E premte, 02.05.2025, 12:23 AM (GMT+1)

Kulturë

Istref Haxhillari: Hija e djallit

E shtune, 24.11.2012, 06:19 PM


Istref  Haxhillari

Hija e djallit

Jeta e tyre i ngjante ngrehinës me themele të ngrëna nga rrëshqitje nëntokësore, mungonte besimi reciprok aq i nevojshëm për lidhje të fortë bashkëshortore. Të dy e kuptonin, por e nënvlerësonin me kokëfortësi ngaqë ndiheshin njëlloj fajtorë. Dalëngadalë koha u dha  armëpushim brengave të tyre, veçse po u soste durimi dhe argumentet. Si kujtesë e përhershme e asaj që u mungonte, grindeshin pa arsye.

Tergid Rozani e donte të shoqen sipas mënyrës së tij. Martesën e konsideronte mall që kishte nevojë për reklamë, ku kampionët meritojnë të respektohen. Beka zotëronte dhuntinë të krijonte një botë në përmasën e vet kudo gjendej dhe ai besonte se qe e lumtur.

E dinte se këto nuk mjaftonin, po shpresonte t’i kapërcente me kohë. Rrekej të arrinte të pamundurën dhe të panatyrshmen. Mendonte me naivitet se një femër s’e ka aq të domosdoshëm seksin sa meshkujt duke mos arritur kështu të perceptonte në përmasa reale se marrëdhënia e tyre ishte krisur thelbësisht në një mënyrë që mund të mos riparohej kurrë.

Njëlloj si ditët e para të martesës, kur përjetonte ëndrrën e bukur e të rrallë, Beka e ndjente përkujdesjen e burrit në çdo hap që hidhte. Në fillim pandehu se kishte arritur gjithçka mund të dojë një femër, por dalëngadalë u bind se ai e mashtronte sistematikisht. Përkushtimi  kompensonte diçka të panjohur e të paimagjinueshme.

Ndodhte të pinte dhe stërmundohej të bënte seks. E ndizte me dhele të zgjatura, pastaj nuk e shuante dot. Beka i kuptonte përpjekjet e tij, e ndjente se donte të sillej si gjithë të tjerët, por e kishte të pamundur  t‘ia dilte. Nuk ishte nga ato femrat e ndezura që s’e përmbajnë veten, mund të duronte. Shpresonte se një ditë ai do të çlirohej nga hija e djallit, të bëhej burrë i vërtetë.

Por ajo ditë as që shquhej në horizontin gri të bashkëjetesës së tyre dhe Beka zaptohej nga ndjesia e të qenit jashtë tepër larg, e vetme. Ditët e shtrëngonin si nofullat e një orkideje gjigande, asnjëherë nuk ishte plotësisht e kënaqur, krejtësisht e qetë.

Pas tetë muajve martese absurde, vendosi ta linte. Do ta kishte bërë po të mos shfaqej Shefi. Në të vërtetë tradhtia bashkëshortore nuk ishte fusha e saj dhe ajo vetëm plotësonte mungesën thelbësore të Gidit si mashkull. Me kalimin kohës u bind se nuk bënte kurrfarë faji, madje as mund të quhej tradhti në kuptimin e zakonshëm.

Fundja, çfarë zgjidhje i mbetej, pos divorcit?

Gradimi i Tergidit në postin më të lartë të arsimit e bëri Shefin mit të paprekshëm për të dy. Bekën, ngaqë plotësonte nevojat natyrale të femrës, atë sepse kishte realizuar egon e tij. Por, sido që përpiqeshin, asnjëri nuk kishte vizionin e nevojshëm të vërente shpërbërjen e ngadaltë e të pakthyeshme të martesës.

Ajo ditë nisi si gjithë të tjerat. Drita gri mbushte dhomën dhe ashtu e shurdhër, e përhime i praronte muret me shkëlqim të argjendtë. Beka iu afrua lavamanit të kuzhinës dhe vështroi në pasqyrë një grua ende tërë nur, me format mrekullisht të ruajtura porse krejt papritur s’iu duk më  e bukur si dikur. Rrudha të lehta pluskonin padukshmërisht nën gushë, shkëlqimi i syve të mëdhenj ngjyrë kafe ishte zbehur. U mbështet në kolltuk, përhumbur në mendime. Dëgjoi zhurmën monotone të makinës së rrojës, pastaj kollën e përhershme të Gidit që ngacmohej nga pasta e dhëmbëve.

Ai bëri tualetin, ngjiti me llak qimet e imëta pas lëkurës sa kuqërremtë, ngriti kokën dhe...  befas i zunë sytë cepin e një zinxhiri në raftin e sipërm. Hapi kanatin që pengohej të mbyllej plotësisht, gjeti orën me kuarc të Shefit. E njihte sahatin e tij zviceran dhe diçka e goditi si me thikë, i prishi mendjen. Hyri në kuzhinë i zverdhur. Shkumëzonte nga inati dhe pafuqia që e ndjente deri në pejzat më të imëta të trurit.

-E kujt është? - pyeti me dhëmbë shtrënguar, sikur të mos ishte i bindur.

Beka u zverdh, heshti një copë herë të mblidhte mendimet. E dinte se do të ndodhte një ditë, megjithatë i erdhi të hante veten me dhëmbë. Çfarë pakujdesie! Shefi e harroi një ditë më parë mbi divan dhe ajo gjeti pikërisht atë vend ta fshihte, qoshen e mënjanuar ku i shoqi nuk kishte arsye të fuste hundët.

-Fol, - Gidi ziente përbrenda.

S’i mbetej rrugë tjetër, vendosi t’i thoshte të vërtetën.

-Ora e Shefit, - i tha sa më qetë mundi.

-Ma thua në këtë mënyrë? - u afrua me grushte mbledhur. Po i dukej më pak se një mizë bezdisëse, mund ta shtypte kur të donte.

Beka e njihte egërsinë e tij në valët e inatit. U frikësua dhe u mundua të shmanget

-Largohu! - thirri, nxori celularin, - do t’i telefonoj.

Ndërsa ajo formonte numrin, Tergidi uli duart, qëndroi në këmbë i pavendosur. Pastaj u plas menjëherë në karrige, ndezi me vështirësi cigaren. I dridheshin gjunjët, djersët i mbuluan ballin, rrëshqitën poshtë gjurmëve të basetave pa flokë. U shfry përnjëherë si tullumbace e shpuar me gjilpërë.

-Prit, - i tha, - të bisedojmë.

Ajo u shtensionua dhe u ndje e dobët, e rraskapitur. Një turbullirë po i gërryente zorrët. Vuri dorën mbi bark, nxitoi në banjë, volli dhe u kthye e zbehtë si kufomë. Papritur iu neverit gjithçka.

-Përse? - e pyeti ai me një fije zëri.

Gruaja e pati vështirë të shprehej me fjalë. Deri atëherë gjithçka e nënkuptonin, fjalët dilnin të tepërta e të panevojshme. E pajisi veten me guximin për një bisedë të vështirë, tashmë të pashmangshme. 

-Ende nuk e di? - e pyeti pa e vështruar.

-Jo, - tha i pasigurt, duke u rrekur sërish të mbulonte pjesën e tij të fajit, atë që i ruhej më shumë.

-Mos e gënje veten, or burrë, nëse meriton ende të quhesh i tillë, - shpërtheu Beka. Tani s’kishte pse maskohej, më mirë t’i thoshte gjithçka që e gërryente prej vitesh. Kishte ardhur çasti të mos e frenonte vetën.

-Përse? - përsëriti ai me zë të pakët, sikur i drejtohej më shumë vetes apo dikujt tjetër...  mbase Zotit.

-Është e thjeshtë për ta kuptuar, nëse përpiqesh, - i tha dhe uli sytë e ligështuar

-Të kam dashur, - pëshpëriti ai.

-Po unë çfarë kujton se kam bërë? - ngriti kokën me rrëmbim e inat.

 -Ti më tradhton.

-Çfarë prisje të ndodhte sipas teje?

-Të kuptohemi, - u përgjigj.

-Jam përpjekur përtej aftësive të mia, - zëri iu këput prej ngashërimit.

Gidi nuk foli, rrinte i ngrirë në karrige, mbledhur grusht. Cigarja e shuar vegjetonte   harruar nëpër gishtërinj.

-Duhet të kërkoja divorcin vite më parë, - u zbulua Beka.

-Të lutem lëri këto, - i kërkoi. I pafuqishëm, i përulur si një çunak i frikësuar.

-Nuk mendon se me le pa fëmijë? - artikuloi pyetjen që do të kishte dashur t’ia bënte kushedi sa herë më parë.

Përgjigja e tij ngriu. Ç’mund t’i thoshte?

-Mund të bëja një fëmijë domosdo, po nuk desha të të turpëroj para gjithë botës. As veten time nuk preferova ta përlyej.

-Beka!

-Mos pret të bëhem xheloze?

-Unë kam arsye të jem, - i tha.

-Mund ta kursesh veten.

-Përse e bëre?

-Ke kurajë të më kërkosh llogari!

-Natyrisht, je gruaja ime.

-Nuk do të jem pas kësaj.

-Mjaft tani.

-Kujton se nuk e di jetën tënde seksuale?

-Oh, po mjaft.

-Jo, tani që e hape këtë temë ta shpiem deri në fund. Sot, - u shkreh.

-Çfarë të ka mbetur pa thënë?

-I di të gjitha - u gërmush, - kam dëgjuar për ata.

-Je xheloze, - thirri ai, - nuk të pëlqejnë miqtë e mi, ndonëse e di shumë mirë sa herë më kanë nxjerrë nga telashet.

-Po të ishe burrë i vërtetë nuk do të nevojiteshin miq të tillë.

Mbase këto fjalë apo një shtysë e brendshme e pakuptuar e tjetërsuan dhe qetësia e sforcuar u thërrmua.

-Ti, lavire? - ulëriu, e zuri për flokësh.

Beka thirri nga dhimbja, u rrek të shqitej, por ishte e pamundur të shpëtonte nga duart e fuqishme si panxha ariu. Rrëmbeu telefonin, u përpoq të formonte numrin me dorën e lirë. Tergidi e goditi sipër bërrylit, aparati fluturoi mbi divan.

Ajo u mblodh nga dhimbja.

-Mund të bësh ç’të duash, - i tha, - është dita jonë e fundit.

-Do të më lësh? - e pyeti duke e shtrënguar gjithnjë e më shumë, po zëri i doli çuditërisht i zvargur e i zbutur. Ndjeu t’i shkëputej nga brenda një masë e fshehtë pa formë, si punë ngërçi i tejzgjatur që nuk pati guxuar ta kapërcente. Për herë të parë thithi aromën e gruas, diçka të ngjashme me atë që i  dhuronin djemtë. U dalldis dhe befas e pa veten mashkull që mund të kënaqte gruan e tij.

I hoqi me përdhunë fustanin, i grisi mbathjet, futi kokën mes shalëve. E kafshoi egërsisht derisa gjaku shpërtheu përmes leshit të dendur e të zi. Beka e terrorizuar ulëriu dhe, krejtësisht e pafuqishme të vepronte, e mbërtheu me sytë e shqyer bojë kafe që flisnin më shumë se të gjitha fjalët e marra së bashku. Po Tergid Rozani vijoi ritin e vet mizor të pakthyeshëm.

-Më vrave, - zëri i ngjirur u zbeh nga dhimbja, rezistenca erdhi duke u gërryer, po çmenduria e burrit nuk reshti.

-Të lutem Gidi, - toni i vakur, pothuaj pëshpërimë, regjistroi llahtar. Më pas nuk kundërshtoi më. U ndje aq e grimctë përpara tij saqë u dorëzua si delja në thikën e kasapit. E pa veten të dhunuar siç nuk e kishte pandehur kurrë.

Duke u rrekur ta kthente mbrapsht ia përplasi kokën pas kreut të divanit. Dëgjoi kërcitjen e thatë të goditjes, po nuk i bëri përshtypje. Rregulloi pozicionin e preferuar lëvizje perfekte dhe mbylli sytë. Pa mundur të luante asnjë milimetër, ajo ndjeu dhimbje të padurueshme në pjesën e pasme, ndërsa Gidi arriti në mënyrë të befasishme pikën e vlimit, e rrotulloi shpejt si kukull llastiku, i hapi këmbët dhe...

...u bë për burrë.

Lëvizi ritmikisht një copë herë, pastaj bërtiti me zë të ngjirur, të thellë. I liruar nga demonët e së keqes, e bëri dhe ndjeu një tërmet emocional të paprovuar më parë. Kurrë nuk kishte shijuar përvojën sublime të marrëdhënieve me gratë. Rënkimet vazhduan edhe më pas, po gradualisht fuqitë e lanë, vetëm duart i dridheshin. Përpëlitjet e fundit të zërit shkundnin ende ajrin përreth tij.

-Më në fund, - tha i tronditur dhe në çast u tkurr prej pendesës. E gjithë qenia e tij kërkoi ndjesë. Jo për atë që sapo ndodhi, po për vitet e shkuara, mosmarrëveshjet, keqkuptimet, grindjet. E përkëdheli butë me dashuri dhe shpërtheu në të qara.

Të qara burri të vërtetë, që ndjen dhe e di përse qan.

-Nuk kam qenë mashkull i mjaftueshëm për ty, - pëshpëriti i përhumbur në një botë të trazuar ku asaj i qe ndaluar të hynte.

Beka ktheu kokën me zor. Përmes qepallave të lagura vështroi një burrë të tjetërsuar, të ngashëryer e të rrënuar, sikur të mos ishte ajo e përdhunuar, por ai. E pazonja të mendonte, heshti. Nëse do të fliste nuk mund të thoshte saktësisht çfarë ndjente dhe mbeti me shikim mbërthyer hijeve që hidhnin valle në tavan. Nga sytë iu davarit tmerri, në vend të tij u vizatua një qetësi e brishtë plot shpresë.

 

Pogradec 24 nëntor 2012

E shtunë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx