E enjte, 03.10.2024, 08:42 PM (GMT+1)

Mendime

Adil Fetahu?: Serbia abuzon me pensionet

E premte, 22.02.2013, 08:42 PM


SERBIA PO MANIPULON ME PENSIONET E PENSIONISTËVE KOSOVARË

-  Gjykata e Strasburgut e trandi çështjen e pensioneve –

Nga Adil Fetahu?

Një Aktgjykim i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në Strasburg, e ka trandë çështjen e pensioneve të papaguara pensionistëve të Kosovës nga ana e Serbisë. Fjala është për Aktgjykimin e asaj Gjykate 31925/08, date 17 prill 2012, me të cilin u është njohur e drejta e pensionit invalidor një çifti bashkëshortësh boshnjakë, na Mitrovica, të shpërngulur në Novi Pazar (znj.Lutvija Grudiq-Kllapija, dhe z. Mahmut Grudiq). Ata, pas shumë peripetive procedurale nëpër labirinthet e administratës  dhe gjyqësorit të korruptuar të Serbisë, pasi i shterren të gjitha mundësitë juridike dhe nuk arritën mbrojtjen e të drejtës së tyre në pension, më 24 qershor 2008, paraqitën kërkesë-padi në Gjykatën e përmendur. Pas komunikimit intensiv të Gjykatës me organet kompetente të Serbisë, dhe pas orvatjeve të shumta të përfaqësuesit të Serbisë, që ta mohojë të drejtën e paditësve, më në funt e drejta doli fituese. Sipas aktgjykimit të cituar, Gjykata e ka obliguar shtetin e Serbisë që  në afat prej tre muajve prej ditës kur aktgjykimit të bëhet i plotëfuqishëm, të dy paditësve, veç e veç, t’ua paguajë nga 7000 euro, të konvertuar në dinarë sipas kursit në ditën e pagesës, në emër të dëmit jomaterial (satisfaksion moral), dhe 3000 euro shpenzime të procedurës, për të dy së bashku, kurse në emër të dëmit material t’ua paguajë pensionet e papaguara prej kohës kur u është ndërprerë pagesa (Lutvijes,prej 9 qershor 1999, ndërsa Mahmutit prej 15 janarit 2000), së bashku me kamatën ligjore.

Në pikën tjetër (g) të dispozitivit të Aktgjykimit, Gjykata ka përcaktuar se: Shteti i paditur (pra Serbia-a.f.), është e detyruar që në afat prej gjashtë muajve prej ditës kur ky aktgjykimt të bëhet i plotëfuqishëm në pajtim me nenin 44 paragrafi 2 të Konventës, të ndërmerr masa adekuate për të siguruar që organet kompetente serbe të zbatojnë ligjet relevante në mënyrë që të sigurohet pagesa e pensioneve dhe pagesat (prestacionet) e tjera që janë në pyetje, me ç’rast nënkuptohet se lidhur me këtë mund të paraqitën procedura administrative a faktike të kuptueshme për t’i verfikuar.

Arsyetimet e përfaqësuesit të Serbisë në procedurën gjyqësore, se mjetet për pensionet sigurohen nga kontributet e paguara të punëtorëve, dhe sipas sistemit PAYJG (dmth.nga kontributet e punëtorëve aktual paguhen pensionet, si formë e solidaritetit midis gjeneratave), dhe se Fondi i SPI nuk ka mundur t’i vjelë kontributet në Kosovë prej vitit 1999 e këndej, Gjykata nuk i ka pranuar si të justifikueshme, sepse Ligji mbi SPI nuk e parasheh mosvjeljen e kontributeve si shkak për ndërprerjen e pagesës së pensioneve. Edhe orvatjet e tjera të “arsyeve” të përfaqësuesit të Serbisë, se ka pasur qëndrim politik dhe udhëzim me shkrim të dy ministrive (Ministria e Punës, dhe Ministria e Financave), që pensionet të mos paguehen përderisa të mos vilen kontributet në Kosovë, Gjykata i ka hedhur si të pabaza, sepse ministritë nuk janë organe kompetente për të vendosur për të drejtën e fituar të pensionit. Në arsyetimin e aktgjykimit, Gjykata ka vlerësuar se e drejta e fituar në pension, paraqet pronë private në kuptim të nenit 1 të Protokollit 1 të Konventës Evropiane për të Liritë dhe të Drejtat e Njeriut. Unë në shkrimet e mija të shpeshta, tërë kohën e kam rrahur këtë tezë, duke e ditur se prona private ka peshë në aspektin e të drejtave të njeriut. Vlerësimi i Gjykatës, se në rastin e çiftit Grudiq nuk mund të konstatohet se ka pasur diskriminim, ndoshta mund të arsyetohet me faktin se ata ishin dy veta, por kur merret parasysh se pagesa e pensioneve u është ndërprerë të gjithë pensionistëve Shqiptarë, nuk ka se si të vlerësohet ndryshe, vetëm se si diskriminim i haptë në baza nacionale.

- “Alarmimi” i Qeverisë së Serbisë nga vendimi i Gjykatës së Strasburgut –

Menjëherë, me të marrur vesh për vendimin e Gjykatës nga përfaqësuesi i Serbisë në atë proces, dhe sidomos pas publikimit të Aktgjykimit, strukturat e Qeverisë dhe Fondi i SPI të Serbisë, janë alarmuar dhe kanë bërë llogaritë, se çfarë shume iu kanë borxh pensionistëve të Kosovës. Avokati i Popullit në Serbi (Sasha Jankoviq), më 13 tetor 2012, i kishte shkruar një letër Qeverisë së Serbisë, me të cilën ka kërkuar që çështja e pensioneve për pensionistët e Kosovës të zgjidhjet sa më pare, sepse sa të shtyhet ky problem më tutje, shuma e borxhit do të rritet, që sipas tij mund të arrijë nga një deri në pesë milion euro. Ndërkaq, në një njoftim që Fondi Republikan i SPI ia ka dërguar Qeverisë së Serbisë, e ka bërë me dije se borxhi i arritur deri më në prill 2012 kapë shumën 1.008.358.614 euro, kurse shifa që e ka dhënë Ministria e Financave të Sebisë është 1.050.468.312 euro. Nga këto shifra, që sipas mendimit tonë nuk i kanë llogaritur prestacionet e tjera bashkë me pensionet, kompenzimin e dëmit jomaterial (nga 7000 euro për person/pensionist), pastaj kamatat për tërë kohën 13 vjeçare, të cilat do ta rritnin shifrën mbi ato të dhëna nga Fondi apo nga Ministria e Financave, është alarmuar Qeveria e Serbisë, ndërsa Ministria e Punës menjëherë e ka formuar një Grup punues, me detyrë që të analizojë problemin dhe të jep një propozim-plan, se si të zgjidhet kry problem.

Qeveria e Serbisë më 12 shkurt e ka miratuar “Planin aksional për zgjidhjen e problemit të pensioneve në territorin e Kosovës e Metohisë” , të propozuar nga Grupi punues i Ministrisë. Plani parasheh zgjidhjen e problemit të pensioneve për të gjithë ata që kanë pasur aktvendimin mbi të drejtën e fituar për pension, e që pagesa e pensionit u është ndërprerë prej vitit 1999. Është paraparë që më 20 shkurt të publikohet në gazetën “Politika” të Beogradit,  dhe në “Jedinstvo” të Kosovës (që botohet në Mitrovicë) dhe në web-sajtin e Fondit Republikan të SPI të Serbisë, shpallja se çfarë dokumente duhet t’i bashkangjiten kërkesës për pagesën e pensionit (por më 20 shkurt nuk u publikua?!). Plani parasheh që kërkesat me dokumente provuese duhet t’i paraqiten Fondit pensional të Serbisë, me postë ose personalisht, në afat prej 60 ditëve. Deri më 20 qershor Fondi duhet t’i shqyrtojë kërkesat e të përgatitë raportin për ata që i plotësojnë kushtet  dhe për shumën e përgjithshme për pagesën e pensionit, e t’ia dërgojë Qeverisë, që ajo deri më 23 gusht  të vendosë pastaj për mënyrën dhe afatet e pagesës së pensioneve.

Sipas deklaratës së sekretarit shtetëror të Ministrisë së punës së Serbisë (Dragi Vidojeviq) dhënë gazettes “Politika” më 18 shkurt, “pensionin nga Serbia nuk mund ta marrin ata të cilët kanë marrë pensionin nga, siç thotë ai, institucionet e përkohëshme të KeM, sepse nuk mund të merret pensioni sipas dy bazave”. Ai thotë se pensionistët duhet të paraqesin dokument identifikues në pajtim me ligjet e Serbisë, gjegjësisht të shkojnë vet në Beograd për t’u identifikuar! Ka thenë se në vitin 1999 në Kosovë kanë qenë 89.737 shfrytëzues të pensioneve, ndërsa pas ardhjes së administrats së UNMIK-ut në Kosovë, pensioni u është ndërprerë 45.400 shfrytëzuesve. Sipas llogarive të tij, shuma e përgjithshme e borxhit, me gjithë kamatat, nuk kalon mbi 1,5 miliard euro.

Siç shihet, Serbia do të manipulojë me të drejtën e pensionistëve të Kosovës, duke i futur ata në grackat dhe labirinthet e administratës së komplikuar e të korruptuar të Serbisë, në mënyrë që numri i atyre që do të mund të realizonin të drejtën e pagesës së pensionit të jetë sa më i vogël. Por, qëndrimi që të mos iu njihet e drejta e pensionit atyre që kanë marrë “pensione” nga buxheti i Kosovës, është plotësisht i padrejtë. Sepse, borxhin e vet Serbia ndaj pensionistëve të Kosovës nuk mund ta konvertojë me ato ndihma sociale që kanë marrë pensionistët nga buxheti i Kosovës. Ata këto ndihma nuk i kanë marrë sipas aktvendimit mbi pensionin e fituar, por sipas një skeme të ndihmës sociale, dhe askush nuk ka aktvendim për pension tjetër, pos vendimit të parë mbi fitimin e pensionit.

Problemi konkret i pensioneve të Kosovës është problem i domenit të pensioneve ndërkombëtare, që duhet të zgjidhet me marrëveshje midis Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, e jo individualisht me secilin pensionist. Duke keqëpërdorë hallet e pensionistëve, Serbia është duke bërë lojë dhe propagandaë politike, kur kërkon që secili pensionistë individualisht të paraqet kërkesë. Nga njëra anë, me këtë vërteton se nuk i njeh institucionet e Kosovës, e nga ana tjetër “dëshmon” se pensionistët e Kosovës “janë qytetarë të Serbisë”. Është çështje tjetër, se çfarë peripetishë e sa veta do të mund të realizonin të drejtat e tyre në mënyrën e caktuar nga Serbia?

Përse Serbia të kërkojë dokumente individualisht nga pensionistët, kur Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale e Kosovës ka evidencë të saktë e të besueshme për secilin pensionist të të gjitha kategorive dhe llojeve të pensioneve?! Ajo don vetëm të zhvillojë propagandë politike e të zvarritë problemin, e të mos e zgjidhë kurrë në mënyrë të drejtë e të plotë.

- Sindikata e pensionistëv po bënë një punë të padobishme –

Sapo kanë dëgjuar për vendimin e Gjykatës së Strasburgut, disa sindikata të pensionistëve, apo individë, kanë nxituar me grumbullimin e do dokumenteve prej pensionistëve, me premtim se ato do ta ngritin proceduren në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut, në Strasburg, për realizimin e pensioneve nga Serbia. Duke shpresuar se vërtetë do “t’i nxjerrin” pensionet e tyre përmes asaj Gjykate, pensionistët kanë vërshuar me dokumente në zyrat e sindikatave.  Duket se këtë “aksion” e kanë ndërmarrë krye në vete disa individë, pa dijen as pëlqimin e Sindikatës qendrore të pensionistëve. Në një Konsultë juridike që e organizoi kryetari i asaj Sindikate (zotëri Fahri Buçinca), më 4 shkurt, isha i ftuar të jap shpjegime juridike për këtë problem, dhe aty sqarova se puna ashtu si është menduar e si është  nisur nuk do të arrijë  rezultate. Sepse, rregullat e procedurës së asaj Gjykate kërkojnë që para se të paraqitet kërkesë-padia atje, duhet të shterren të gjitha mundësitë dhe  të gjitha procedurat administrative dhe gjyqësore te organet kompetente të shtetit i cili paditet në Gjykatën e Strasburgut, gjë që sindikatat e pensionistëve kot orvaten të paraqiten në Gjykatë drejtpërdrejt, pa e ndjekur asnjë procedurë paraprake. Unë nuk kam arsye të dyshoj në qëllimin e mirë të sindikatave, as nuk dyshoj se kanë për qëllim keqëpërdorimin e parave që po i mbledhin me rastin e regjistrimit, por i kam bërë me dije se kështu si po veprojnë po bëjnë punë të kotë dhe kot po ushqejnë shpresa te pensionistët hallexhinjë.  Edhe  Kryesia e organizatës më të madhe e pensionistëve të Kosovës (BPIPK), më 16 janar ka dhënë kumtesë me shkrim, përmes shtypit, se kjo nuk është mënyra e realizimit të pensioneve, dhe se pensionet duhet të realizohen vetëm me dialog dhe marrëveshje midis qeverive të dy vendeve.  Duke u distancuar nga kjo fushatë, ka bërë apel që pensionistët të mos mashtrohen, sepse e drejta e tyre mund të realizohet vetëm me marrëveshje ndërshtetërore.

Kjo fushatë ka marrë përmasa për shkak se deri dje nuk doli askush nga Qeveria e Kosovës të jep shpjegime as t’i  njoftojë pensionistët për qëndrimin  e vet rreth këtij problemi. Më në funt, më 20 shkurt, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale  (Nenad Rashiq) bëri mirë që doli (në TV) me një qëndrim dhe shpjegoi se problemi i pensioneve që ka borxh Serbia mund të zgjidhet vetëm me dialog dhe marrëveshje midis Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

Se Qeveria e Kosovës e ka neglizhuar këtë problem, kjo nuk diskutohet. Autori i këtij shkrimi, në cilësi të sekretarit të Komisionit Ndërqeveritar për Vlerësimin e Dëmeve, qysh në gusht të vitit 2003, e ka përgatitur elaboratin: “Pensionet e papaguara pensionistëve kosovarë”, që pas miratimit në atë Komision kompetent, i është dërguar Qeverisë së Kosovës që ta ketë parasysh kurdo që fillojnë bisedimet për kompenzimin e dëmeve. Ai Elaborat është marrë pastaj nga një Grup punues për përgatitjen e materialeve për negociatat që zhvilloheshin në Vienë (2007), por Qeveria as atëherë, as tash në procesin e dialogut me Serbinë, asnjëherë nuk e inicioi as ngriti çështjen e borxhit të pensioneve. Pala kosovare në dialog me Serbinë asnjëherë nuk ka iniciativa për të propozuar pika të rendit ditës, por gjithmonë  pret dhe shkon pas atyre që i propozon pala serbe ose pala e tretë që udhëheqë bisedimet. Çështja e pensioneve ka qenë dhe është pikë shumë delikate nga aspekti i të drejtave të njeriut dhe i të drejtës së pronës, për të cilën faktori ndërkombëtar është i ndieshëm dhe assesi nuk mund ta refuzojë të shtrohet në rend dite e të zgjidhet drejt dhe shpejtë. Por, ka munguar dija, vetëdija dhe vullneti i palës kosovare, prandaj sot Serbia manipulon e luan me fatin e pensionistëve hallexhinjë, dhe me autoritetin e Qeverisë sonë.



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora