E shtune, 03.05.2025, 08:08 PM (GMT+1)

Kulturë

Poezi nga Miradije Gashi

E diele, 10.03.2013, 09:44 PM


Miradije  Gashi

 

SA HERË I KUJTOJ

 

Mendimet seç më rrjedhin lumë

Sa herë i kujtoj e kridhem n'mendime,

Rrëqethem e tëra e zemra më dridhet

Për gjithë ata burra të Drenicës trime.

 

Kur kujtoj gjithë ata shqiptarë

Që për Liri e Atdhe jetën lanë,

Po kush s'ndjehet për ta krenar

E kush në zemër ata s'i mban!?

 

Eh, ç'burra trima që ishin...!

Dy zemra në gjoks, thonë që i kishin,

Dhe dielli në ballë atyre u ndrinte

Sikur të donte që veç me ta t'rrinte.

 

ISHTE DITË VJESHTE...

 

Ishte ditë vjeshte

Atë ditë...

Kur ti u largove

Ndërsa retë qanin me lot

Dhe s'pushonin dot.

Marr të të shkruaj

Por forcë dot nuk gjej

Se dhembje në shpirt ndjej.

E shpirti s'gjen prehje

Kur jam larg teje.

Dita pa ty s'është ditë

As nata nuk është natë.

E vuajtja në mua zgjat,

Pafund zgjat.

Mbahu fort!...

Dikur më thoshe

Se vjen një ditë

Dhe nga ylli në yll

Do t'kërcesh

Dhe do t'ngadhnjesh.

Mirëpo kaluan vite

E unë përherë në pritje!

E një ditë prej ditësh

Nisën mundimet,

Prangosjet, vëzhgimet...

Se ende larg ishte qëllimi

Diellin, hënën, yjet...

I lamë në dhembje

E Toka brenda ziente.

E ardhmja... s'dukej gjëkundi

Dhe vuajtjeve s'u shihej fundi!

Ishte ditë vjeshte

Atë ditë...

Dhe retë qanin në heshtje.

 

DIKUSH

 

Dikush pa qëllim t'shkel këmbën e të thotë m'fal

Dikush të vret n'zemër e s'të thotë një fjalë;

Dikush me shpirt të do, por që ta thotë, ka frikë

Dikush dashurinë s'e ndien as edhe një çikë;

Dikush nuk të do, por as s'të urren

Dikush me gojë të do e me zemër t'gënjen.

Dikush gjason n'engjëll e dikush në djall

Kjo është jeta vetë, e thënë me pak fjalë!



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx