E enjte, 02.05.2024, 08:25 AM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Vullnet Mato

E diele, 02.12.2012, 05:10 PM


Vullnet Mato

GJARPRI I SHTËPISË

Gjarpri i shtëpisë
bashkëjeton me njerëzit
dhe i ka frikë ata,
më shumë nga sa e kanë.
Por nuk i pickon
kur s’i prekin brezin,
që zgjat natën të gllabërojë
minj në ndonjë anë.

Kohët tregojnë se edhe
njerëzve të shtëpisë,
u fle brenda vetes kutullaç
një gjarpër i zi.
Ndryshe nuk shpjegohet
kur në familje apo në fis,
dikujt i zgjohet gjarpri
të vrasë njeriun e tij?

E tmerrshme të mendosh
se nëna rrit gjarpër në gji
dhe vëllai puth e përqafon
gjarprin e vet binjak.
S’ka humnerë më të thellë
e më të errët, ku bie ai njeri,
që bëhet gjarpër,
pasi ka dalë nga i njëjti bark!...

FURIA E TRURIT

Ndonëse jam paksa i qetë,
natyrisht kam furi truri,
por vetveten stopoj shpejt,
si atleti përpara një muri,

Dhe zbardh sqarimit tim
në çdo pikë, deri në fund,
siç bën dielli gjer në perëndim,
kur të gjitha rrezet shkund.

Nëse ndodh krejt padashur
lëndoj në shpirt ndonjë njeri,
vdes po s’u ktheva i prapsur,
të shëroj sërish plagën e tij.

Se nuk jam ai plumbi qorr
që s’kthehet prapa në fole,
as rrufeja e zjarrit qiellor
që shkrep e hyn thellë nëndhe.

Po jam dallga e furisë ujore
që rimerr fuqi thellë në det,
derisa me valët paqësore
ftoh rërën e nxehur që djeg.

Se kam diku brenda trurit,
atë peshoren timen etalon,
që mat çdo gabim të burrit,
kur nga goja më shpëton.

Dhe di se fyerja hedhur përbri,
që peshon rëndë sa një mal,
përmbyset njësoj si me magji,
po i the: “Të lutem, më fal ! “

Se pas këtyre fjalëve të urta,
që çarmatosin krejt çdo njeri,
as grushtimet dhe as pushka
s’mund të kenë më tej fuqi…

Eh, sikur këtë lloj shqiptimi,
fare të lehtë e pa mundim,
ta dinë mirë, faji dhe krimi,
në çdo rast, qysh në fillim !...

NUK HA BLEGËRIMA

S’kam pasur e nuk kam
fiksime vegjetarianësh,
por nuk ha blegërima qingji
dhe as oreksi s’mi pranon.
S’dua të përtyp gjakderdhjen
e thikave të kasaphanës,
dhe të bëhem shije-ngrënës
i pafajësisë së njomë.

Mishin e butë që qingjit
ia dhuron bujarisht tërfili,
mund ta ha të pagjakosur
nga lëpjetat në livadhe,
ta marr nga spinaqi, radhiqet,
nga çdo njomishte prilli,
me të gjitha llojet e kalorive
dhe të kripërave minerale.

S’dua të ha mish qingji
as në tradicionalet festa,
të ndjej pastaj në shpirt
vajtimet e nënave dele,
që shkundin retë e dhimbjes,
nga shpinat e leshta,
kur turfullojnë me gjinj
të papirë nëpër mjelje.

Nëse duhet ndonjë
vajtojcë kafshërore të qajë,
më mirë rrallë herë
le të pëllasë nëna lopë.
Se mish viçi njeriu
është i detyruar të hajë,
kur të gjitha barishtet
i ka kapërdirë dimri ciklop.

Kurse deleve, dua t’u fal
një vathë me blegërima qingjash
dhe t’i dhuroj kujtesës sime
ca vjet kthjelltësi pa sklerozë.
Që të mos e ftoj vdekjen,
mikeshë në arteriet e mia,
me kolisterolin që e bën zemrën
të ngjiret si bretkosë...

MBURRJE E DËSHPËRUAR

Moj grua, nga shtrati im qëkur ke ikur,
s’më adhuron si atëherë kur flinim të dy.
Kujton se të gjithë zjarrin ma ke fikur,
duke lënë tek unë vetëm një tog me hi.

Po nuk di se burri hirin e ka prej lisi,
ku flenë brenda ca gdhenj me prush.
Pak po i fryu era e një tjetër shpirti,
djeg një pyll të harlisur me gëmushë.

Kur flinim në prehër të njëri-tjetrit,
mbushej shtrati cicërima e luleshqerra,
gjoksi im erë bliri, gjoksi yt aromë pjepri,
ndarja e shtratit, na ndau dhe zemrat.

Tani më vështron me mirëbesim të qetë,
sikur unë s’kam fare magnet për të tjera.
Po mos fli në ato pupla sigurie aq lehtë,
se ujku i vjetër tërbohet kur sheh shqerra.

Më vjen në shteg një milore e përvëluar,
gjoksi i saj edhe gurëve u shpërthen xixa.
Me bishtin e syrit ajo pikon zjarr për mua,
kur ti në shtratin tënd end gjumin me shtiza.

Para saj unë bëhem mashkull për hekura
dhe nuk mbahem dot as me litar konopi.
Ti që përcjell tek unë ndjenja të vdekura,
do shohësh se te cila portë bën gola topi?

Po unë i ziu kam rënë në hall të madh,
se di që nuk ke puthur burra të tjerë.
Keq të tradhtohesh ti në moshë të lartë,
keq unë të mbetem pa puthje si i mjerë.

Tani mezi ruaj vetëkontrollin, moj grua,
prandaj mos fli veçmas me siguri e besë!
Se burrat deri te varri janë të dëshiruar,
të derdhi lot për ta dhe një tjetër syzezë...

MIZA E KALIT
(Përgojuesit anonim)

Moj mizë e kalit,
si nuk të shkuli mërzitja,
teksa doriu pareshtur
të fshikullon me bisht?
Si s’të vjen të pështirë
nga fëlliqësirat e pista,
kur kali me bajga
të poshtëron në by...?!

Gjithë kohën e bredhjeve
gazmore nëpër qiell,
ti e kalon te zgavra e errët
nën bishtin qimegjatë,
pa ngrënë një herë
gatime të pastra me miell,
po veç ndotjet e qelbura
të përziera në bajgë.

Ç’të duhet ajo jetesë
aq e ndyrë prapanice,
teksa kali si kometë
fluturon jelet nëpër erë,
kurse ti pareshtur ngulmon
t’i pastrosh jashtëqitjet,
shpërblyer me bajga
dhe fshikuj bishti përherë.

Oreks të madh paske pasur
të hash në fshehtësi,
pa dalë në mjedis
nga zgafella e mbyllur,
ku kali as të njeh
as të ka parë me sy,
po krejt indiferent,
të flak tutje të shpërfillur!...

VIZITOR I PËRGJËRUAR

Ika në moshën e re
nga qyteti im i lindjes
dhe sa herë vij këtu
ndjehem përsëri djalosh.
Dua të hy në det si xhindi,
pa aguar rropama e lëvizjes,
të numëroj sa peshq
do më kenë hyrë në kosh.

Pastaj të mbaj frymën
pesëdhjetë metra nën ujë,
për të parë ku përgjumet
ndonjë oktapod i fshehtë
dhe kur zemra gjoksin
të më godasë me bujë,
të dal në sipërfaqe
porsi delfin i vërtetë.

Harroj vitet që shkuan
dhe dua sërish,
gjithë muret t’i shkruaj
me thëngjill të zi:
“Do bëhem shofer,
do bëhem artist!”
Duke parë ëndrra
me fluturime në liri.

Të vë kokën te jastëku
i gjoksit të nënës,
ku mbështeteshim
të shtatë fëmijët pas buke.
Ajo të na lëmojë kryet
nën dritën e Hënës,
si qenie mitologjike
me shtatë kokë mbi supe.

Dua të mbledh sërish
shokët e parë të moshës,
për t’i rënë me not
gjysmëhënës blu të qytetit,
pastaj para gjithë djemve
dhe vajzave të shkollës,
kush del i pari ta shpallim
“Dashi i detit”

Të shkoj natën te Rita
nën degët e fikut,
ta puth i limaksur,
sikur më ndjek hataja.
Ajo të më mbaj dorën
te fija e llastikut:
“Aman, mos m’i hiq,
se më rreh mamaja!...”

T’i them me nxitimin
e dashurisë në këmbë:
“Mos ki frikë, moj shpirt,
se ti më ke mua,
sa të zgjatem edhe pak,
ndonjë pëllëmbë,
vij te shtëpia jote
dhe të kërkoj për grua...”

Kur padashur shoh veten
në xham vitrine,
kthehem nga përfytyrimi,
në realitetin konkret,
kujtohem se ujërat
nuk kthehen në burime
dhe bëhem vizitor
i përgjëruar për këtë qytet.



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora