Mendime
Çlirim Uça: Letër Kryeministrit të Kosovës
E hene, 11.02.2013, 09:04 PM
Letër:
Kryeministrit të Kosovës, z. Hashim Thaqi
Nga Çlirim Uça
Zoti Kryeministër!
Jemi në
prag të ditës historike të pesë vjetorit të shpalljes se Pavarësisë se Kosovës,
një ditë dëshiri kjo në jetën Tuaj dhe bashkëqytetarëve Tu. Si në çdo rast të
mundshëm, sigurisht edhe sivjet, që është një përvjetor me i plotë, nuk do te
mungoj fjala e Juaj, për, kinse, historinë e suksesit të pesëvjeçares, Kosovë.
Duke qenë
me konflikt të brendshëm n`mes asaj që dëgjoj dhe shohë, kësaj radhe shpejtova
ta marrë fjalën, për të treguar një Kosovë tjetër, e përmes sajë edhe
shqetësimin tim.
Kosova që
unë shohë është kjo:
•Ditë me
parë, një mik i imi, me dhimbje në shpirt, mori gruan e fëmijët dhe emigrojë në
Slloveni. Halli: kafshata e munguar e bukës!
•Në
përgatitje për largim mbeti edhe familja Ndreca, me katër të diplomuar në
familje dhe asnjë të punësuar( Si kryeministër që jeni, u bie ti krahasoni këta
hallexhinj me ata të v. gjashtëdhjeta e shtatëdhjeta, që pa marrë gjë nga
revolucioni çlirimtarë socialist, për çfarë pati dhënë edhe brezi i prindërve
të tyre, qenë detyruar të marrin po të njëjtën rrugë).
•Një i
panjohur i imi, rreth tre javë me parë, mbylli veprimtarinë e ti në qytetin e
Mitrovicës( Tv-të e vendit: lajme) dhe mori azil dikund në brendi të Kosovës,
duke lanë pa kafshatën e gojës edhe familjarët e nëntë të punësuarve tjerë në
punëtorinë e ti. Halli: shpëtimi i kokës!
•Një
përgjim i kryer nga Euleks-i, ishte sebep për shqetësim të arsyeshëm të
qytetarëve të vendit, për sa i përket cilësive morale e kulturore të udhëheqjes
se vendit( në fakt këtu ia futa kot, se për tu shqetësu, nuk u shqetësu kush.
Ato ditë thashë me vete: I mjeri unë për tim At, që nuk pati fat ti kishte një
milion “dele” të tilla, por e çoj jetën me pesëdhjetë copë dele prej leshi,
duke ua pa gojën për çdo kafshatë që e merrnin dhe jo që ua dha ndonjë shqelm,
por as edhe nje sharje të vetme).
Pas këtij
skandali, të mençurve të shumtë të Kosovës u mbetet të vlerësojnë nëse atje ka
apo nuk ka hapësirë për fjalën e lirë.
•Për
mijëra femra kosovare, viktima të përdhunimit të luftës, Kosova mbetet një
burg. Fatzezat, jo që janë trajtuar nga vëmendja shoqërore e institucionale,
por kanë vazhduar ta shijojnë poshtërimin dhe thashetheminë e shoqërisë
primitive kosovare.
•Kosova
mbetet burg edhe për mijëra femra të pamartuara, të ardhura në këtë gjendje si
pasojë e dramës shumëvjeçare të emigrimit. S`ka pasur kurrë një vëmendje
shoqërore për integrim të tyre në shoqëri, duke ndihmuar në aftësimin
profesional, punësimin etj. Ato e kanë meritu përkrahjen: asnjëra s`shkeli mbi
identitetin e saj, duke kërkuar martesa përtej kufijve.
•Kosova
është burg i cilësisë se rëndë edhe për masën dërrmuese të veprimtarëve
ekonomik. Përjetimet e tyre për çdo ditë prodhojnë viktima të rraskapitura
mendore. E dhimbshme do të jetë e ardhmja e tyre e afërt. Disa prej të
përmbysurve shpëtim kanë gjet tek kthimi
në vendet prej nga kishin ardhur. Ndërkaq, ndryshe ka ndodhë me disa
pushtetarë, që dikur për të pre biletën për në Kosovë, është deshtë të presin
arritjen e pagës se fundit të socialit. Tash ata: si bilbili në maje të lisit!
•I gjithë
sektori shoqërorë( publikë) është i mbuluar nga rrjeta merimangash të shtrime
trup dhe tërthorë, që të zgjojnë neveri e nën të cilat përditë vdesin:
shpresat, ëndrrat, idealet, vullneti, shëndeti, paraja, mirëqena, siguria,
morali, ardhmëria dhe çdo vlerë e ndjesi njerëzore. Prapa këtyre rrjetave,
Kosovës po i përgatitet Ferri i Dantes.
•Pyjet e
Kosovës, ato që armiqtë tanë, turq e serb, na i lanë, sot i ke në frymën e fundit.
Në qafë i paçin ata që e patën për detyrë dhe nuk i mbrojtën! Edhe ndotja e të
gjitha mjediseve është alarmuese.
•Një
arkitekturë prej shiu glacash, ditë për ditë po na mbjell trishtimin në sy!
•Aq e
thellë është rënia morale e këtij populli, sa të thuash: sikur ky të ishte një
lëndë drusore, mos me pasë besim me e marrë as edhe për bishtin e një sqepari!
•Je
kryeministër i “vendit sovran”, që edhe një gjysme metër borë e gjunjëzon dhe
dhashtë zoti e t`mos rrezohet në akull e të shqyhet, se spitalet i ke pa penj,
fasho, gjilpëra, serum, përveçse me mikrob të gjitha llojeve dhe titujve.
Zoti
Kryeministër, me pakë fjalë, kjo është Kosova e jonë e që përditë e vuajmë.
Pashë
nderin merr masa, se kjo gjendje kështu, me merimanga; pa penj; pa gjilpëra; me
ndërprerje rryme( këtë vit të ri, të parin pas 24 vjetëve, e pritëm në
vendlindje dhe atë pjesërisht në terr); me ndërprerje uji( merre me mend, prej
13 vjetësh ia kanë futë thonjtë në fyt edhe burimit të Istogut dhe vetëm kur i
thonë ata p...; me një drejtësi që është pika e trishtimit( gjithçka po me
dukët si një lojë miqësore e dy skuadrave: njëra e qenve dhe tjetra e ujqërve,
e që të parët, pasi lehin pakë, sa për t`ia lajthite mendjen bariut, me të
lehura arrijnë në pyll, sa për të nda prenë me miqtë e tyre, ujq); ku në
mëngjes blenë mall që shkëlqen dhe në mbrëmje kundërmon; ku mërgimtari i
shkretë nuk e ka të lehtë të blejë as edhe një kg fasule, se nuk e dinë të kujt
e ka dhe nëse i zihet, e sa e sa turpe tjera, se kështu siç jemi katandisë, na
mori lumi. Mbase kështu po bëjmë edhe një krim tepër të rrallë: në sytë e të
huajve po banalizojmë sakrificat dhe idealet e të rënëve tanë për liri.
Zoti
Kryeministër! Ju lutem veproni, se për ndryshe do të rrezikoni shumë, me shumë
edhe se atëherë kur keni vendosë për luftë lirie, për çfarë unë me shumë
respekt ua heq kapuçin. Mendja me thotë: s`do të kaloj shumë kohë dhe logjika
do të zë të tallet me miqtë e tu amerikan dhe evropian, ashtu që ata një ditë,,
bashkë me terrin e një mbrëmje, do të mund t`ia mbathin nga atje( e sa i lumtur
jam, që s`jam njëri prej tyre, se tashmë do te isha “ i koritur”).
Por, z.
Kryeministër, mos harroni as turmat! Ta dini: instikti i mbijetesës është
kalaja me e pathyeshme e gjëgjallës.
Për t`mos
lënë përshtypjen e të verbrit, me duhet të thamë, që ka edhe mjaftë punë të
mbara, që i përshkruhen suksesit të qeverisjes suaj, si psh. autostrada( vepër
në çdo standard), shkolla e rrugë të shumta, por që këto të fundit sikur shumë
u ngjajnë grave shtatzëna, që nuk mbajnë fëmijët, apo i sjellin ata si
shtatë-tetë muajsh.
Sikur të
ishin shmangë dobësitë e shumta( të manifestuara në gjithë periudhën
trembëdhjetëvjeçare), jam i bindur, që sot nuk do të ekzistonte as problemi i
Veriut të Kosovës.
Mos humbni kohë z. Kryeministër!