Kulturë
Qazim Shehu: Kullat duan emër
E hene, 11.03.2013, 10:05 PM
KULLAT
DUAN EMËR
Nga Qazim Shehu
Sapo
zbritëm nga Qafë Morina, para nesh u shfaq Gjakova, me një fushë të gjërë hutuese, njëkohësisht
të ëmbël.Ajo e kapërcente imagjinatën që kisha pasur dikur për të, apo shikimet
e mia në dokumentarë dhe fotografi të ndryshme.Kisha lexuar shumë për këtë
qytet, poezi të autorëve të ndryshëm, libra historie, po kurrë ato s`ma kishin
afruar këtë imazh dhe ëndërr që tejkalonte çdo mundësi, duke shkuar në majën më
të lartë të përfytyrimit , për të mos mbërritur kurrë aty.
Shoku im
, historiani Zef Koleci dinte shumë për të, madje ai dinte kaq shumë sa herë herë bënte sikur harronte ndonjë gjë
si për të më lënë një shteg mua për të folur.Por unë më tepër isha i përthithur
nga peizazhet ,të cilat kur shihen për herë të parë, nuk duhen humbur ,në
mundësinë fiksuese në tru, për të bërë vend aty si gjurmë të
pashlyeshme.Gjithnjë është herë e parë që të mbetet në kujtesë një vend , ashtu
siç ndodh me dashurinë e parë.Hera e dytë e tretë ,fillon e mbushet me të
rëndomtën e jetës, prandaj me këtë mendim në kokë dukej se edhe ndjesitë po
merrnin një vrull të ri shkulmues brenda meje.
Ndërsa
makina gjarpëronte, herë herë shikoja
varreza dëshmorësh kuq e zi, tufa lulesh dhe një heshtje tronditëse që prehej
sipër atyre lëndinave me bar.Dielli me rrezet e veta sikur e shtonte më tepër
prarimin e luleve. Po hynim në Gjakovë. Shoku im shtërngonte çantën me shënime
historike, skeda të pafundme , sikur me to shkonte të hapte drynin e enigmave të mëdha.Më tha se po punonte për
një studim të gjatë për historinë e Gjakovës,e i duheshin ca foto dhe të dhëna,
sidomos për kullën e Abdulla Pashë Drenit.Ai e dinte mirë historinë e kullës së
Abdulla Pashë Drenit, po nuk dinte se ku ishte kulla dhe sa mirë do qe sikur të
mos lodheshim shumë për ta gjetur, ndonëse thosh se kjo do kërkonte kohë ose
jo, sipas rastit dhe fatit.Ne i thamë shoferit të qëndronte diku, ose të vinte
me ne ,sepse dëshironim ta shetisnim qytetin në këmbë. Shoferi nuk pranoi të na
shoqëronte.Pas tre orësh ai na priste tek hotel Pashtriku. Kohë e mjaftueshme
për të shetitur nëpër Çarshi, për të parë shitoret e ulta, të llojlloshme,
kullat karakteristike me një arkitekturë tipike shqiptare, trëndafila dilnin
sipër mureve të avllive si sy të ndezur gëzimi.Sa i shkonte këtij qyteti kjo…
Kullat e
gurta rrinin hijerënda ndanë rrugëve të ngushta shtruar me copa guri të
njëllojta, me ulluk në mes. Asfalti
bezdisës nuk i shkonte kohës së vjetër. Dhe ndonjë makinë e rrallë që ecte pa u
ndjerë nëpër ato rrugë.Nuk ishte si në Shqipëri ku makina i bie borisë sapo
vjen tek këmbët e tua. Qetësia fine dhe
përhumbëse nuk trembej nga njerëzit e shumtë që lëviznin nëpër Çarshi.U
vonuam duke lëvizur dhe kullotur sytë
dhe tani, shoku im , historian i vullnetshëm dhe pasionant, tha se duhej të
provonim qebapin e Gjakovës, nami i të cilit ndoshta ende nuk ishte shkërmoqur
nga hileja e tregtarëve.
Kur ne u
futëm në një lokal, menjëherë na doli para i zoti.Në parakrahun e majtë,
ngritur pakëz lart ,ai mbante një
peshqir, ndërsa në fytyrën e tij shprehej një buzëqeshje e butë, aspak e
sforcuar dhe e stampuar, siç ndodh rëndom me disa kamarierë.
–Urdhnoni,
mirë se erdhët, ku dëshironi të uleni, - tjetri menjëherë na bëri vend në një
tavolinë ballore, sikur të kishte kuptuar dëshirën tonë..Lokali ishte i traditës
së vjetër, me një zbukurim të thjeshtë, po që të mbushte me hijeshinë e vet. Të
tjerë drekonin në heshtje, ndërsa të porsafuturit, përshëndesnin me një u bëftë mirë, mbase ishin të njohur, mbase
jo, këtë s`arrita ta kuptoj, po gjithësesi më pëlqeu kjo përshëndetje, e cila
pothuajse është harruar në Tiranë.
Porositëm
qebapët e famshëm , djathë Sharri, verë, sallatë, të cilat nuk vonuan; sërish
kamarieri tha iu bëftë mirë me një qetësi engjëllore.Kishim uri.Pronari na i
mbushi sërish pjatat me qebapë pa thënë gjë dhe solli verë. Ne i thamë të ulej
me ne dhe të merrte një gotë verë. Me kënaqësi pranoi.Hymë menjëherë në bisedë
si të njiheshim prej kohësh.
Tha se
kishte qenë në Durrës gjatë luftës, diku në Golem ,ku i kishte ca kushërinj të
largët.Pastaj biseda u zgjerua në ato vite të stuhishme që përvijohen nga raste
të shumta të veprimeve humane , plot dramatikë e heroizëm , po edhe njohje të
mrekullueshme.Kur qe kthyer nga Durrësi, lokalin e kishte gjetur të djegur, po
shpejt e kishte ribërë.Në raste të tilla biseda merr kah patriotik, kah që
shkon e futet në historinë e njerëzve të ndarë padrejtësisht.Shoku im , i
shpjegoi historinë e Gjakovës,luftën e madhe që ka bërë ky qytet, si Mehmet Ali
Pasha u ngrit lugat e vajti tek Knjaz Nikolla, këto të gjitha të shkruara aq
bukur në veprën Lahuta e Malcisë.Dhe gjakovari dëgjonte me kujdes.Sytë e tij
intelegjentë shprehnin një këshëri të kujdesshme në mënyrë që tjetri të mos
kuptonte se ai nuk dinte kurrëfarëgjëje, e sidomos historinë e qytetit të vet.
-Unë të gjitha
i di këto, m`i ka rrëfyer baba, tha ai, po që Mehmet Ali Pasha të jetë ngritur
lugat, këtë s`e paskam ditur.E di se një serb, dikur, u nrit lugat nga vorri,
duke paguar të këqijat që kishtë bamë mbi shqiptarët, po për Mehmet Ali Pashen
kurrë, jo, s`e kam ditur.Unë desha të ndërhyj, për të shpjeguar se figura e
lugatit tek Lahuta është vetëm një figurë letrare, diçka që u rri aq bukur
përmasave heroike që mbart kjo vepër, po druaja se mos e fyeja këtë njeri të
mire, i cili pas pak u shpreh duke falenderuar shokun tim për njohuritë që
kishte.Por ai i tha se të gjitha i dinte, veçse kullën e Abdulla Pashë Drenit
nuk e dinte, ishte në këmbë apo qe rrënuar, banonte dikush aty a jo.
-Vallahi,
as unë nuk e di , tha gjakovari, po dikush tjetër po mundet me u ndihmu për ta
gjet.
-Nëse ti
na afron këtë ndihmë do na bëjsh nder të madh, tha shoku im, unë dua ta
fotografoj, e ta rendis në faqet e librit këtë fotografi.-Posi,bre vlla ,s`ka
problem, tha gjakovari dhe menjëherë i ra telefonit.Dikush iu përgjigj në anën
tjetër dhe s`vonoi e erdhi një djalë i gjatë,që na përshëndeti.-Ky asht djali
em, ka mbaruar fakulltetin në Tiranë për histori, o e di ky këtë që kërkoni ju,
o nuk e di tjetër- tha pakëz me mburrje gjakovari.
Shokut
tim i ndritën sytë,më në fund ai do kishte rast të fotografonte dhe libri i tij
i ardhshëm ndjehej i plotësuar.-Tregohu këtyre burrave, lum baba se ku ndodhet
në Gjakovë kulla e Abdulla Pashë Drenit-foli i zoti i lokalit.-Kulla e Abdulla
Pashë Drenit?-rrudhi vetullat djali i ri si të ndodhej para një enigme-Për herë
të parë e dëgjoj këtë emër.Nuk e di.
-Si, nuk
e din, he të bafsha nanën- briti gjakovari-aii,djali em ,bre, e paska marrë
shkollën në Tiranë me pare…
Djali uli
kokën dhe iku tutje ndoshta i turpëruar po unë pashë se i turpëruar ishte më
fort i ati të cilit i ishin skuqur majat e veshëve.E solla bisedën tek diçka
tjetër dhe vura re se fytyra e tij e tronditur ende nuk po qetësohej.Aty për
aty, fajësova shokun tim i cili kërkonte shumë dhe pyeste çdo njeri sikur të
gjithë të ishin shkencëtarë.Nganjëherë njerëzit e ditur e matin botën me veten
dhe harrojnë se njerëzit kanë punën etyre dhe nuk jetojnë me ide fikse.Ne
kishim dalë jashtë dhe s`donim të bisedonim më për këtë gjë.Gjakovari e shau
rëndë djalin e vet dhe ne qemë bërë shkak.
Po kapërcenim
një urë dhe po merrnim majtas. Poshtë rrugës ishte një lokal buzë lumit dhe
ngjitur me të një varr turk.Sa e tmerrshme, mendova, si mund të pish një kafe
apo të drekosh pranë një varri, ndërsa njerëzit qetësisht as që e shihnin atë,
madje kërciste një muzikë tallava.Tani u bëra unë kurioz.Zbrita shkallët dhe
pyeta për varrin.Më thanë se ishte varri i Mehmet Ali Pashës.Këtu afër duhet të
jetë patjetër edhe kulla, mendova.Kur ia thashë shokut tim mundësinë e gjetjes
së saj, atij i erdh vetiu një dritë e beftë në fytyrë. Ne po rrinim në anë të
rrugës si në mesin e një enigme. Muzika që vinte që nga poshtë klubit duke
mbytur valët e lumit sikur e theksonte edhe më hutimin tonë.E kuptoja se ishim
mbetur diku në cep të një balade të ngatërruar. Shoku im shtërngonte çantën
sikur të kishte frikë mos i ikte.Nuk dija ç`të thosha kur pranë meje kaloi një
plak me kapuç të bardhë.Sesi m`u dha:,-Or, mixhë, fola unë, a ban me t`bezdis
pak?—Ç`asht aj llaf ,bre dashamir,…
-Deshëm
me t`pyt, ku ndodhet kulla e Abdulla Pashë Drenit?...
Qe, tha
plaku,dhe zgjati krahun si shpatë drejt. Vërtet, kulla e Abdulla Pashës ndodhej
mbi rrugë, ndërsa varri kishte treguar
rrugën drejt saj.Dhe ai plak…