E shtune, 03.05.2025, 03:21 PM (GMT+1)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Sikur s’kam asgjë për të thënë

E marte, 12.03.2013, 08:57 PM


Sikur s’kam asgjë për të thënë?

Nga Blerim Rrecaj

Kur s’ di se çfarë të thuash e s’di se t’ia fillosh, nga t’ia mbash a nga të shkosh e dëgjon fjalët së pari të jemi shëndosh ose nuk është puna dhe aq keq  a po e sheh atë e a po e sheh këtë se çka po heq nëse po të del leku deridiku, ose të mban baba, vëllau, ai ose filan familjari ky këtu a ai jashtë,kij parasysh kushtet, rrethanat, fatin që (s’)të ka prirë, që na ka qëlluar me a pa brirë dhe pos tjerash edhe dëshirat e mundësitë… Dhe nxjerr nga  xhepi një monedhë metalike e hedh përpjetë dhe thua sidoqoftë ende jam kah i sjell unë paratë. Një këngë që e ke dëgjuar dikur: “Pare, pare, ti moj pare, krejt dynjanë e vure në valle…”  Dhe të kujtohen fjalët e ndonjë plaku që në atë kohë lufte e ikje nga ndonjëra prej ofenzivave të ushtrisë pushtuese serbe  të tokës së djegur tha haje paranë dhe mos të të hajë paraja. E sa mire, të ruhemi e mos me na gjetë belaja. Plus  vazhdon me të tilla kujtime nga koha e luftës me bombardime e granatime dhe kujto  ndonjë detaj, ndonjë dromcë si groposjen e ndonjë thesi me miell në tokë për ta fshehur se serbët mund të vijnë e të djegin shtëpitë e katundit, e kështu kanë bërë edhe paraardhësit në kohën e kushedi se cilës Serbi, a cilit pushtues…Dhe zëri i një vajze të vogël që është larguar nga njëri prej fshatrave e që thotë derisa kërkon ujë për të pirë në oborrin e shtëpisë ku jemi strehuar se : ” Jo, jo kot e kanë e farën e shqiptarit ta humbin nuk do të munden”.  Eh ja fillova dhe ja ku shkova, nëpër kohë nëpër kujtime pak udhëtova. Te një episod a te një kapitull, me numër a pa numër, me a pa titull. Të kthehem tash pak në të tashmen.Tek shtrati  ku vë kokën në jastëk, te korridori, dhomat,  orenditë, dritaret e dyert, ballkoni, zërat, pamjet, titrat nga ekrani…Bredhëritje mbrenda e jashtë, nëpër  fshat, qytezë, qytet e bredhëritje nëpër jetë, nëpër kohën e jetës tënde  bardh e zi dhe me ngjyra më pas përsias për një fletë të re ditari të pagdhendur ose të pak gdhendur. Edhe për hartën e hapave të udhëtimeve, vendqëndrimeve... Për ta publikuar te  ato adresa që kam dërguar e të cilat paksa më kanë lazdruar. Dhe dil te kodra dhe rrafshi, te fusha te deti, mali, shkretëtira, qyteti e fshati si si një zog i lirë. Ilirët, shqiptarët dhe liria. Sërish kthehu në të kaluarën tek  arsimtari i historisë që në fillore na nxiste të mësonim shumë për të parët, ilirët dhe kërkonte nga ne të mos gabonim  nga shënimet që na jepte qoftë edhe ndonjë pike a ndonjë presje. Këtë ai e bënte me qëllim të mirë ndonëse kritikat nga prindërit nuk mungonin në adresë të tij për stërmundim të bijëve dhe bijave të tyre. Ai kështu vazhdoi edhe kur  shkollën tonë e pagëzuam me emrin Mihal Grameno( duke ia hequr emrin e vënë dhunshëm të Vuk Karaxhiçit, ashtu siç e patën hequr permëndoren e tij të vënë dhunshëm pas kthimit të madh ’99 në qendër të Prishtinës) arsimtari kërkonte të gjenin e të lexonim veprat e tija ku ishin e ku s’ishin. A nuk kanë thënë e nuk thonë se “Kur s’e  vetën e s’e do tëndin, se do kërkendin”. Dhe ndjejmë keqardhje për gjendjen faktike e reale. Sokrati tha se di një gjë se s’di asgjë, dikush mund të thotë se di një gjë se di çdo gjë. E më duket se Ajnshtajni e ka thënë se dija e pakët dhe dija e tepërt janë të rrezikshme. Shfleto gazetën a ndonjë faqe interneti. Fluturo diku në një skenë kafeneje diku në një tavolinë ulur nëpër karrike të flasim e të bisedojmë njëtrajtshmërisht e  pashmangshmërisht …Rretheqark mureve të kafiterisë( përballë stacionit kryesor të policisë) foto me fëmijë pranë dritareve a dyerve të shtëpive të djegura e të bëra shkrumb e hi… e përtej dyerve e drtiareve ndonjë reflektim drite. Vështrim i një fëmije në atë fotografi, shtrrje e dorës e një fëmije tjetër live pranë nesh…dhe një ditë përfundon dhe nëpër terr shpërndahemi mbase duke thënë:  Nëse me ndejë e  ri-teprojmë mund të ndodh që edhe ri-shkretojmë. Pardje ditë e ngrohtë, dje e ftohtë e sot përsëri e ngrohtë, që vërehet nga rrezet që nga dritaret bijnë mbi shtrat ta rrezitin fytyrën pak. Dhe çohesh e në këtë ditë ia mësyen e del. Një ecje qendrës e më pas në park të qytetit. Një e diel me gjallëri, korzoja është e mbushur me shetitorë  nën shëndritjen e  rrezeve të këtij dielli parapranveror. Dhe kthimi në të ëmblën a në të thartën shtëpi. Kështu luaj e shkruaj kot si dje e si sot. Përsëritje gjërash dhe thua ka kaluar mjaft kohë dhe kur fillon të përballesh je i pakënaqur me përmirësimet që  sheh edhe te vetja . Dhe nëpër shkarravinën e radhës mundohesh të gjesh ndonjë fije urtësie. Dhe mes hamendjesh pushon e herë herë  në të ndonjë rresht e shton. Dhe ditët hedhin valle. Sërish erdh e udhëton marsi. Më 5 mars me të afërm ia mësyejmë e ndodhemi në Prekaz. Vizitë te tri kullat e qendresës, Te Kulla e Jasharëve në të cilën edhe këtë herë vijmë si shumë e shumë të tjerë në këtë ditë  me diell për të falënderuar ata që ranë dhe na mundësuan të vazhdojmë të ëndërrojmë për l-i-r-i-n-ë.  Njëri nga vargjet e këngëve të Ilir Shaqirit thotë: “Gjithçka që kishte të shenjtë Shqipëria kishte rënë mbi supet e tija”. Më pas pak më tej edhe te Kulla e Tahir Mehës dhe  edhe më tej te  Kulla e Ahmet Delisë dhe mendja të shkon te të gjithë Kullat e shqiptarisë. Te qëndresa e te besa.  Për t’u ushqyer me shembujt e veprave të trimërisë dhe për t’iu kthyer “normalitetit” të jetës së përditshme mes trishtimit dhe shpresës…  Pas 7 marsit vije 8 marsi, pas tetë marsit 11 marsi e kështu me radhë ndonjë datë tjetër e shënuar  në Kosovën e trazuar… Dhe për të ëndërruar e për të vazhduar … Te pashtriku.org  ndeshësh dhe në këtë shkrim: Marco Travaglio: “Pse shumë gazetarë i fshehin apo i zhdukin faktet?! “. Dhe ja hyrja e shkrimit: “«Faktet të ndara nga opinionet » Ishte motoja e «Panoramës» mitike të Lamberto Sechit, krijues i gazetave të mëdha dhe gazetarëve të mëdhenj. Më vonë, me kohë, kjo moto ka rënë, duke u zëvendësuar nga një (moto) tjetër më e sofistikuar: «asnjë fakt, vetëm opinione». Të parat nuk duhet të shqetësojnë të dytat. Pa fakte, mund të ngulish këmbë për gjithshka dhe kundër gjithshkaje. Me faktet, jo.”

Dhe ç’të thuash e ç’të shtosh tjetër në wordletër. Të tjera ngjarje, dromca, “cikërrima”, detaje… Si vazhdim i një vazhdimi të njohur. Dikush përmend turrevrapin për të qenë i pari me çdo kusht. Ende fjalë për listat e luftëtarëve të UÇK-së, po more mos po fryen edhe këto si faturat e KEK-ut. Lexojmë shkrime me titujt:  “Kur mashtrimi bëhet parim!” ose  “Normaliteti i së keqes” plus dhjetëra tituj opinionesh të kësaj natyre. Ndërkohë që ca punëtorë shtrëngojnë binarët hekurudhorë. Në thesin e dikujt dikush hedh një kanaçe të atij shwepsi që sapo e piu. Diku dëgjohet zëri që vije nga radioja për jetën dhe veprën e njërit prej dëshmorëve. Diku flitet për minutat shtesë të një loje futbollistike në Mitrovicë. E nga ekrani sheh ndërprerjen e një loje basketbollistike për shkak të problemeve që shkaktojnë shikuesit. Dikush me ndonjë fotografi e me ndonjë dokument në dorë duke trokitur e i rënë ziles derë më derë kërkojnë ndihmë për shërim… Në mesin e gjëra që të vërtiten mendjes janë edhe dy nga minitregimet e Franc Kafkës: “Dritarja mbi rrugë” dhe “Vështrime të shpërfillura nga dritarja”. Diku has edhe një thënie të Margerit Jursenar: “Të jetosh është shumë e vështirë, por tejet më shumë është të tregosh jetën tënde”.  Për të t’u kujtuar edhe një herë dushku dhe goglat ose një pjesë përsiatëse për to:

Njerëz të marrë, rrugë të marra

Fjalë që tingëllojnë marrëzisht

Çdo fjalë e çdo mendim timin

Mos e merrni seriozisht

 

Mos ma zini për të madhe

Mos ma zini për të vogël

 

Hajde të bëjmë ndërrim llafesh

T’u jap dushk

Më jepni gogël…

 

Ose shtrati, dhoma, shiu dhe episodi i ri i një serali vendor numër… Dhe derisa t’u kujtohet ndonjë libër satirik që ka dalur në treg e që thonë se është interesant dhe intrigues thua po edhe unë fola,  këtë e thashë sikurse duke i pasur dy këmbët në një këpucë…



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx