Kulturë
Hamit Taka: Vendimi
E hene, 03.12.2012, 07:11 PM
Vendimi
-tregim-
Nga Hamit TAKA
Që nga
dita e takimit me Ermalin, binjakun e Erjonit, nga mori vesh se i dashuri i saj
i adhuruar ishte arrestuar për agjitacion dhe propagandë, bukuroshja provinciale
ishte tepër e tronditur. Ajo ngjante me një shpend të egër të rënë në kurth. Lëvizte si rrobot, nën
pushtetin e mendimeve të hidhura, nga godina e fjetjes në auditore, nga
auditoret te godinat e fjetjes, pa qënë e ndjeshme se çfarë bënte. Qielli
s’ishte më i kaltër, bari s’ishte më i gjelbër dhe dielli s’ishte më i ndritur.
Arrestimi i të dashurit të saj të adhuruar vetëm për një frazë goje, duhej të
ishte ndonjë gabim në ligjësinë e universit. Sido që ishte vajzë e përkujdesur
nga prindërit, për të marrë një edukatë lineare, drejt së ardhmes, drejt së
mirës, drejt karrierës profesionale, pa u përzier në problemet politike e
sociale dhe për të mos shkelur në “dërrasë të kalbur”, prapë se prapë ajo nuk
ishte aq naive, për të mos kuptuar pasojat e një akuze të tillë. Përvoja
jetësore e pakët nuk e pengonte të kuptonte pasojat e rënda personale,
familjare e deri te ato fisnore. Po a mund të ndahej ajo nga Erjoni, i dashuri
i saj i adhuruar, vetëm që të shpëtonte nga ato pasoja? A mund ta bënte kurban
atë dashuri pasionante për hir të një opinioni dhe një tabuje ideologjike
antinjerëzore? Këto mendime po e tiranizonin dhe nuk gjënte dot qetësinë për të marrë një vendim , ta ndante shapin
nga sheqeri, siç thoshte gjyshja e saj. Për shkak se ishte një krijesë e çiltër
dhe e llastuar, gjithnjë gazmore dhe lozonjare, bukuroshja jonë dukej se
zotëronte një mëndje mediokre. Por , pavarësisht se ajo nuk e njihte jetën në
substancë, pavarësisht se truri i saj nuk reagonte dot me shkathtësi ndaj
dukurive që zhvilloheshin për rreth, intelektin e kishte në gen. Sidoqoftë,
ndërgjegjja e saj, e ndodhur para dilemës hamletiane, e kishte mjaft të
vëshitirë një vendimmarrje të tillë, tërësisht jetësore. Shumë herë pasionet e
mëdha na parashtrojnë dilemën e jetës.
Në se do të vendoste të jetonte duhej të zgjidhte midis dashurisë për Erjonin
me sakrifica të panumërta dhe braktisjes së saj për një jetë, që tashmë e tutje
do të mbahej vetëm në një fije, në fijen
e ashpër të detyrës. Në se do të pranonte alternativën e dytë, e vetmja gjë që
i mbetej për të ardhmen, ishte të mësonte, për të mos zhgënjyer prindërit e
vet, gjyshen që e donte aq shumë dhe vëllanë e vetëm, Beson. Gjithçka rreth saj
do të ishte gri. Mëndja, arsyeja e shëndoshë, në frymën e kohës, i thoshte ta
braktiste dashurinë, për mijra e mijra arsye të vockëla. Nga ana tjetër zemra i
thoshte se cilado të qe arsyeja, sado imponuese dhe jetike të ishte ajo, para
dashurisë midis asaj dhe Erjonit, i dukej një çikërimë pa vlerë e pa peshë.
Universiteti, karriera profesionale, familja e braktisur nga shoqëria,
prindërit kokulur e të fyer, vëllai i vogël pa perspektivën e së ardhmes, mëria
e fisit, opinioni zhgënjyes dhe agresiv ndaj saj… të gjitha i shikonte më tepër
si opinione të bezdisura, që i ngrejnë prita lumturisë njerëzore. Pra, mëndja,
ndërgjegjja ishte në konflikt me zemrën. Pas arsyetimeve pro vedimit për braktsjen
e Erjonit të dashur, ajo, papritur fillonte të ndërmendëte çastet e lumtura, që
kishte kaluar me të. Të dua sa jetën, Erjon! Jam gati të vdes për ty! Kurse unë
nuk rri dot as edhe një çast pa ty, bukuroshe. Ti më ke dhenë gëzimin më të
madh në jetën time. Je gjëja më e adhuruar për mua.Të them sinqerisht se kam
njohur vajza mjaft të bukura, që më janë qepur dhe i kam simpatizuar, por ato
nuk e kishin finesën tënde, forcën e dashurisë tënde. Jam kaq i lumtur, sa nuk
di e nuk mundem ta shpreh. Nuk mund të jetoj pa ty. Por ai kishte kryer krim, tradhëti të lartë
ndaj parimeve ideologjike, ndaj Atdheut, ndaj Udhëheqësit. Më mirë të kishte
vjedhur, të kishte përdhunuar një vajzë si ajo, të kishte vrarë një njeri a
diçka tjetër nga ato që quheshin krime ordinere. Atëherë do të deklaronte
ballëhapur se e dashuronte dhe do të sakrifikonte për të. Do ta priste sa të
mbaronte dënimin, do t’i shkonte në burg në takime, do t’i jepte kursimet e
saj. Mund të lindëte dhe fëmijë. Në burgje i lejonin takimet intime. Ai fëmijë,
i lindur në kushte jo normale për një familje dinjitoze, mund të ishte një
djalë. Me siguri ai djalë do të ishte si Erjoni. Çfarë trupi do të kishte ai djalë, çfarë sysh! Tamam trupin dhe sytë e Erjonit. Ajo kishte
dashur të mos ndahej prej tij asnjë çast për tërë jetën. Oh, sa vështirë e
kishte të ndahej prej tij, ta harronte. I dukej njëlloj sikur do të ngrente
revolverin mbi të, mbi atë trup të bukur, që i kishte dhënë tërë atë lumturi…
Ah, ai trup! Ata sy, ata… O Zot, sa i pashëm do të ishte ai burrë! Si nuk
kishte parë një tjetër si ai… Ai kishte vetëm një shembullim, binjakun e tij,
Ermalin, që do të ishte vëllai i saj. Sa të lumtur do të ishin! Bile ajo do të ishte
në gjëndje të duronte edhe tradhëtinë me një femër tjetër. Ajo femër nuk do t’i
ngjallte ndonjë mëri të veçantë, pasi ishte e sigurt se ai nuk do të donte
tjetër femër me pasionin që donte atë. I dukej se me çdo femër që të shkonte
Erjoni, nuk do të ikte krejt prej saj. Dhe në këto momente vendoste të
përballej me opinionin, me familjen, me shtetin… Ta deklaronte hapur dashurinë
me Erjonin… Pastaj i vinte pyetja: Po cili do të jetë përfitimi nga kjo
aventurë? Mijra e mijra pasoja të “vockëla” para një dashurie të madhe, por që
mbysnin çdo pasion si tymi shuan zjarrin. Pra, ai djali me trup të bukur, me
ata sy të bukur, ai i dashuri, i adhuruari i saj, ishte pleksur rëndë, por ajo
duhej të mbante gjuhën pas dhëmbëve. Askush nuk duhej t’ia mësonte sekretin. Diku kishte lexuar se atyre që ngrejnë
kështjella në erë, jeta u merr qira të madhe.
Pasioni për punën e bukur e të dobishme të mjekut i ishte zbehur fare,
sa mund të thoshje se i ishte neveritur. Sipas saj kishte plagë shpirtërore të
pashërueshme, para të cilave mjeku ishte i pafuqishëm. Kur nuk shërohej plaga e
Erjonit të saj, nuk i hynte më në sy asgjë. Shumë herë kishte menduar se do të
studionte natë e ditë, që familjes dhe të afërmëve të saj të mos u ngjiste më
asnjë sëmundje. Ky motiv ia ushqente mendimet, vullnetin dhe pasionet
profesionale. Por tani ajo e shihte jetën dhe vetë njeriun nga një këndvështrim
tjetër, shumë më i gjerë. Jeta me 18 pranverat e saj i ishte dukur një lodër,
një ëndërr, por tani e shikonte se ajo ishte e mbushur me kontraste të thella.
Njeriu nuk ishte një qënie që vetëm lodron, mëson, punon, konsumon dhe gëzon.
Ai ishte shumë më i ndërlikuar, që mbase
e bënte edhe më të pasur nga sa e dinte ajo. Njeriu përjetonte kontraste të
tmerrshme: gëzimin dhe hidhërimin, shëndetin dhe sëmundjen, dashurinë dhe
urrejtjen, lumturinë dhe fatkeqësinë. Dhe kalonte befas, pa e pritur fare, nga
një ekstrem në tjetrin. Mbase jeta pa drama do të ishte monotoni e mërzitshme. Kur u nis për në Universitet familjarët e saj
ishin njerëzit më krenarë, më të lumtur. Sytë e tyre ngazëllenin ngado që
shkonin. Një javë të tërë zgjatën përgatitjet për ceremoninë e përcjelljes së
saj. Vetë bukuroshja ishte vajzë e ëmbël e komunikuese me gjithë të njohurit, prandaj të gjithë kishin dëshirë
ta përshëndesnin ditën e fundit para nisjes. Dhe ajo nuk mbante mend ndonjë të
njohur, që të mos e kishte përcjellë, duke i uruar suksese në mësime, mbarësi e
lumturi. Kjo përcjellje i ngjalli shumë emocion dhe përbënte një motivim të
fuqishëm për të mësuar e për t’u bërë një mjeke e mirë, në shërbim të atyre
njerëzve babaxhanë. Deri vonë ato mbresa përbënin një nga nostalgjitë më të
mëdha për vendlindjen e vet. Por, që nga dita e njohjes me Erjonin, filloi të
zbehej disi malli për vendlindjen, por, sidoqoftë, përcjellja mbresëlënëse
shërbente si një nga kujtimet më inkadeshente, me të cilat shpesh i lëvdohej
edhe të dashurit të adhuruar të saj. Ai e përqafonte, duke i mërmëritur te
veshi: e mira ime, bukuroshja ime, patriotja ime e flaktë!
****** Detyra dhe dashuria. Dashuria dhe detyra. Të dyja fillonin me “d”. Për atë ngjanin si dy pole elektrikë me të njëjtën shenjë, që shtyjnë njëra-tjetrën. Me sa dukej ato nuk mund të bashkëjetonin. Njëra duhej mohuar. Logjika e jetës, përvoja i kishte treguar se edhe dashuritë më të pastra e më fisnike nuk mbijetonin dot pa u përlyer, pa lere më një dashuri me një armik të popullit. Arsyeja ia thoshte se duhej mohuar dashuria. Mirëpo ndryshe mendonte mendja, ndryshe urdhëronte zemra. Bukuroshja më pak se çdo gjëje i përkushtohej detyrës. Sa zgjidhte librat, leksionet apo detyrat e ngarkuara nga pedagogët, i errësohej truri, e pushtonte një melankoli e brendëshme dhe mund të rrinte me orë të tëra mbi tavolinë pa lexuar e, aq më tepër pa kuptuar asgjë. Të mësuarit iu bë si puna e Sizifit. Edhe veten e kishte lëshuar fare. Asnjë përkujdesje femërore për estetikën e vet. Dhe nuk ka gjë më hidhëruese se sa kur një femër nuk përkujdeset më për veten. Mospërfillja e pamjes së vet është një tregues i rëgjimit të plotë shpirtëror. Dukej sikur jetën e kishte hedhur fare pas shpinës. Shqetësimi dhe preokupimi i vetëm ishte jeta e Erjonit. Si ishte me shëndet? Si e torturonin atë? Dhe i dridhej mishi kur përfytyronte torturat ndaj tij. Xhelatët!, thoshte me vete dhe kthente kokën gjithandej, duke dyshur se mos mendimet i shprehte me zë të lartë dhe e dëgjonin të tjerët…A e kujtonte, a mendonte dhe a e donte më bukuroshen e tij Erjoni? Sa vjet do të dënohej dhe si do të merrte informacione për të? Pasi jeta pa të, pa dashurinë e tij, i dukej një greminë, një hon, një humnerë, ku ajo do të gremisej nga çasti në çast. Dita i bëhej një shkretëtirë gri horizontembyllur. Vetëm çastet e kujtimeve të pesë muajve të kaluara pranë tij, ishin oazet e vetme në atë shkretëtirë uniforme. Nata ishte e vetmja strehë, ku ajo gjente pak qetësi, e zhytur në kujtime, vegime dhe imazhe të paharruara, që e kishin ngritur në majën e lumturisë, për ta rrëzuar pastaj si në ëndërrën e Ikarit mitologjik. Por, në ato orë pa gjumë, nuk harronte të mendonte dhe për të afërmit. Sa të thellë kishin qënë prindërit e saj. Dy nëpunësa të thjeshtë, puntorë e korrektë në detyrë, që përpiqeshin t’i siguronin një jetë të qetë, paqësore, pa telashe dhe pa vese të tilla, si cmira, hipokrizia, zemërngushtësia dhe ambicia e tepruar. Asnjë herë s’i kishin folur për vuajtjet, për dramat e vogla apo të mëdha në jetën e tyre. Do të ishte më mirë të më kishin treguar ca gjëra, për të më bërë më të përgatitur ndaj sfidave të jetës, gjykonte ndonjë herë, kur meditonte. Ajo dinte vetëm se ata ishin martuar pa pëlqimin e familjeve të tyre, por nuk i kishin treguar si ndodhi, ç’kishin ndier, si e kishin zgjidhur konfliktin midis palëve. Dhe, duke shijuar përkëdhelitë, kujdesin e pakursyer dhe krenarinë e tyre për të, me naivitet kishte menduar se jeta e prindërve të tyre kishte qënë pa tatëpjeta, lineare dhe e rrethuar me lule e pemë dekorative. Vetëm gjyshja tregonte ndonjë gjë nga e kaluara, për varfërinë dhe sakrificat e saj, por përmes asaj jete që bënte ajo, pa telashe, ato i dukeshin si përralla për t’u dëfryer. Po tani ç’do të ndienin të dy prindërit e saj, po ta dinin gjëndjen në të cilën ndodhej? Kam qënë shumë naive, mendonte ndonjë herë. Pastaj fillonte të kujtonte, mos kishte gabuar ajo diku, për diçka. Mos nuk duhej ta linte vetëm të dashurin e adhuruar për asnjë çast. Shtridhte kujtesën se çfarë dite ishte ajo, kur Erjoni kishte thënë atë shprehjen e famshme, që e kishte çuar prapa hekurave të burgut. Mos kishte qënë ajo dita, kur ajo anulloi një takim me të, për hir të një pikniku me shoqet nga kodrat e liqenit? Çfarë budallaçke kishte qënë, që kishte lënë të dashurin e zemrës për hir të një pikniku me ca shoqe të kursit, me disa prej të cilave ende nuk njihej mirë! Dhe e kapnin ca të dridhura, gati convulsive. Fajësonte veten. Pastaj çohej dhe nuk donte t’i përfillte pyetje të tilla, sepse e quante të paarsyeshme në ato momente dramatike për të gërmuar në gabimet e së kaluarës. Ajo duhej të shikonte përpara dhe të mendonte vetëm për të ardhmen e saj dhe të Erjonit. Një ditë, fare rastësisht kishte kaluar përballë selisë së Udhëheqësit. Sa ktheu pak kokën andej nga kureshtja dhe misteri me të cilin vishej ajo godinë, ndjeu se iu shtua acidi në stomak. Ca drithërima ia përshkuan trupin, buzët iu mpinë dhe në fytyrë i hipi ngjyra e meitit. Rojet rreth selisë, që u ngjanin më shumë statujave me uniform ushtarake, iu përfytyruan si cerberët e ferrit. Pasi u largua në një largësie, nga e cila nuk shfaqej aq dukshëm hija autoritare e asaj ndërtese, e mori disi veten. Filloi të mendonte, por nuk e kuptont arsyen e shtimit të acidit në stomak. Ishte frika e përhershme ndaj të gjithëve, ishte frika që asaj ia përshkoi trupin instiktivisht, pasi, në kundërshtim me çdo moral të shoqërisë, ajo vazhdonte të dashuronte një kriminel apo ishte vrasje ndërgjegjeje për udhëheqësin legjendar, të cilit ajo, instiktivisht, i kishte shkuar kundra mësimeve të tij hyjnore. Sa mbriti në godinën e fjetjes, u shtri në shtrat me dy duart e gërshetuara pas kokës. Njërën këmbë e shtriu, kurse tjetrën e mbajti gjysmë të përthyer. Në atë qëndrim, poshtë fustanit ngjyrëkaltër e të derdhur, i dukeshin kofshët ovale e të lëmuara, pakëz leshtore, aq joshëse, sa edhe shoqja në shtratin përballë ia bëri zili. Ajo u ngrit nga shtrati i vet, shkoi për t’u shtrirë në krevatin e një shoqeje tjetër të dhomës, përballë dollapit me pasqyrë, dhe imitoi pozicionin e bukuroshes provinciale. Kjo aventurë e saj e bëri që për disa minuta t’i mbante mëri vetes, pse kofshët e saj nuk ishin aq të bukura. Por bukuroshja provinciale, as i kishte parë veprimet e shoqes dhe, me zjarrminë e saj, me pasionin e tensionin, që zotëronte natyra e saj potente, ndiqte fillin e arsyetimeve. A kishte qënë ndonjë herë Udhëheqësi në moshën e saj? A kishte dashuruar me pasion ndonjëherë Udhëheqësi? Kishte dëgjuar se Ai ishte martuar në moshën 37 vjeç, por librat shkollorë dhe mediat pothuajse nuk jepnin asgjë pë jetën intime të tij. Kjo e bënte edhe më misterioze figurën e tij. Sidoqoftë bukuroshja jonë e pranonte se Udhëheqësi duhej të ishte një njeri i pazakonshëm. Jo, Ai nuk mund të ishte si gjithë njerëzit e tjerë për deri sa i dënonin aq rëndë ata, të cilët mendonin ndryshe nga Ai dhe nuk vepronin sipas mësimeve të tij. Po në atë çast, kur mendonte pikërisht kështu, trupin ia përshkuan ca mornica të akullta dhe u rrotullua me 180 gradë. Ashtu siç ishte përmbys, në largësinë e padukshme të ndërtesës misterioze, tha me zë: Në fund të fundit çfarë krimi ka kryer Erjoni? Ishte një shprehje shumë e rëndomtë, që mund ta thoshte çdo i ri, i cili vjen nga periferia në kryeqytet… -Jam te krevati poshtë dhe nuk të dëgjova, -i erdhën fare papritur fjalët e shoqes, që studionte kofshët e saj para pasqyrës. Bukuroshja u hutua fare dhe u zbeh në fytyrë. Por përgjigjja i erdhi gati instiktivisht; -Thashë se ishe te krevati yt dhe fillova të të tregoja për një film që pashë mbrëmë te tezja, -iu përgjigj me një zë jo normal. ; -Ç’film qe ai?, -u bë kurshtare shoqja. -Në fakt nuk e pashë as fillimin as fundin, por film shqiptar ishte. Me një gjimnazist, që jetonte me njërkun dhe kishte bërë ca burg … -Aha! “Dora e ngrohtë”, -ndërhyri studentja tjetër dhe, me aq, secila u kthye në mendimet e veta. Por bukuroshja provinciale u turbullua shumë nga ai veprim i pa kontrolluar. Qënkam bërë të flas me vete, tha, por tashmë nën zë. Dhe për habinë e saj, e vijoi mendimin pikërisht atje ku e kishte lënë, kur pakuptuar kishte folë me zë. Bile i dukej se ajo shprehje, që e dërgoi të dashurin e saj të adhuruar pas hekurave të burgut, përbënte një ambicie pozitive, për të ecur përpara… Një të diel, e përhumbur si gjithnjë në mendime, i kishte lindur një ide spontane. Ajo njihte një dedektiv në kryeqytet, moshatar i babait, Nuredin Lulashin, mik i familjes, i cili kishte shkuar disa herë në shtëpinë e tyre gjatë stinës së verës, bashkë me të shoqen e fëmijët, ku bënte edhe disa ditë plazh. Ai e kishte marrë tri të shtuna në shtëpi. E kishin pritur shumë mirë. Bisedonte me mbesën e tij dhe ndihej si në shtëpinë e saj. Kishin dalë shëtitje në bulevardin kryesor dhe një natë kishin shkuar në një teatër, që më pas u kritikua ashpër. Ishte një dramë me titull, me sa i kujtohej, “Shtëpia në Bulevard”. Në moment shkoi në PTT dhe bëri një telefonatë në shtëpinë e miqve, për të lajmëruar vizitën. Me kujdes pyeti në se do të ishte në shtëpi atë pasdite xhaxhi Nuredini. Përgjigja ishte pozitive. Nuk kishte bërë vizitë më të ndrojtur, më të pavendosur ndonjë herë se ajo atë ditë. Ndrojtja e saj, përskuqja ngjyrë trëndafili në fytyrën e lëmuar ra në sy menjëherë. Sidoqoftë ata e pritën me dashamirësi të madhe, pasi ishte edhe vizita e parë me nisiativën e vet. Sido që dukej hapur gëzimi i familjes Lulashi për vizitën e studentes, bisedat gazmore dhe të qeshurat nuk reshtnin, bukuroshja provinciale herë skuqej, herë zverdhej, rrinte e hutuar dhe aspak gazmore, siç ishte natyra e saj dhe, papritur, binte në mendime. Më në fund , kur e kuptoi se ata e vështronin me vëmëndje në dritë të syrit dhe e ndjeu shqetësimin e tyre, kërkoi leje të qetësohej pak në dhomën e vajzave, pasi ndihej pak e lodhur dhe me dhimbje të lehta koke nga punët e shumta të paradites. Miranda, bashkëmoshatarja e saj, shkoi me vrap te kutia farmaceutike dhe i afroi një aspirinë. Por bukuroshja e shmangu me pretekstin se nuk kishte pirë asnjë herë aspirinë dhe se si i dukej. Në dhomën e mikeshës së saj, të mobiluar shumë pëlqyeshëm, u ndie pak më e çliruar nga emocionet dhe bëri përpjekje t’i sistemonte dhe një herë mendimet. Të analizonte dhe një here arsyen pse kishte shkuar tek ajo shtëpi. Në to e sipër i lindi një mendim i përbindshëm: Nga kush do ta kërkonte shpëtimin? Xhaxhi Nuredini do t’i thoshte: Sus! Mos e hap më gojën e mos e përmend më atë emër! Më e mira që mund të bënte, do të njoftonte menjëherë të atin e saj. Më e keqja do t’i vinte ndonjë përgjuese nga prapa. Pastaj iu kundërvu vetes: çfarë krimi kishte bërë Erjoni që ajo të lypte ndihmën e një dedektivi? Si mund ta quash krim ndaj Atdheut dhe shtetit një shprehje tepër normale për brezin e ri, që aspiron një të ardhme më të mirë? Ky është pranim i fajësisë. Dhe unë s’kam të drejtë ta bëj këtë prapa shpinës së Erjonit. Duke gjykuar si një adoleshente, që sapo ka mbaruar gjimnazin, fjalët e Erjonit i dukeshin një grusht rërë në shkretëtirë në krahasim me tradhëtitë e mëdha të udhëheqësve të shtetit, që donin të sabotonin zhvillimin e vendit, që donin ta shisnin Atdheun tek imperialistët e revizionistët, që... ; Jo, jo. Erjoni s’kishte asgjë të ngjashme me ata. Erjoni për të ishtevetëm dashnori ideal, ai ishte njeriu me të cilin duhej të ishte e pandarë për jetë. Bukuroshja kishte qënë e entusiazmuar prej tij nga fakti që ai i besonte gjërat më intime. Në se nuk do të kishte mundësi martese me të, ajo pranonte të flijohej përjetësisht, duke qëndruar beqare e të mos bënte jetë familjare. Të mos bënte fëmijë. Të mësonte sa më shumë, të bëhej mjeke e mirë dhe t’u shërbente njerëzve të thjeshtë, e heshtur si një murgeshë. Por ajo kishte besim, se secili në krahun e vet mund t’u jepnin jetë edhe ëndërrave më utopike. Vendosi të luante me gjithçka, për gjithçka, për çfarë të dilte. Në atë dhomë të qetë të bashkëmoshatares dhe mikeshës së saj, brenda në strofkullën e ujkut, që do të donte ta shqyente Erjonin,bukuroshja kishte marrë një vendim të rëndësishëm. Gjuha pas dhëmbëve dhe besnik gjer në vdekje të dashurit të saj të adhuruar. U ngrit nga divani ku ishte shtrirë, freskoi pak fytyrën në tualet dhe shkoi në sallonin e miqve “shend e verë”. Piu një limonatë, hëngri pak reçel greimfrutash, bisedoi deri vonë, shikuan televizorin, që ishte privilgj asokohe në familjet shqiptare dhe hëngrën një darkë të bollshme. Të gjithë pjestarët e familjes u ndien të kënaqur që bukuroshja e kaloi dhimbjen e kokës dhe u çlodh. Më në fund kërkoi leje për t’u ndarë me miqtë e vet. Ata insistuan të gdhihej atje atë natë, por nuk pranoi, se nuk kishte njoftuar kujdestaren e rreptë të godinës së fjetjes. Dedektivi e shoqëroi deri te godina e vajzave. Kujdestarja e ashpër e përshëndeti me respekt punonjësin e Sigurimit të shtetit dhe pastaj vështroi me admirim studenten.