E enjte, 02.05.2024, 02:43 AM (GMT+1)

Mendime

Drita: Shteti - fakt apo vetëm dëshirë?

E marte, 05.03.2013, 09:43 PM


SHTETI – FAKT APO VETËM DËSHIRË?

Që nga kohët e lashta e gjer më sot, popujt dhe shoqëria njerëzore, janë përpjekur gjithmonë të gjejnë rrugë për të arritur një rend shoqëror sa më të përkryer. Kjo përpjekje, ka pasur dy rrugë kryesore, mbi të cilën është mbështet ecja njerëzore drejt rregullimit shoqëror. Njëra rrugë është mbështet mbi superforcën ushtarake, e cila arrihej, pas një gërshetimi të nacionalitetit, në shfrytëzimin e mençurisë së individëve, kapitalit, i cili duhej siguruar nga resurset vetjake  ose eksploatimit dhe motivacionit të qytetarëve, nëpërmjet lakmisë dhe përfitimit. Rruga e dytë, ka qenë gërshetimi i racionales dhe shpirtërores. Kjo rrugë, për një rend shoqëror të shëndoshë, doemos,  kërkon vlera të përbashkëta që tejkalojnë interesin, s’kanë qëllim pushtetin dhe i nënshtrohen të vërtetës dhe të drejtës. Pushteti, gjithnjë është mbështetë mbi forcën, kapitalin dhe intelektin, por megjithatë, shpirtërorja ka qenë ajo që ka përmbysë pushtetet dhe e ka vu shoqërinë njerëzore në kërkim të një zgjidhjeje ma të mirë, ku përpjekja për ndërtimin e një sistemi vlerash të përbashkëta, si synim pozitiv për të siguruar nevojat e jashtme të njeriut, të mos i cenon pasuritë e brendshme të shpirtit të tij.

Sipas përvojës së popujve, shteti është realizimi politik  i kombit, i cili themelon rendin shoqëror nëpërmjet vendimit politik ose votës së lirë të qytetarëve, përcakton qëllimet e përbashkëta si interes i të gjithëve. Ky rend shoqëror dhe ky interes i të gjithëve, në rendet politik të shoqërive demokratike ku jemi rreshtuar ne kuptohet dhe bazohet në dinjitetin e njeriut, lirinë e individit, barazinë në dallime, sigurinë e të gjithëve, harmonizimin e mundësive dhe aftësive të personave në të mirë të gjithëve, ndarjen e barabartë të mirave të përkohshme, përkujdesjen social etj. Por, megjithatë, e ven interesin përbashkët mbi të mirën e individit. Këndej, rendi demokratik, nënkupton sistem shoqëror, ku Shteti është mjet i përbashkët për t’i ruajtur të arriturat dhe për të arritur qëllimet e caktuara të një kombi.  Apo, siç është rasti ynë,  i një bashkësie qytetarësh që kanë përkufizuar interesat e tyre të përbashkëta për hir të paqes, lirisë dhe prosperitetit. Paqja është parakusht për zhvillimin e një shoqërie dhe për rritjen e mirëqenies së qytetarëve. Qëllimi që synon demokracia (veprimi i lirë e qytetërues), është vetëdija qytetare se pushteti, resurset e një vendi dhe aftësitë e personave, të kësaj bashkësie politike, janë pasuri e përbashkët që duhet përdorë në të mirë të t ‘gjithëve. Përdorimi i këtyre të mirave dhe harmonizimi i përparimit për të gjithë, në bazë të aftësive dhe mundësive që kanë, përcaktohen në kontratën kolektive që është kushtetuta dhe ligjet. Kjo do të thotë se sovraniteti i takon individit, i cili, kolektivizon autoritetin politik me bashkëmendimtarët, nëpërmjet votës, e cila iu mundëson të zgjedhurve ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive kushtetuese me autoritetin e shtetit. Përparimi qytetërues, arrihet kur e gjithë kjo përpjekje ka për qëllim të mirën e individit, familjes së tij dhe të institucioneve tjera që janë në shërbime të njeriut qytetar. Në një përmbledhje, kjo do të thotë se ku funksionon shteti është i panevojshëm pushteti.  Ne e dimë se në demokracitë e avancuara funksionon shteti pa pushtet, kurse në demokracitë në zanafillë, siç jemi ne dhe fqinjët tanë, funksionon pushteti, ndërsa shteti është synim në horizontin e qëllimit të qytetarëve.

Shoqëria jonë, gjatë shumë shekujve ka pasur tri përvoja me pushtetin, të cilat kanë qenë të ndara në kohë dhe në përfshirjen e përkrahësve bashkë-vendas. Përvoja e nënshtrimit para pushtetit pa dinjitet, por për pushtet; përvoja e luftës kundër pushtetit, pa vizion për shtet; dhe përvojën afatgjate e shtetformimit. Sigurisht, më e dhimbshmja ishte stërzgjatja e shtet-formimit dhe e tranzicioneve të shumta, që përpjekjen për shtet e konvertonin në dëshirën për pushtet, shfrytëzim të padrejtë të mirave dhe arritjen personale.

Në fillimshekullin e dytë të pavarësisë së Shqipërisë dhe në pesë vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, mund të konstatojmë arritje dhe dështime, suksese dhe të meta, të jemi dëshmitarë të përparimit dhe të dështimit të gëzohemi apo të vajtojmë, por ne do të përpiqemi që të theksojmë synimet pozitive të njerëzve dhe aspiratat e popullit, që duke lexuar ato, të mund të konstatojmë: ka vend për shpresë, apo duhet rizgjuar shpirti i së vërtetës për të synuar realizimin e dëshirës kolektive që të kemi një shtet në shërbim të qytetarit, e jo që të ndërtojmë një qytetar në shërbim të shtet.

Aspirata e përhershme e popullit dhe e njerëzve që jetojnë sot, ka qenë dhe mbetet liria, mëvetësia dhe përparimi nëpërmjet zhvillimit të gjithmbarshëm në parimet e qytetërimit perëndimor dhe në frymën e kulturës vendore që e bartim nëpër breza. Qëllimi kryesor i synimit për zhvillim,  ishte që të nxirrej populli ynë nga shtypja shekullore, nga padrejtësia shoqërore, nga varfëria e skajshme, nga mjerimi konstant, nga padituria ose analfabetizmi. Në kontekstin e zhvillimit ekonomik, nënkuptohej përdorimi i të mirave të përbashkëta në dobi të kombit dhe të mërqinjës së njerëzve, duke hapur atë  ndaj konkurrencës me ekonomit e tjera, që të arrihej zhvillim i mjaftueshëm, ku çdo qytetarë, nëpërmjet punës së tij, do të siguronte të ardhurat e nevojshme për të jetuar më mirë. Në kuptimin social, pritej që të kemi një shoqëri solidare dhe një shtet kujdesplotë për ata qytetarë që kanë nevojë të kenë kujdesin e të tjerëve për të siguruar jetë të dinjitetshme. Mbi të gjitha, synohej të kemi një shtet, ku shërbimi institucional do të ishte i natyrshëm, ku shërbimi shëndetësorë të ishte më i kujdesshëm dhe i sigurt për të gjithë, etj. Me pak fjalë, ku nuk do të duhej të paguhej për të marrë shërbimin që i takon. Në rrafshin kulturor pritej që do të kristalizohej tradita dhe kultura burimore e kombit dhe do të fshiheshin mbishtresat e panatyrshme që i kishte vendosur koha. Do të rritej vetëdija qytetare për vlerat e vendit dhe do të shfrytëzohej çdo mundësi që ta ri plasonim thesarin kulturor të trashëguar, që të dëshmonim se edhe ne jemi bashkëndërtues dhe bashkëtrashëgimtarë të qytetërimit europian. Në kontekstin politik, ndoshta janë arritur shumë qëllime, mbetet që të shihet a do të mund të arrijmë një demokraci që të jetë në gjendje të sigurojë drejtësi, liri dhe paqe për të gjithë qytetarët, pa dallim.

Duke analizuar kështu përditshmërinë, familjen, shkollën, vendin e punës dhe gjendjen në publik, çdo kush mund ta di nëse kemi arritur të kemi shtet apo akoma jemi nën vullnetin e pushtetit. A kemi kaluar nga faza e shteteformimit në shtetefunksionim, dhe a është arritur qëllimi, apo akoma duhet ecur drejt tij?! Ne s’ jemi të sigurt, por pajtohem me Ipeshkvinjtë e Shqipërisë që në porosinë e tyre për 100 vjeturinë pavarësisë na ftonin të lusin Zotin që të gjejmë “... një gjuhë të mirëkuptimit për të mirën e atdheut të përbashkët, në mënyrë që zhvillimi i demokracisë të jetë sa më i shpejtë dhe i drejtë’’.

Pa dyshim nuk ka munguar edhe suksesi. Më  të “‘suksesshëm” kemi qenë në ato arritje që s’i kemi dëshiruar asnjëherë dhe në ato që s’kemi aspak nevojë. Kemi arrit të kemi aq shumë liri, që para sajë të dorëzohet drejtësia, le’ma e drejta! Nëpërmjet shfrytëzimit të lirisë, pa iu nënshtruar të drejtës dhe të vërtetës, kemi arritur të rimohojmë veten tonë, të përbuzim të kaluarën dhe të turbullojmë vizionin për të ardhme të sigurt. Bile kemi shenjat e para të përplasjes mes “promovuesëve të pamoralshmes dhe rojtarëve të moralit”.

Në këtë fazë të shtetndërtimit, jemi mes dy absurditeteve: në njërën anë të mendimit liberal mbi shtetin, i cili mendon se do të shpikë mënyrën për ta mbrojtur qytetarin nga Zoti dhe nga detyrimet morale që burojnë nga feja, pa e cenuar lirinë e fesë dhe mendimit fanatik fetarë që mendon se e drejta dhe e vërteta janë pronë e tyre, që iu jepet apo iu merret, varësisht, nga merita e qytetarit ose vullneti i pronarit.

Megjithatë, brenda kësaj shoqërie, ka aq shumë forca pozitive që mund të ri zgjohen dhe të rimarrin përgjegjësinë e të ardhmes dhe fatit të gjithë shoqërisë.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora