Kulturë
Nebi Islami: Remzi Limani ''21 Shprehje artistike''
E premte, 07.12.2012, 06:11 PM
VLERËSIME TË SHTYLLAVE TË LUCIDITETIT SKENIK
(Remzi Limani, “21 Shprehje artistike”, monografi, botim i shtëpisë botuese “Forumi i krijuesve të artit”, Prishtinë 2012)
Autori
i kësaj monografie, me sukses i ka kapërcyer sfidat dhe dilemat e selektimit
dhe të marrjes së vendimit për reprezentimin e disa nga shtyllat e artit aktual
dramaturgjik skenik, ku është përcaktuar që në të, me pak fjalë, por në mënyrë tejet të fuqishme dhe mbresëlënëse
të përfshijë emrat e Raimonda Bulkut, Melihate Qenës, Çun Lajçit dhe të Sabrije
Spahiut, duke përkapur, anticipuar dhe duke artikuluar ato veçori lucide të
tyre me të cilat skenën kombëtare dhe më gjerë e kanë pushtuar duke u bërë
subjekte të fuqishme frymëzimi të artit skenik për brezat. Ai, me mprehtësi,
përkushtim dhe me ngrohtësi përqëndrohet dhe gjykon anët brilante dhe
personalitetin artistik shumështresor të skenës teatrore dhe filmike të aktores
Raimonda Bulku, duke përkapur disi në mënyrë të pahetueshme por
të qartë dhe me subtilitet rrugëtimin e saj deri në majat e Parnasit të artit
kombëtar, me gjykimin e sigurtë se ajo
ka “vargëzuar vlera – perla që shkëlqejnë
duke gjeneruar forcë të re dhe duke begatuar gjerdanin e kulturës sonë
kombëtare.” Duke vënë në spikamë
potencialin dhe mundësitë e saja që impresionojnë, autori me të drejtë thekson
se “Monda”, skenës sonë teatrore dhe filmike, i ka dhënë dhe po i jep impulse
të reja, sepse me gjetjet dhe realizimet tejet komplekse, ka ndikuar që krahas shkëlqimeve në fushën e
ligjësive të artitt skenik klasik, të artikulohen edhe format e avangardizmit
me të cilat skena jonë i është afruar dhe është unifikuar me të arriturat
bashkëkohore mondiale.
Disa njerëz natyra i pajisë me sens dhe afinitete
për fushëveprime të caktuara të sferës shpirtërore. Ndër ato personalitete të
shquara të jetës sonë kulturore, e cila me përpjekjet e saja të
jashtëzakonshme, e mbajti gjallë jetën shpirtëore të fëmijëve tanë në kohërat
më të vështira, është pa dyshim, intelektualja e shquar, aktorja dhe regjisorja
lucide - Melihate Qena - Meli. Autori i kësaj monografie, me
syrin e mprehtë kritik, depërton në shpirtin subtil të saj e cila në saje të
ndjesisë, brishtësisë, humanitetit, por mbi të gjitha, aftësisë dhe të
mjeshtërisë regjisoriale, e ka begatuar jetën shpirtërore të fëmijëve, në
ç‘drejtim me vizionet e saj, e ka fisnikëruar shpirtin tonë individual dhe
kolektiv. Autori, me të drejtë ka shënuar se Meli me mbi 20 dramatizime dhe po
aq regji inventive të shfaqjeve për fëmijë, përveç roleve të mëdha që luajti si
aktore, është dhe do të mbetet njëra ndër personalitetet më të shquara pioniere të skenës kosovare dhe
kombëtare, e cila ka nisur historikun e teatrit për fëmijë dhe
ka begatuar këtë sferë të jetës sonë shpirtërore e cila gjithënjë e më tepër,
falë kontributit të saj, po merr konotacione të një krijimtarie të mirëfilltë.
Në fushën e arteve, flurudha e veprimtarisë, zhvillohet me gradacione të
ndryshme dhe në këtë kontekst, mund të
rrezatojnë dhe të ndriçojnë vetëm ato personalitete të cilat me krijimtarinë autentike,
origjinale dhe inventive, ngriten në lartësi të të arriturrave që bëhen thesar
kombëtar dhe gjithënjerëzor. Këto epitete, me të drejtë, autori ia përshkruan
aktorit tonë të shquar - Çun Lajçi, i cili për më se tri dekada, me mjeshtërinë e
aktrimit, ligjërimin aktoresk, gjestin, mimikën, maskën groteskuane, zërin
kumbues dhe me këngën e eposit kombëtar, u bë njëra ndër figurat më të njohura
të teatrit kombëtar, jehona e të cilit në çastet delikate të historisë sonë,
preku ndjenjat dhe shpirtërat e trazuar në hapësira mondiale. Autori i kësaj
monografie, ka theksuar se Çun Lajçi e ka përvetësuar metodën e përveçme të
materializmit dialektik të lojës skenike, qoftë të formave teatrore klasike,
qoftë të performancave moderne me të cilat ka sjellur ide, kuptime dhe vizione
tejet të vlefshme për dramaturgjinë dhe për skenën tonë kombëtare. Sipas autorit,
figura e tij emblematike është bërë shembull dhe model i aktrimit klasik dhe
modern.
Autori nuk e ka
anashkaluar një sferë tejet të rëndësishme të artit skenik – baletin, pa të
cilin kultura e mirëfilltë, nuk mund të artikulohet në shumëdimensionalitetin e
vet dhe një personalitet, i cili ka shkëlqyer si meteor në skenë - Sabrije
Spahiu. “Me ecje në majë të gishtërinjve, me rrotullimin porsi një fugë, me
përdridhjen dhe fërfërimën si të një gjethi - thotë autori - ajo me zemër e
shpirt të artistes dhe të profesionistes së mirëfilltë, hyri në hapësirën
skenike, duke i shndërruar rolet në akte të përkryera.” Më tutje, autori sjell
të dhëna për veprat autoriale të kësaj veprimtare lucide të kulturës sonë, duke
theksuar rolet e saja jetësore në skenën e baletit, duke përfunduar me
pasqyrimin e aktivitetit të saj të ngjeshur në fushën e arsimimit dhe në punën
tejet efektive pedagogjike në studion e
baletit për fëmijë “Mjellma.”, nga shkolla e së cilës ka dal një numër
talentësh që janë duke e perfeksionuar profesionin e balerinëve.
Veprat e saja
autoriale, rolet në skenën e baletit dhe veprimtaria e ngjeshur kulturore,
thekson me të drejtë autori - ia jep këtij personaliteti një vend të
rëndësishëm në historikun e skenës dhe të kulturës shqiptare.
Vlerësimet e autorit të kësaj monografie, së bashku me informatat lidhur me zhvillimet në fushën e arteve pamore, arteve skenike dhe në fushën e letërsisë, si dhe të bartësve specifikë të veprimtarisë konkrete, këtij libri i japin peshë të veçantë, sepse lexuesi do të gjejë diçka të re që deri më tash nuk është pasqyruar në detaje dhe me gjykime kritike meritore.