E merkure, 11.12.2024, 03:28 PM (GMT)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: At Anton Harapi

E marte, 19.02.2013, 08:03 PM


FRATI,  SHQIPNIA  E … “KUSH  THONI  JU ?”

Nga Fritz RADOVANI

“A e dini se çdo ndertese i vihen temelet n’dhe? Edhe pse n’varr, na hijshem duhet t’jemi gurt e temelit t’njiasaj binaje t’cillin sot e quejm Shqypni”. Këto fjalë ka thanë Frati Rregjent i Shqipnisë At Anton Harapi O.F.M., në gjyqin komunist të zhvilluem në Tiranë në vitin 1946.

At Anton Harapi asht lé në fshatin Shirokë pranë Shkodres, me 5 Janar 1888, dhe pushkatue me 20 Shkurt 1946, pranë lumit Lana në Tiranë. Edhe pse sivjet At Antoni kishte 125 vjetorin e lindjes së Tij, dhe as nuk u kujtue të pakten si “shkrimtar”, mbasi si Frat apo Atdhetar Shqiptar, nuk besoj se ka kush e kujton mbasi shumica e shqiptarëve janë tue rifillue me mësue gjuhën kineze, që u ka pasë mbetë pergjysë në vitin 1967. Po kleri katolik sot pse nuk e kujton, ose të pakten pse heshtë? – Edhe ai e ka arsyen e vet!!! Per me e kujtue si frat, nuk e kanë njohtë ...ndersa si shkrimtar, duhet me i pasë lexue veprat letrare të Tij, të cilat per fatin e keq, këta klerikët e sotit nuk dijnë me i lexue se janë Gegnisht. Sa me i komentue “Roma per Toma”...ma mirë mos me folë as me shkrue fare per Té!

Në vitin 1936, edhe një tjeter klerik që nuk i bjen kujt nder mend per Te, edhe Ai prift “katundesh”, Don Kolec Prennushi, ka pasë shkrue në “Hylli i Dritës” fq. 583, se At Antoni: “...asht mendje dialektike, qi shkruen kryeartikuj, ndër cillt disa janë kryvepra. Dija e thellë, arsyetimi i lidhun, analizimi i hollë, stili i peshuem, dallojnë gjithë shkrimet e tija. Mund të jetë i thatë, i ftohtë, por ai asht i drejtë e i pafajshem” Pra, dhjetë vjet para se me e pushkatue Ai thotë: “por ai asht i drejtë e i pafajshem...”, dhe megjithse Don Kolec Prennushi, u masakrue edhe Ai dhe vdiq mbas hetuesisë në vitin 1950, nuk ka lanë asnjë “shenim” se, “kam gabue kur kam thanë per At Antonin, se asht i drejtë e i pafajshem”.

Studjuesi i njohun Daniel Gazulli, në vitin e kaluem shkruen per At Antonin: “Rezultat i akumulimit të dijeve dhe i përvojës si pedagog, asht botimi i veprës së parë pedagogjike, “Edukata ose mirërritja e fëmijëve” më 1925, që mund të cilësohet edhe një përshtatje të leksioneve të pedagogut A. Hergert, një punim i mirëfilltë shkencor.

Synimi fisnik i tij, ishte që mbrënda lëvizjeve të reja reformatore të krijohen hapsina për modernizimin e metodave mësimdhanëse, didaktika e shkollës së re shqiptare, dhe kërkonte në veçanti që këtë rrymë të kohës ta shpërndante me pasion në moshën e re, tue e pajisë në këte mënyrë, me kujdes e matuni, me parimet progresiste të shkollës së traditës së hershme demokratike e kulturore të Europës Perëndimore. Për çudi, ende sot studiohen në universitetet e vendlindjes autorët e pedagogjisë sovjetike (pedagogë pedantë komunistë rusë) dhe jo pedagogët e traditës shqiptare në trojet etnike shqiptare.” E çka na duhen sot këto mendime?...

At Anton Harapi thotë: “Kam punue për Shqipni ballfaqas. Nuk pres shpërblim, por as denimi nuk ka pse m’pret. Bashkatdhetarët e dinë fort mirë se kurr nuk i trathtova. Me ta vuejta, me ta punova, me ta qindrova, me ta gzova. Me ta edhe do t’vdes. Eshtent e mi, n’token e t’parve t’jen testamendi em”. E per të perforcue mendimin e Tij me një tjeter fakt, që At Anton Harapi në fundin e vitit 1944 nuk pranoi me u largue nga Atdheu i vet Shqipnia, do ti referohem edhe njëtjeter Rregjenti Shqiptar, të Nderuemit Cafo Beg Ulqini, i cili thonte: “Asht kenë një dhe nuk bahen dy si Ai!”. Në vitin 1944, kur At Antoni, aty nga fundi i nandorit po këthehej nga Gjermania mbas një takimi me Hitlerin, ishte ndalue në Podgoricë, dhe në një hotel Ai asht takue me komandantin e trupave gjermane që po u largonin nga Shkodra. Komandanti gjerman e kishte njoftue At Antonin për largimin nga Shqipnia dhe e kishte ftue me ikë edhe ky me ata, tue i sigurue që do ta çonin ku do të dishronte At Antoni, për mos me ra në duartë e komunistave, të cilët, me 28 Nandor do të hynin në Shkoder. At Antoni nuk ka pranue me u largue nga Shqipnia dhe po kje nevoja do të pranonte edhe vdekjen, për të cilën Ai vetë nuk dinte shkak. Por, kishte kërkue nga gjenerali gjerman, largimin e trupave të fundit të ushtrisë gjermane me datën 29 Nandor 1944 dhe, jo me 28, që kishin planifikue ata mbasi i kishte shpjegue që, “nuk asht mirë me na njollosë  Ditën e Flamurit, me ditën e okupacionit komunist të Atdheut!”. Komanda gjermane e ka pranue kërkesën e At Antonit dhe ushtarët e fundit gjerman janë largue nga Shkodra në mengjezin e datës 29 Nandor. Për këte veprim At Antoni kishte vue në dijeni atë natë edhe Cafo Begun. Të nesërmen ishte nisë për Shkoder, ndonse edhe Cafo Begu e kishte ftue me qendrue aty ku do të strehohej ky vetë, por as Cafo Begut, Ai nuk i kishte pranue me qendrue andej mbasi “nesër kanë me thanë, paska shkue At Antoni me ruejtë kokën tek serbët...”.

Cafo Begu e përfundonte bisedën me një konkluzion:

“Shërbimi i At Antonit për mosnjollosjen e Ditës së Madhe të Flamurit, 28 Nandor 1912, asht shërbimi ma i madh që një Atdhetar si At Anton Harapi, mundet me i ba Atdheut të vet. Ka me ardhë një kohë që për këte vepër Ai do të zanë vendin që meriton!”

Historia botnore njeh shumë personalitete që kanë folë, shkrue dhe kanë hy në histori apo enciklopedi per parashikimet e tyne në fusha të ndryshme, dhe per mendimet e tyne të sakta rreth zhvillimeve të ardhëshme në Botë. Një mendim të tillë nuk e kam ndigjue nga askush perveçse, nga At Anton Harapi, në gjyqin e Tij në shkurt të vitit 1946: Shqipnia u fitue me gjak; me gjak dhe po mbahet e robnueme. Do të vij dita e me Paqe e Drejtsi do t’fitohet”

Edhe këte thanje lapidar, edhe këte nuk e kujton askush...

20 Shkurt 1946...Ishte vranët. Binte shi. Në orët e para të mengjesit katilët komunistë e nxoren prej një skute nen një shkallë të rrethuem nder hekura, ku kaloi ditët e fundit të vuejtjeve, siç më ka tregue bashkvuejtësi i Tij, Osman Kazazi. Me duer e kambë të lidhuna, pa ujë dhe me një copë bukë thatë, nën atë shkallë gjente forca me iu buzqeshë “nxanësve të vet”. E morën, e hypën në një kamjon... E çuen në një bregore të lumit Lana, ku e zbritën me vazhdue pak rrugë.
Frati i përvujtë, por krenar, hidhte hapat me kujdes, tue ngritë herë–herë kindet e zhgunit, për të mos u stërpikë nga balta që shkelte. Një prej ekzekutorëve i tha: “Mos ki dert, o prift reaksionar, se te balta ke me perfundue”. Ai e shikoi dhe reagoi me qetësi e kthjelltësi:

“Atje tek shkoj, biri im, due me shkue i panjollë, siç kam kenë tanë jetën!”.

***

E...”kush thoni ju?”, guxon sot, me njollosë Fratin e Asizit... At Anton Harapin?!

Vetem “ata” që vazhdojnë me vra edhe persëvdekuni!

Edhe harresa, asht vrasje!

Edhe shpifja asht vrasje!

Edhe urrejtja asht vrasje!

E, kush thoni ju, janë sot... të gjithë këta “vrasës” modern të Shqipnisë?

Të gjithë “ata”...që nuk i kujtojnë Martirët e Atdheut dhe të Fesë.

 



(Vota: 11 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora