E shtune, 27.04.2024, 04:50 PM (GMT+1)

Mendime

Isa Mulaj: Gjeopolitika neo-otomane e televizioneve

E diele, 24.03.2013, 10:30 PM


Gjeopolitika neo-otomane e televizioneve të USAID-it

Shqiptarët në sferën e ndikimit amerikano-turk, greko-sllav dhe evropian

Nga Isa Mulaj

George Friedman në librin e tij “The next 100 years: A forecast for the 21st century, New York, Doubleday, 2009 (i përkthyer edhe në shqip “100 vitet e ardhshme: Parashikimi për shekullin XXI”, shtëpia botuese Plejad, Tiranë, 2010) hedh disa hipoteza rreth evolucionit të gjeopolitikës botërore. Një parashikim në formë spekulimesh për një shekull në kohën e dinamizmit gjithnjë e më të madh, është thuajse i pamundur. Rrjedha e ngjarjeve në të kaluarën kishte hedhur poshtë shumë parashikime edhe më afatshkurta kur përparimi dhe zhvillimi teknik e teknologjik ka qenë më i ultë, me çka mundësia e parashikimeve ka qenë më e madhe se tani.

Atyre që u intereson se ku mund të gjenden trojet e banuara me shqiptarë në “parashikimin” e Friedmanit, e gjejnë këtë si territor nën sferën e dominimit gati tërësisht turk. Duhet theksuar se hipotezat e Friedmanit nuk janë parashikime por plan i tanishëm i SHBA-së se çka synojnë të bëjnë. Shqiptarët duhet t’i kenë synimet dhe planet e veta, ose të vetëvendosin. Planet e SHBA-së mund të mos përputhen me interesat e shqiptarëve. Kjo është duke u vërejtur qartë sidomos në Kosovë nga e cila SHBA ka hequr dorë për vete dhe mendon ta bëjë Kosovën satelit të Stambollit. Pas ekonomisë, ambasada e SHBA-së, më konkretisht ambasadori i tyre në Kosovë Christopher Dell i cili edhe krye në vete dhe për interesa personale ua shiti ndërmarrjet e mëdha publike të Kosovës kompanive turke, nëpërmjet televizioneve “kombëtare” TV21 dhe KTV të ngritura nga USAID-i, po e bëjnë hapin përfundimtar në krijimin e kombit kosovar i cili as nuk do të identifikohet si diçka që është aktualisht, e as me ndonjë identitet të qëndrueshëm kosovar, por me sferën e dominimit të afatgjatë të Turqisë.  Roli “krye në vete” pjesërisht i ishte imponuar ambasadorit Dell nga fakti se udhëheqësit dhe politikanët kosovarë shkonin tek ai jo për të marrë ndonjë propozim se si të veprojnë, por i kërkonin Dell-it të veproj vetë në punët për të cilat këta politikanë marroqë ishin caktuar si kompetent, përfshirë këtu edhe imtësitë e përditshme. Këtë do ta deklaroj edhe vetë Dell-i publikisht duke e shfajësuar veten se “këta vetë po kërkojnë nga unë t’i bëjë këto gjëra”.

Sfera e ndikimit afatgjatë dhe të qëndrueshëm tani është orientuar  në përhapjen e kulturës turke nëpërmjet prodhimit serik të filmave që u shërbehen shqiptarëve të Kosovës nga televizionet e ashtuquajtura “nacionale” (për shkak të shtrirjes së frekuencave të tyre) të USAID-it, TV21 dhe KTV. Rreth qëllimit të “bombardimit” me këto seriale do të flasim më vonë në këtë shkrim. Mos të harrojmë se KTV e USAID-it dhe filiala e saj Koha Ditore e Sorosit janë kritikuesit më të ashpër rreth mënyrës se si ambasadori Dell e zgjodhi arbitrarisht një oficere të policisë së Kosovës me shkollë të mesme (Atifete Jahjagën) Kryetare të Republikës së Kosovës. Ky qëndrim i medieve të grupit KOHA erdhi fill pas refuzimit të kërkesës që ia bëri ambasadori Dell pronarit të saj, Veton Surroit, për ta vënë këtë në pozitën e kryetarit të Kosovës. Z. Surroi kishte llogaritur mirë dhe besuar fuqishëm se z. Dell nuk do ta vë askënd në pozitën më të lartë të shtetit pos tij. Sorosi, financuesi i Vetonit, sikurse Delli dhe Friedmani, janë nga SHBA. Surroi kishte themeluar “Klubin për politikë të jashtme” që t’iu tregoj këtyre amerikanëve se do ta imitoj “Këshillin për politikë të jashtme (Council on Foreign Relations)”, ose edhe të bëhet i fuqishëm si ai. Edhe unë kam qenë në Pentagon por nuk e kam fuqinë e tij. Kërkesa e z. Surroi drejtuar ambasadorit Dell për t’u bërë kryetar i Kosovës (me emër në zarf apo edhe me grafit në ndonjë WC publike!) kishte ardhur pas braktisjes së planit të “shoqërisë civile kosovare” për rrëzimin e Qeverisë. Ai plan ishte hartuar nën frymën e teorive konspirative të bazuara në Protokollet e pleqve të mençur të Zionit. Bartës i planit ishte Luan Shllaku nga dega e Sorosit në Kosovë, dhe ortakët e tij të “shoqërisë civile” që ishin ekskluzivisht nga grupi KOHA (Klubi për politikë të jashtme, KTV, dhe Koha Ditore). Ndaj përfshirjes së shoqërisë civile të vërtetë ishin përjashtues. Thjeshtë u interesonte të jenë vetë në vend të qeverisë, pavarësisht mbështetësve  dhe mënyrave se si do të arrijnë atje.

Mashtrimi demokratik i dhe religjioz i shqiptarëve

Pas rënies së komunizmit i skicuar si “komb dhe religjion universal”, shumë popuj filluan ta rikthejnë identitetin e tyre kombëtar dhe religjioz që ua kishte rrezikuar “kombi sovjetik” nëpërmjet rusifikimit dhe ai “jugosllav” që identifikohej me dominim serb, e pjesërisht edhe kroat. Mirëpo,  komunizmin po e zëvendësonte një komb tjetër “universal”, e ky ishte demokracia dhe religjioni, me synime krejt të njëjta si të komunizmit – dominimin, asimilimin dhe imponimin e kulturave të popujve tjerë. Zgjedhja dhe përqafimi i elementeve, parimeve, traditave, sistemeve dhe rregullave nga popujt tjerë mund të jetë e parapëlqyer derisa nuk janë zhvilluar të tilla si autoktone, dhe nëse sjellin dobi, qoftë për  veten, palën tjetër dhe popujt tjerë. Religjionet dhe sistemet socio-ekonomike e kanë pikërisht këtë qëllim përfitimesh të përbashkëta, në fund të të cilit del qëllimi madhor i fuqizimit të një populli për dominim ndaj të tjerëve.

Abrahami si baba i religjioneve monoteiste (judaizmit, krishterimit, dhe islamizmit) ishte një nacionalist i devotshëm që shpërfillte kulturat e popujve tjerë duke i ekspozuar ato të Jehovait (Zotit të hebrenjve) si më praktike, të moralshme, dhe më të mira. Konceptin e Zotit do ta shpërfaq dhe përparoj shumë Mojsiu, autori i pesë librave të parë të Dhiatës së Vjetër në Bibël, të njohura bashkërisht si Tora. “Bibla është fjala e Zotit që vlen për tërë njerëzimin”, kështu thotë vetë Bibla. Kur e lexoni Toran, duket sikur Zoti i ka harruar popujt tjerë dhe zhvillimin e tyre si kinezët, indasit, grekët e lashtë, ilirët dhe është marrë ekskluzivisht me hallet e hebrenjve, padrejtësitë që i përjetonin nga egjiptasit dhe persianët të cilët Bibla i paraqet në kontekstin negativ. “Mungesa e njohurive” të Zotit për rajonet tjera gjeografike, ka qenë e theksuar, ose, nëse popujt tjerë kanë pasur njohuri, ato nuk paskan qenë të duhura. Në Bibël dhe Kuran përmenden lloje të ndryshme pemësh si fiku, hurma, ulliri, rrushi. Askund nuk figuron dardha dhe pemët tjera të përhapura tek ne dhe shumë vende tjera të botës, sepse nuk rriteshin në shkretëtirat e Arabisë dhe Palestinës, ose kanë qenë të rralla që Zotit nuk i paskan ra në sy! Pas religjionit të vërtetë dhe të kuptuar si duhet, fshihet nacionalizmi.

Popujt tjerë që kanë synuar të lidhen me Zotin, qenka dashur ta bëjnë këtë vetëm duke iu nënshtruar Mojsiut dhe udhëzimeve të tij. Ndërkohë, vetë Mojsiu pasi e nxjerr popullin e vetë nga robëria e Egjiptit, fillon përpjekjet për nënshkrimin dhe skllavërimin e popujve tjerë, me plane dhe udhëzime shumë të qarta që i hasim në librin e Numrave. Nga 12 fiset e Izraelit, Mojsiu me ekipin e tij regjistron një numër prej 603 550 ushtarësh, të mjaftueshëm për pushtimin e botës (shih Numrat 1:21-45). Fillon me armatosjen e 12 000 ushtarëve izraelitë për hakmarrje kundër Midianit. I mbysin të gjithë burrat e Midianit, marrin rob gratë dhe fëmijët, ua plaçkitin kafshët shtëpiake dhe gjithçka ç’kishin për të jetuar. Tërë këtë “trofe” ia dërgojnë Mojsiut në kamp, e ky ende shprehet i pakënaqur kështu: “Keni lënë gjallë të gjitha femrat?” (Numrat: 31:15). Si profet i “udhëzuar” nga Zoti, Mojsiu ende nuk ndihej i kënaqur me vrasjet dhe plaçkitjet, dhe jep këtë urdhër: “E pra, tani vritni të gjithë fëmijët meshkuj dhe të gjitha gratë që kanë pasur marrëdhënie me një mashkull. Lini gjallë të gjitha vajzat që nuk kanë shkuar me ndonjë mashkull (Numrat 17:18).

Pavarësisht se a ekziston Zoti apo jo, njeriu nuk mund të jetë qenie e denjë dhe nacionalist i ndershëm pa besim në Zot. Thelbi i besimit në Zot do të thotë të qëndrosh i patundur në luftën për emancipim pavarësisht pengesave dhe pasojave, ngritjen e lavdisë, mbrojtjen e identitetit, dinjitetit dhe kulturës së popullit tënd. Një nacionalizëm të tillë e ka shfrytëzuar për mrekulli Muhamedi. Zbulimi më i madh epokal i tij është shprehja në arabisht “la il-lahe il-Allah, Muhamedun resulullah”, që do të thotë: “Nuk ka Zot tjetër pos Allahut, dhe se Muhamedi është i dërguar i Tij”. A po e kuptoni si duhet porosinë e qartë nacionaliste që e përmban gjysma e parë e fjalës? Secili popull dhe individ që beson në Zot në çfarëdo mënyre, besimi i tij është i pavlefshëm nëse shprehja nuk është në arabisht. Ky është elementi përjashtues i çdo gjuhe dhe kulture, dhe promovim i gjuhës arabe. Sipas kësaj porosie, kushdo që nuk beson Allahun dhe nuk i lutet atij në arabisht, nuk është në rrugën e Zotit. Gjysma e dytë e fjalisë e barazon Muhamedin me Zotin, dhe faktikisht e bënë atë Zot në tokë, pavarësisht se në interpretime të islamizmit thuhet: “Jo, Muhamedi nuk është djalë i Zotit e as vetë Zoti; është vetëm i dërguar i tij”. Kurani në disa referenca e thotë shumë qartë se Muhamedi është faktikisht Zoti. Për shembull: “Thuaju (o Muhamed): Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu do t’iu dojë dhe t’iu falë gjynahet! Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë” (Al ‘Imran, 31), ose, “thuaju:  Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit! Në qoftë se kthejnë shpinën, (dijeni se) Allahu, më të vërtetë, nuk i do jobesimtarët (Al ‘Imran, 32).  Nëse dikush nuk i kupton porositë e Kuranit, Kurani ia përsërit disa herë lexuesit të njëjtën gjë rreth Muhamedit si Zot. Kjo është e njëjtë me trinitetin në krishterizëm, të cilin doktrina islame gabimisht e kritikon gjersa vetë e zbaton praktikisht, madje shkon edhe më larg kur Muhamedin e barazon me Zotin. Kushdo që ka qenë i interesuar të gjejë rrugën për te Zoti, këtë duhet ta bëjë vetëm nëpërmjet Muhamedit. E kur Muhamedin e pyesin për lidhjet me Zotin, ky u ka thënë: “Çka u intereson juve kjo? Ky është raport vetëm ndërmjet meje dhe Zotit. A more vesh. Eee, nëse t’i do të jesh më afër Zotit, atëherë bëjë çka them unë”. Në Kuran thuhet kështu: “Thuaj (o Muhamed): “O njerëz, unë jam i dërguari i Allahut për të gjithë ju, i Atij që i përket sundimi i qiejve dhe Tokës” (El-‘Araf 158).  “Kush i bindet të Dërguarit, i është bindur Allahut. Sa për ata që kthejnë kokën mënjanë, Ne nuk të kemi dërguar që të jesh rojtar i tyre” (En-Nisa, 80), mandej, “O i Dërguar! Lufto kundër mohuesve dhe hipokritëve dhe bëhu i ashpër ndaj tyre! Strehimi i tyre është Xhehenemi; sa vendbanim i shëmtuar” (Et Teube, 73). E të tjera.

Bibla dhe Kurani janë libra përmbledhës jashtëzakonisht të rëndësishme historike dhe për studime arkeologjike të popujve në Lindjen e Mesme, por jo edhe për popujt dhe rajonet tjera të botës. Shumë zbulime shkencore dhe mrekulli në të kaluarën janë zhvlerësuar ose zhdukur, duke përfshirë edhe llojin e llaptopit (kompjuterin) për të cilin thuhet se janë gjetur dëshmi të ekzistencës së tij mijëra vite më herët në piramidat e Egjiptit, për t’u rizbuluar mijëra vite më vonë. Këto zhdukje të përparimit shkencor kanë ndodhur për shkak të mungesës së burimeve të shkruara, për çka Isak Njutoni thotë se njohuria gjatë historisë ka humbur dukshëm, dhe se ai ishte një prej të zgjedhurve që të nxjerrë informata shkencore nga Bibla. Të tjerët kanë nxjerrë nga librat fetarë (dhe vazhdojnë ende të nxjerrin) elemente si, metodologji për letërsi, legjislacion, luftë, urrejtje, dashuri, e shumëçka tjetër. Informatat më të drejtpërdrejta mund të nxirren rreth historisë së atyre popujve dhe vendeve praj nga kanë ardhur Bibla dhe Kurani. Kur lexon Biblën, ajo tregon për popullin e Izraelit dhe fiset e tij, si Levi, Simon, Isahar, Juda, Rubin. Kthehesh te Kurani dhe aty gjejmë historinë e popullit arab me Ad, Kurejsh, Hud, Themud. Aty askund nuk figuron fisi Dardan (vendi i dardhave), Mollos (vendi i mollave), Dalmat (vendi i deleve; nga fjala shqipe “delme/t”), Epir (toka “E-Pirros”). Thuhet: “Ne e zbritëm këtë Kuran në gjuhën arabe, për ta kuptuar ju [arabët] (Jusuf, 2)”. Nëse shqiptarët apo cili do popull duan ta kuptojnë Kuranin dhe Zotin, atëherë po u dashka të gjithë ta mësojnë arabishten dhe të luten vetëm në këtë gjuhë. Padyshim se kjo është forma më ekstreme e fanatizmit kombëtar arab, dhe është meritë e strategut Muhamed për monopolizimin e Zotit me qëllim që ta vë kulturën dhe popullin e tij në rend të parë.

Bibla dhe Kurani janë strategji dhe plane biznesi për zhvillim kombëtar të kombeve të caktuara. Raportojnë se çka ka ndodhur (çka është shumë pozitive), mbajnë shënime, dhe bëjnë plane për të ardhmen të cilat i quajnë profeci. Profecitë në kuptimin normal janë plane. Kur njerëzit synojnë t’i përmbushin ato plane dhe pjesërisht ia arrijnë qëllimit, atëherë na thonë se kjo është përcaktuar nga Zoti që të ndodh. Kur Revolucioni i Tetorit 1917 mori pushtetin në Rusi, profecia e tillë ishte përcaktuar nga njerëzit që mohonin ekzistencën e Zotit, ashtu siç ishte profetizuar nga njerëzit edhe rënia e komunizmit. Të dyja, ngritja dhe rënia e komunizmit, ishin vepër e njerëzve. Të tilla janë edhe profecitë e Biblës dhe Kuranit. Allahu me Kuran e ka caktuar Haxhin për secilin mysliman që ka mundësi – vizitën e tempullit në Meke të Arabisë Saudite. Një vizitë e tillë e organizuar nga Kosova kushton ndërmjet 3 000 dhe 5 000 eurove. Me të njëjtat para mund t’i blini 5-6 bileta kthyese për në SHBA që është disa herë më larg nga Kosova se Arabia Saudite. Në ditën e festave islame (bajrameve) në Meke mblidhen deri në 2 milionë pelegrinë. Nëse secili shpenzon nga 50 euro, atëherë aty mbeten 100 milionë euro në ditë. A ka ndonjë strategji më të mirë për zhvillimin e turizmit se kjo? Jo nuk ka. Ne duhet të shpenzojmë miliona, angazhojmë ekspertë dhe punojmë shumë për tërheqjen e turistëve dhe investimeve të jashtme, e në fund edhe ata pak turistë dhe investitorë ikin më dëshpërim për të mos u kthyer më. Kështu fuqia intelektuale dhe strategjia ekonomike e Muhamedit na del më e mençur se e shumë vendeve të marra së bashku të cilat investojnë mjete të mëdha dhe angazhojnë shumë njerëz në zhvillimin e turizmit që të krijojnë të ardhura nga ky sektor i ekonomisë.

Kush nuk i bindet Allahut dhe nuk lutet në arabisht, nuk është i denjë për këtë botë dhe në botën tjetër do të digjet në zjarr, thonë myslimanët në bazë të udhëzimeve që i përmban Kurani. Kush nuk i beson Jezu Krishtit nuk është i krishterë, thotë doktrina e krishtere. Ndaj pretendimeve se kush nuk është çifut (siç thonë Zionistët), nuk është njeri ose i zgjedhur nga Zoti por kafshë, Muhamedi reagon ashpër në Kuran në formë mallkimi kundër tyre: “Thuaju hebrenjve: Në qoftë se ju pretendoni se jeni të vetmit miq të Allahut nga të gjithë njerëzit, atëherë dëshirojeni vdekjen po të jeni të sinqertë!” (El-Xhumua, 6). Pra, nëse dikush thotë: “Unë, ose populli im, është i zgjedhur nga Zoti”, ju duhet t’ia ktheni: “Bëhu real, dhe shko e mytu diku”!

Disa myslimanëve të devotshëm u interesonte shumë se çfarë religjioni jam unë dhe në çka besoj, pasi ata kishin vërejtur një parullë time publike për orientimin religjioz si “adaequatio rei et intellectus” (korrespondenca e mendjes me realitetin). Kur më bënin presion ta zbuloj identitetin tim religjioz, unë u thosha (dhe po u them edhe tani): “Çka po të intereson ty kjo? Kjo është vetëm ndërmjet meje dhe Zotit.  Nuk është punë për ty por e Zotit. Ai e di më mirë”.

Secili popull ka të drejtë ta mbroj dinjitetin e vet. Atë që mund ta hasni sot në Kosovë, është se jo vetëm udhëheqësit politik, por edhe shumica e popullsisë çdo gjë e marrin si absolute në këtë botë në raport të pandryshuar. Dhe jo vetëm në botë. Edhe brenda kombit të tyre. Shumica e shqiptarëve menduan se me ardhjen e demokracisë, shteti, kombi dhe dinjiteti humbin rëndësinë, ose janë diçka për të cilat nuk do të kenë nevojë. Kjo është e kundërt me shumicën e popujve tjerë evropianë të shtypur, ku pas komunizmit është rritur dukshëm nacionalizmi dhe diferencimi kombëtar (çekët, sllovakët, polakët, serbët, kroatët, boshnjakët, sllovenët, popujt baltik).

Kanë kaluar mbi 20 vite nga braktisja e konceptit të “kombit dhe religjionit universal” dhe shumicën e shqiptarëve ende i gjejmë mentalisht të nënshtruar, apo më mirë themi edhe të përkushtuar, ndaj ndikimeve tjera, po ashtu të huaja. Sikur në të kaluarën kur mbizotëronte mburrja për komunizmin, edhe sot e kemi në trend mburrjen me demokracinë si ideologji abstrakte. Themi abstrakte sepse në Evropë më së paku demokraci ka te shqiptarët. Aktualisht jemi nën ndikimin e tri ndikimeve të mëdha nga jashtë. I pari është orientimi për anëtarësim në BE. I dyti, ndikimi amerikano-turk. I treti, ndikimi i shteteve fqinje nga të cilat tradicionalisht kemi pësuar shumë. I katërti, i cili gjithsesi do të duhej të ishte i pari, është orientimi kah vetëvendosja, por fatkeqësisht me ndikimin më të vogël si pasojë e mishërimit me mentalitetit të robit dhe oreksit për t’iu shërbyer të tjerëve në dëm të kombit.

Po që se ju bisedoni me shqiptarë të zakonshëm rreth faktorit shqiptar, ka gjasa që menjëherë t’u thonë (siç e kam testuar shpesh edhe vetë në biseda):

-           Ne jemi popull i vogël dhe i parëndësishëm. S’jemi kërkushi! S’jemi kanë dhe nuk do të jemi.

-           Normal, ti po insiston të jemi kërkushi. Sllovenët janë më pak se dy milionë janë dikushi. Kroatët në Kroaci diçka më shumë se katër milionë dhe janë dikushi ose së paku kombi i vetvetes, e ne jemi rreth gjashtë milionë në një territor kompakt. Unë po e shoh tërë problemin e de fekatorizimit shqiptar vetëm tek ti, sepse populli përbëhet nga individët si unë e ti. Në momentin kur ti e flakë këtë mentalitet, ne si kolektiv mund të bëhemi gjithkushi.

-           Po s’jemi popull i atillë. Duhet me ditë pak gjendjen në terren dhe si po zihet politika, kush është më i fuqishëm e kush më i dobt. Me i shtri kamt sa t’mrrin jorgani.

-           Po, edhe Trocki i ka shtri kamt sa i ka mrri jorgani! Në kamp ose burg ia kanë vënë nofkën Trocki dhe janë tallur me të. Kur ka dalë e ka mposhtur ushtrinë e Carit, e ka themeluar dhe udhëhequr Armatën e Kuqe me të cilën i ka mposhtur Meneshvikët, amerikanët, britanikët,  francezët, japonezët, kinezët, indianët, polakët e shumë tjerë që luftonin për Armatën e Bardhë. Gavrillo Principi ka qenë një fëmijë që s’ka pasur asgjë pos një pistoletë me të cilën ka vrarë trashëgimtarin e mbretit të Perandorisë Austrohungareze.

-           Pse s’po del edhe ti me vra naj mbret të perandorisë!

-           Për ashtu, së pari më duhet t’iu vrasë juve!

-           Pse mu? Kështu po don me i shërby ma mirë kombit, a?

-           Sepse, po të mos ishin pengesat sikur mentaliteti defetist i juaji se “këtu ka me marrë turku krejt, çka t’thotë Amerika ka me u ba ktu, me dashtë Gjermania na shtin n’BE nesër, luftë ma kurrë s’ka me pasë ktu se s’len Amerika”, edhe ne bëhemi dikushi si shumë popuj tjerë. E kemi amanet thënien e Mit’hat Frashërit se “Shqiptarët do t'i fitojnë të gjitha luftërat, posa ta përfundojnë betejën ne mes veti”. Unë s’po shoh kurrfarë rreziku nga shkijet, amerikanët, turqit, grekët, gjermanët. Rrezikun për këtë popull që t’i po pajtohesh se nuk është kërkushi, e shoh vetëm tek ti dhe shumë tjerë me mentalitet defetist si ti. Pra, neve na nevojitet ta fitojmë luftën nga brenda kundër juve, e pastaj kqyrim se si të mbrohemi nga armiqtë e jashtëm.

Vetëm ndalej e shikonte si hut personi me të cilin bashkëbisedoja. Kjo pjesë e bashkëbisedimit është përmbledhur nga biseda që e kam pasur me një qytetar të zakonshëm dhe me drejtorin e drejtoratit për ekonomi dhe financa të Kuvendit Komunal të Istogut, Osman Sadikaj. Ky i fundit mbase edhe ka përgjegjësi më të madhe ndaj popullit, është ithtar i teorive konspirative se çdo gjë në këtë botë është absolute, e përcaktuar për një të ardhme të pakufishme, se Amerika po bënë biznes me Putinin dhe po e furnizon me ryshfete e para që unë nuk po e ditkam (por e di se Putini e ka përzënë USAID-it nga Rusia dhe çdo OJQ që ka punuar me të i ka futur në listë si agjentë anti-kombëtar), “dil e vraje edhe ti naj mret” (se atij s’po ia mbante bytha!), e të ngjashme.

Serialet turke në televizionet e USAID-it para ofensivës së Sylejmanit të Madhërishëm

Përvoja historike na tregon se popujt nuk zhduken nga shfarosja fizike, pavarësisht përmasave të terrorit dhe gjenocidit, sa zhduken nga asimilimi ose tjetërsimi kulturor. Amerindianët nuk mund të ishin zvogëluar dukshëm  nga lufta me kolonizatorët evropianë sa janë zhdukur nga ndikimi i kulturës evropiane. Tek e fundit, secili kolonizator ka për qëllim ta shtrij ndikimin e vet, politik, ekonomik dhe ushtarak për t’i vënë kapakun me mbizotërimin kulturor.

Kush e mban mend Televizionin e Prishtinës (TVP) gjatë komunizmit, i kujtohet se ai më së shumti transmetonte filma serik dhe artistik të “imperializmit amerikan”. Kur vetë amerikanët u vendosën në Kosovë dhe ne u bëmë së tepërmi pro-amerikan, situata me filma dhe programe në TV ndryshoj shumë. Kësaj radhe me ndihmën e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). USAID-i financoj themelimin dhe zhvillimin e dy televizioneve të quajtura kombëtare, për t’i shërbyer pjesës së kombit këtu në Kosovë. Arsyeja  më e shpeshtë e këtij transformimi është ky: Holivudi po humb në konkurrencën ndërkombëtare me filma nga vendet tjera në rritje si India dhe Turqia. Fillimisht, në televizionet e USAID-it dominojnë filmat nga Amerika Latine, pastaj monopolin e marrin serialet turke. Së pari zbarkon seriali Aci Hayat (Një jetë më e mirë) në të cilin rolin kryesor e luan aktori Kenan ?mirzal?o?lu, i njohur në film si Mehmet Kosovari. Është ky një promovim i dinjitetit kosovar nga Turqia. Në Kosovë ky serial u përcoll me interesim të madh. Natyrisht, edhe producentët turq ishin të mençur për t’i dhënë një përshtypje të mirë Kosovës me Mehmet Kosovarin i cili pas serialit e vizitoj Kosovën dhe u prit nga një turmë e madhe simpatizantësh. Fill pas mbarimit të Aci Hayat, të njëjtin aktor me rolin kryesor e hasim në TV dramën Ezel (Amshueshmëria) të cilin e shfaqte gjatë vitit 2011 TV 21-shi i USAID-it. Kur mbaroj seriali, mediet turke dhe të Ballkanit diku në tetor 2012 raportojnë se Mehmet Kosovari ka pranuar se është homoseksual. Me siguri këtë nuk e ka pranuar më herët derisa të mbaroj shfaqja e serialit në Kosovë, sepse me gjasë nuk do të pritej mirë nga publiku kosovarë. Mehmet Kosovari duke qenë i gjatë 1,93 cm me siguri ka origjinë nga shqiptarët e Kosovës siç kanë edhe 900 shqiptarë në Stamboll (qyteti më i madh në botë me numër të shqiptarëve) ku përfshihen shumë aktorë por që nuk deklarohen se janë shqiptarë. Mehmet Kosovari duhet të ketë origjinë nga Gjakova sepse gjakovarët në zhrgonin popullor dallojnë nga kosovarët për kah (ç’)orientimi seksual. Kohëve të fundit, golashënuesi më i mirë i superligës turke, Hakan Shykyr (i njohur si “Taraku i Bosforit”) e zbulon identitetin e vet shqiptar në Universitetin Mehmet Akif Ersoj në Burdur (edhe ky shqiptar). Këto janë dëshmi se tekstet shkollore të historisë në Kosovë duhet të pësojnë disa ndryshime ku duhet të spikatet faktori shqiptar dhe kontributi i tij jo vetëm në Perandorinë Osmane, por edhe atë Romake dhe Bizantine. Madje këtu kemi dy perandorë të cilët zyrtarisht kanë qenë dhe njihen si të mëdhenj (Konstantini i Madh, dhe Justiniani i Madh).

Ezelin në TV 21 e përcjell seriali tjetër turk Fatmagyl (në origjinal “Fatmagül'ün Suçu Ne?” – Ç’faj ka Fatmagyli?), shfaqja e të cilit po vazhdon. Ky serial ka shënuar rekorde të shfaqjes në botën arabe, shtetet e Ballkanit (pos Bosnjës dhe Shqipërisë), Francë dhe Rusi. Bëhet fjalë për fejesën e një pronare të byrektores (Fatmagyl Ketenxhi) me një peshkatar (Mustafa Nallçalle) me të cilin ndahet pas disa muajve, pastaj martohet me farkëtarin Kerim Ëllgaz. Shqiptarët e Kosovës që shikojnë këtë serial, sidomos meshkujt, përcjellin me shqetësim se si Kerimi është indiferent në flirtimin me gruan e tij Fatmagylin. “Phiiii! Po mashkull peder ky far Kerimi! T’isha kanë n’ven tina me ia ngjit Fatmagylit!”.

Sapo përfundon një seri e Fatmagylit në TV 21 pas orës 21, teleshikuesit kosovarë, ende pa u shfaqur informatat përmbyllëse, nxitojnë ta ndërrojnë kanalin. “Qite n’KTV. Shpejt, shpejt! Te shohim Savashin e Jaseminin”. Savashi është emri i personazhin kryesor një një tjetër serial turk A?k ve Ceza (Dashuri dhe ndëshkim) që shfaqet në televizionin tjetër “kombëtar” të USAID-it, në KTV. Emri i tij i vërtetë i Savashit është Murat Yildirim. Jasemini është aktorja Nurgül Ye?ilçay. Për dallim nga Fatmagyli me Kerimin, Savashi është më aktiv në flirtimin me Jaseminin. Disa teleshikues shqiptarë, sa herë e vërejmë që Kerimi po bënë budallaqe me Fatmagylin kur kjo shprehet e gatshme për flirtim (si për shembull, Kerimi i thotë shko fli ti brenda në shtëpi, e unë po dal të shkurtoj dru; mandej, kur janë vetëm të mbyllur në dhomë Kerimi i thotë fli e kësaj nuk i flihet; kur janë natën bashkë në dhomë Kerimi e zhvendos vëmendjen duke e tërhequr Fatmagylit në kuize me njëri-tjetrin), thonë: “O hiqe kit peder e qitna n’KTV të shohim Savashin se ky tybe n’guxon me ia ‘ngjit’; veç nëse ia ngjet Fatmagyli me zor ktina”. Nal, nal, nal veç pak t’kqyrim çka po ndodh, reagon tjetri. Kështu teleshikuesit shqiptarë ndodhen përballë konkurrencës ndërmjet ndikimeve të filmave që promovojnë “përmbajtje” flirtuese dhe atyre që janë më të ‘nxehtë’ në këtë drejtim, që të dyja vegël të USAID-it dhe profeci e George Friedmanit.

KTV-ja duket se e ka kuptuar se mbetja në konkurrencë nënkupton gara me transmetimin e serialeve turke. Ka provuar t’i tregoj publikut kosovarë që të shmangen nga TV 21-shi dhe ta shikojnë Savashin të cilin e transmeton në kohë të përafërt me Fatmagylin në TV 21, duke mos u lënë alternativë teleshikuesve kosovarë. Në këto seriale shfaqet kryesisht mënyra turke e jetës dhe e veprimeve, përpos që e tërë kjo mbizotërohet nga veturat e prodhimit gjerman (Mercedes, BMW, Opel, Volkswagen), dhe bisedat me telefona celularë thuajse orë e çast, të prodhimit finlandez (Nokia), gjerman (Siemens), suedez (Ericsson), amerikan (motorola), etj., ose teknologjia që mbizotëron edhe në Kosovë. Këtu tash vijmë te gërshetimi ndërmjet kulturës dhe teknikës në Kosovë, për çka kosovarët mund ta gjejnë veten në situatë konfrontimi ndërmjet ndikimit amerikano-turk me kulturë, dhe teknikës gjermane. Kosova synon t’i bashkëngjitet BE-së sikurse edhe Turqia. Gjermania është shteti me popullsinë dhe ekonominë më të madhe në BE. Atje jetojnë 300 000 shqiptarë, ndërsa në fqinjin e saj jugor Zvicër, rreth 200 000 që kanë ndikim të madh në Kosovë sidomos me mjete financiare. Që nga ardhja e Barak Obamës në pushtet si kryetar i SHBA-së, politika amerikane ndaj Kosovës, sidomos e ambasadorëve të saj në Kosovë, është shumë pro-serbe dhe pro-turke në disfavor të shqiptarëve. Ata që nuk duan të mos harrojnë, shpallja e pavarësisë së Kosovës ka ndodhur vetëm gjatë mandatit të republikanit George Bush sapo ky ishte liruar pak nga punët tjera të mëdha nëpër botë (lufta në Irak dhe Afganistan). Pas djegies së ambasadës së SHBA-së në Beograd nga serbët në shenjë hakmarrje kundër shpallje së pavarësisë së Kosovës, kryetari Bush autorizon Kongresin ta furnizoj Kosovën me armë. Erdhën demokratët në Shtëpi të Bardhë dhe ai plan u anulua për Kosovën, dhe në vend të tij SHBA furnizon falas me armë Greqinë duke ia dhuruar 400 tanke, dhe 14 automjete të blinduara Hummvee Serbisë. Pas dhunës brutale që ushtruan serbët kundër paradës së homoseksualëve në Beograd, amerikanët u bindën se Serbia duhet të përkrahet me armatim, e jo me këso parada, sepse populli po i dashka më shumë armët. E kundërta po ndodh në Kosovë, ku për çudi, avokati i (anti) popullit, Sami Kurteshi, gati sa nuk çart me reagim pas një incidenti kur tifozët e Prishtinës Plisat kishin hyrë në Sallën e Kuqe dhe i kishin demoluar statujat që përdoreshin si dekorim dhe inspirim i një ngjarje të homoseksualëve. Nëse pushteti u vret si qenin në mes të Prishtinës, avokati i (anti) popullit nuk e çel gojën.

Në sferën politike demokratët filluan ta dëmtojnë Kosovën për llogari të Serbisë. Pavarësisë së Kosovës ia shtuan një fusnotë. Edhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë po shkon më shumë në favor të Serbisë në atë çka po kërkon për enklavat serbe në Kosovë. Ndaj tendencave të tilla për defaktorizimin shqiptar në llogari të gjeopolitikës amerikano-turke, është duke reaguar Gjermania, e cila ua bënë të qartë si Serbisë, ashtu edhe Turqisë, se në BE nuk mund të hyjnë pa i plotësuar kushtet, dhe se agjenda amerikano-turko-serbe në Ballkan e menduar për ta minuar BE-në në Ballkan, nuk duhet të devijoj nga kushtet që i përcakton BE-ja për anëtarësim, përndryshe BE-ja do ta stërgjatë anëtarësimin e atyre shteteve që punojnë me agjendë dhe llogari të Friedmanit, Bosforit, dhe Uashingtonit.

Mos kam shkuar shumë larg me këtë gjeopolitikë të televizioneve të USAID-it dhe kam dalë krejt nga tema bosht, dhe gabimisht e kam quajtur neo-otomane? Jo, jo. Në radhë është seriali Sylejmani i Madhërishëm të cilin Koha Ditore e grupit KOHA ku bënë pjesë edhe KTV-ja, para dy muajve i ka dhënë publicitet të madh promovues, për të joshur sa më shumë teleshikues, ose t’i bëjë ata të ndihen të padurueshëm deri sa t’i vijë radha për ta shfaqur. Në Shqipëri veç është duke u shfaqur ky film. Në Kosovë, TV21 ka kohë që është duke e reklamuar Sylejmanin e Madhërishëm të cilin do ta shfaqë menjëherë pas përfundimit të Fatmagylit. Ju që jeni duke e shikuar, e dini se për çka bëhet fjalë, ndërsa unë e di qëllimin gjeopolitik të tij dhe televizioneve të USAID-it. A nuk ka qëllim të caktuar vetë kronologjia prej Mehmet Kosovarit te Sylejmani i Madhërishëm? Filloj me kosovarë dhe po përfundon me Sulltanin dhe otomanët.



(Vota: 15 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora