| E shtune, 30.03.2013, 05:19 PM |
Mos lejoni
t’ju vjedhin shpresën
Nga Gjergj Meta
Sonte
është natë Pashkësh! Pashkët janë të lidhura pandashmërisht me popullin
hebraik. Pashka është kumti i një kalimi (pesah – pashkë), i kalimit të Hyjit,
i cili nuk prek familjet që kishin lyer trarët e shtëpive të tyre me gjakun e
qengjave të prerë për natën e madhe të largimit nga Egjipti, nga skllavëria ku
regjimi faraonik i mbante. Hyji është protagonist absolut e jo populli. Kalimin
e bën Hyji duke shpëtuar popullin e tij të zgjedhur. Në vetvete Pashkët janë
një himn çlirimi nga skllavëria. Edhe liturgjia e kësaj nate mbart në vetvete
përkujtimin e një nate tjetër në të cilën shlyhet, prej aktit të ringjalljes,
edhe vargoi i fundit që mbante Krishtin të lidhur për tokë, vdekja. E
megjithatë, Krishti tokën nuk e përçmoi, por në të ndenji edhe 40 ditë të tjera
para se të përplotësonte udhëtimin e tij drejt Atit qiellor. E në këto ditë ne
të krishterët kremtojmë pikërisht këtë plotësi, e cila ende ka nevojë të
përmbushet krejtësisht në jetët tona personale dhe komunitare. Është një lloj
cikli që nis me Hyjin e tek ai ka mbërritjen e tij përfundimtare. Por asnjëherë
ne nuk harrojmë se këmbët tona janë të ngulura në tokë, tani e këtu jetojmë
jetën tonë të përditshme. Në këtë prag Pashkësh papa Françesku, me emrin e të
cilit po mësohemi dalëngadalë, ka folur për periferitë ekzistenciale.
Periferitë ekzistenciale për të cilat flet Papa, unë kam mundur t’i konstatoj
shpesh, por jo në periferitë gjeografike. Periferitë e vërteta shpesh gjenden
në qendër të metropoleve të mëdha, pikërisht në mbylljen dhe izolimin e këtyre
qendrave të ekonomisë, politikës, kulturës e nganjëherë edhe fesë, në konturet
e krenisë e të mendjemadhësisë duke humbur kështu kontaktin me jetën reale, në
logjikat e strategjitë pushtetmbajtëse e monopoliste që kanë ngjyrime nga më të
ndryshmet. Këto lloj periferish të qendrës në fakt humbin kontaktin ose më mirë
nuk e duan atë, me realitetin dhe me veprimin e tyre zymtojnë shpresën e të
tjerëve. Prej kohësh (kjo kohë është në vartësi të ambientit ku jemi) në ajër
thithet një zymti e cila mbyll shpesh horizontin e shpresës te shumë njerëz,
sidomos tek të rinjtë që në mënyrë paradoksale duhet të jenë, për vetë moshën e
re dhe entuziazmin e tyre, mbartësit më të mëdhenj të shpresës. Nuk mund të mos
konstatojmë një numër vrasjesh dhe vetëvrasjesh të të rinjve, përdorimin prej
tyre të lëndëve narkotike, sorollatjen e tyre nëpër qendrat e lotove
elektronike, papunësinë, kriminalitetin e të miturve në zonat periferike etj.
Këto janë elemente që çojnë drejt një situate shoqërore të të rinjve mjaft
problematike. Megjithatë, ne nuk mund të mos konstatojmë edhe shenja të vërteta
ringjalljeje. Fara e së mirës së mbjellë në botë prej Zotit nuk mund të zhduket
nga ferrat e së keqes. Përditë ka të rinj që shkojnë në universitet e këto të
fundit, publike apo private, janë plot. Por jo vetëm, më kap syri shpesh të
rinj e të reja që bëjnë punë edhe më të përvujta. Janë p.sh, dy vëllezërit, po
i quaj Sajmiri dhe Landi në Kamëz, që punojnë në një lavazh me një përkushtim e
korrektësi të jashtëzakonshme, të cilët fitojnë për të mbajtur familjen e tyre
dhe kur të dorëzojnë makinën e larë kanë për ty edhe një buzëqeshje e një
falenderim që zgjodhe lavazhin e tyre. Është Kristani nga Qinami i cili çdo
ditë, pasi ka marrë furgonin nga ky fshat i thellë i Tiranës, nëpër një rrugë
të tmerrshme, vjen në Kamëz e prej aty merr autobusin që të shkojë në shkollën
e pikturës në Tiranë. Janë djemtë dhe vajzat e famullisë sime që preferojnë ato
orë të lira që kanë pas studimeve t’i kalojnë duke ndenjur me njëri-tjetrin,
duke luajtur volejboll apo duke ndihmuar në argëtimin e fëmijëve të periferisë.
Janë prindërit e tyre që çdo ditë gjejnë forcën dhe kohën mes shumë problemesh
e vështirësish për t’u buzëqeshur fëmijëve të tyre e për të qëndruar me ta. Në
dy raste këto ditë Papa Françesku ka porositur dëgjuesit e predikimeve të tij:
“Mos lejoni t’ju vjedhin shpresën”. Në të dyja rastet destinatarët ishin
kryesisht të rinjtë, dy kategori të rinjsh. Të dielën e kaluar ishin të rinjtë
të mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit për të kremtuar të Dielën e Larit, që në
traditën e krishterë përkujton hyrjen e Krishtit në Jerusalem e gjithashtu
fillimin e mundimit të tij që do ta çojë në kryq. Në rastin e dytë, Papa këtë
fjalë e ka shqiptuar në një burg të miturish në Romë, ku ka kremtuar meshën e
Darkës së Mbrame, duke kryer ritin e larjes së këmbëve me të burgosurit. Dy
situata, i njëjti mesazh. Për të dyja këto kategori të rinjsh mesazhi i
shpresës bëhet lajtmotivi i një bariu, i cili në këtë prag Pashkësh dëshiron të
komunikojë me ta. E ne nuk mund ta lëmë të na vjedhë askush shpresën, sidomos
shpresën për të rinjtë që janë e ardhmja e ekzistencës së familjeve e shoqërisë
sonë. Dhe shpresë ka, jo sepse ajo vdes e fundit, por sepse një mëngjes i ri ka
dalë e unë kam çelur sytë për të vazhduar jetën dhe për të kundruar varrin bosh
ku kishin vendosur të kryqëzuarin, shenja e një fillimi të ri.