Kulturë
Aleko Likaj: Këpuca e Pano Taçit
E diele, 25.11.2012, 03:55 PM
Këpuca e
Pano Taçit
Poeti u
gjet një mbrëmje në sallën e shfaqies në teatrin e Elbasanit. Ishin provat
gjenerale të estradës që do e jepej ato ditë për publikun. Nuk e di se kush e
kishte futur Panon në atë grup
krijuesish që duhej të jepte mendime e të gjykonte per artin aty. Pas mbylljes
se perdes u ngrit i pari ne kembe e zuri të fliste. Nuk e kisha parë dhe nuk e
dija që ai ishte aty. Me siguri që e kishte gjetur një mënyrë për ta parë atë
shfaqie. Sigurisht ndonjë portier do ta kishte lejuar në momentin e fundit,
at'here kur ishin fikur dritat, se Panua i kishte miq ata. Pinin ndonjë gote e
tregoni barcaleta e qyfyre. Poeti i tregonte mirë ato. E kam të fiksuar si sot
me një kostum bojë veje e me flokët e ndritshëm e të shtruar pas veshëve me
brilantinë. I gjente Panua këto, sepse dashnor i përjetshëm mbeti ai në të
gjitha kohët.
Me një zë
të shtruar nisi e të flasë për skeçet e lojën e aktorëve. Sekretari i dytë i
komitetit të partisë së Elbasanit që mbulonte kulturën atë kohë, dhe që ishte
veçse dy rradhë para meje, lëvizi nga vendi. Ktheu kokën andej nga Panua e
pyeti ata që kishte afër. Pashë dy a tre
koka aparatçikësh që u afruan dhe i pëshpëritën partiakut. Poeti vazhdonte që
të fliste me pasion e zjarr për humorin. Një nga shoqëruesit e sekretarit u
kthye nga unë e më pyeti nën zë. Në metalurgji tek ju është ky? Nuk dija se
ç'ti thosha; s'dhashë përgjigje. Një çast më vonë sekretari u kthye nga Panua
dhe i a bëri me dorë që të heshtëte, por poeti nuk e kishte mendjen tek
partiaku. Ishte përfshirë nga një entuziazëm që veçse ai e përjetonte dhe
fliste me pasionin e një djali të ri. Dikush nga rradhët e aparatçijve i thirri
me emër dhe i kërkoi që të ndalonte.
Panua ktheu kokën nga ne sikur të kishte zbuluar për të parën herë ekzistencën
tonë në atë sallë. Sekretari i kishte hapur dy duart dhe brylet, i kishte vendosur në hapsirën e dy karrikeve
pranë tij, i kthyer nga Pano Taçi. I bëri me shenjë që të ulej, se ashtu e
donte partia, të ulur Panon, të pagojë.
- Kush të
futi këtu ty? - pyeti qetësisht partiaku. Kush të ka caktuar ty që të japësh
mendime për artin e popullit?. Nuk mund që të gjykoj për të një armik i
pushtetit si ti. Ta dinë këta këtu, - dhe bëri me shenjë nga ne të gjithë, - që
partia e ka sjellë këtë njeri në metalurgjik që të edukohet në gjirin e klasës
puntore, me norma e parime komuniste. Të punojë me ndershmëri, dhe t’i a shpërblejë partisë njëqindfish.
Nxireni përjashtë, - dha urdhër ai. Pastaj kërkoi drejtorin e institucionit e
sekretarin e partisë që ishte edhe vetë aktor i trupës. - Do të mbani përgjegjësi
që të gjithë. Nesër do të vini në komitetin e partisë . Do të jepni llogari.
Nuk kemi nevojë nga vagabondë si ai, - tregoi me gisht nga Panua që ishte ulur
në vendin e tij, e që dukej se ishte i fyer.
- Unë jam
një puntor i thjeshtë si gjitha ata që punojnë në metalurgji shoku sekretar,
- tha Panua.
- Nuk jam
shoku jot - i u hakërua sekretari, - njeri i degjeneruar. Jasht’, jashtë -
klithi partiaku në sallë ku nuk ishim më shumë se tre dyzina njerëzish
Kur
ktheva kokën e pashë Panon që po e tërhiqnin zvarë. Mes dy a tre personave të
tjerë ishte edhe një polic që nuk e di
se si u shfaq aty, si dhe një nga të pranishmit aty në sallë që e njihja si
spiun të policisë, për shkak se ishte i kudondodhur vazhdimisht në metingje duke mbajtur qetësi.
Panua kërkoi që të thoshte diçka, por në
momentin e fundit u duk se kishte ndruar mendim. Ndërsa po e çonin drejt derës,
kuptova se ai po i thoshte policit se ishte zbathur në njërën këmbë, dhe se
këpuca, i kishte mbetur tek karrikja ku kishte ndjekur shfaqien. Ra një heshtje
midis nesh. U bëmë të pagojë. Sekretari u ngrit dhe i u drejtua derës tjetër të
daljes.
-
Drejtori dhe sekretari nesër në mëngjez të jenë në zyrën time. Organizata e
partisë të ndalet sonte e të zbulojë gjithçkah. Armiqve të partisë duhet që tu
mbyllen jo vetëm dyert e institucioneve të artit, por edhe të gjithë shtigjet.
Nesër duam edhe konkluzionet.
Ai doli
pas kësaj. Ne të tjeret nuk dinim se ç’të bënim më në atë sallë që dukej sikur
kishte rënë morti, edhe pse disa minuta më parë ajo kishte gjëmuar nga hareja
kënga e humori.
Dikush
kishte gjetur këpucën e Panos dhe atë e mbante në dorë pa e ditur se çmund që
të bënte me atë. U ndjeva keq. Më shumë për Panon, se e dija që ai përveçse
poet, ishte edhe njeri shpirtpastër e kavalier.
Shfaqia u
dha tre ditë më pas për publikun, dhe Panon e gjeta të gëzuar tek menxa e
furnaltës. Ishte me dy shokë e pinin nga
një gotë verë. Nuk e ndante këtë si në vargjet e Khajamit. Nuk i rashë në sy.
Pas një muaj u gjetëm përballë, më shkeli syun e me tha;
- Mos ma
ke merakun, se i sfidoj.
Pas disa
vitesh, aty nga mezi i 95 sës, më gjeti në Tiranë, dhe më ftoi për një kafe. I
kujtova ngjarjen me sekretarin dhe atë tërheqien zvarë. Historinë e këpucës që
mbeti në atë sallë gati të boshatisur.
- Kisha
miq aty në teatër, - më tha. - Me donin. Unë u shkruaja edhe shumicën e
pjesëve. Ashtu në anonim. Ja jepja Odhisesë, mikut tim të vjetër të rinisë, që
edhe ai i ziu ishte si i internuar aty në Elbasan, edhe pse punonte si
libretist i Teatrit Skampa. Ma mbante shpirtin gjallë Odhise Grillo Vunoi. Nuk
e la të vdiste arti im.
Qesha dhe
i thashë:
- E mora
përgjigjen pas njëzetë vitesh, Pano-o
- Atë
natë kisha katër skeçe në atë premierë, si të mos flisja. Sekretari thoshte
përralla, jo armik, vagabond dhe pa moral. Morali im ishte në skenë dhe atë e
duartrokiti ai. Unë vazhdova që të shkruaja sipas mënyrës sime pjesë
humoristike, skeçe, kuplete për estradën e atij qyteti. Ai vazhdonte që të
thoshte se do të më edukonte kllasa. Unë po e edukoja atë me artin tim.....
Pano Taçi
tundi kokën duke vënë buzën në gaz, sikur po kthehej nga një vegim, a ëndër të
përhitur e cila i ngjasonte me ndonjë triller, nga ato të rëndomtit që jemi
mësuar që t’i shohim jo rrallë në celuloid.
Qeshte e gëzohej si një fëmijë.