armiqtë e Shtetit dhe Popullit Shqiptar u arrijtë dhe po
vazhdohet edhe sot nga pasuesit e atyne drejtuesëve që kishin këta parime dhe
“vizion politik”: “Partitë dhe të tjerët që do të vijnë të kontrollohen nga
ne. Sali Berisha, Fatos Nano janë dhe do të mbetën veglat tona besnike…Të
sekuestruarve dhe të shpronësuarve do t’u japim nga një letër në dorë që t’u
njihet prona, por prona vetëm në pak duar do të bjerë, pasi ligji do t’i
ngatërrojë njëri me tjetrin. Kësaj kategorie mendoj që t’i japim
pasaportë për t’u larguar nga Shqipëria më mirë dhe me kaq do të jenë të
kënaqur. Pasuria e tyre na përket neve, sepse ne e bëmë… Ne,
komunistët reformatorë, do të zbatojmë strategjinë tonë në ekonomi, sipas së
cilës kapitalistët dhe pronarët e ardhshëm në një vend socialist të jemi ne
apo njerëzit tanë. Me strategjinë tonë të re, brenda dy-tre legjisaturash do
të arrijmë që nga klasa komuniste të krijojmë klasën kapitaliste, e cila do të
na përjetësojë në pushtetin politik të së ardhmes. Të jeni të
sigurtë që e ardhmja do të jetë jona. Kurrë nuk do të lejojmë restaurimin e
pushtetit politik të armiqëve tanë. E ardhmja e fëmijëve tanë do të jetë e
mrekullueshme, gjithnjë e sigurt, sepse për këtë kemi derdhur kaq gjak dhe do
të derdhim përsëri po të jetë nevoja. Shqipërinë do ta gëzojmë ne
dhe pasardhësit tanë… Ne jemi të përgatitur për të dyja rrugët; kemi
njerëzit e vendosur dhe guximtarë, të cilët i kemi përgatitur me sakrifica e
mund për vite me radhë, por kemi edhe organet tona të dhunës.
Ndaj, mjerë ata që do të guxojnë të na kundërvihen. Jua them këtë që të mbani
lart moralin dhe asnjëri prej jush të mos ketë frikë…
Mbajeni mend: Fitorja dhe pushteti do të jenë përjetësisht tona!” Ramiz Alia, Sekretar I i KQ. PPSh, President i RPSSh. Fjalim në Byronë Politike të KQ të PPSh, në vitin 1989, Tiranë.
Ky asht “vizioni politik” i politikanëve tanë...edhe sot!