E shtune, 03.05.2025, 06:11 PM (GMT+1)

Kulturë

Nue Oroshi: Palimpsest i poezive të mia

E hene, 11.03.2013, 10:03 PM


NUE OROSHI

 

PALIMPSEST I POEZIVE TË MIA

 

Një pikë vese ngjitur për çatinë e murit të djegur

Përzihet me fjollat e borës së parë

Duke lënë muzgun në heshtje

Dy herë e shoh me një shikim të butë e njerëzor

Pas çdo rrëfimi sikur kërkoj pak ujë të stërpik fytyrën

Se mollëzat janë skuqur nga e gjithë kjo rrënqethje e ngadaltë

Që trupin ta gllabëron nga thembrat e deri në kupë të kresë

 

Me mendimin e lehtë për të mos lënë gjurmë në pasqyrën e thyer

Tek mbledh shenjat e shpirtit që t’ua mbaj një ligjëratë për njerëzinë

Me ujin e kulluar të gurrës të ndalem e t’i shoh fëmijët duke luajtur

Me zjarrin shpirtëror ta shuaj kumtin e hidhur të dheut

Të udhëtoj pa e ditur a mund të ecet pa gjurmë këtyre metropoleve

Rrugët e jetës t’i vijëzoj në harkun e gjakut të derdhur

Pranë mollës se kuqe ta takoj lulen e vyshkur

Ta shoh heshtjen e shkrumbtë e shkrumbin

Të strukur pranë muzeve të shqetësuara të Olimpit shqiptar

 

Kur bëhem memec me tingujt e gurit të udhëtoj drejt atdheut

Kam provuar t’u them fëmijëve të birësuar

Se në Kosovë vazhdon të bie shi

Zërin biblik ta dëgjoj ne letrën prej guri dhe mallin,

Marshin e pandalur ta vazhdoj në rregullat e ta ringjall përsëri

Për ditën e flamurit ta dëgjoj zërin e ndërgjegjes tek heshtja e gjakut për ty

Fjalët e poetit t’i shqiptoj në rikthimin e kohës pa xhelozi

Një zhgëndërr për veten e pashë të përzier me tymin e përflakur

E fjalë i çova Mitologjisë se s’ka fuqi të ma ndalë fjalën

 

Mjegullën e zezë ta mbuloj me pasqyrën e thyer tek valët e jetës në mërgim

Te gurra të ndalem në kohëra të lashta dhe të kërkoj pak shpëtim

Në vrapin e sundimtarëve ta kaltëroj qiellin me gur e dhè

Një buzëqeshje të ngrirë ta jap në natën e gjatë kur jeta fillon me fjalën e parë

Shtegtarët e paqes t’i sjell në mesnatën e vonë aty afër peizazheve të fshatit tim

E di se unë do jem fajtor, te Gryka e Karadakut me pasqyrën biografike në dorë

Nëse shiut i besojmë në fletë të bardhë do t’i shënoj potezat e lojës së shahut

Lëvizjet e krimbave do t’i shoh në rrugën e pafund duke brejtë trupin e shëndoshë

Në librin e pashkruar do t’i kërkoj rrënjët e kullës sime tek anët e kësaj bote

Fjalët e pergamenës t’i them te lisat e gjatë përballë ballit aty ku krahët m’u thyen

Duke kërkuar të vërtetën e nisa një punë pa fjalë peizazheve të bukura me ngjyra

E di një rrugë tjetër për udhëtimin e lotit

 

Kalorësi i fushave të bardha luan lojën në shpatijet e jetës së bashku me zërin biblik

Çelësi i këputur i bën rojë kroit aty ku bashkohen dy gurë, për t’i mbledhur pjesët e shkëputura

Rrugëtimi i trupit të prishur ecën me këngën e zemrës për t’i bërë bashkë retë e shpërndara

Tek gjuajnë me gurë fjalët

 

Heqja fjalën letrës t’i shoh gacat se si bëjnë dritë

Kur perëndon dielli si i ri djalë e nisa një punë së bashku me këngën e zemrës

Bimët e ushqyera me thartina t’i përshëndes për dy shanset që kanë për ta mbajtur qiellin

Fjalët e burrit t’i gdhend në majë të kulmit të shtëpisë, a e dini  pse,

Përpjekja për të mos e parë qytetin e hijenave ma sjell kujtimin e këputur

Palimpsesti i poezive të mia bisedon me mua dhe me sjell në mendje freski

Shenjat e shpirtit udhëtojnë drejt atdheut për të mbërritur në rrokaqiellin e mbrapshtive..



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx