Mendime
Elida Buçpapaj: Perikliu dhe burrështetasit tanë
E diele, 17.03.2013, 05:06 PM
PERIKLIU E PËRKUFIZON DEMOKRACINË E – UNË PYES A NDODH KËSHTU NË SHQIPËRI?
NGA ELIDA BUÇPAPAJ
Për të
kuptuar se ku jemi 23 vjet pas rrëzimit të diktaturës le t'i përballim pohimet
e Perikliut me realitetin shqiptar. Le të vendosim përballë Perikliun me
burrështetasit tanë. Për nga koha që ka rrjedhur postperikliut, do të duhej që
burrështetasit tanë t’i jepnin leksione atij, por ndodh e kundërta. Perikliu i
biri i një gjenerali athinas ishte një burrështeti, orator dhe strateg gjatë
periudhës të artë të qytetit, e cila mban emrin e tij e njihet si Shekulli i
Perikliut, kur lulëzoi demokracia dhe vendi e Athina u quajt kryeqyteti i botës
intelektuale, artistike e politike. Ai lindi e jetoi rreth 5 shekuj përpara
lindjes të Krishtit, dmth rreth 2500 vite më parë.
Tuqididi
për shkak të ndikimit të madh që kishte tek athinasit e thërriste
"Qytetari i parë". Tuqididi do të mbante edhe fjalimin në përcjelljen
e fundme që iu bë Perikliut, i cili mbetet
edhe sot si njëri prej kulmeve të oratorisë, ku midis të tjerave
thotë:"Bota e gjithë është një varr për njerëzit e famshëm; ata nuk
nderohen vetëm prej kollonave të mermereve dhe mbishkrimeve në vendet e tyre,
por në vendet e huaja në vend të varreve memoriale prej guri ata jetojnë në
zemrat dhe mendjet e njerëzve.“
Perikliu
ishte edhe populist, por jo demagog. Në kohën e tij pati një lulëzim të paparë
të arteve dhe letërsisë. Perikliu do të mbështeste ndërtimin e shumë veprave të
Akropolit, përfshi edhe Partenonin, që edhe sot e kësaj dite mbeten krenaria
greke. Këto projekte i dhanë qytetit namin e mirë, dhe krijuan mundësi pune e
jete të mirë.
Fjalimet
e Perikliut si orator janë të famshme. Unë këtu po sjell fjalimin ku ai i
drejtohet athinasve, në vitin 461 para Krishtit, që i ka rezistuar mrekullisht
dy milenarëve e gjysëm, dhe tingëllon sikur Perikliu po e mban sot për të
shpëtuar Greqinë nga kriza. Këtë fjalim e ka përkthyer në mënyrë brilante
intelektuali i njohur Daniel Gazulli, i cili nuk ka shumë kohë që është larguar
nga kjo botë. Përkthimi është bërë në një gegnishte shumë elegante dhe ka një
tingull shumë të bukur në shqip. Kam bindjen se këtë përkthim Gazulli duhet ta
ketë bërë për t'i dhënë model politikës shqiptare, e cila ka kohë që nuk lexon
asnjë libër dhe nuk kujdeset po ashtu as për kulturën dhe as për vlerat.
Në
fjalimin e tij Perikliu definon demokracinë në Athinën antike atje ku edhe ajo
lindi. Fjalimin e tij unë po e vendos në një plan krahasues me realitetin
shqiptar sot, për të parë se ku jemi.
Perikliu
thotë: "Në Athinë qeveria jonë favorizon shumicën e jo pakicën: prandaj
ajo quhet demokraci." E unë pyes a ndodh kështu në Shqipëri?
Perikliu
thotë: "Ligjet këtu sigurojnë një drejtësi të barabartë për të
gjithë" - E unë pyes a ndodh kështu në Shqipëri?
Perikliu
thotë: "Kur një qytetar dallohet, atëherë ai asht ma i preferuem se të
tjerët, dhe thirret që t’i shërbejë Shtetit, por kjo jo si një previlegj për
të, por si shpërblim për meritat" - E unë pyes- a ndodh kështu në
Shqipëri? –
Perikliu
thotë: "Liria që gëzojmë shtrihet edhe mbi jetën e përditëshme; na nuk
jemi dyshues njeni për tjetrin e nuk i sjellim kurrë bezdi të afërmit nëse atij
i pëlqen të jetojë në mënyrën e vet. Na jemi të lirë, të lirë të jetojmë ashtu
si na pëlqen e megjithate jemi gjithmonë të gatshëm t’i bajmë ballë çdo
rreziku." - E unë pyes - ndodh kështu në Shqipëri?
Perikliu
thotë: "Ne na kanë mësue t’i respektojmë gjyqtarët, na kanë mësue të
respektojmë ligjet e të mos harrojmë kurrë se duhet të mbrojmë ata që fyhen. Ne
na kanë mësue gjithashtu të respektojmë ato ligje të pashkrueme që bajnë pjesë
në ndjenjën universale mbi çka asht e drejtë e mbi çka asht e pranueshme."
E unë pyes - a ndodh kështu në Shqipëri?
Perikliu
thotë: "Një njeri që nuk interesohet për Shtetin na e konsiderojmë të
parrezikshëm, por edhe të padobishëm; edhe pse janë të paktë ata që mund të
kontribojnë në jetën politike, të gjithë këtu në Athinë jemi në gjendje të
gjykojmë për te." - E unë pyes - ndodh kështu në Shqipëri?
Perikliu
thotë: "Na nuk e konsiderojmë diskutimin pengesë në rrugën e
demokracisë." - E unë pyes - a ndodh kështu në Shqipëri?
Perikliu
thotë: "Na besojmë se lumtunia asht e ardhmja e lirisë, por liria duhet të
jetë vetëm fryt i vlerave." - E unë pyes - a ndodh kështu në Shqipëri? -
Këtë
pyetje jua drejtoj edhe ju. A ndodh kështu në Shqipëri?“