E shtune, 03.05.2025, 06:10 PM (GMT+1)

Kulturë

Xhemail Peci: Shqipëria një emër ku mblidhen shekujt, një zemër që zgjon ardhmëritë

E hene, 11.03.2013, 11:16 PM


SHQIPËRIA NJË EMËR KU MBLIDHEN SHEKUJT,

NJË ZEMËR KU ZGJOHEN ARDHMËRITË

Nga libri: “E SHKRUAR ME SHPIRT TË SHQIPËRISË”

Nga Xhemail Peci

Shqipëria dhe shqiptarët gjatë gjithë historisë së tyre mijëravjeçare, jo rallë janë ngritur si sfida nëpër shekuj, së bashku me madhështinë e shpirtit dhe me ndjenjën e sakrificës deri në flijim, së bashku me bujarinë e zemrës dhe me mprehtësinë e mendjes, për të mbijetuar shekujt dhe furtunat e shekujve, derdhur padrejtësisht mbi ne dhe pa mëshirë në tallazet dhe në stuhitë e kohërave, me armiq të shumtë sa edhe të egër e barbarë, që synonin ta zhduknin nga faqja e dheut e nga harta e botës, kombin tonë të lashtë, të përvuajtur dhe heroik, Atdheun tonë të dashur dhe të shtrenjtë.

Sa herë që Shqipëria është qëlluar ngusht dhe sa herë që ka kaluar mes Scillës dhe Haridbës, mes kudhrës dhe çekanit, sa herë që të tjerët e venin në Shtratin e Prokursit, ajo ka thirrur fort dhe zërit të kushtrimeve të saj shekullore, shqiptarët ì janë përgjigjur gjithmonë. I janë përgjigjur ashtu siç ì përgjigjen gjithmonë bijtë nënës së vet, nënës së dashur, të shtrenjtë dhe të shenjtë, aq sa për hir të Nderit të Emrit, aq edhe për hir të lavdisë stërgjyshore dhe shekullore, e po aq edhe për hir të pavarësisë së tërësisë tokësore, e të lirisë së gjakuar aq shumë, të m,erituar aq shumë, por të shijuar aq pak.

Stuhitë e egra e të parreshtura të barbarëve dhe rrebeshet e armiqve të shumtë në forcë dhe në numër, u sulën mbi Shqipërinë dhe mbi shqiptarët, por s’e mposhtën që s’e mposhtën dot ndjenjën për liri dhe për mëvehtësi kombëtare.

Perandori të mëdha e të njëpasnjëshme, me zjarr dhe me gjak, me hekur dhe me lak, me llokume dhe me kërrbaç, e dogjën dhe e poqën tokën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, por ja që ky popull mbijetoi dhe mbijeton.

Breznitë Orëmira u ndeshën sa e sa herë në luftën dhe në çështjen e madhe për liri dhe mëvehtësi. U ndeshën Bato ì Breukëve dhe Bato ì Desidantëve. Atdheatrët u sfiduan edhe nga armiqtë e shumtë, por mjerisht edhe nga tradhtarët: Dhimitër Fari, Komandant ì Flotës Ilire në Korfuz, meqë lakmonte Fronin e Shenjtë të Teutës, dhe meqë nuk e merrte dot, ua dorëzoi romakëve çelësat e kështjellës, e madje edhe flotën tok me ishullin! Stafeta e tradhtisë si kjo, mjerisht u bart deri tek Esat Pashë Toptani e tutje tëhu…

Ne nuk ka mundur fuqia e armikut, por tradhtia e mikut, shkruante me një shije të hollë shkrimtari Haki Stërmilli. E megjithatë sfida ushtarake u zgjatë në përmasat e saj monumentale, ashtu siç e ka gdhendur malësori në memorjen e tij historike: Askush s’e di se ç’është vuajtja më e rëndë, për pa e kaluar Shqipërinë këmbë. Ky dyvargësh i kushtohet luftës heroike të popullit shqiptar kundër pushtuesve serbë në Luftën e Parë Botërore, të cilët kaluan nëpër Shqipëri. Duke u gjendur mes darës shqiptare dhe asaj Austro-Hungareze, ushtria serbe në tërheqjen kokëulur (pasi ushtria austro-hungareze iu vërsul deri në Portin e Durrësit), i la të vdekur rreth 15.000 ushtarë.

Jo po a s’desht hasmi Shqypni ,/  jo po a s’desht djalli shqyptar,/ qe pra sot po ka Shqypni,/ qe pra sot po ka shqyptar’, vie si një jehonë e shekujve Zëri ì Zemrës së Gjergj Fishtës.

Kongresi ì Berlinit dhe më tej Konferenca Famëkeqe e Londrës e Vitit të Zi 1913, e torturuan dhe e masakruan Shqipërinë, pa pyetur as drejtësinë e as historinë e saj shumëshekullore!

Diplomatët brutal, dhelpërak e hileqarë sa s’bën më, herë intrigantë e herë ziliqarë, e bënë Atdheun tonë të dashur një plaçkë tregu e një shesh gjaku. Një arenë të përgjakshme të copëtimit të tokave e të çfarosjes së shqiptarëve në masë!

Ansambletë e mjekrrave të thinjura të diplomacisë e të hipokrizisë europiane të shekullit të kaluar, shkelën padrejtësisht mbi traditën dhe mbi vlerat shekullore të një kombi të vogël por me zemër të madhe lirie. Duke e sakatuar lirinë dhe pavarësinë e një kombi, ata kryen aktin më të shëmtuar të një krimi të pajustifikueshëm, ku viktima i akuzon akoma për ndërgjegjën e tyre të shëmtuar e çnjerëzore në atë shekull, mbi të cilën rëndon pesha e gjakut dhe e padrejtësive shekullore.

Çështja shqiptare kulloi dhe kullon gjak akoma!

Shpirtërat e pafajshëm të varrezave masive si ëngjëj të pafajshëm të lirisë dhe të pranisë së vet në tokën që i lindi dhe i rriti, akuzojnë.

Një popull nga më të vjetrit e Gadishullit të Ballkanit e me moshën më të re në Europë, pa ì rënë në qafë askujt dhe asnjëherë, mbrojtës ì zjarrtë ì lirisë dhe ì qytetërimit europian – madje jo vetëm një por disa herë gjatë gjithë historisë; me gjuhën, me kulturën dhe me traditën e lashtë kombëtare e qytetëruese, si parardhës i drejtpërdrejtë i Ilirëve, ì ndjenë edhe më dhembjet e gjymtyrëve të prera ashtu siç ndjenë dhe prerjen e kapilarëve në hartën e Shqipërisë natyrale, të ndarë e të bërë copa-copa mes thonjëve të përgjakur të çakejve të Ballkanit, për t’u bërë qejfin dhe defin shfrimeve dhe orekseve të tyre shoveniste.

Knjazat dhe krajlat, princat dhe lordat e Ballkanit e të Europës së Konferencës së Londrës, firmosën masakrat!

Por historia dhe politika, e kaluar dhe e sotmja ka dëshmuar dhe dëshmon se çështja shqiptare është krejtësisht legjitime në kërkesat e saj të natyrshme për liri e pavarësi.

Shqipëria dhe shqiptarët kanë qenë, janë dhe do të jenë.

Kurdoherë, Aty ku Perëndia dhe Nëna Natyrë ì ka bekuar me dhuntinë e lirisë dhe të krenarisë së ligjshme:

Gjyshërit dhe Stërgjyshërit Tanë Trima e Atdhetarë.

Shqipëria dhe shqiptarët janë një realitet ì gjallë etnik dhe politik, gjeografik dhe historik, ì cili as nuk mohohet dhe as nuk injorohet dot.

E ardhmja ka për të dëshmuar një të vërtetë akoma më të madhe.

Të vërtetën e madhe dhe të drejtën e patjetërsueshme se Shqipëria dhe shqiptarët janë e nesërmja e këtij realiteti që do të vijë.

Që do të ngadhënjejë.

Që do të ngadhënjejë mbi padrejtësinë dhe kryeneçësinë e shekujve tinzarë.

Ashtu siç e ka thënë Naimi: Lum kush të rronjë, të ta shohë zonjë.

Jo vetëm pse fjalët profetike të poetëve të një kombi shpesh bëhen vërtetësi, realitet, por sepse dëshira e popujve për liri dhe pavarësi, gjakimi ì tyre për të, është një gjë e natyrshme, e ligjshme dhe madje-madje e perëndishme, kurse vetë dashuria për atdheun është ushtria më e fortë e një kombi.

Popujt përgjaken, cfiliten, sakrifikon, martirizohen e therrorizohen, por liria e tyre rritet dhe mbijeton.

Pikërisht ashtu siç e ka thënë kolosi i madh i romantizmit evropian Viktor Ygo, se popujt derdhin gjak por nuk e humbin lirinë e tyre.

E kaluara historike përkujton dhe e sotmja dëshmon se popujt që e kanë në gjak lirinë, e kanë edhe ardhmërinë e tyre, edhe përparimin e edhe begatimin e tyre, herët a vonë, sot apo nesër, një ditë patjetër, pikërisht ashtu siç e ka thënë në mënyrë madhështore, artisti i madh Ezhen Delakroa: Liria u prinë popujve.

Koha, kjo valltare vigane e shekujve dhe kjo dëshmitare e ngjarjeve të parreshtura, e ka dëshmuar dhe do ta dëshmojë, se guximi, krenaria, trimëria, sakrifica, heroizmi, mençuria, urtësia dhe maturia e brezave dhe e gjeneratave të shqipatrëve atdhetarë, përgjatë gjithë shekujve, përgjatë gjithë historisë, e kanë mbajtur, e kanë ngritur dhe e kanë ushqyer Shqipërinë, me gjakun e shenjtë të idealit të tyre.

Me gjakun e Lirisë së saj.

Luftërat e përgjakshme dhe heroizmat e shqiptarëve për liri e dritë, e ngritën lart Kombin tonë dhe Atdheun tonë. Agroni e Teuta, Gjergj Kastrioti e Frashëllinjtë me Ismail Qemalin e me popullin në ballë, dalë nga gjiri ì shenjtë ì Shqipërisë Mëmë, tundën perandori të tëra e ua drodhën dheun nën këmbë armiqve të shumtë e të egër. Burra si ata e si Hasan Prishtina, si Isa Boletini e si Avni Rrustemi, si Dedë Gjo Luli e si Mehmet Shpendi, si Çerçizi e si Bajo Topulli, si Mic Sokoli e si Oso Kuka, si Selam Musai e si Vojo Kushi, si Shaban Shala e Shaban Dërguti, si Tahir e Nebih Meha, si Shaban, Hamëz e Adem Jashari, bënë histori, bënë Shqipëri.

Njerëzit e penës e të pushkës të malit e të qytetit, të tribunës e të aksionit, figura të përkushtuara të paqes e të vizionit dhe misionit liridashës si Dr. Ibrahim Rugova, e misionarja si shembull më i denjë i bamirësisë së njerëzimit – Nënë Tereza, i thirrën dhe i thërrasin kujtesës historike të qendrave vendimarrëse, që të mos bëhen sërish ‘gojambël në biseda, e mizore në tavolina’…

Shqipëria dhe shqiptarët përgjatë gjithë historisë së tyre shumëshekullore, nuk kanë kërkuar dhe as kërkojnë gjë tjetër nga ajo që natyra dhe vetë Perëndia u ka dhënë popujve të tjerë: Të drejtën legjitime dhe demokratike sa edhe krejtësisht sovrane, për të jetuar të lirë dhe të pavarur në trojet e tyre stërgjyshore.

Liria, E Drejta dhe E Vërteta, ja kush është Perëndia, ka thënë Gëteja.

Napoleoni ka shkruar se në prehër të nënave lindin kombet, e populli rrjedhimisht është nëna që e përkundë djepin dhe fatin e historisë së vet.

Ismail Qemali thoshte me të drejtë se gjumi u bënë mirë foshnjeve por populli që fle vdes, pranadaj:

Liria është bija e fitores.

Shqipëria është Atdheu ì Gjakut të Shqiptarëve.

Shqipëria është Djepi, është Ninula dhe Kënga Jonë e Shenjtë.

Shqipëria është Mëma Jonë E Dashur Dhe E Shtrenjtë.

Shqipëria është Gjuha Jonë Shqipe Dhe Është Gjaku Ynë.

Shqipëria është Lindja Jonë E Madhe.

Shqipëria është Pagëzimi dhe Bekimi Ynë i Madh.

Shqipëria është Ëndrra e Shenjtë e Brezave dhe e Gjeneratave të Shqiptarëve Atdhetarë.

Shqipëria është Mesazhi ì Kuq ì Shpalosur Shekujve.

Shqipëria është Jeta dhe Vdekja Jonë.

Shqipëria është Djepi dhe Varri Ynë.

Shqipëria është E Sotmja dhe E Ardhmja Jonë.

Shqipëria është edhe E Djeshmja që Flet Përmes së Sotmes:

Për të Pritmen.

Shqipëria është Zëri që Thërret.

Shqipëria është Zemra, Të Cilës, DOEMOS: Duhet Përgjigjur.

Shqipëria ka qenë, është dhe do të jetë, përherë e tillë, sepse të na marri dikush Dashurinë për të, të na zbehi dikush Dashurinë për Të, është njësoj sikur t’ia heqë dikush asaj shqiptarët nga trualli ì saj, është njësosj sikur të na e marri, të na e vjedhi dikush: Gjuhën Shqipe.

Është njëlloj sikur të na ì verbojë dikush sytë tanë.

Shqipëria është Dashuria e shqiptarëve për Të, Për Shqipërinë, sepse Dashuria për Të është Ushtria më e fortë e saj.

Dashuria për Atdheun  është Dashuria për Kombin, është Vetëdija për Të.

E bërë nga Idealistët dhe e zhbërë shpesh nga Plangprishësit, e bërë nga Breznitë Orëmira dhe e zhbërë shpesh edhe nga Breznitë Orëzeza, Shqipëria është Ndërgjegja Jonë Kombëtare, është Qenia Jonë Morale dhe Intelektuale, Mendore dhe Shpirtërore.

Shqipëria do të bëhet aq sa do ta bëjmë ne: Shqiptarët.

Shqipëria do të jetë e fortë aq sa do të jenë të forta: Zemrat Tona.

Shqipëria do të Lulëzojë e do të Përparojë, aq sa do të jenë Të Përparuara: Mendjet Tona.

Nuk ka Shqipëri të bashkuar pa shqiptarë të bashkuar.

Ose siç e ka thënë aq bukur dhe me një qartësi lapidare Dom Lush Gjergji: Nuk bashkohen Tokat e Shqiptarëve pa u bashkuar së pari: Kokat e Shqiptarëve.

Nuk Bashkohet, nuk Përparohet e nuk Nderohet Shqipëria në sytë tanë dhe në sytë e Botës së qytetëruar, pa u Pajtuar dhe pa u Bashkuar: Mendjet dhe Zemrat e Shqiptarëve.

Uniteti ì Ideve është më ì fortë se uniteti ì shteteve, ka thenë Ideologu ì Madh i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Sami Frashëri.

Shqipëria: NJË BEKIM PAQËSOR SA EDHE HYJNOR, NJË MARRËVESHJE ARTI NË MES TË PERËNDISË DHE NATYRËS.

Shqipëria. Kosova. Çamëria. Atdheu. Kombi. Gjuha. Kultura. Arti. Jeta. Mirëqenia. Mendore dhe Shpirtërore.

Shqipëria: LËKURA JONË E PËRJETSHME PREJ TË CILËS NUK DALIM DHE NUK MUND TË DALIM KURRË.

Po s’u bënë NJË, Mendjet dhe Zemrat e Shqiptarëve, nuk bëhet NJË as Shqipëria.

Djemtë e mi, nuk bëra pasuri t’ia lija trashëgim Shqipërisë. Po ju lë një atdhe amanet !

Kështu ka thënë Plaku ì Urtë e Burri ì Fortë ì Vlorës Trime, Ismail Qemali.

O I SHEKUJVE SHPIRTBARDHË, O SHQIPTAR, DO Të THËRRISTE PRAPË POETI ARBËRESH.

SHIQPËRIA ËSHTË PRANDAJ – duke parafrazuar poetin francez Lui Aragon, NJË EMËR KU MBLIDHEN SHEKUJT, NJË ZEMËR KU ZGJOHEN ARDHMËRITË.

SE S’NA NDJENË AS PERËNDIA NËSE NUK NA NDJENË SHQIPËRIA!

E PAÇIM PRA BEKIM E PERËNDISË DHE BEKIMIN E SHQIPËRISË…



(Vota: 11 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx