Mendime » Radovani
Fritz Radovani: ''Skenderbegu'' i Fishtës
E merkure, 02.01.2013, 02:40 PM
“SKENDERBEGU” I FISHTËS... SË SAPËS…
Nga Fritz RADOVANI
Aty nga
viti 1871… kur Shqipnia ishte e pushtueme nga turqit, në Fishtë të Sapës, ka lé
një djalë, që tue mos mujtë me e thirrë Gjergj ia vune emnin “Skenderbeg”.
Filloi me u rritë dhe kur filloi me marrë mend, turqit e kanë marrë dhe e kanë
dergue në Bosnje. Nuk dihet a kishte kenë ma perpara në ndonjë mejtep, por në
Bosnje mësoi shkrim e këndim perbukuri… Kishte qejfë me lujtë dojkë, besoj e
dini këte lojë! Ishte një vazhdimsi trilli i mbetun qysh i vogel si fëmijë
çoban. Në Bosnje u dallue si nxanës i squtë dhe thonë se aty filloi me shkrue
edhe vjersha. Per gjithshka i shkonte nder mend shkruente nga një vjershë. Edhe
mësuesit e tij tue pa dëshiren e Skenderbegut, nuk ia prishnin qejfin, po
madje, edhe i jepnin zemer me shkrue. Se ka u pat sjellë nuk e mori kush vesht
veç kur u bashkue edhe me disa “katundarë” të tjerë dhe u pat kthye prap në Shqipni,
e pat shkue menjëherë nder disa rrenoja që atëherë i quenin “saraje”.
Kur erdhi
gati as njerëzit e shtëpisë nuk e njohen. Ishte burrnue, lëshue edhe pak bark e
per mos me u kujtue kush se asht Fishtasor, paraqitej si prift misionar...me
sandale e një konop per bel sikur fretnit e dikurshem, në shekujt e kaluem.
Fjalen e kishte t’ ambel por kur ndezej e bahej flakë nga zemrimi mjer ai që
hynte në luftë fjalësh me te! Shihej aty – këtu edhe me shumë hoxhallarë,
kështu, as dreqi nuk e merrte vesh se si asht puna e tij. Thonë se i pat shkrue
edhe njëfarë Sulltanit aty nga viti 1904, per me hapë shkolla nder disa katunde
të mëdha të Shqipnisë, si në Shkoder, Lezhë e dikund andej kah Troshani, ku
kerkonte me futë nder ta edhe gjuhen e disa katundeve të permenduna. Kur qe,
njëditë Sulltani i çoj edhe një dhuratë, që ky e varte në gjoks. Nuk zgjati
shumë e u nis njëditë në Manastir, ku ia mbushi mendjen disa “katundarëve”
atje, dhe a po do që në 1908, nxorri disa shkronja prej vedit e atyne
shkronjave ua vuni emnin Alfabeti Shqip. Të gjithë që ishin aty kur morën vesh
se i thonë emnit Skenderbeg, u bashkuen me te, jo se donin Skenderbegun e
vjeter të para 400 e sa vitëve, por ma shumë nga frika se mos asht ndonjë
pinjoll i Tij...Atje i doli zani se njihet edhe me Sulltanin, e të gjithë i
silleshin sa para e mbrapa si njerëzve të mëdhej. Ndonjeni edhe mendonte se mos
e ka sjellë vetë Sulltani këtu!
Sa
fillonte me folë nuk lente gja pa thanë per shkjaun, a thue se nuk kishte
hanger buken e tyne kur kje në Bosnje! Megjithate, kur filloi me folë per
Europen, kush ishte rreth tij filloi me i besue se ishte “besnik” i bejlerëve,
mbasi edhe emni nuk tregonte se asht i lidhun me shkje. Edhe i pat hy në zemer
se dinte ku me e futë nder biseda nga një fjalë turqe, sa me lezetue biseden
kur ishin nder sofra, ku me shumë kujdes tregonte histori të vjetra per fiset e
Sapës. Thonë se kishte kenë në Paris e Amerikë, por as sot nder ata banka nuk e
la pasha 1 napolon!
Kishte
humor prej natyre. Pat thye njenen kambë e u detyrue me mbajtë edhe një shkop,
prej të cilit, kur nxirrte vjerrsha therëse shokët i thonin: “A po na i thue
disa bejta në shkop?” Nuk ia pritonte as ky me ua dhanë pergjegjen e vet. Në
një kohë pat shkrue edhe një liber me disa “bejta” që thirrej “Gomari i Babatasit”,
i cili i pat kushtue shtrenjtë...Shkoi e vuni në lojë edhe disa ministra që ia
mbajtën mend “hokat” e tij. Mirpo, katundari mbetë katundarë!
Sa kje
gjallë nuk i shkoi mendja asnjëherë me i vue masen as vjerrshave as “gjuhës”,
që ia nxirrte fjalen nga fundi i barkut ku ishte ma e ambla e ma e tharta!
Kujtonte se Shqiptarët e kanë mendjen kah Europa, aq sa kur vizitoi Stambollin,
disa thonin se u ba “belbacuk”...
Një mik i
tij e pat pyet se “pse filloi me t’u marrë goja?”, dhe ky iu pergjegj: “Ishte
një mrekulli e vertetë!”. I “pashetitun” i shkreti...nuk kishte pa Boten me sy!
Mbas
vitit 1924, dukej sikur filloi me u harrue rruga e Bosforit! Ernat e Moskovit
filluen me fry e besa edhe me na sjellë edhe eren e qelbun të “mortajës” që ra
nder Shqiptarë. U tha edhe Skenderbegu i Fishtës, se më duket sikur po jam tue
pa disa andrra të këqija...e nuk dij, se ku po del kjo e shkretë Shqipnia...
Po, nuk ia vuni kush veshin, “punë katundarësh”!
Kishte
çue dreqi e binte bora deri në gju perditë e pernatë. Skenderbegut, qyshë
fëmijë i pelqente bora. Ishte viti 1940 që kishte fillue me borë e po mbyllej
me borë! Skenderbegu tue e pasë fort per zemer sidomos me e pa kur binte ajo, u
ngrit nga shtrati i vet dhe doli në dritare me e pa naten si dukej Shkodra e
mbulueme me borë... U pat ftoh në gjoks dhe nga teperatura e naltë edhe ky si
Skenderbegu i Krujes, në të dalun të dritës së dates 30 Dhjetor 1940 dha
Shpirtë!
Edhe pse
borë, akull e të ftohët, lajmi i vdekjes së Tij mori dheun... Fretnit e
Shkodres per me e ba të vetin, jo vetem e veshne per së vdekuni me zhgun e
konop, por edhe ia ndryshuene emnin “At Gjergji i Fishtës”, e varrosen në
Kishen e Tyne...dhe, hapne fjalen se ka vdekë një nga njerzit ma të Mëdhej të
Shqipnisë, që kishte shkrue edhe një liber “Lahuta e Malësisë”, e per té, disa
të dijtun andej neper Europë ia kishin vue emnin “Poeti Kombtar” i Popullit
Shqiptar...
Mbas 30 e
sa vjetësh, djali i bulykbashit Gjinokastres, çoi në Shkoder një anadollak të
Bosnjes, i njohun per me vra e me çvarrosë dhe prishne edhe Kishen ku kishte
vorrin Ky, po edhe ate të Vaut të Dejës, ku ishte kunorzue Gjergji tjeter i
Gjon Kastriotit... Kështu pra, një rrugë e tri punë: Burgos, vra e çvarros...E
megjithate, edhe pse dihet që “thesi me Eshtnat e Tij” asht në Rrëmaji, qeveritarët
tanë janë marrë mendësh me kocat e atyne që shitën Shqipninë...
Kush ka emnin Gjergj apo Skenderbeg, per turqit asht njësoj...