E diele, 28.04.2024, 03:37 PM (GMT+1)

Mendime

Gjergj Meta: Mos lejoni t’ju vjedhin shpresën

E shtune, 30.03.2013, 05:19 PM


Mos lejoni t’ju vjedhin shpresën

Nga Gjergj Meta

Sonte është natë Pashkësh! Pashkët janë të lidhura pandashmërisht me popullin hebraik. Pashka është kumti i një kalimi (pesah – pashkë), i kalimit të Hyjit, i cili nuk prek familjet që kishin lyer trarët e shtëpive të tyre me gjakun e qengjave të prerë për natën e madhe të largimit nga Egjipti, nga skllavëria ku regjimi faraonik i mbante. Hyji është protagonist absolut e jo populli. Kalimin e bën Hyji duke shpëtuar popullin e tij të zgjedhur. Në vetvete Pashkët janë një himn çlirimi nga skllavëria. Edhe liturgjia e kësaj nate mbart në vetvete përkujtimin e një nate tjetër në të cilën shlyhet, prej aktit të ringjalljes, edhe vargoi i fundit që mbante Krishtin të lidhur për tokë, vdekja. E megjithatë, Krishti tokën nuk e përçmoi, por në të ndenji edhe 40 ditë të tjera para se të përplotësonte udhëtimin e tij drejt Atit qiellor. E në këto ditë ne të krishterët kremtojmë pikërisht këtë plotësi, e cila ende ka nevojë të përmbushet krejtësisht në jetët tona personale dhe komunitare. Është një lloj cikli që nis me Hyjin e tek ai ka mbërritjen e tij përfundimtare. Por asnjëherë ne nuk harrojmë se këmbët tona janë të ngulura në tokë, tani e këtu jetojmë jetën tonë të përditshme. Në këtë prag Pashkësh papa Françesku, me emrin e të cilit po mësohemi dalëngadalë, ka folur për periferitë ekzistenciale. Periferitë ekzistenciale për të cilat flet Papa, unë kam mundur t’i konstatoj shpesh, por jo në periferitë gjeografike. Periferitë e vërteta shpesh gjenden në qendër të metropoleve të mëdha, pikërisht në mbylljen dhe izolimin e këtyre qendrave të ekonomisë, politikës, kulturës e nganjëherë edhe fesë, në konturet e krenisë e të mendjemadhësisë duke humbur kështu kontaktin me jetën reale, në logjikat e strategjitë pushtetmbajtëse e monopoliste që kanë ngjyrime nga më të ndryshmet. Këto lloj periferish të qendrës në fakt humbin kontaktin ose më mirë nuk e duan atë, me realitetin dhe me veprimin e tyre zymtojnë shpresën e të tjerëve. Prej kohësh (kjo kohë është në vartësi të ambientit ku jemi) në ajër thithet një zymti e cila mbyll shpesh horizontin e shpresës te shumë njerëz, sidomos tek të rinjtë që në mënyrë paradoksale duhet të jenë, për vetë moshën e re dhe entuziazmin e tyre, mbartësit më të mëdhenj të shpresës. Nuk mund të mos konstatojmë një numër vrasjesh dhe vetëvrasjesh të të rinjve, përdorimin prej tyre të lëndëve narkotike, sorollatjen e tyre nëpër qendrat e lotove elektronike, papunësinë, kriminalitetin e të miturve në zonat periferike etj. Këto janë elemente që çojnë drejt një situate shoqërore të të rinjve mjaft problematike. Megjithatë, ne nuk mund të mos konstatojmë edhe shenja të vërteta ringjalljeje. Fara e së mirës së mbjellë në botë prej Zotit nuk mund të zhduket nga ferrat e së keqes. Përditë ka të rinj që shkojnë në universitet e këto të fundit, publike apo private, janë plot. Por jo vetëm, më kap syri shpesh të rinj e të reja që bëjnë punë edhe më të përvujta. Janë p.sh, dy vëllezërit, po i quaj Sajmiri dhe Landi në Kamëz, që punojnë në një lavazh me një përkushtim e korrektësi të jashtëzakonshme, të cilët fitojnë për të mbajtur familjen e tyre dhe kur të dorëzojnë makinën e larë kanë për ty edhe një buzëqeshje e një falenderim që zgjodhe lavazhin e tyre. Është Kristani nga Qinami i cili çdo ditë, pasi ka marrë furgonin nga ky fshat i thellë i Tiranës, nëpër një rrugë të tmerrshme, vjen në Kamëz e prej aty merr autobusin që të shkojë në shkollën e pikturës në Tiranë. Janë djemtë dhe vajzat e famullisë sime që preferojnë ato orë të lira që kanë pas studimeve t’i kalojnë duke ndenjur me njëri-tjetrin, duke luajtur volejboll apo duke ndihmuar në argëtimin e fëmijëve të periferisë. Janë prindërit e tyre që çdo ditë gjejnë forcën dhe kohën mes shumë problemesh e vështirësish për t’u buzëqeshur fëmijëve të tyre e për të qëndruar me ta. Në dy raste këto ditë Papa Françesku ka porositur dëgjuesit e predikimeve të tij: “Mos lejoni t’ju vjedhin shpresën”. Në të dyja rastet destinatarët ishin kryesisht të rinjtë, dy kategori të rinjsh. Të dielën e kaluar ishin të rinjtë të mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit për të kremtuar të Dielën e Larit, që në traditën e krishterë përkujton hyrjen e Krishtit në Jerusalem e gjithashtu fillimin e mundimit të tij që do ta çojë në kryq. Në rastin e dytë, Papa këtë fjalë e ka shqiptuar në një burg të miturish në Romë, ku ka kremtuar meshën e Darkës së Mbrame, duke kryer ritin e larjes së këmbëve me të burgosurit. Dy situata, i njëjti mesazh. Për të dyja këto kategori të rinjsh mesazhi i shpresës bëhet lajtmotivi i një bariu, i cili në këtë prag Pashkësh dëshiron të komunikojë me ta. E ne nuk mund ta lëmë të na vjedhë askush shpresën, sidomos shpresën për të rinjtë që janë e ardhmja e ekzistencës së familjeve e shoqërisë sonë. Dhe shpresë ka, jo sepse ajo vdes e fundit, por sepse një mëngjes i ri ka dalë e unë kam çelur sytë për të vazhduar jetën dhe për të kundruar varrin bosh ku kishin vendosur të kryqëzuarin, shenja e një fillimi të ri.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora