Kulturë
Baki Ymeri: Balada e fjalëve që lind në mesnatë
E diele, 09.12.2012, 06:02 PM
Balada e
fjalëve që lindin në mesnatë
(Adem Zaplluzha, Diku te një baladë, “Fahri Fazliu”, Kastriot 2012)
Nga Baki Ymeri
Diku te
një baladë, thekson autori, ne deshëm ose nuk deshëm, sonte do t’i durojmë
krakëllimat e korbave. “Kjo frymë e egër malesh/ Po ua shtrëngon shpirtin
lisave.” Adem Zaplluzha nuk merret me
çështje antipoetike duke përmendur emra korbash që vijnë nga lashtësia për t’i
vrarë bijtë e shqipes. Autori depërton në botën universale, duke na dhuruar
librin e tij më të ri, ku “Sa të trishtueshme qenkan/ Këto britma prej
rrënjëve/ Kush e vrau Hamletin/ Kur netët vinin mbi krahë korbash.”. “Diku te
një baladë” është një nga veprat që na e përforcon bindjen se poezia nuk
degdiset nën agresionin e hiperteknologjive që na riorientojnë ekzistencën,
duke na e përkujtuar mërgimin, dhe
mikpritjen e famshme shqiptare: “I ftoj të njohurit e mi në ndejë/ Dhe ua
tregoj/ Se si priten miqtë e vjetër? Një aromë e vjeshtës del në dritare/ Dhe i
përshëndet/ Fluturimet e zogjve shtegtarë”. (Nëna ime).
Adem
Zaplluzha nuk është një dritë e vetmuar, sepse në moshën e pjekurisë së tij
artistike, din me mjeshtëri të rrallë të na i sjellë në varg fushat, malet,
bjeshkët, qytetet dhe fshatrat e Dardanisë që i kanë dhënë këtij vendi një
numër impresionues heronjsh, dijetarësh e shkrimtarësh që digjen për komb e
atdhe. “Kuptova se qante një dru i vjetër/ Qanin edhe lisat e tjerë/ Nga lotët
shqyhej mali/ Prej dhembjeve mbuloheshin gurët” (Dita kishte mbetur diku në
vetmi). Imagjinata është prezent
gjithandej, madje edhe “Dikur vonë/ Kur kishin filluar të largohen hijet/ I
vara edhe duart e shelgjeve/ Po në ato vende që i përngjanin fëmijërisë” (Po
aty). Mund të thuash se nuk ka inspirim dhe sens poetik në këto vargje
brilante?
Sipas
autorit, dita kishte mbetur në vetmi, askush nuk rrinte me të, asnjë zog nuk
këndonte, madje, edhe drurët u përngjanin qyqeve. Pluhuri i yjeve dhe pluhuri i
harresës nuk më kujtohet tani, thekson në një poezi tjetër: “Se si ka qenë ky
pluhur/ I bardhë ose i hirtë// Një diell i portokalltë/ Fle mbi tjegulla/ Kjo
gjuhë e gjelbër gjarpri/ Si flaka po i lëpin çatitë”. Adem Zaplluzha është një
misionar i vargut kosmogonik ku dita e shembur nga koka, shikon në një pikë të
çuditshme, dhe i numëron këputjet e meteorëve. Dhe më tej: “Ajri në metastazë/
Ka filluar të çmendet nga dhembjet/ E pashërueshme”.
Ka edhe
shumë për të thënë për këtë poet, i lindur para 69 pranverave, dhe i dekoruar
me 77 vëllime poetike, 37 sosh duke i botuar brenda një viti, siç kemi thënë
dikur, aq sa pat jetuar Ati Ynë (Jezu Krishti), 33 vjet. Pse? Sepse “Vrapuan
nëpër erë/ Etja/ Hiri e zjarri”, dhe më tej: “Vrapuan nëpër kujtesën e galopit
kuajt/ Kur u ndalën të pinë ujë/ I dëgjuam zërat e nëntokës” (Kalorësi).
Kritikët e mirëfilltë shqiptarë dhe ata të Perëndimit, qëndisin ese pa citime
vargjesh, duke analizuar tekstin poetik konform teorisë së letërsisë dhe
stilistikës letrare, duke evidentuar trope, metafora dhe vlera tjera që
ndërlidhen me analizën e tekstit, kurse kritikët rumunë dhe ne, pa dashtë e
anashkalojmë këtë “kod” profesional, duke i ofruar lexuesit edhe mendimet e
autorit, duke cituar perla poetike të seleksionuara nga vëllimi respektiv. Pse?
Sepse, siç thekson baci Adem, dolën në dritën inkandeshente, me flamuj
eshtrash, kalorësit e mi të bardhë.
Libri më
i ri i Adem Zaplluzhës, proklamon të drejtën e vargut harmonik në ekzistencën e
saj të lirë, në konditat e destrukturimit të ligjërimit lirik, gjë të cilën
kritika letrare e ka përqafuar kaherë. Me gjithë këtë, një diskurs i këtillë, i
pjekur dhe i frymëzuar, mbetet një çështje e virtuizitetit emocional përmes
përshkrimit të dashurisë në formën klasike dhe bashkëkohore të vjershës, autori
pa u bërë rob i lirikës klasike me rimë, duke shkruar me një dorë delikate, për
një trëndafil të gurtë, që “Për herë të parë/ Mbiu në preh rin e mëngjesit”.