Mendime
Elida Buçpapaj: Politika, nepotizëm e baronizëm
E shtune, 16.02.2013, 01:03 PM
POLITIKA
DHE DIPLOMACIA SHQIPTARE BARAZ ME NEPOTIZËM E BARONIZËM - RASTI CEKA DHE JO
VETËM AQ
Nga ELIDA BUÇPAPAJ
„Nepotizmi“ është favoritizmi që zyrtarët e lartë u bëjnë të afërmve të tyre. „Nepos“ – „nip“. Me të njëjtin sens përdoret edhe termi „baronizëm“, veç rritet doza e negativitetit.
Baronizmi,
klientelizmi partiak, klanet politike dhe hijet me të shkuarën diktatoriale -
janë morbuset e administratës të lartë publike shqiptare, pasojat e të cilave i
vuan direkt shoqëria shqiptare këta 22 vjet tranzicion.
Në
vetvete, klanet, nepotizmi e klientelizmi janë armiqtë e betuar të
meritokracisë. Që do të thotë se lufta kundër njerëzve me merita, me
integritet, pa hije nga e shkuara e të ndershëm nuk është ndaluar asnjë çast,
përfshi edhe dy mandatet e kryeministrit Berisha dhe po ashtu edhe periudhën e
gjatë të këtyre 22 viteve tranzicion.
Politika
shqiptare ka patur alergji nga figurat me integritet të spikatur, të cilat
duhet të jenë shtylla kurrizore e një sistemi demokratik, pavarësisht
rotacionit partiak. Duke patur frikë nga konkurenca e pastër, politika
shqiptare ka bërë spastrime përmes mënyrave aspak qytetare dhe aspak fair.
Nga kjo
sëmundje vuan e djathta shqiptare, që këtë emër e mban pa asnjë meritë, nëse e
vendosim në korrelacion me pronarët dhe të përndjekurit politikë. Prej kësaj
gjendje përfiton edhe e majta, reformimi i të cilës ka mbetur peng i një të
djathte pa standarde. Dhe pasojat i ka vendi dhe shteti i së drejtës, i cili
vihet në rrezik.
Lideri i
maxhorancës, ndërsa është futur në fushatë për mandatin e tij të tretë, nuk e
njeh fare katharsisin, ndërsa shoqëria shqiptare është në mëshirën e
pamëshirëshme të baronëve dhe klientëve të partisë dhe aliazheve të saj,
klaneve dhe shërbimeve klienteliste si dhe njerëzve me lidhje me të shkuarën,
të cilët përbëjnë rrezik për sistemin. Nëse je në orbitën e klanit, fitove.
Nëse nuk je, merre arratinë, sepse përjashtimi është verdikti i klanit, verdikt
i cili është vetëm goditje për shëndetin dhe higjenën e demokracisë.
I
kthehemi skandalit më të fundit të nepotizmit. Neritan Ceka, ish-armik i egër i
Sali Berishës prej 1992, sidomos më 1997 deri në zgjedhjet e 2005 është në
pushtet dhe koalicion me të majtën qeverisëse dhe kur e majta në maxhorancë ka
humbur çdo kredibilitet, e gërryer nga korrupsioni dhe keqqeverisja, afrohet me
Berishën bashkë me Arben Imamin dhe partinë e tyre mikroskopike dhe kështu hynë
direkt në efektet e orbitës të merkatos politike, pa asnjë moral, veç për
pushtet.
Ky
imoralitet politik, kur politikanët e Shqipërisë shiten e blihen herë majtas e
herë djathtas, në mënyrën më të pacipë të mundshme, bëhet sepse në Shqipëri
edhe shtypi është në marrëdhënie klienteliste me politikën. Jo më kot, ngjarjet
e 1997 asnjëherë nuk kanë kaluar në fokus për t’u analizuar. As nga
historianët, as nga mediat. Përdoren zhargonë mallkues për efekte propagande,
por vetëm kaq.
Si
personalitet, Neritan Ceka vjen nga arkeologjia, është me background akademik,
por kjo nuk i jep të drejtën e xhonglerit, sepse besueshmëria e një politikani
varet nga votat që ai fiton dhe nëse partia që ka drejtuar Neritan Ceka nuk ka
arritur as pragun minimal që të ketë të paktën një karrike në Parlament, kjo do
të thotë se kaq vlen Neritan Ceka si politikan.
Por klasa
politike në Shqipëri këta 22 vjet tranzicion ka qenë gjithnjë e lidhur me fijet
e së shkuarës dhe skeletëve që ka patur në dollapë, duke përfituar se jemi i
vetmi vend nga ish-ssitemet diktatoriale të Europës Lindore që nuk hap Dosjet
dhe nuk voton ligjin e Lustracionit. Kjo do të thotë se në politikën shqiptare
vlen ai që e ka hipotekën më të pasur. Pra konkurrojnë hipotekat, pisllëqet dhe
jo figurat me integritet, ato që i duhen shtetit të së drejtës.
Të
kthehemi tek skandali më i fundit i nepotizmit në diplomacinë shqiptare, ku
diplomatët emërohen me një VKM (Vendim të Këshillit të Ministrave). Sot, po të
diskutosh me zyrtarë të Ministrisë të Jashtme, ata që vinë nga partia e Ilir
Metës të ngrenë supet. Ata që vinë prej 2005, të tregojnë dhëmbët. Jo
drejtpërdrejt. Kërcënojnë në mënyrë diplomatike. Edhe kur kanë një vend të
rëndësishëm të thonë në konfidencë se nuk mund të bëjnë asnjë presje pa leje
dhe pa urdhër, dhe larg qoftë të bëjnë ndonjë prononcim. Dhe kur shohin se në
celularin e tyre
Në
mandatin e dytë të PD-së, Neritan Ceka është këshilltar i Sali Berishës, ndërsa
Arben Imami nga shefi i kabinetit në mandatin e parë, kalon ministër i
Mbrojtjes. Lind pyetja, po si është e mundur nisur nga fakti se partia e tyre
PAD s’kishte fituar asgjë në zgjedhjet e 2009. Mos pyet pastaj për të shkuarën
e afërt, vitin 1997, midis Berishës nga njëra anë dhe Cekës e Imamit në anë
tjetër. Politika shqiptare një ligj i vërtetë xhungle.
Pra më
2009, pasi Neritan Ceka emërohet këshilltar i kryeministrit, pikërisht më 2009,
duke iu referuar të dhënave që boton sot Shqiptarja, përmes një VKM-je, vendim
që i vjen i gatshme Ministrisë të Jashtme për t’u zbatuar, i biri i Neritan
Cekës, emërohet diplomat në Ambasadën e Shqipërisë në Austri. Djali i zotit Ceka ka studjuar në
Vjenë, njohës i gjermanishtes, por kjo nuk mjafton për të përmbushur etikën e
standartit të zyrtarit të lartë të shtetit të së drejtës, ku përjashtohet
keqpërdorimi i pushtetit.
Lajmi
tjetër i konfirmuar është se zoti Neritan Ceka, 72 vjeçar tashmë, për të
evituar fushatën lodhëse të 23 qershorit, e sheh të udhës që t’i kushtohet
diplomacisë. Dhe Sali Berisha pranon e, përmes një emërimi politik, e ka këtë
të drejtë, e emëron ambasador të Shqipërisë në Romë, ndërsa i biri i Cekës
vazhdon të jetë diplomat në Ambasadën e Shqipërisë në Vjenë dhe sipas
informacioneve jo të konfirmuara, por duke iu referuar shtypit të Tiranës, ai
është emëruar ambasador i OSBE-së me seli po në kryeqytetin austriak!!!!
Për
gjysmë shekulli kishim diktaturën komuniste. Prej 22 vitesh tranzicion kemi
mbytjen e shoqërisë nga tentakulat e klaneve dhe shërbimet klienteliste duke e
kthyer shtetin e së drejtës në tutor të tyre. Por të jesh tutor i klaneve nuk
mund të jesh më shtet i së drejtës. Aty ku veprojnë klanet shteti i të drejtës
ka marrë fund. Dhe prandaj pranojmë të gjithë se në Shqipëri nuk ekziston
drejtësia.
Dhe konkluzioni i këtij shkrimi, është se për shqiptarët nuk do të ketë drejtësi sociale dhe as shtet të së drejtës, përderisa zyrtari publik do të jetë i varur nga lidhjet e gjakut apo lidhjet klienteliste që ka me partinë apo klanin politik ku bën pjesë. Meritokracia do të kthehet kësisoj në një nocion abstrakt dhe shënjestër e djajve të politikës e të pushtetit. Dhe ka vetëm një rrugë për të shpëtuar sistemi demokratik dhe vendi jonë nga ky kalvar tribal dhe antidemokratik, që të mos dorëzohemi e të mos pranojmë kurrsesi shtetin monstrum mbështetur në pushtetin e klaneve politike e partiake, klientelës dhe baronëve politikë së të gjitha ngjyrave.