Mendime
Gani Qarri: Tragjedia e quajtur Krushë
E merkure, 27.03.2013, 05:12 PM
Tragjedia
e quajtur Krushë
Nga Gani Qarri
Për të
satën herë u përkujtuan ata që për shumë vite të gjithë neve na mungojnë. Të
pagjeturit mbeten përherë të pa harruar në kujtesën e popullit tonë,për të
cilët kërkesat e vendosura për gjetjen e tyre,me të drejtë edhe më tej
vazhdojnë.
Familjet
krushjane ,ashtu si të gjitha familjet e të kidnapuarve dhe bashkëfamiljarëve
të humbur anë e kënd Kosovës,nuk pushuan kurrë së kërkuari nga faktorët
relevant -kombëtar dhe ndërkombëtar, një informatë apo shenjë ekzistence,për
fatin e më të dashurve që nga paslufta e
këndej.
Ndaj,gjendja
e tyre e rënduar, duhet kuptuar drejtë dhe ndihmuar nga secili me mundësitë që
ka,sepse dhembja e ngrirë dhe e mbetur pezull për kaq vite pritjeje, jo vetëm
për ata,por për të gjithë ne, e bënë këtë ngjarje tejet të padurueshme.
Për fat
të keq,kjo tragjedi e rëndë, gjatë gjithë jetës do ti lëndoj plagët e pa
shëruara të të mbijetuarve, që nga humbja e dhembshme e bashkëfamiljarëve të
tyre në masakrën e 26 Marsit të vitit 1999,kur me fatin e banorëve shqiptar të
Krushës luhej drama shekspiriane, për jetë a vdekje.
Atëbotë,
pjesa më e madhe e grave dhe fëmijëve të mbijetuar dhe ndonjë mashkulli, nga të
rrallët të shpëtuar nga Krusha, do të gjenin strehim të përkohshëm në Has. Ata
jo vetëm se njiheshin në mes vete, por ishte forcuar edhe shpirti human si dhe
dinjiteti njerëzor e kombëtar,i cili në ato çaste të vështira që kalonte vendi,
mbante gjallë popullin e rrezikuar shqiptar në këto troje.
Tanimë
për të gjithë do të vinin kohë të vështira,më të vështira se kurrë më parë,kur
lufta po trokiste pa paralajmërim në çdo derë dhe familje shqiptare,ndërsa
fushata e forcave okupuese serbe për spastrimin etnik dhe shfarosjen e etnisë
sonë nga trojet stërgjyshore, po zhvillohej gjithnjë e më e ashpër, duke
mbjellë vdekjen në shumë vendbanime shqiptare, gjithandej Kosovës.
Ndaj,fytyra
e vërtetë e krimit sllav,do të shihej edhe një herë më tepër me 26 Mars të
vitit 1999,në masakrën e Krushës së
vogël, njëjtë siç kishte ndodhur para dhe pas kësaj date edhe në shumë fshatra
dhe familje tjera shqiptare, anembanë vendit tonë të okupuar.
Ekspedita
e soldateskës kriminale serbe,nuk njihte pardon! Ajo do të kidnaponte dhe
masakronte edhe fëmijë të moshës 12 e 13 vjeçare,duke i ndarë ata me forcën e
plumbit nga nënat dhe më të dashurit e tyre, për të mos i parë më kurrë.
Meshkujt
e Krushës së vogël,nga 12 deri në 70 e më tepër-vjeç, do të mbylleshin në një
shtëpi një katëshe të fshatit për tu vrarë ,djegë e shkrumbuar,ku pas
tragjedisë do gërryhej thellë dhe hiqej edhe dheu i shkrumbuar e gjakosur nga aty,
në mënyrë që të fshiheshin gjurmët e krimit dhe zhdukeshin trupat e të
masakruarve për të mos u gjetur më asnjëherë deri më sot.
Kurse,gratë
dhe fëmijët e frikësuar, të shastisur nga trishtimi i krimeve serbe në Krushë
të Vogël,pasi që nuk kishin mundur ta kalonin ujin e rrëmbyeshëm të Drinit,të
vuajtur e dëshpëruar do të uleshin pranë valëve të turbullta për të vajtuar me
sa zë kishin, tragjedinë e ndodhur atë ditë në vendlindjen e mbetur shkret.
Ushtima e
vajit të tyre do të dëgjohej deri në fshatrat e Hasit,përtej Drinit të bardhë,
banorët e të cilit me të kuptuar se ç`po ndodhte,do të vraponin për tu dalë në
ndihmë me gjithçka kishin dhe shpëtuar ata që ishte e mundur, duke bartur gratë
dhe fëmijët e mbetur buzë ujit
turfullues,për ti sjell dhe strehuar në shtëpitë dhe vatrat e tyre.
Por para
se të hynin brenda, nga andej do të vinin edhe një herë krismat e kobshme të
vdekjes të cilat paralajmëronin se ç'po ndodhte në ato momente të rënda me
djemtë dhe burrat e kidnapuar të Krushës së vogël.
Ndaj vaji
dhe britmat në ato çaste nga më të vështirat që përjetonin gratë dhe fëmijët e
dëbuar të këtij fshati ,do të vazhdonin pareshtur,ndër këta dëshmitarë të gjallë të vuajtjes e dhembjes dhe tragjedive
të paharruara në atdheun e tyre.
Ditët
e strehimit ishin të numëruara edhe
këtu,ngase për shqiptarët e pambrojtur nuk kishte më siguri askund. Kështu që
banorët e Hasit bashkë me gratë dhe fëmijët e strehuar nga Krusha,do të
detyroheshin me forcë nga okupuesi sllav,që ta braktisnin vendin e tyre dhe
Kosovën e robëruar për të kërkuar shpëtim në Shqipëri.
Ndërsa
pas lufte,ndër të parët që do të ktheheshin në vendlindjet e djegura dhe
tërësisht të shkatërruara ishin familjet e të zhdukurve, të cilat do të
nxitonin që ti kontaktonin sa më parë organizatat e vendit dhe ato ndërkombëtare, shtetërore
dhe humanitare,me shpresë për zbulimin e fatit të më të dashurve të tyre dhe
lehtësimin e traumave të pësuara nga masakrat dhe gjenocidi serb, gjatë luftës
në Kosovë.
Edhe pas
kthimit,tronditjet më të rënda i pësuan gratë dhe fëmijët e Krushës të cilët me
të arritur në vendlindjen e tyre,përveç zhdukjes së më të dashurve, nuk do ti
gjenin më as shtëpitë dhe gjërat që kishin dikur,përveç vendit të djegur dhe
mbetur shkret, i cili medoemos duhej ringjallur sërish,me mundësit e tyre të
pakta.
Këto
familje mbetur plotësisht të vetme dhe në gjendje fare të pa shpresë, pa asnjë
pasuri dhe mbështetje, para atij trishtimi të pashembullt njerëzor dhe mjerimi
aq të madh ekonomik, edhe ashtu,duhej të fillonin një jetë të "re" të
pa provuar asnjëherë më parë.
Nëna dhe
gra të veja, duhej rimëkëmbur atë që ishte e mundur dhe rritur fëmijët e tyre
jetimë përkundër një mbijetese aq të mundimshme,pas gjithë atij tmerri dhe
përjetimeve që nuk mund të përshkruhen nga goja e njeriut. Ndaj, përballimi i
orëve të para pas kthimit- ishin momentet më prekëse,tejet të rënda dhe shumë
të vështira për të gjithë të
mbijetuarit.
Megjithëse,pas
përjetimit të një realiteti si ky dhe gjendje të tillë kaq të pa shpresë,njeriu
humbet çdo forcë dhe besim në vetvete, gratë e veja krushjane, të cilat për
jetimët u shndërruan në Nën dhe Baba, fakti i mbijetesës së fëmijëve dhe
shpresa për rritjen e tyre,do ti bënte ato edhe më të forta se guri.
Ndaj,falë
sakrificave të panumërta të këtyre nënave, një pjesë e ish jetimëve të luftës
të pjekur para kohe nga kushtet e rënda dhe mbijetesa e zorshme,tanimë janë
bërë burra dhe kryefamiljarë të denjë, të cilët kanë ringjallur shpresën, gati
të shuar në këtë fshat, nga tragjedia kriminale serbe, dhe ripërtërirë jetën e cila
me gjithë vështirësitë edhe këtu, sot vazhdon e re dhe e sigurt, si kudo tjetër
në Kosovën tonë të lirë.