E diele, 28.04.2024, 11:43 AM (GMT+1)

Mendime

Visar Berisha: Letër vëllaut tim Kim Mehmetit

E merkure, 27.03.2013, 06:28 PM


Letër vëllaut tim Kim Mehmetit

Nga Visar K. Berisha

Fort i dashur,

E di se keto ditë t`kanë ardhë e po të vijnë komente a qendrime mbi ate që ti ke thënë apo ke dashur të thuash. Herë të vrullshme, herë rragatëse ishin, i pashë. Ke pezm, e marr me mend! Por, për fjalën e thënë ia vlen një liri, thot shkronjëtari. A ia vlejti për ty, Kim? Për fatin tënd e toni, jo! Aq më pak do t`ia vlej nëse pranon viktimën brenda teje, njeriut të lirë kjo nuk i rri mbi n`ballë!

Gjithsesi.

Në fillimet e shekullit të kaluar, kur po bëhej garë mes idealistësh se kush e do vendin më shumë, Fishta i patë drejtuar Hil Mosit një letër, duke e nisur “Gabove Hilë...”, krejt kjo pse Hili kishte ra në kurthën e të bërit mirë duke vepruar shtrembër. Deshta ta huazoj këtë titull për këtë letër, por mbasi as unë e as ti s`jemi Fishtë e Hilë, refuzova të dehëm nga ajo kupë që ma ofroj yshtja!

Pse duhet t`i them dy – tri fjalë edhe pse nuk njihemi? Se nuk më lë rehat ai mbiemri i përdorun (edhe nga ti në apologjinë tënde) për identitetin tonë të përbashkët; shqiptaria (shqiptarizma), e në të cilin si ti edhe unë jemi të dashuruar!

Shikuar prej atij brumi që unë jam formuar, shqiptarinë (`izmen) e kam kapërthyer në mendjen time si konsensusin e arritur nga unë e ti për ato që i quajmë vlera identitare, tuat e t`mijat, prej të cilave ushqehemi, të cilat i ushqejmë e për të cilat jemi marr vesh e me vdekë, po t`jetë nevoja. Sepse pa to ti dhe unë ma nuk jemi as ti as unë e me to të dy jemi ma shumë se ti e unë! Krejt mendoj se kështu janë krijuar edhe kombe ma t`mëdha po edhe ma të vogla se ky i yni, mbi konsesusin (t`pa negociushëm) për të përfaqësuar të përbashktën.

Pra, na jemi pajtuar me 1908 për gjuhen tonë, ballë-oxhakun e shqiptarisë (`izmës); Na po ashtu jemi pajtuar, fal Rilindjes, se Gjergj Kastrioti i quajtun Skënderbe, është diga që mban historinë tonë pa u shformësuar; Me gjasë, krejt e kemi pranuar se tradicioni jonë sekular, përbën themelet e kulturës sonë, këtë na e tregon eposi jonë, kanga jonë...e kështu më radhë jemi pajtuar për shumë gjëra tjera; Në fund jemi patuar edhe për rrugën se ka t`shkojmë tash e tujte. E kemi pranuar paqësisht se Europa është shtrati i kombit tonë.

Pasi krejt këtyre ua kemi dhanë formën ( duke quajtur shqiptarizëm), kemi vendosur ta dërgojmë në shkollat tona, atje ku fëmijët tanë do ushqehen me to, për unitetin e kombit. Dhe kemi bërë mirë, sepse, siç thot mendimtari francez, Xavier Darcos, kombi pa shkollën s`mund të jetoj, për shkak se e dyta është vendi ku mësohet unitetit i të parës: ajo çfarë kemi të përbashkët, ajo çka duam të bëjmë të përbashkët! Pra, me një fjalë, shqiptarinë (`izmen) sot duhet ta ruaj si orakull jetë dhënës, shkolla jonë.

Por, ti, në apologjinë tënde, merreshe më atë se kush e ka ruajtur nukleusin i shqiptarizmës deri sa ai ishte nën shiun e heshtave anmike. Mu duk (e zemra më dhimti kur e pashë) se kishte një lajthitje logjike në trajtesën tënde sa i përketë këtij argumenti. Pse? Praktikat historike kanë treguar, por edhe sociologjia e komunitetit dëshmon një gjë të tillë se diferentja mbetet e tillë si vlerë identirare e komuniteti veç nëse arrin të ndërtoj një refuzim përbajtësor ndaj supremacisë. Por kurrsesi, siç del nga konstatimi yt, se supremacia (asimiluese për nga natyre si çdo supremaci tjetër vlerash) ka mbajtur në gjirin e vet të pa prekur identitetin tonë. Aq më tepër nese kjo supremaci është integraliste, pra asimiluese, unipolare, antipluraliste, siç ishte në rastin tonë. Jo unë, por metodat shkencore na e zbulojnë këtë fakt.

E ndryshmja jeton, zhvillohet dhe bërtet vetëm në përballje opozitare, ashtu siç edhe ka ndodhur zaten me ne si popull. Herë me gjysëm-zëri, herë thekshëm por asnjëherë pa dëshirën për tu identifikuar. Shqiptaria (`izmi) nuk ka banuar diku por ajo është zhvilluar te dikush! Historia e thot, jo unë. Shqiptaria (`izmi) jeton sot falë amplifikimeve të herë pas herëshme që figura të ndrituna a lëvizje të rëndësishme i kanë bërë. Netët historike nuk na kanë bërë nderë, ato veç sa na kanë trullosur.

Në anën tjeter shumica e elementeve integrale të shqiptarisë (`izmës) ishin atëherë e mbesin sot e gjithë ditën liridashëse, kulturalisht (shpirtnisht), politikisht...(Skënderbeu, flamuri, etja jonë europiane...deri edhe gjuha, Kim). E si do rrinte ky zjarr kaq i gjallë afër kënetës integraliste?!

Ky zjarr, Kim, mbeti në zemrat e disa iluministëve të cilët iu bënë strehë e rujtën në gjirin e vet duke i dhënë jetë atij zjarri nga jeta e vet. Pak ishin ata, shumë pak, tjerët bënin veç numër. Dikush shkroj një formulë pagëzimi diku, dikush ndërtoj një Çetë...pat edhe bejte, dikur vonë erdh edhe Milosao, e kështu fija u ngjitë.

Në vazhdën e kësaj.

Konstatimi juaj apololgjik kishte një shembull, më sa unë pashë, mbi dy (sub)komunitete që jetojnë (kanë jetuar) afër teje, Kim; komuniteti ortodoks dhe ai katolik shqiptar. Ishe përthelluar në faktin se ata nuk janë më!

Pse u zhdukën? Për veç disa faktorëve tjerë jo pa relevancë, ata morën goditjën e fundit kur struktura kulturore shqiptare u ça në atë regjion. Kur diferencat identitare u rriten brenda trupit shqiptar dhe shqiptarët e islamizuar krijuan një subpopullacion kulturorë, ortodokset të vetin, katolikët po ashtu. Asnjëri prej tyre nuk i qendroj supremacive kulturore (osmane a sllave) që rrinin si shtëllungë tymi mbi trojet e tyre: i pari i mohoj të dytët dhe të tretët, e këta të fundit mohuan vetëvetën. Pse kështu, sepse kishin dy disfavore, e para, ishin pak në numër dhe integralizmi nuk i kishte lën të prodhonin elita vetjake, pra ushqim shpirtëror, dhe e dyta gjindeshin në përiferi të kombit, kulturalisht, politikisht, fizikisht...Kur terri integralist shkoj në theqafje, të parët nuk u shëruan kurr plotësisht nga hamendja; herë qon krye te ta shkaba dykrenshe (kur fryejnë erna perendimi), herë nostalgjia për Babën (kur duhmat e lindjes vijnë deri te ta). Të dytët dhe të tretët, tashmë kishin harruar të zgjoheshin.

Njëjtë iu ndodhi, ashtu si shqiptarëve ortodoksë e katolikë të tu Kim, edhe shqiptarve të islamizuar, në Pazar të Ri, Rashkë, Tutin, Tivar...Për fatin e tyre të keq nuk hëngrën të njëtën manë shpirtërore çfarë hëngrën shqiptarët në Shkodër e Korçë. A ruajtën gjë nga shqiptarizma ata, asnjë gjë!

Krejt këtë nuk e thash që t`i bijë vijë asaj që ti shpreh por të nxisë ty e vetën për reflektuar mbi një goditje të re që shqiptarizma e jote dhe e imja po pëson sot nga noatalgjikë, mohues e lloj-lloj haxhiqamilësh me flamurin e Babës nxjerrur nga pluhuri i harresës apo internacionalist shumëngjyrësh që prodhojnë e shuajnë kombe brenda ditës. A thua ku e ka fillin ky vet asimilim i ri, Kim i dashtun? Në mosngjitjën e shqiptarizmës në petkun e huazuar, veshur rishtazi, apo në entropinë shoqnore të trashëguar nga një strukturë mendimi (ndërgjegje) mohuese; mohues një herë mohues gjithëherë?!

Për fund, por jo për të fundit herë! Kombin tonë e mbajtën gjallë vlerat e mbikohshme, të cilat u kultivuan tek-tuk, prej dikujt, por të cilat shërbyen si ilaç për të shëruar tërë kombin!

U mundova mos ta shtoj dhimbjen e këtyre ditëve, vlla i dashur, por ta rikujtoj se më shumë se ti më dhimbset e vertëta.

Të paça,

Visar K. Berisha



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora