Mendime
Xhemal Ahmeti: Feja dhe politika në Maqedoni
E premte, 29.03.2013, 07:11 PM
Feja dhe
politika në Maqedoni
Nga Xhemal Ahmeti
Tendenca për ta çuar flamurin fetar mbi atë kombëtar rrezikon që perëndimi ta legalizojë luftën e Gruevskit kundër «terrorizmit islam». Një popullatë në mëshirën e fatit!
Nëpërmjet
tendencave dhe dukurive matet (mos)suksesi i elitave politike të një shoqërie.
Në vise të caktuara të Maqedonisë shqiptare (Shkup, Kumanovë, Pollog) ndjenja
islame ka degraduar dhe sekundarizuar atë qytetaren dhe kombëtaren. Nga njëra
anë kjo ka të bëjë me imitimin e «armikut» (shumicës që instrumentalizon fenë
për politikë) dhe nga ana tjetër ndikimin tejmase të Turqisë (nëpërmjet
biznesit, shkollave dhe politikës) dhe vendeve arabe (shumica e imamëve nëpër
Maqedoni janë shkolluar në vendet arabe). Si zakonisht njeriu kërkon ndihmën
larg e shkretëtirave atëherë kur ka humbur shpresat «në shtëpi». Një masë e
lënë në mëshirën e fatit dhe rastësisë nuk ka tjetër shteg përpos të zhytet
ujërave irracionalë. Pse irracionalë? Jo për shkak të islamit – nuk jemi duke gjykuar fenë këtu, të cilën
çdo njeri e ka të drejtë themelore – por për shkak të realpolitikës globalisht
e në rajon. Shqiptarët e Maqedonisë as vetë nuk ma merr mendja se besojnë se po
involvuan religjionin në politikë do të përkrahen nga politika kontinentale,
perëndimore për të drejtat e tyre. Kjo do t’i sillte ata në pozitën sandviç të
Serbisë, e cila donë të lidhet me Rusinë – e cila vetëm verbalisht nxit –
mirëpo nuk ekziston dot pa Evropën në të cilën gjendet. Nuk i duhet shumë
shkollë njeriut fetar që të kuptojë se Ankaraja, Damasku apo Riadi
instrumentalizojnë rëndë besimin për qëllimet e tyre konkrete ekspansioniste,
politike (para vjen xhamia, pastaj fabrika, pastaj kolegjet e në fund diktati).
Metodë të cilët me vonesë arabët dhe turqit e kanë mësuar nga misionet
eurocentrike të krishtera në epokat që lamë pas.
Brenda kësaj drame ata retardojnë edhe procesin e integrimit të tyre në hapësirën kulturore shqiptare dhe radikalizojnë luftën dhe armiqësinë ndaj atyre me të cilët janë të detyruar të koekzistojnë – qoftë si bashkëqytetarë apo fqinjë.
2.
Nëpërmjet këtij problemi kapital shohim efektin e punës së partive ekzistuese. Kjo situatë nuk dominonte në periudhën e parë të transicionit të viteve 1990 – 1998 (shqiptarët e Maqedonisë gjithmonë kanë qenë më fetarë se tjerët). Përkundrazi. Tek shumica e besimtarëve feja shërbente si një azil, si një ikje nga dhuna dhe diktati shtetëror e jo si mjet luftarak për të fituar pushtetin apo për të urryer tjerët. Nuk e di se si flasin pleqtë e sotëm, por në kohën e komunizmit ata gjithandej, në oda e nëpër kafene ligjëronin filozofinë: «fetë tona vetëm një lëkurë qepe i ndan nga njëra tjetra» (burimi abarahamit i religjioneve). Dhe se problemi «jonë nuk ka të bëjë me fenë por me ata që na urrejnë si shqiptarë». Nëse u kundërshtoje duke thënë se jo «këta» por turqit, arabët i kemi më afër, atëherë me nervozë ta kthenin «ku festohet Tita si pejgamber? Ku shkuan të deportuarit me dhunë viteve të 60-ta nga këto vise». Domosdo asocioje me konferencat pompoze të të painkuadruarve që udhëhiqnin Naseri, Tito dhe shumica e primatëve arabë. Si dhe me rolin e Turqisë (Kontrata ende është valide) në deportimin masiv të shqiptarëve nga Maqedonia. Kjo traditë reflektimi dhe mendimi si duket ka vdekur me vdekjen e atyre pleqve që deri viteve të 70-ta kishin jetuar goli-otokëve ose u masakruan maleve të Sharrit e Karadakut.
3.
Askush
nuk ka të drejtë të akuzojë shqiptarët e Maqedonisë për fetarizmin e tyre. Fenë
ata e konsiderojnë si pjesë të rëndësishme të identitetit të tyre. Kjo mund t’i
zhgënjej botëkuptimet tona mirëpo s’na jep të drejtën të mos i respektojmë.
Është e drejtë e tyre supreme njerëzore të besojnë dhe praktikojnë çka të duan.
Më së paku ka të drejtë Ali Ahmeti t’i tall para mikrofonave, sidomos kur kihet
parasysh kapaciteti i tij prej një ateisti dhe protomarksisti gjysmë të shkolluar
që tradhtoi çdo ideal qytetar, njerëzor dhe kulturor të shqiptarëve.
Madje
liderët e partive do të kishin fituar shumë më shumë nëse bëhen transparentë
dhe në vend të ndërsimit të masave (duke i lodhur deri në vegjetim apo
fanatizëm dëmprurës) kundër njëri tjetrit të sqaronin ata me realitetin që
mbizotëron e jo t’i lënë në duart e atyre që sa herë kris hapin çadrat
shkretëtirave dhe pinë çaj.
Shqiptarët e Maqedonisë duhet sqaruar se po çuan flamurin fetar mbi atë kombëtar jo se nuk do të ndihmohen as nga turq e as nga arab (vetë të shkretë), por ata do të detyrojnë Evropën dhe tjerët ta përkrahin Gruevskin në «luftën e tij kundër terrorizmit islam». Edhe më e keqja: do të ndahen edhe për 100 vjet tjera nga Kosova dhe Shqipëria.