Kulturë
Elvin Luku: Izraelitët dhe fisnikët (2)
E diele, 09.12.2012, 06:01 PM
IZRAELITËT
DHE FISNIKËT
(Pjesa e dytë)
-Intervistë me gazetarin e njohur, Arshin Xhezo-
Arshin
Xhezo: Shpëtimi i hebrenjve, ruajtje e dinjitetit dhe jetës njerëzore!
-Berati, ndër qytetet më të vjetër dhe më të bukur të Europës Juglindore, u bë kryeqyteti i humanizmit.
...“Takimi”
im i dytë me hebrenjtë ishte, përsëri, jo i drejtpërdrejtë, por, gjithsesi, më
i afërt me ta, edhe sot e kësaj dite. Madje, jo me hebrenjtë në kampet naziste
të përqendirmit, por me hebrenj që kishim në Shqipëri, në Berat, dhe, për
çudi,-brenda në shtëpinë tonë.
Sigurisht,
nuk ishte takim me hebrenjtë vetë; dhe nuk kishte si të ndodhte kështu në vitin
1954 apo 1955, kur ata, tanimë, ishin kthyer në shtëpitë e tyre, në Izrael apo
nga kishin ardhur.
Ishte
“zbulimi” në shtëpi i një dhurate që, bujtësit, dy familje hebrenje me nëntë
vetë, ua kishin lënë për mirënjohje prindërve të mi, pas një qëndrimi mëse
njëvjeçar, në vitet 1943-1944. Ishte një kuti e vogël bronxi, as 10 cm e gjatë dhe 7-8 cm e gjerë.
Shumë e bukur. Në njërën faqe ballore është skalitur (me teknikën e rrahjes),
Ylli i Davidit, kurse në faqen tjetër, një xhami, krejt e ndryshme nga tonat;
jo me një, por me katër minare. Ishte e zbukuruar me gjithfarë lulesh e
gjethesh, dhe me një zinxhir që, me ç’dukej, shërbente për ta mbajtur në dorë,
por ndoshta, edhe për ta varur në mur. Ishte një vepër e vërtetë arti! Vladimir
Skëndua, ish-drejtor i muzeut “Onufri”, si specialist për këtë punë, i ka bërë
një “Pasaportë” të imtë e të saktë profesionale.
Fati dhe
historia e kësaj kutie-dhuratë në shtëpinë tonë, pas luftës, është tepër e
ngjashme me atë të hebrenjve të fshehur në shtëpinë tonë në dimrin e egër të
1943-44-ës, të Luftës. Kutia, herë dukej, herë zhdukej, herë zbulohej, herë
mbulohej, gjendej përsëri dhe përsëri humbiste, për t’u gjetur sërish.
Fati i
saj i ngjan, gjithashtu, atij të “Mesharit” të Gjon Buzukut, që sivjet erdhi
për herë të parë në Shqipëri nga Vatikani, i cili, ashtu, si shumë libra të
vjetër apo dokumente të hershme të shqipes së shkruar, për shkak të pushtimit
turk apo rrethanave të tjera, zbuloheshin dhe rizbuloheshin për të katërtën apo
të pestën herë.
“Zbulimin”
e parë dhe më të rëndësishëm të kutisë, për mua, e ka bërë ime motër, e vogla,
Zenepja, vetëm tre vjet më e madhe se unë. Nuk i duhet ngrënë haku, sidomos për
faktin, se “zbulimin” e madh e pagoi me një qortim të rëndë nga ime më (por,
edhe me ca shpulla “prapa”). Bëri atë që nuk do të guxonte ta bënte njeri në
shtëpi: “rrëmoi” në librat e babait, nga nxorri kutinë e fshehur. Sherri ishte
serioz.
“Zbulimi”
u bë një ditë, kur asnjë nga prindërit nuk ishte në shtëpi.
Me të
dyja duart prapa, ku mbante “surprizën”, m’u drejtua mua:
-“Do të
të tregoj një sekret, por zërë be “për kokën e babait”, që nuk do t’i tregosh
njeriu!...
Nga që
m’u duk ca e trembur dhe tepër serioze, ndryshe nga natyra e saj gazmore dhe e
qeshur, bëra be, për kokën e babait.
Nuk u
mjaftua me kaq.
-As
shokëve!
-As
shokëve, të betohem!
Zotimin
për shokët e mi më të ngushtë, me të cilët rrija natë e ditë, e kërkoi emër për
emër:
-As
Aliut!-As Aliut.- Të betohem! – As Jasharit!- As Jasharit. – As Perit!- As
Perit. – As Astritit!- As Astritit.- As Bejkushit!- As Bejkushit...
Por,
dreqi e mori, si gjithmonë, kur ne të dy bënim ndonjë gabim apo “gjë të
ndaluar”, u hap dera. Hyri ime më, pa kutinë në duart e motrës dhe u zverdh e u
bë dyllë në fytyrë. Por, në çast e mori veten dhe iu kthye motrës.
Ç’është e
vërteta, ime motër i ka të gjitha të mirat. Madje, megjithëse të dy kemi
mbaruar të njëjtin fakultet, të letërsisë, ajo lexon më shumë se unë. Ka edhe
plot të mira të tjera, por, atëherë kishte një ves të tmerrshëm: kur bënte
ndonjë gabim, fajin gjithmonë ma hidhte mua sy për sy! E keqja më e madhe
ishte, se në ato momente, para prindërve shtirej si viktimë, engjëlli vetë, “si
i bukuri shejtan”,thoshe ti. Lotët vu, që të këpusnin shpirtin: “Dhe, hajde të
mos e besoje në ato çaste! Mirëpo, sapo sherri mbaronte dhe prindërit
largoheshin, (por ndodhte dhe në praninë e tyre), ajo e ndryshonte mimikën, më
rrudhte buzët, madje, edhe më nxirrte gjuhën(!) për të më thënë: “Ta hodha?!”.
Edhe këtë herë, e njëjta skenë: “Për kokën e babait, ai e nxorri kutinë nga
librat...jo unë”.
Më vinte
të ulërija nga inati dhe shkoja t’i ankohesha sime mëje, apo babait (më rrallë,
shumë rrallë). Por, tanimë, ata “e kishin mbyllur atë muhabet” dhe më
përcillnin gjithmonë me fjalët: “Pajtohuni tani. Kush grindet gjithmonë me dikë
në vogëli, tregon se, kur të rriten, do të duhen më shumë. Fale, është motra
jote”. Tri vëllezër dhe tri motra në familje, secili nga ne kishte vëllain apo
motrën “e vet”, sipas moshës.-Ku dreqin, më qëllove ti!-i thoshim
njeri-tjetrit, kur grindeshim.
Por,
sherri i fundit për “zbulimin” e kutisë, nuk kaloi lehtë. Pas “grykës” së parë
me qortime, ime më, ndryshe nga herët e tjera, na tha të uleshim, të dëgjonim
dhe t’i vinim “vathë në vesh” ato që do të dëgjonim. “E para: E prekët më me
dorë kutinë, i thashë Metit, dhe e dini vet ju, pastaj... E dyta: sot, zëre se
nuk patë gjë me sy...”. Nuk tha, bëni be për kokën e këtij apo atij, por ashtu
siç ishte bërë në fytyrë dhe nga zëri, krejt tjetër, na la të kuptojmë se,
betimet ishin të panevojshme. Madje, kujtoj se, që të na i hiqte më lehtë nga
koka “kutinë e ndaluar”, e zhdramatizoi situatën: “Fundja, ç’e doni?! Një copë
kuti është! Kemi pasur në shtëpi, në kohën e gjermanit ca mysafirë jabanxhinj
të largët, hebrenj, me një tufë kalamajsh, që, kur ikën, e lanë atë për ta
kujtuar për mirë njeri-tjetrin... Kaq gjë është!”.
Ne u
larguam kokulur, dhe kutia, kushedi ku u fsheh, por kjo ngjarje, sigurisht,
edhe mua, edhe motrës, pikërisht për shkak të theksimit të veçantë, na bëri
akoma më kuriozë e më të vëmendshëm ndaj “jabanxhinjve” të largët hebrenj në
kohën e gjermanit”...
Kush
ishin hebrenjt? Si ishin? Pse erdhën në shtëpinë tonë? Pse duhej mbajtur aq
shumë e fshehur kutia e tyre? Dhurata nuk ka pse fshihet!...
Për
vëllezërit e motrat më të mëdhaja, që i njihnin dhe kishin luajtur me fëmijët e
hebrenjve, këto pyetje, mund të kishin marrë disa përgjigje, por ne të dy, më
të vegjlit e shtëpisë, që, as kishim lindur atëherë, mbetej që këto pyetje,
tanimë, t’ia bënim vetëm vetes, dhe përderisa nuk merrnim asnjë përgjigje,
mbetej t’i krijonim vetë ato.
Me
kalimin e viteve, sa më shumë dëgjoja e lexoja për historinë dhe fatin e
çuditshëm e tragjik të hebrenjve në botë dhe për mysafirët jabanxhinj të largët
në shtëpinë tonë, në lagje e në qytetin tonë, “në kohën e gjermanit”, aq më
shumë më ngjante me historinë e “kutisë dhuratë”, gjithashtu, po aq të fshehur,
por tani, pas lufte, në paqe, pa gjermanin...
-“Zërë
be, për kokën e babait, se nuk do t’i tregosh kujt për kutinë e fshehur në
shtëpi”...
-“Zërë
be, për kokën e babait, se nuk do t’i tregosh njeriu, për hebrenjt e fshehur në
shtëpi”...
-“Betohu
për Flamurin e Skënderbeut, se nuk do t’i tregosh turkut ku fshihet “Meshari” i
Gjon Buzukut!...
Paralelizmi
ishte i pashmangshëm!
...
“Rizbulimin” e fundit të “Mesharit” të shtëpisë sonë, e bëri Nexhi, mbesa ime,
në fillim të viteve 90-të. Tanimë, kur veç të tjerash, im atë nuk ishte më, e
as ime më, ajo e kishte nxjerrë pa problem; e kishte pastruar me merak, dhe e
kishte varur në murin e njërës prej dhomave të shtëpisë sonë të vjetër. (Jo në
Bibliotekën Kombëtare!). Kurse miku im, Simon Vrusho, që e pëlqeu shumë, i bëri
edhe disa fotografi.
Thuhet,
se kurioziteti njerëzor e nxit njohjen. “Rizbulimet” e tjera të kutisë dhe “takimet”
e tjera, të katërta apo të shtata me “mysafirët hebrenj” ishin më të gjata dhe
më “intime”. Për ta, të shpërndarë nëpër botë; “si zogjtë e korbit” (siç
thoshte ime më), por edhe për “hebrenjt tanë”, fillova të mësoja përmes ndonjë
libri a gazete të vjetër, dhe sidomos, përmes bisedave, gjithmonë, në sfondin e Luftës Antifashiste. Këto
“thërrime bisedash” i mblidhja me kujdes vit pas viti, nga ime më, por dhe
vëllezërit e motrat, të cilët, në kohën e luftës ishin: më i madhi, Ylviu,
11-12 vjeç, por edhe të tjerët, të lindur gati vit pas viti. Më pak, nga im
atë, për të mos thënë aspak, sepse ai mendonte; dhe e kishte të prerë këtë
“muhabet”, se e “e mira dhe nderi i bërë duhen hedhur në det” (a në lumë) dhe
nuk duhen zënë në gojë kurrë”. Megjithëse e dija, këtë ma tha edhe mua, kur një
ditë, - isha në vitin e parë në gjimnaz,-provova ta pyesja. Më përcolli qetë,
por shpejt, duke më përkëdhelur flokët dhe duke më puthur në ballë,-kjo ishte
shprehja më e madhe e dashurisë së tij për fëmijët.
E dija,
se në shtëpinë tonë të madhe, kishin bujtur “për mik” a për “sevap” me muaj e
vite, edhe mysafirë të tjerë. Por, ndërsa për ta, thuajse, nuk flitej fare, për
hebrenjtë ishte ndryshe.
Ishte im
vëlla, i madhi, Ylviu, që i bënte aq të bukura historitë e tyre, apo ishin të
vërteta ato që tregonte? Mundet, se në atë kohë, si më i rrituri, ai hynte e
dilte në dhomat ku ata rrinin të fshehur, iu shërbente, por edhe luante më
shumë me fëmijët e tyre. U çudita një ditë, kur më tregoi një fotografi, dhe më
tha, se kostumin që mbante veshur në foto, jo vetëm ia kishin dhuruar hebrenjt,
por edhe prerë e qepur “Ismaili” me “Hakiun”, domethënë Samueli me Joakimin,
ditën kur ishte bërë synet. Ma qepën me makinën tonë, tha, se po ta kishin
qepur me makinat e tyre, do ta kishin bërë edhe më bukur. Në fakt, marka
“Singer” e makinës sonë qepëse, që ime më e kishte nga paja e saj, mbahej nga
më të mirat në atë kohë, dhe ajo, bënte si bënte, nuk na linte pa na qepur të
gjithëve ndonjë robë të re për festa apo për ditën e parë të shkollës.
Nuk e
prita pa u çuditur pak, faktin që më tha im vëlla, se ata ishin rrobaqepës!
Ndoshta, për shkak të leximeve, nuk di ta them saktë, por në përfytyrimin
tim,të gjithë hebrenjtë më shfaqeshin vetëm me libra në duar, dhe, padyshim, me
syza optike... Më vonë, kuptova se nuk e kisha aq të pabazuar përfytyrimin tim.
Shumica e shkencëtarëve, shpikësve dhe gjenive të mëdhenj, ishin me origjinë
hebrenje dhe jo ruse, siç shkruhej në librat e gjimnazit...
Gjithsesi,
u duhej besuar më shumë njerëzve të shtëpisë, prindërve, vëllezërve e motrave,
që i kishin njohur dhe kishin jetuar me ta një vit e ca, në kushtet kur bëhej
luftë, dhe, dy makina me nazistë çdo natë parkonin në rrugicë ndanë portës
sonë, pranë Xhamisë dhe Sahatit të lagjes...
Shpeshherë,
mundohem të kuptoj, se ç’ishte ai guxim të marrësh, që i bënte etërit dhe nënat
tona, t’i linin shtëpitë, sidomos, fëmijët e tyre, në mes të atij zjarri! Nuk
mjaftonte rreziku që ndillnin ilegalët në këto baza të Luftës? Me sa duket,
duhej të ishe banor i kësaj lagjeje dhe i këtij qyteti për të kuptuar ç’ishte
miku, “kodi i nderit” dhe çmimi i lirisë!...
Ndryshe
nga im atë, nënës sime, Besijes, i pëlqente të tregonte herë pas here për
hebrenjtë tanë. Sidomos, kur i vinte për vizitë, shoqja e vjetër, Liria.
Por, kur
përshkruante momentet e mbërritjes së tyre në një natë të dimrit të viteve
1943-1944, fytyra i merrte një pamje të ankthshme, dhe fliste me një zë, aq të
ulët, sa të krijonte përshtypjen se gjermanët ishin prapa portës.
-Meti, po
bie porta! Dil,- i thashë, dhe gjaku më shkoi te këmbët, se, të trokiturat
ishin të lehta, po si të trembura. Frikë, thua ti? Frikë, doemos, se gjermanët
ishin nëpër këmbë në gjithë qytetin.
Im atë
kishte hedhur pallton krahëve, dhe, me kujdes kishte hapur portën, duke e
bllokuar me dorë zilen e fortë të saj.
-Tek
porta pashë dy burra; nuk i kisha parë kurrë,- tregonte ime më. Dukeshin fytyra
jabanxhinjsh. Prapa tyre, gra e fëmijë që dridheshin nga të ftohtët.
-Urdhëroni
brenda! Bujrum!-dëgjova Metin.- Kush jeni zotëria, juaj?
-Samuel!-dëgjova
të parin, po, se si mu duk nga gjuha.
-Urdhëroni,
zoti Ismail- dëgjova që i thirri Meti dhe ngrita supet e habitur.- Aty për aty,
ia bëri shqiptar emrin.
-Joakim!-tha
burri tjetër që ishte pas tij.
-Urdhëro
dhe ti, zoti Haki!- Edhe tjetrit, shqiptar ia ktheu emrin Meti. -Paske emrin e
djalit tim të dytë. – Hyni brenda! Shpejt! Paskeni një tufë me fëmijë. T’u
rrojnë!
Burra,
gra e fëmijë, kaluan pa hapur gojën përmes bahçes dhe hynë brenda. Ta dinin ata
të shkretë, se pas ndonjë a dy orësh, mu aty, prapa portës, do të vinin makinat
me gjermanët që kalonin natën, do të ishin llahtarisur, dhe as do të kishin
hyrë fare. Që të nesërmen hapëm një derë të vogël prapa shtëpisë, që edhe në
vinin për kontroll, andej të gjitha shtëpitë kishin bahçe, dilje në Velabisht e
lart, në malin e Shpiragut, dhe shpëtoj kokën. Dhe, nuk ishin pak. Ishin dy
familje dajë e nip-nëntë vetë. Daja ishte me tre djemtë e të shoqen, nipi,-me
nusen, dhe me dy djemtë. Tre vjeç më i vogli. Nga Kosova kishin ardhur. Se si
kishin ardhur, një Zot e di!
Ishin
njerëz të mirë. Fukarenj ishin. Të dy rrobaqepës, dhe me atë zanat mbanin shtëpi e fëmijë. Po
gjermani u kishte futur frikën në kockë dhe iu dridhej buza kur e kujtonin. M’u
përpara syve e kam një vajzë, thoshte njëra nga gratë. Gjermani ia preu qafën
me bajonetë që t’i merrte gjerdanin varur në qafë.
Një vit e
ca, natë-ditë mbyllur qëndruan, të shkretët. I nxirrnim në bahçe një orë a dy
në ditë që të shikonin qiell me sy, dhe prapë brenda. Sidomos, ata të shkretë
fëmijë, donin të loznin, si gjithë vërsnikët e tyre, po ku të linte meraku. Po,
shyqyr bahçeve që ishin mbuluar me pemë plot dhe nuk dukeshin kur dilnin.
Aty, në
“burg” ua çoja bukë e gjellë, po nuk qaheshin. Pasdite, piqja një qebap kafe, e
hidhja të ftohej pak, ua bluaja, dhe ashtu taze, me gjithë xhezve e filxhanë ua çoja në dhomë.
Po ata nuk para e pinin kafenë. Po, do ti, që u mësuan me kafenë?... Bënim
muhabet. Muhabete njeriu: për të gjallë e për të vdekur.
Shumë
zakone i kishin si tonat. Edhe ata, si puna jonë, bukën e kishin për gjynah ta
shkelnin me këmbë, kur e gjenin mbërdhe. Edhe synetllëkun e bënin si ne. Mishin
e derrit, nuk e vinin në gojë, si ne. Për msylimanët, e kam fjalën, se të
krishterët e hanë. Kurse, atë punën e martesave, ata e kishin shumë të shtrënguar.
Vetëm hebre me hebre. Edhe nga hebrenjt tanë, këtu në Berat, e pata dëgjuar. Në
kohën e Zogut, ngriheshin hebrenjt nga Berati dhe shkonin të fejoheshin e
martoheshin në Selanik të Greqisë, ku thoshin se kishte shumë familje hebrenje.
Këtë e paskeni njëçikë të tepruar, u thosha. Nuk bëkemi dot krushqi me ju,
kështu... “Të dyzetat”, të vdekurit ia bënin si neve dhe mirë bënin, se në të
dyzetën ditë i del shpirti njeriut. Po ajo që më dukej si çudia më e madhe mua,
ishte se të vdekurit ia hiqnin qefinin kur e varrosnin, dhe në varr, e vinin jo
drejt, si e vëmë ne, po brinjazi. E beson? Pastaj, si ktheheshin nga varrimi në
shtëpi, një javë të tërë, nuk flinin si gjithë dynjaja, po brinjas, edhe ata.
Duket, për të respektuar të vdekurin. Nejse, zakon i tyre, po ishin njerëz të
mirë.
Agjëronin
edhe ata si ne, po Ramazanin i tyre nuk ishte 30 ditë si i yni, po më pak e më
i lehtë. Nja 7-8 ditë, më duket. Po, edhe ata, si ne, në ditët e Ramazanit të
tyre, pasdarkeve bënin vizita në shtëpitë e njeri-tjetrit. Po, atëherë, në
kohën e Luftës, kur bëhej ky muhabet, dhe gjermani ishte nëpër këmbë, as neve,
as atyre, iu shkonte ndërmend Ramazani dhe jo më të dilnim për vizita natën...
Një ditë
na hynë gjermanët në shtëpi. Thashë, se, kaq e patëm. Ishin tre gjermanë me
automatikë në krahë, që hynë në portë; kaluar nëpërmes bahçesë dhe hynë në
shtëpi. Kishin vënë përpara një kallauz, që bënte me dorë e me këmbë, e se ç’u
thoshte. Kallauzi dukej jabanxhi. Po them, se do t’i ketë prurë një hafije që
kishim në lagje ne, e që, në kohën e Italisë kishte qenë komiser policie, po
tërë lagja ia njihte surratin.
Si e
qysh, hajde ta merrje vesh. Hebrenjt, s’mund t’u kishin rënë në erë, se
ata,natë-ditë, brenda dhe iu ishin bërë fytyrat të bardha, si letër duhani. Po
unë them, o do të kenë parë Lirinë, Liri Gavelli ishte ilegale. Edhe ajo në
shtëpinë tonë rrinte e flinte, po ajo, bënte ç’bënte, dhe dilte të merrej vesh
me ata që ishin në mal.O, them unë, do të kenë parë Qazimin, Qazim Bilçën. Se,
ai i uruar, nuk dinte të ruhej. Zbriste nga mali dhe vinte e merrte në shtëpi
tek ne ndonjë robë e ndonjë ushqim, mbledhur për partizanët, po edhe kur hynte
e dilte nga porta, hipur mbi kalë.
“Ke
luajtur nga fiqiri, ti?-i thoshte Meti. Lëri karshillëqet me gjermanin, se
gjermani të vret, nuk ta zgjat.
Kur na
prunë në shtëpi mandatin e Qazimit, na thanë që e vranë mbi kalë, në të dalë të
Goricës, duke ngjitur rrugën e Drobonikut. Gjermanët e kishin parë me dylbi,
duket, dhe e kishin goditur me mitraloz “Breda”, që nga Tabja e Kalasë, tha
Meti.
Gjermanët
hynë me atë të flamosur kallauz përpara. Meti, shyqyr Zotit, nuk ishte në
shtëpi; po kalamajtë, nëpër këmbë ishin. Shyqyr që atë ditë nuk qëlluan në
shtëpi, as Liria, as Qazimi, se do të na kishin shkuar në plumb të tërëve. Hi,
do ta kishin bërë shtëpinë.
-Shpejt!-më
thotë ime më mua- Shpejt, futu në musëndër!
Unë isha
me barkun te goja. Isha me barrë me Zenepen. Me vrap, në musandër unë. Hodha
përsipër jorganë e dyshekë, të mos dukesha, se ja u vinte mendja edhe atje dhe
kontrollonin. Se si nuk e dështova çupën unë, një Zot e di!
-Dil!-më
tha plaka, kur ikën ata. – Dil, se shpëtuam!
Më rrëfeu
pastaj, tërë muhabetin që ishte bërë me kallauzin e me gjermanët. Se kush e
merrte vesh gjuhën e tyre?!
-Nuk kam
njeri unë, jam e vetme!-u kishte thënë plaka.
-E vetme?
Po këta kalamaj, kush i ka bërë? Vetë i ke bërë?! Apo ke pjellë pas pleqërie?
-Të
djalit, të djalit, i kam- u kishte thënë plaka- po nusja më ka vdekur dhe m’i ka
lënë jetimë; dhe djali është në fshat...
Kishin
kontrolluar odat, sobën këtej, dhe kishin ikur.
Na
shpëtoi zoti, thuaj. Ne, dhe hebrenjtë bashkë...
Tim
vëllai, Hakiut, atëherë 6-7 vjeç i është fiksuar në kujtesë një ngjarje e
lidhur me “adashin” e tij, Joakimin, që im atë ia ndërroi emrin sapo hyri në
portë: “Më është fiksuar ajo që pashë një ditë. Më kishin marrë hebrenjtë në
dhomën e tyre, dhe, njëra nga ato gratë më vuri përpara një pjatë; me byrek, më
duket se ishte. Sa e vura në gojë, u duk sikur u tund shtëpia e toka bashkë dhe
u bë një zhurmë e tmerrshme. Ishin dy tanke gjermanë që erdhën nga Parku, dolën
prapa Xhamisë, dhe drejt xhadesë. Pashë hebrenjt që, të tromaksur, u mblodhën
të gjithë kokë më kokë në mes të dhomës, dhe ashtu po rrinin pa, folur hiç.
Mirëpo, njeri nga burrat, Joakimi, adashi im, u zverdh në fytyrë dhe i ra të
fikët.
-Zoti
Meti, zoti Meti! Joakimi po vdes!- Ishte e shoqja që bërtiste dhe thirri
babanë.
-Po
prisni, more të uruar,-u tha babai-, se nuk vdes kaq kollaj njeriu!
Pastaj i
rrahu nja dy herë faqet Joakimit, i hodhi pak ujë në fytyrë. U përmend, erdhi
në vete pas një çikë. Kishte dhe hak, i shkreti. Veç tmerreve që kishin hequr
të gjithë, Joakimi zuri tregonte si ia kishin torturuar të vëllanë m’u përpara
syve. Pastaj, e kishin varur në një pemë dhe i kishin vënë flakën”.
Motra
ime, më e madhja, Emineja, ruan më shumë kujtime se të tjerët. Ajo ka edhe një
kujtesë shumë të mirë, por e ndihmon edhe fakti që atëherë ka qenë më e rritur
se të tjerët, mbi dhjetë vjeçe. Po shkon tek të tetëdhjetat tani:-“Në fakt,
ardhjen e atyre dy familjeve hebrenje në shtëpinë tonë, në mes të natës, sikur
e ndolli një ngjarje e çuditshme, dhe e tmerrshme që më panë sytë, po atë ditë,
por në drekë.
Unë,
bashkë me tri-katër shoqe të mia të lagjes, po loznim “Prosta” në rrugicën
tonë, përpara portës. E mban mend lojën “Prosta” ti? Ishte loja me pllaka të
vogla guri, që ne, sipas rradhës, duke kërcyer mbi një këmbë, e shtynim me
këmbë, nga një katror në tjetrin. Katër katrorët vizatoheshin në tokë me
shkumës a ç’të gjenim. Në një moment, unë, e tmerruar, thirra: “Shikoni, moj!
Ç’është ajo grua që po bredh si e çmendur nëpër rrugica, duke trokitur fort, në
të dyja duart portë më portë?! Ishte grua a vajzë, nuk e di. Zeshkane, e gjatë,
dhe shumë e bukur. Por fytyrën e kishte tërë gjak. A e kishin goditur dhe kush
e kishte goditur a torturuar, hajde ta kuptoje. Nuk ishte ndonjë çudi e madhe,
se gjermanët rreth e rrotull ishin. Ajo, e zezë, vërtitej e përplasej si
flutura pas llampës, portë më portë. U binte me grushta portave dhe se ç’fliste
me një gjuhë që nuk e kuptonim. Vetëm “Jugosllavia! Jugosllavia” morëm vesh nga
tërë ato fjalë. Donte të fuste kokën diku, e shkreta, po ajo që ne na bëri të
shqyejmë sytë ishte se, ajo, bënte- ç’bënte dhe mblidhte pas trupit një pallto
a ç’ishte, që të mos i dukej trupi lakuriq...
-E
torturuar? Lakuriq?
-Lakuriq
fare. Siç e kishte bërë nëna, kur thonë. Siç duket, më pas, ndonjë kishte bërë
sevap duke i hedhur atë pallto krahëve. Kur vraponte e përplasej nëpër porta, apo
rrëzohej, palltoja i hapej dhe i zbulohej tërë trupi i gjatë, i bardhë dhe i
bukur!
Ne e lamë
lojën përgjysmë, doemos, dhe, ashtu të ngrira, siç ishin nga turpi, e nga
tmerri, mbuluam fytyrën me duar. Mbetëm pa gojë, po shyqyr që atë çast, u hap
porta jonë. Doli plaka jonë. Pa atë qyqare
dhe i thirri: “Kush të ka bërë kështu, moj korbë?! Si të paskan
katandisur, moj e zezë, iu thafshin krahët! Hajde, zonjë, hyrë brenda, motër!
Pa teklif, si në shtëpinë tënde!...
E mori
përkrahësh dhe e futi në shtëpi. Shpejt e shpejt, vuri në zjarr kazanin me ujë
e finjë. E lau, e shpëlau, i dha për të veshur nga robat e saja; pastaj e vuri
të hante.
U
mahnita, kur e pashë ashtu në shtëpi; të pastër, të veshur, të bukur. Zuri të
hante bukë, dhe dukej se kishte uri, por me sytë ulur. O nga druajtja, o nga
sikleti që ne e kishim parë ashtu, lakuriq, o nga që nuk i kishte dalë frika
akoma, nuk e di.
Kushedi
ç’i kishin parë sytë, të zezës! Në drekë, kjo histori. Prandaj, të thashë, që
kur erdhën ato dy familjet në mes të natës, po atë ditë, thashë se i ndolli
ajo”.
...
Shega, motra ime, “e mesmja”,- atëherë nëntëvjeçare kujton se i pati bërë shumë
përshtypje fakti që “hebrenjtë e shtëpisë”, i qerasnin miqtë me fara kungulli
të pjekura. Ta merr mendja? Ndoshta ngaqë ishin familje të varfra, por mund,
edhe të ishte zakon i tyre ky...
Me
ç’dukej, bënte krahasime ime motër, kur me zakonet tona, për miqtë “përmbysej
shtëpia”, “hiqej nga goja e fëmijëve”. (“Ju e teproni”,- na thoshin ata).
Të pasur
apo të varfër, tabakaja e qerasjeve kalonte 4-5 herë përqark miqve të
sapoardhur. Në fillim rakia apo likeri për gratë; pastaj karamele, pastaj,
llokume; vinin me rradhë biskotat (“e bëra vetë”, “biskota shtëpie”, doemos);
gliko qershie (edhe ajo “e bërë vetë”), ose nja dhjetë lloje të tjera...
Pastaj, bakllava, kadaif, samsa (trigona), ose nja dhjetë lloje të tjera... Dhe
në fund, një “limonadë” me ujë trëndafili (të freskët, patjetër, nga lulet e
bahçesë). Akoma nuk mbaronte, sepse e mbyllte kafeja, sigurisht, e sapopjekur
dhe e sapobluar, dhe aroma e saj mbushte shtëpinë...
-“Dysheku
i mikut”, “Jorgani i mikut”, “Qoshja e mikut”, “Oda e mikut”, “Darkë për mik”,
“Drekë për mik”, “Raki për mik”...
Më mirë
të ishe mik në këtë shtëpi, në këtë lagje e në këtë qytet...
Me këtë
koracë kulti mbrojtëse, nuk kishte Zot, që të guxonte ta prekte mikun.
...Vonë,
shumë vonë mësova, se familja jonë nuk ishte e vetmja “me miq hebrenj”.
... Në
maj të këtij viti u mblodhëm në një takim të “maturës” sonë të gjimnazit; u
kujtuan edhe hebrenjtë, dhe, duke parë me rradhë fytyrat (dhe flokët e
thinjura), të shokëve të gjimnazit, m’u duk “zbulim” fakti, që, në familjet e
katër-pesëve prej nesh, pra të një klase të vetme, kishte pasur, gjithashtu,
“kuti” të hebrenjve, “Meshar” të Gjon Buzukut, domethënë, hebrenj në vitet e
Luftës: tek Çezari që po lexonte disa poezi humoristike, tek Eniseja, që po
bisedonte me zyshën tonë kujdestare, Haton, tek Myzejeni, që po merrej me
celularin...
Natyrisht,
kjo është simbolikë, megjithatë, nuk është hiç rastësi, sepse vetë qyteti është
simbol i shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri. Hebrenj në lagjen tonë “Murat
Çelebia”, hebrenj në Goricë, hebrenj në Mangalem...
“Lagja e
Hebrenjve”, “Rruga e Hebrenjve”, “Varri i Hebreut”...-një toponimi e tërë;
hebrenj në familjet myslimane, hebrenj në familjet e të krishterëve, hebrenj në
familjet e bektashinjve...
Ky mozaik
reflektohej edhe gati në çdo klasë e shkollë të qytetit.
-Tek
shtëpia e madhe e Ali Koshit (babait të Çezarit) ishin strehuar jo një, por dy
familje hebrenje. Çezari: “Zoti, Ali,-i tha një ditë Asheri, të zotit të
shtëpisë. Zotëria juaj e flet shumë mirë gjermanishten. Doemos, ke studiuar në
Vienë për jurist. Por, të lutem, lëri shakatë duke më folur gjermanisht. Më fol
shqip, se më duket se gjermanët janë tek porta e më prishet gjaku”. Lanë edhe
një shenjë në shtëpinë tonë. Ishte një dollap kompesatoje. Gjer në vitin 1963,
e mbaj mend në shtëpi, se pastaj, e mori me vete, si pajë, ime motër, Sheriari,
kur u martua. Ishim ca ngushtë atëherë... Kurse me Asherin e me hebrenjtë e
tjerë, nuk e di ç’u bë. U larguan nga Shqipëria pas çlirimit, po se ku
shkuan!... Ashtu ishte koha. Edhe babai, u bë kohë që ka vdekur...”
-Kur
kalonte para portës sonë Isuf Qolja, babai i Enisesë, kuptohej menjëherë, se
trokiste kalldrëmi i rrugicës; njërën këmbë e kishte protezë. Jakovit, hebreut
që strehohej në shtëpinë e tij i mbeti peng që nuk e mbajti dot fjalën që i dha
Isufit, se pas luftës do t’i vinte një protezë të re e të bukur në këmbë, sepse
nipin e tij e kishte mjek ortoped në Beograd. Mirëpo, u prishën marrëdhëniet me
Jugosllavinë... Ata ikën e u kthyen në vendin e tyre, a, kushedi ku... Ne
kishim nja dy fotografi të tyret, po na humbën...
-Para pak
vitesh, disa shqiptarë që ndodheshin për hall në një nga spitalet e Izraelit, u
befasuan, kur, një nga të sëmurët, vendës, u foli shqip: “Qenkeni shqiptarë?
Nëse jeni nga Berati, e njihni Siku Gjogun nga Mangalemi? Më ka mbajtur e më ka
shpëtuar në shtëpinë e tij”. Ç’nuk bën rastësia! Pas disa ditësh, Antigonit,
gruas së Sikut, i sollën në shtëpi një adresë: “Cohen Josef/s/dr/2114 Hod-Ha
Sharon Israel”. Gruaja i shkroi në këtë adresë, por nuk erdhi ndonjë përgjigje.
Nga që i thanë, se miku nga Izraeli ishte i shtruar nga zemra, tha “E pastë
shpëtuar Zoti!”. Edhe Siku nuk rronte më...
-Myzejeni,
është, gjithashtu, shoqja ime e klasës në gjimnaz. Eshtë vajza e Vehxhi
Buharasë. Edhe në shtëpinë e tij, u strehuan dhe u shpëtuan hebrenj. Vehxhiu
ishte klerik i nderuar orientalist dhe përkthyes i shkëlqyer, sidomos, nga
persishtja. Njihte 7-8 gjuhë të Perëndimit e të Lindjes, por në “vendet e
punës” ku e çuan për shkak të “biografisë”, punëtor krahu tek “Gropa e
Zhurrit”, ku nxirrte zhavorr apo në rrojtoren e lagjes të priste kuponat, nuk
para i hynë në punë... Hebrenjtë që ishin në shtëpinë e tij ikën, po se ç’u
bënë!...
-Josef
Abdyzyss-in që strehohej në shtëpinë e Toli Dodit, në Mangalem, e thërrisnin
Jusa, shkurt. Ishte marangoz i shkëlqyer; tregon djali i Tolit, Josifi, që
gjithashtu ka emrin e mikut hebre. Një tavolinë, një dollap dhe gjashtë karrige
në shtëpinë e Tol Dodit janë dhuratë e hebreut mirënjohës. Jusa doli partizan.
Aristidhi dhe Petraqi e takuan Jusën në Shkodër për herë të fundit; në ditën e
Çlirimit. Më vonë, shkoi në Itali. Tani banon në Izrael. Pas ’90-ës na lidhi me
të Refik Veseli, fotografi...
-Veli Xhelali (Mukli) ka punuar mësues, gjithë jetën, por për të, si pothuaj, të gjithë, mbetet të flasin bijtë. Mirëpo, Çlirim Mukli, i biri, përkthyes i pasionuar dhe studiues i letërsisë, gjithashtu, “mezi hap gojën”. “Kur u bombardua Berati (pas kapitullimit të Italisë fashiste), im atë i mori hebrenjtë që banonin tek daja e sime mëje, Isuf Qolja, në lagjen “Murat Çelebia” dhe i çoi në fshatin Tozhar, tek njerëzit e tij. Gjithë familjen: Jakovin, gruan e tij, Rashela, dhe dy fëmijët, Davidin dhe Sonjën. Kujtoj edhe një detaj. Megjithë ankthin dhe tensionin e ndonjë rreziku të mundshëm rrugës për në Tozhar, Jakovi, me sa duket, për të mos shkuar duarbosh tek mikpritësit, ishte ndalur në Zhitom, dhe kishte blerë një pulë. Ishte bërë objekt shakaje, sepse, kur kishin mbërritur në shtëpi, në darkë, kishte këmbëngulur ta gatuante vetë pulën, dhe kishte gatuar, por me sheqer e jo me kripë gjellën, si e gatuanim ne...
(vijon...)