E shtune, 03.05.2025, 06:20 PM (GMT+1)

Kulturë

Poezi nga Neki Lulaj

E hene, 11.03.2013, 10:40 PM


Neki Lulaj

 

NJË ENDËRR E KAHMOTSHME

(Kosovës, Nënës sime me rastin e 5 vjetorit të mëvetësisë)

 

Eshtrat e shekujve

Me buzëqeshin sot

Pesë vjet mëvetësi

Si një vello nusërie

Pelerinë e praruar

Mbi krahët e një princese

Në Dardani

 

Krenari e bekuar

Në Kullat e gurit e urtuar

Besa e nderi në flakë e farkuar

Ata dje jetës i dhanë idilë

E tokës ia falën shenjtërinë

Që foshja ta rrisë shtatin e mjaltuar

Në këtë përvjetor ta gëzojë mëvetësinë

 

Si duhanin që grihet në Havanë

Mua me grin vetmia në hënë

Largë e afër në një trapazan

Në një tryezë bukë misri e lëng krype

S’di si të ngopem me djepin tim

Dardan

 

Sa i shkëlqen fytyra foshnjës se re

E njomur me buzëqeshjen e heronjve

Nga Buletini deri në Çamëri

Vërshojnë telegrame urimi

Të 15 milionë shqiptarëve

 

Ata gjithmonë rrinë krenarë

Bartin shtiza me flamuj

Rugëtojnë në Velani, Koshare e Loxhë

Likoshan, Prekaz e Gllogjan

Marshojnë ta ndezin flakën e janarit

Me kambanat e bashkimit

Dhe kristalet e admirimit

 

NATË E GJATË

 

Tremijë vjetë qytetari

Një shekull  Shqipëri

Pesë vjetë mëvetësi

Natë e gjatë

Nëpër sirtaret e kancelarive

Të nëpunësve tinëzarë

Sillej shpirti i argjiltë

Që një shekull i zenë peng

Duke u ndrydhur

Nën gurin e mullirit

Të gjakpirësve tiranë

 

Meduzat e krimit

Gjarpërinjtë e gjakut

Të veshur me petkat solemne

Të strukur nën pluhurin e dinakërisë

Së gënjështrës ballkanike

Të mbështjellë me katranin patologjik

Të komplekseve albanofobike

 

Nëpër kancelaritë europiane

Skilet e gënjeshtrave “urtake”

Devet me lotë krokodili vajtonin

Se shqiptarët në tokën e vet

Asgjë nuk kërkonin

Gënjeshtra e vjelur në shiun

E mashtrimit pranveror

 

Në këtë pesë vjetor mëvetësie

Zemra e bjeshkës nuk shërohet

Është i gjatë kalvari i gjatë

Lokës e tokës

Plaga nuk po i shërohet

 

KËTË PESËVJETOR

 

Hapat e mi mbi rërë

M’i përkëdhel era

Hapat e mi mbi dëborë

M’i rrafshon murlani

 

Kush e ndjek hijen time

Heshtja

Nën dritën e mekur të diellit

Nën rezet e hënës përcëlluese

Nuse shekulli

 

Pesë vjet shtet

Si e ku t’i gjej sonte

Gjurmët e të parëve të mi

Në cilin themel kulle

Është fshehur

Thesari me monedha dardane

 

Në cilën gozhdë kalaje

Është lëvarur një mendim

Në cilën megje

Eshtë shtrirë një dorë zemre

Duke u bërë betim

 

Në cilin përrua

Është fshehur një kujtim

Në seicilën shpellë guri

Ne secilin cep e kep

Është shkruar emri im

 

DURIM

 

Më zuri agimi

Pas trokut të kalit

Në rrugëtim

Kaptisa 77-të bjeshkë

Që të takohem me Beatriçen

E fshatit tim

 

Bukuroshe mes yjesh

Malli shungullon si dallgë Bune

Nga tellësia e shpirtit

Ndërmjet rrasave të gurit

Çerdhe zogjësh

Mbi gemb dege

Këngë bilbilash

 

Stina puthet me motin

E katër stinët kurorëzohen mes vedi

Unë e pashë Beatriçën

E mbëlshtjellë

Me gjumin e ëndrrave

E mua nuk me vërejti

 

PUSHON

 

Pushon e

Dremit nata

Në krevatin e qetësisë

Mbi trëndafilin e kuq

Kullosin yjet

E terrin e lëpijnë

Si ujqërit e uritur

 

Serenadë mbrëmjeje

Tingujt e magjepsur kërcejnë

Mbi kaptyllin e territ

Çapkën i azdisur i kohës

E gjumi nën çarçafin e zi

Shtrinë shtatin

Që ta ledhatojë

Ëndrrën me mirësi

 

Atje mbi Univers

Mijëra lule shumë ngjyrëshe

Më magjepsin me bukurinë

Agimi rrudh natën

E fut në thesin e ikjes

Pa e bërë asnjë mëkat Euridikë

 

PËR MIKUN TIM

(Zenun Gjocaj)

 

Zymtësi shkurti

Ende pa u ngopur me lirinë e ëndërruar

Ndrydhje mendimesh me heshtjen platonike

Uragan i ikjes ti ngrite lapidarë

Ndërgjegje e zgjuar me filozofi mitike

 

Gjoks i gavruar në qeli me hieroglife

Orkestër e akorduar me vargje nëpër kohë

Cicëron linguisti me njëmijë kuptime

Që do të më përcjellin tërë jetës

Jeta e jote e heshtja jonë

Bluante njëmijë kuptime nëpër kohë

Të blatoftë lavdia dhe fjala

Që e lakon hekurin

 

VRAVASHKË DRITE

 

Mes qerpikëve të  Ylberit

Ndez një varavashkë drite

Ma magjeps përjetësinë

Bukuri marsi

Dashurinë ma shndërron

Në këngë zogjsh

Që i binin lahurisë

 

E lumi gurgullon

Nëpër kataraktet e zemrës

Shpirtin ma gërryen një erozion

Mbi plazmën e diellit

Piqen shtalbat

Ca zogj cicërojnë ëmbël

E ca nga kafazi i shpresave

Sodisin botën e ëndrrave

 

E bota mbi parmakët e dritares

Kurrë nuk ia prekë ëndrrat

E dashurisë së parë

Por e kupton

Dhe qëllimin nuk ia lëndon



(Vota: 31 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx