E shtune, 17.05.2025, 01:47 PM (GMT+1)

Kulturë

Mehmet Halimi: Një vepër e rëndësishme

E enjte, 29.11.2012, 09:11 PM


Recension

NJË VEPËR E RËNDËSISHME ETNOFOLKLORIKE

(Dr. Besim Muhadri, “MEHMET CENA I HASIT PLEQNAR E ORATOR - në kujtesën e bashkëkohësve”, Has, 2012. f.....)

Nga Prof. Dr. Mehmet HALIMI

Autori Dr. Besim Muhadri në veprën e vet monografike bën fjalë për një burrë të urtë e mendjemprehtë, për një pleqnar dhe orator të Demjanit të Hasit, për një plak uratk, njohës të shquar të traditës, dokeve e zakoneve tona popullore, kultivues dhe mjeshtër i hollë i bisedave alegorike, duke i treguar e ritreguar vijimisht anekdotat e pleqnitë e veta me një elokuencë e oratori të veçantë, ndër ndeja e oda burrash, sepse siç thoshte ai “Oda e burrave nuk don ineksione e as gozhda, po fjalë e muhabet burrash”, u bë njohësi më i mirë e më i shquar i traditës sonë kanunore kombëtare, jo vetëm në trevën e Hasit, por edhe më gjerë gjithandej në Rrafsh të Dukagjinit, Lumës e Malësisë së Gjakovës e Tropojës, ndaj ishte nder, mburrje e krenari ta vësh në ballë të oxhakut të odës, qoftë për gazmend e aheng, qoftë për hidhërim e pikëllim, sepse “Mehmet Cena ka ditë dekën me ta lehtësue e dasmën me ta hijeshue”.

Autori i monografisë në fjalë, veprën e vet në të cilën trajton personalitetin e shquar të Mehmet Cenës, i cili dallohej si pleqnar e orator, si plak i urtë e i çiltërt, i dashur dhe i pranueshëm nga hasjanët, që dinte të hynte në odë, të rrinte e të bisedonte me takt, të kuvendonte me rend e me vend, të cilit i kishte hije vendi e kuvendi, i përvetësonte burrat në oda, bëhej plaku, strumbullari dhe shpirti i odës, e paraqiti me tërë madhështinë e tij njerëzore e burrërore, me arsyen logjike e qasjen fisnike, duke e ndarë veprën e vet në pesë kapituj; duke filluar me njohuritë e traditave të Hasit, i cili gjithmonë “ka ruejt traditën/ ka dhanë bukën edhe kripën”, historikun e familjes Cena, shtrirja e fisit dhe gjenealogjia e familjes, kujtimet dhe mendimet e bashkëkohësve për Mehmet Cenën, pleqnitë e Mehmet Cenës mbledhur nga Anton Çetta, anekdotat, pleqnitë, shprehjet frazeologjike e fjalët e urta të Mehmet Cenës të treguara nga bashkëkohësit, arrin me sukses të japë në plotëni karakterin e këtij personaliteti me të gjitha tiparet e virtytet fisnike e bujare, burrërore e njerëzore, i cili fitoi besimin e bashkëvendësve dhe u bë prijetar e shpëtimtar i tij, u bë “plaku i së drejtës”, që pleqnonte për Riza të Zotit, sepse Mehmet Cena nuk i linte punët me vegza, ai nuk kishte xhepa, do të thotë pleqnonte drejt e pa hile, shëroi plagët dhe zgjidhi problemet e popullit të vet, ndaj ai u adhurua me respekt të veçantë burrëror, duke u përjetësuar madje edhe në këngë:

“Jehoi fjala an’Kullë prej Guri

Po i knoj kangë sot nji burri

Po i knoj nji kuvendari

Mehmet Cenës prej Demjani”.

Dhe si përfundim mund të nxjerrim tri çështje parësore:

1.         Mehmet Cena ishte produkt i natyrshëm mendor i një treve me tradita të pasura të pleqnarëve të Hasit, nga të cilët mësoi përvojën e shkollën e odave;

2.         Se sa i çmuar e i nderuar ishte Mehmet Cena, e dëshmojnë bashkëkohësit e tij, në kujtimet e rrëfimet e tyre për Mehmet Cenën, që vërtetë u dallua në trevën e Hasit si “një lis që bënte hije për një fis”. Shih për këtë arsye mund të konstatojmë se falë përvojës jetësore dhe njohjes së traditës kombëtare, ky pleqnar me maturi e mjeshtëri të rrallë, me urti e filozofi, bëri pajtime e pleqni të shumta, duke lënë gjurmë e jehonë të pashlyeshme në tërthortë, ku jetoi e veproi ai.

3.         Autori ka bërë një punë të mirë që ka shënuar e regjistruar, ka mbledhur e sistemuar, ka analizuar e botuar, jo tërë veprimtarinë filozofike të shkrirë e të shprehur në pleqnitë dhe oratoritë personale, por këtë e ka ndërplotësuar e përjetësuar edhe me thëniet, rrëfimet e kujtimet e të tjerëve për të, duke dhënë tërë madhështinë burrërore, që nderojnë dhe lartësojnë virtytet dhe tiparet fisnike të këtij pleqnari e pajtimtari të shquar hasjan me një edukatë të shëndoshë familjare e taban të fortë kombëtar. Sepse “kujtesa është gjah, kurse shkrimi kurth”, dhe ashtu siç e zë kurthi gjahun, shkrimi përjetëson kujtesën. Autori i monografisë në fjalë këta margaritarë të kulturës sonë etnofolklorike i ka shpëtuar nga dhëmbi i harresës dhe duke na dhënë një vepër solide monografike e ka pasuruar traditën e kulturës sonë etnofoklkorike.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx