Mendime
Elida Buçpapaj: Në Shqipëri mungon një Grillo
E marte, 26.02.2013, 08:47 PM
ZGJEDHJET
NË ITALI DHE KRAHASIMI ME 23 QERSHORIN – NË SHQIPËRI MUNGON NJË GRILLO
NGA ELIDA BUÇPAPAJ
Rezultati
definitiv i zgjedhjeve në Itali tashmë ka dalë: Dhoma e deputetëve PD e Pier
Luigi Berssanit 29.53% - Il Polo della Liberta e Silvio Berlusconit 29.13%,
ndërkohë që me këtë përqindje ku avantazhi apo disavantazhi i humbjes apo
fitores është vetëm 0.4%, Ligji Elektoral është i tillë sa "fituesit"
i jep 200 vende më tepër në parlament!!! Pra me këtë difirencë 0.4% Berssani
fiton 340 vende, ndërsa Berlusconi 124, kur si për PD dhe për Polo della Liberta
kanë votuar nga 10 milionë votues. Dhe kanë mjaftuar vetëm rreth 75 mijë vota
që rezultati, në bazë të Ligjit elektoral aktual italian, të pasqyrohet në
mënyrë të tillë absurde. Sot në mëngjes dëgjova Francesco Rutelli-in tek RAI
UNO, i cili e cilësoi këtë ligj diçka të përafërt me ligjin mesjetar
"Porcellum", pra që ligjëron padrejtësinë. Edhe unë ndaj të njëjtin
mendim me Rutellin.
Ndërsa
fituesi i vërtetë i këtyre zgjedhjeve ishte Beppe Grillo me 25.55 %, Movimento
5 Stelle (Lëvizja e 5 Yjeve), që ka marrë votbesimin e rreth 9 milionë
italianëve, një revolucion i vërtetë. Grillo që përdori rrjetet online dhe
sheshet e Italisë, sfidoi politikën aktuale. Analistët e krahasuan me
Berluscon-in kur hyri në politikë më 1994. Jo tamam. Sepse Silvio Berlusconi
fitoi mandat për kryeministër të Italisë, pra erdhi në atë kohë për të
qeverisur Italinë. Ndërsa Beppe Grillo vjen për ta shkundur politikën italiane.
Grillo me profesion aktor komik, aktivist, blogger, ndryshe nga Berlusconi,
është përdorues i mirë i internetit. Që kur themeloi MoVimento 5 Stelle, më
2009, ai vendosi në qendër të vëmendjes, shqetësimet e jetës të përditëshme të
qytetarit, që ka të bëjë me ujin, plehrat, gjelbërimin, mbështetjen e shtresës
vulnerabile, pastaj vendosi në qendër të kritikave shpenzimet katastrofale të
politikanëve, që gëlltisin miliarda, duke i parë ata edhe si shkaktarë të
krizës.
Senatore
a vita, senatori i përjeshtshëm dhe kryeministri i Italisë Mario Monti, nga ana
e tij dështoi me 10,54% të votave, sepse u tregua në një farë mase si
"djali plangprishës". Pa marrë parasysh kreditin e tij si teknicien,
ai humbi kreditin e moralit në politikë. Italianët nuk pëlqyen as raportin e
përulur që krijoi ai me Gjermaninë, me zonjën Merkel. E cilësuan fyes, dhe u
ndjenë të prekur në identitetin dhe sedrën e tyre kombëtare. Mjafton të
kujtojmë spektaklin e showman-it më të famshëm që ka sot Italia Fiorellos
"Il più grande spettacolo dopo il weekend", që dha RAI UNO midis
nëntorit dhe dhjetorit 2011.
Tani
mbetet të shohim si do të reagojë Grillo! Sepse në Senat qendra e majtë ka një
maxhorancë relative! Ndërkohë që Grillo ka fituar sepse iu kundërvu pikërisht
stilit të gjithë politikës italiane, pra Grillo synon reformë të thellë, të
paparë kurrë më parë! Që vështirë se e premton sot Italia me psikozën e krizës,
ku objektiv kryesor është dalja prej saj. Por shtypi pranë qendrës të djathtë
ka vënë re se bashkëshortja e dytë e
Beppe Grillos, me origjinë iraniane, pëlqen jetën e lluksit, plazhet e
shtrenjta në Kenia dhe peliçet e veshjet e rafinuara, "gjëra që i urrejnë
militantët e pesë yjeve".
Duke
krahasuar me siatuatën në Shqipëri, mjerisht nuk kemi asnjë figurë që të
krahasohet me Grillo-n e Italisë. Sepse po të bësh një analizë të hollë,
aktorët e politikës shqiptare janë pjesë e së tërës, në kuptimin, se vijnë nga
dy partitë kryesore, pasi kanë patur probleme me krerët e partisë.
Mesa po
shohim, fushata në Shqipëri po fokusohet tek fitorja, si fitore personale, për
të patur pushtet, për të mbajtur pushtetin, por jo në të mirë të shtetit të së
drejtës, Shqipërisë dhe shqiptarëve. Fushata në Shqipëri është fokusuar në
premtime, dhe shqiptarët deri më sot janë të ngopur me premtime boshe. Askush
nuk flet për integritetin e klasës politike, pisllëku i së cilës rrezikon
sistemin sepse kemi degjenerim të sistemit të drejtësisë, nepotizëm, uzurpim të
pushtetit të katërt dhe kulmi arrin se politika po fut duart edhe në rrjetet
sociale, sidomos në Facebook, duke ngushtuar gjithnjë e më tepër hapësirën e
lirisë për t'u shprehur, një hapësirë që Beppe Grillo e përdori me shumë
përparësi.
Të mos
flasim pastaj për militantët që kanë fituar poste, të cilët sot janë kthyer në
Cerberus-a, e keni parasysh atë qenin me shumë kokë të mitologjisë, sepse gjatë
këtyre 22 viteve tranzicion është bërë luftë ndaj meritokracisë për të mbajtur
si modus vivendi - e lulëzimin e jetës të klaneve brënda partive, si shprehje e
tribalitetit të politikës.
Një diçka
tjetër e rëndësishme kur krahasojmë pjesëmarrjen në votime. Në Itali në këto
zgjedhje pati një pjesëmarrje rreth 75 %, që do të thotë se në 4 italianë vetëm
një nuk ka votuar, ndërsa në Shqipëri, pjesëmarrja në votim le shumë për të
dëshiruar, pasi mbizotëron abstenimi. Abstenimi vjen sepse populli nuk beson
tek kjo klasë politike, por edhe sepse nuk ka gjeneratorë që ta venë në
lëvizje, pasi shoqëria civile ka rol zero,
gjithnjë si derivat i politikës. Nëse kemi parasysh se në Shqipëri nuk
votojnë gjysma e shqiptarëve, atëhere llogaritet se rezultatet që marrin partitë,
qoftë si fitues, në parim nuk e kanë maxhorancën e popullit.
Kjo situatë duket e pashpresë, por kur kemi parasysh thënien se “shpresa vdes e fundit”, le të shpresojmë në një zgjim të shqiptarëve.