Kulturë » Kozeta
Kozeta Zylo: Bisedë me shkrimtarin Hasan Qyqalla
E shtune, 09.03.2013, 05:45 PM
Ne krijuesit e kemi arritur Bashkimin Kombëtar, tani i mbetet politikës
Bisedë me shkrimtarin nga Kosova, z. Hasan Qyqalla, Kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve, Artistëve e Krijuesve Shqiptarë në Gjermani
Nga Keze Kozeta Zylo
Poeti i mirënjohur Hasan Qyqalla është autori i disa vëllimeve poetike, si "Dua të vdes shqip", "Robi i lirisë", "Prekja e ëndrrës", "Arkeologji e shpirtit", "Meshari modern", bashkautor me z. N. Lulaj "Trinomi i lirisë", ndërsa kohët e fundit ka botuar antologjinë "Një shekull drite", me poezi nga 100 poetë nga Diaspora me rastin e 100 Vjetorit të Pavarësisë. Z.Qyqalla dallohet për aktivitetet kulturore së bashku me shkrimtarët e Diasporës në Gjermani si dhe ka fituar respektin e shumë lexuesëve, kritikëve dhe simpatizantëve nëpërmjet poezive dhe shkrimeve të ndryshme.
Për më shumë po ju lemë të ndiqni bisedën:
Z.Qyqalla ju keni kohë që shkruani dhe botoni në shtypin e Diasporës dhe në Mëmëdhe, cilat janë temat më me interes që ju trajtoni për publikun?
Paraprakisht,
më lejoni t’ju falënderoj për vëmendshmërinë tuaj në emër të Asociacionit tonë,
pra Lidhjes së Shkrimtarëve, Artistëve e Krijuesve Shqiptarë në Gjermani dhe në
emrin tim personal. Tani siç e dini edhe vetë si krijuese që jeni padyshim,
muza vjen si reflektim i ndjeshëm shpirtëror!
Prandaj, këtë ndjesi perpiqem që përmes poezis të konfiguroj në vargje,
gjithnjë duke pasë parasysh elementet formuese si parakusht, si figuracioni,
metafora, alegoria,...etj., që padyshim janë pjesë përbërëse e artit krijues.
Ndaj edhe tematika është e larmishme, por kujtoj padyshim se malli për Tokën,
Ashtin, Rrënjen, Gjakun e Gjuhën janë të shenjta për krijuesin mërgimtar. Natyrisht e shenjtë është edhe vetë koncepti
i fjalës DASHURI, siç e them edhe tek poezia ime
"Njohja me Elin nga Çamëria", se si në gjuhën shqipe, në asnjë gjuhë nuk tingëllon! Pra, nuk kam profilizim të kufizuar apo fiksuar motivesh!
Ju drejtoni Lidhjen e Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani, mund të flisni për disa nga aktivitetet kulturore që zhvilloni atje dhe sa ndikojnë ato tek brezi i ri që po rritet aty?
Tani të
flas për aktivitet tona që nga themelimi është një kronologji voluminoze, thënë
sinqerisht. Megjithatë, do të përpiqem
të apostrofoj disa sosh, bazuar në peshën dhe natyrën që ngërthrjnë më
vete. Siç, bie fjala Festimi i "100
vjetorit të lindjes së Nënë Terezës", Takimet letrare tradicionale
"Azem Shkreli",
"Pavarësia e Kosovës", që të dyja me karakter garues, Dita e
shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë "28 Nëntori"
(që këtë vit shekullor jubilar, arritëm të nxjerrim edhe Antologjinë "Një shekull dritë", përfshirë 100 poetë nga mërgata gjithandej, deri në Amerikë, Kanada, Zelandë e Re), Përvjetorët e rënjes së "Vëllëzërve Gërvalla e Kadri Zeka",... e gjer tek heronjtë e dëshmorët e luftës së fundit në Kosovë, mbase shumë mërgimtar u kthyen dhe luftuan, disa edhe ranë në Altarin e Lirisë, si Komandant Sali Çeku, Agim Ramadani,… etj.! Natyrisht, gërshetimi i aktiviteteve tona është ngushtë i lidhur me shkollat shqipe, me Mësimëdhënësit, ku organizojmë "Orë Letrare“, gjithnjë duke pasë parasysh moshën e tyre, promovime librash dedikuar gjeneratës karshi nivelit klasor e moshës. Pastaj, nxënësit poezitë që parapëlqejnë i zgjedhin, i mësojnë me ndihmesën e prindëve dhe arsimtarëve, dhe dalin e recitojnë në Manifestimet tona. Do cituar këtu se kemi edhe krijuesit e parë të gjeneratës së tretë, kujtoj gjithnjë falë dhuntisë së lindur, guximit dhe përkrahjes e bashkëpunimit frytëdhënës.
Si shkrimtarë në mërgim keni lidhje me shkrimtarët vendas apo të qytetit ku jetoni në Gjermani?
Arti është shtegu më i përshtatshëm që përmes kësaj mjeshtërie arrihet të pasqyrohet kultura e një kombi. Prandaj edhe iu qasëm këtij organizimi (me në krye Z. Martin Çuni), mbase artisti i njohur Gjelosh Gjokaj citon: "Nëse perëndimi ka hapëruar shumë në zhvillimin teknologjik, në fushën e artit mund t'i bëjm karshillëk"! Tashi jo në kuptimin e deshifrimit negativ, por më tepër senzibilizues e intensifikues pra, drejt shtrirjes së bashkëpunimit e integrimit të artit modern. Gadishmëri e vullnet bashkëveprimi kemi nga dy palët dhe jo vetëm pamje episodike apo skenare, por të thelluara e frytëdhënëse. Do veçoja këtu shkrimtarin (tani të ndjerë) Jens Hagen, i cili edhe pse në karrocë paraplegjikësh, dha një kontribut të çmuar në fushën e bashkëpunimit dhe organizimeve të përbashkëta. Tani më tradita vazhdon, gjithësesi.
Le të hidhemi tek poezia, një gjini që kuptohet se e keni shumë për zemër, kur keni filluar të shkruani dhe cila është poezia juaj e parë?
Tani më
ktheni në moshën e mrekullueshme dhe kam emocione, më besoni. Natyrisht flas me shumë pasion e nostalgji
karshi emocionalitetit të paevitueshëm, siç thashë më parë, mbase poezia ime e
parë ishte për kryepersonazhin e jetës së çdo fëmiu, pra Mamasë. Ndjenja e thellë
më zhyti në kujtime dhe gjurmoja „dhuratën“ madhore që të ndjehej Mamaja e
gëzuar, dhe kështu m’erdhi frymëzimi të shkruaj vargje (pasi kisha shkruar qysh
në ciklin e ulët, por më mugonte guximi ta dërgoja për botim) për "8
Marsin", pra me rastin e Festës së Nënave, siç njihej në atë kohë. Kujtoj edhe sot kur e shkrova poezinë
pasdarke, dhe të nesërmen shpejt e postova për në Revistën "Shëndeti“.
Pikërisht në fillim të muajit Mars doli numri i Revistës "Shëndeti“, dhe
aty gjej poezinë time "8 Marsi“, në vitin 1976…! Ndjehesha se isha më i
lumturi i botës ato çaste, por këtë buqetë emocionesh shpejt i ndava me Mamanë,
e cila kujtoj si më përqafoi fortë.
E mori Revistën dhe ua tregonte njerëzve të fisit dhe gjithë atyre që na vizitonin, që e ka ruajtur n’arkë me teshat e nusërisë deri sa në luftën e fundit iu dogj, bashkë me shtëpinë dhe shumë krijime poetike… Prej atëherë kam botuar vazhdimisht në Revistat e asaj kohe, si në "Zëri i Rinisë“, "Bota e Re“, "Pionieri“, "Fjala“, "Jeta e Re“…etj!
Ju jeni djalë Kosove, keni jetuar nën terrorin serb, si e përjetoni 5 vjetorin e Kosovës dhe a mendoni se një ditë do të bashkohen të gjitha trojet shqiptare? Cilat janë disa nga përjetimet tuaja të luftës për Kosovën martire?
Kosova
është histori e dhimbshme, histori e gjakut, e varreve, e dhunës, terrorit që
Serbia për tentativë kishte zbatimin e skriptës së famshme gatuar nga Akademia
serbe, të shfarosjes kombëtare, siç pasoi ekspansionizmi politik i viteve të
90– ta. Do lë modestin anash këtu për
hir të respektit ndaj lexuesve, gjithësesi dhe sinqeitetit që kërkon pyetja
juaj. Menjëherë pas përfundimit të
Luftës së 45 – tës, gjithë mashkujt e Fisit tonë nga mosha 15 – vjeçare,
burgosen, torturohen e maltretohen nëpër burgjet serbe… Bie fjala Kryegjyshi i
Fisit Ramiz QYQALLA, përjetoi tortura anomalie me tërë Familjen…, dhe tradita
vazhdon kur në vitin 1979 burgoset çuni i Kryegjyshit Sylejmani, i cili
besnikërisht vazhdon hapërimin e gjurmëve të Babait. Prandaj ishim në shënjestër të pushtetit
Serb, por edhe po aq të vendosur të marshojmë shtigjeve të paraardhësve tanë,
dhe asnjëherë nuk ndaluam, por sfiduam dhe sakrifikuam me gjithë bashkëkombasit
tonë, siç e dini edhe ju. Ndërkaq kisha
edhe dy vllëzër të kycur në radhët e UÇK – së, bile vëllai i madh edhe raportonte
nga vatra e luftës, deri sa humbën pa gjurmë e pa nishan, siç thot
populli!!! As për Prindër nuk kishim
ndonjë lajm! Veç pas tre muaj kuptuam
se, më në fund kishin depërtuar dhe vendosur në Strugë, falë një Familje shumë
bujare e patriotike shqiptare. Përjetime
të hidhura përjetuam mjaft, por padyshim më i rëndi ishte lufta heroike e
Komandantit Adem Jashari deri në flijim, (bashkë me Familjen) që dëshmoi se
gjakimi për Liri s’ka të ndalur. Pra një vdekje krenare, siç e them edhe në ca
vargje… Ndërkaq unë isha angazhuar në ndihmesë të Shtabit Emergjent këtu në
Gjermani. Prandaj konstatoj bindshëm e fuqishëm se Mërgata ishte gjenerator i
mbijetesës në Kosovën e okupuar, qoftë me mjete materiale, logjistikë e gjer në
mobilizim.
Thënë të drejten, ne që atëherë nisëm Manifestimin poetiko – letrar me karakter garues "Pavarësia e Kosovës“ në Koblenz (që ceka më lart dhe tani më është tradicional), ndërkaq sot kur presim të Festojmë 5 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, bëmë një projekt më kompleksiv e përmbajtësor me pjesëmarrës me nga 2-3 përfaqësues të Asociacioneve simotra nga krijuesit në mërgim gjithandej. Kërkuam edhe subvencionim nga Ministria e Diasporës së Kosovës, por kërkesës sonë iu përgjegjën me shumë sombolike… Prandaj jemi ende në pritje, mbase dëshira dhe ambicijet qëndrojnë drejt realizimit sa më bujshëm e të gëzoj epitetin jubilar. E sa i përket bashkimit kombëtar, ne krijuesit e kemi arritur këtë, mbase mbetet që platformën e bashkimit Kombëtar ta bëjnë politikanët… Por një gjë mos të harrojmë se "Arti i prinë politikës“, dhe s‘ka si të jetë ndryshe, jam i bindur këtu shumë.
Nje gjetje tejet e arrire është dhe titulli i antologjisë "Trinomi i Lirisë" me bashkautor shkrimtarin z.Neki Lulaj, si i përzgjidhni poezitë për t'i botuar në antologji?
Tani të jem i sinqertë me ju, ideja e titullit ishte e mikut tim, bashkautor z. Neki LULAJ, (që shfrytëzoj rastin ta përshëndes), që e mbështeta, ndërkaq pregatitjen gjer në shtyp e bëra unë. Përsa i përket përzgjedhjes, kujtoj se kemi bërë përpjekje të respektojmë normativin artistik. Sa ia kemi dalur këtej, mbetet që fjalën e vet ta thotë lexuesi dhe kritika letrare! Megjithatë, ne ia dolëm të kujtojmë Jusufin, Kadriun e Bardhin në 30 – të vjetorin, me 30 krijues nga mërgata jonë, që bëri jehonë edhe në Prishtinë, Pejë gjersa e veçanta ishte: në Koblenz prania e vajzës së Jusufit, Donikës kur edhe e shpallëm Antarë Nderi (post mortum) Jusuf Gërvallën“, pastaj promovimi në Teatrin e Pejës në prani të Kryetarit të Komunës, Dr. Ali Berisha, gruas së Jusufit, Z. Suzana Gërvalla dhe shumë personaliteteve të shquara kombëtare. Pastaj vizita që i bëmë Vendlindjes dhe Kullës së Jusufit në Dubovik, dhe përjetimeve e kujtimeve që shpalosi Z. Suzana Gërvalla me atë rast.
Si mendoni per institucionet e arsimit në Kosovë dhe Shqipëri në lidhje me librat qëbotohen nga shkrimtarët e Diasporës?
Nuk kanë qasje serioze thënë të drejten, megjithatë mbetet vetëm për të shpresuar… kur dihet se kemi krijues të talentuar e dëshmuar tani, por edhe mjaft degjenerime vlerash e zgjebosje "poetike"! Prandaj kujtoj se është koha e fundit që kritika e mirëfilltë të sistemojë e strukturoj vlerat dhe antivlerat!
Kohët e fundit ju keni botuar antologjinë "Një shekull dritë" me përmbledhje të 100 poezive nga 100 poetë të Diasporës dhe u vlerësuat nga shoqata e shkrimtarëve "Petro Marko" në Vlorë dhe kryetari i Bashkisë, cilat janë disa nga mbresat tuaja për Vlorën e Flamurit?
Thënë
troç përjetimet nga pritja, organizimi dhe atmosfera festive (e tëra mveshur,
stolisur kuq e zi, që nga hyrja sikur na bëhej se edhe retë ishin kuq e zi,
edhe vetë ajri i freskët detar) ishin si
shishe oksigjeni për ne, si një konservat kur i dhuron gjak të sëmurit dhe
lëmeket aty për aty. Fjala përshëndetëse
e Nënkryetarit të Bashkisë së Vlorës, e Kryetarit të Klubit të Shkrimtarëve
"Petro Marko“ z. Myrteza Mara, e Kryetarit të Klubit të Shkrimtarëve
Shqiptarë në Greqi, z Thanas Jani, e shumë krijuesve e personaliteteve të shquara të kulturës sonë kombëtare do të
ngelen gjatë nëkujtesën tonë.
Me këtë
rast do falënderuar edhe Ministrin e Diasporës së Republikës së Kosovës,
z. Ibrahim MAKOLLI, i cili veç subvencionimit të Antologjisë ishte edhe i pranishëm me rastin e promovimit.
Faleminderit dhe Shumë urime z.Qyqalla!
Ishte
kënaqësi për mua e nderuara zonja Zylo të jem i përzgjedhuri juaj për
intervistim. Porosia ime për mërgimtarët
gjithandej është: të ruajmë, kultivojmë e intensifikojmë kulturën tonë
kombëtare, të shpalosim thesaret tona, aty ku jetojmë e veprojmë, pa harruar
gjenin, mbase nuk thuhet kot se: "shpirti i një kombi është gjuha që e
flet“!
Ju falemminderit e shëndet!