Kulturë
Thanas Gjika: Mozaik shumëdimensional për Korçën
E merkure, 21.11.2012, 08:44 PM
NJE
MOZAIK SHUMEDIMENSIONAL PER KORCEN
(Vlerësime për veprën KORCA QYTETI DHE KUJTIME të poetit Vangjush ZIKO)
Nga Thanas L. GJIKA
Në këtë
vit të 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, midis dhuratave që iu bënë
Korcës prej bijve të saj, një vend të rëndësishëm zë dhe vepra e poetit V. Ziko
KORCA QYTETI DHE KUJTIME, botim i Librarisë KOTTI, sponsorizuar prej Bashkisë
së qytetit.
Vangjush
Zikoja është një nga bijtë e shquar të qytetit ku lindi, u rrit e shërbeu për
dekada të tëra. Ne, që patëm fat ta kishim pedagog të letërsisë kemi për të treguar
shumë kujtime mbushur me emocione pozitive. Sytë e tij të kaltër, buzëqeshja që
nuk i ndahej e nuk i ndahet kurrë, fytyra e pastër në ngjyrë gruri të celur,
fjala e ëmbël mobilizuese, afërsia prej shoku, etj, etj, ishin disa nga tiparet
e tij që rezatonin e rezatojnë optimizëm.
Puna e
gjatë dhe e pasionuar e mësuesit është profesioni me të cilin ai ka të drejtë
të mburret para cdo korcari, kurse ndihmesa e tij me krijimtarinë e shumanshme
dhe cilësore: nëntë vëllime poetike, gjashtë drama, tre skenarë, dhjetë vëllime
me përkthime nga letërsia botërore dhe tre vëllime në prozë, ku bën pjesë dhe
vepra për të cilën po shkruajmë, përbëjnë vlerat e tij të vecanta
mbarëkombëtare, të cilat e bëjnë atë të mburret para kombit kudo ku jeton ai.
* * *
Përshkrimet
e hollësishme të aspekteve të ndryshme të jetës së qytetit, ilustruar me
fotografi të shumta, gërshetuar me momente e hollësi të familjes Ziko, na
krijojnë ndjesinë sikur po jetojmë edhe ne në Korcën e viteve 1935-1990.
Rëndësi të madhe ideore ka fakti se autori mban një qëndrim kritik ndaj
dëmtimeve morale e shirtërore që ndodhën gjatë viteve të diktaturës komuniste,
kur u punua dhunshëm për krijimin e “njeriut të ri”, njeriut servil e të
pakurajo.
Para syve
na dalin nënat e gjyshet duke thurrur corape e bluza tek sofatet e rrugëve e
rrugicave, shohim baballarët duke u kthyer nga pazari me cantat plot apo me
ndonjë qingj që do të therret për gosti, dëgjojmë në mbrëmje serenadat korcare
dhe kujtojmë kantautorët e vjetër e të rinj. Bëjmë xhiron e mbrëmjes në
bulevardin Shën Gjergji, shkojmë në kinematë Lluksi, Majestiku, kinoteatri A.Z.
Cajupi, dalim me familet ose shokët për të ngrënë e pirë te kafeneja e Pandës,
vizitojmë galerinë e pasur të Vangjush Mios, muzeun Bratko, ndërtesat e
donatorëve korcarë të kurbetit, meditojmë e flasim me përmendoren e Ushtarit të
Panjohur, të Themistokli Gërmenjit, hyjmë në shkollën Mësonjëtorja e Parë
Shqipe, ngjitemi në kodrat e qytetit e pijmë ujin e freskët nëpër burimet e
Moravës. Shikojmë mullinjtë e vjetër anës lumit, kishat e shumta, hanet
karakteristike dhe xhaminë e bukur të Iliaz Bej Mirahorit. Shoqëruar këto
bukuri dhe me disa nga poezitë e qëlluara të autorit kushtuar Korcës, mbushesh
me krenari dhe pa dashje të del nga zemra: S”KA SI KORCA JONE!