E diele, 28.04.2024, 02:29 AM (GMT+1)

Kulturë

Myzafere Mustafa: Këngët për UÇK-në

E hene, 19.11.2012, 09:09 PM


Këngët për UÇK-në vazhdimësi e këngëve historike të trimërisë

Nga Dr. Myzafere Mustafa, Instituti Albanologjik

Në stuhinë e shekujve, që nga antikiteti, në mesjetën e hershme dhe të vonshme e deri në ditët e sotme, populli shqiptar është përballur me pushtues të egër të ardhur  nga Karpatet, nga Azia dhe nga  viset tjera apo dhe me fqinjët që kanë synuar ta nënshtrojnë dhe asimilojnë. Në përballje me armikun ka pasur humbje, por edhe fitore, të cilat janë arritur me sakrifica dhe flijime. Krijuesi gojor nëpërmjet këngës ka krijuar një mjet të përshtatshëm për të fiksuar përballjet, luftërat, sakrificat, fitoret, jehonën e ngjarjeve të rëndësishme historike si dhe për të shprehur ndjenjat liridashëse, patriotizmin, forcën e karakterit etj. Kënga e trimërisë është reflektim i ngjarjeve dhe i rrethanave historike dhe sociale përkatëse në periudha kohore të ndryshme. Nëpërmjet shprehjes artistike krijuesi i këngës synonte që të projektojë dhe të reflektojë dëshirat, synimet, arritjet për një jetë të lirë, pa robëri. Ideja qendrore e këngës së trimërisë është fuqizimi i ndjenjës morale dhe kultivimi i ndjenjës patriotike për çlirimin nga zgjedha e pushtuesit. Ky fuqizim stimulonte ndjenjën se liria është pasuria më e shtrenjtë njerëzore. Intenca e këngës ishte të mobilizojë moralisht të gjitha shtresat e popullatës për mbrojtjen e  atdheut dhe ruajtjen e qenies kombëtare. Krijuesit dhe bartësit e këngëve popullore në vazhdimësi e kanë stimuluar ndjenjën e mbrojtjes së familjes, të pragut të shtëpisë dhe të trojeve etnike nga pushtuesi. ”Heronj të këngës historike janë luftëtarët që dalin nga skena e jetës, që udhëheqin popullin në ngjarjet vendimtare historike. Kënga historike kështu bëhet zëdhënëse e kohës...në këto këngë shfrytëzohen mjete artistike, formula e shprehje, elemente të morfologjisë e të sintaksit poetik që vihen në funksion të ideve të reja.[1]Në to ruhen një tog procesesh dhe dukurish themelore, siç janë: skemat e të treguarit emocional, kuadrot e gjalla të aksioneve luftarake, portretet entuziaste të heronjve, përshkrimet karakteristike të kundërshtarit etj.[2] Këngët historike janë shprehje e traditës krijuese dhe e talentit të individit kreativ, nëpërmjet tyre krijohet një relacion me historinë, me aspiratat, me temperamentin dhe kërkesat estetike të folklorit letrar gojor. Megjithatë  vlen të theksohet  se përveç funksionit estetik këto këngë kishin edhe mision dhe porosi të veçanta, si të tilla:”Këngët për mbrojtjen e atdheut nuk kanë figuracion të paqartë. Mënyra e komunikimit është e thjeshtë, e drejtpërdrejtë, porosia është kuptimplote, e prerë dhe nuk lë kurrfarë dyshimesh apo mundësish për pavendosmëri, luhatje. Ato paraqesin qëndresën dhe flijimin e individit dhe të  kolektivitetit”[3] “ruajnë kujtime të shtrenjta përkitazi me gjakderdhjen e sakrificat e mëdha të popullit tonë, të shumë e shumë luftëtarëve që u hodhën  në fushat e betejave, ranë në zjarret e përleshjeve...u bënë fli në altarin e atdheut.”[4] Krijuesi aktual gojor, pra këngëtari popullor kishte para vetes një krijimtari të pasur të këngëve historike të trashëguara nga brezat e kaluar e me të cilën janë ushqyer gjenerata të tëra. Lindja e këngëve të UÇK-së është vazhdimësi e kësaj krijimtarie, lufta e fundit e iniciuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka frymëzuar krijuesit, këngëtarët popullorë për krijimin e këngëve të reja të trimërisë me tematikën e luftës. Në këto këngë trajtohen shumë çështje lidhur me rolin dhe rëndësinë historike të formimit UÇK-së dhe të përpjekjeve të pareshtura të luftëtarëve të lirisë për t'u ballafaquar me një pushtues jo të barabartë për nga forcat por edhe të pabarabartë nga qëllimet dhe synimet. Kjo luftë e bën krenar krijuesin tonë gojor prandaj dhe këngët i përshkon ndjenja e krenarisë. Krijuesi gojor, pra këngëtari popullor këndon nga këndi afirmativ gatishmërinë e luftëtarëve të lirisë, të cilët në çastet më të ndjeshme dhe më të vështira të qenies sonë kombëtare i janë përgjigjur  thirrjes dhe detyrës patriotike kombëtare për t'iu kundërvënë një pushtuesi agresiv dhe të pamëshirshëm. Lufta e vështirë dhe e pabarabartë solli rezultatet e saj, por arritja e qëllimit, çlirimi  i trojeve nga okupatori pati pasojë humbjen e luftëtarëve të lirisë por edhe të popullatës civile. Pas përfundimit të luftës mbetëm pa shumë trima dhe trimëresha, që sakrifikuan jetën. Vepra e tyre po përjetësohet në krijimtarinë letrare gojore në veprat e shkrimtarëve dhe të piktorëve dhe në historinë tonë kombëtare. Është e natyrshme që kjo kohë i krijoi heronjtë, të cilët u përjetësuan edhe në traditën rrëfimtare dhe në atë muzikore. Sakrifica e luftëtarëve ndikoi lindjen e shumë këngëve që tani janë bërë jo vetëm pronë e mjedisit ku lindin dhe barten, por edhe pronë e të gjithë shqiptarëve në trojet e veta dhe në të gjitha anët e botës ku jetojnë. Tani këtë e mundëson mënyra e komunikimit dhe e bartjes nëpërmjet mediumeve të ndryshme elektronike.

Motivin e sakrificës së heroit të ditëve tona krijuesi i këngës popullore e thur sipas modelit të këngëve tona historike të krijuara gjatë shekujve lidhur me sakrificën e trimave që njeh historia. Në rrethana të reja është e natyrshme të lindin këngë me përmbajtje të reja, me figura e shprehje të reja  stilistike e gjuhësore. Motivi patriotik në këto këngë merr një kahe të re, në kuadër të kësaj krijimtarie formohet një fond i ri me një gamë të pasur temash e motivesh .

Tematika e këtyre këngëve është lufta e pa kompromis për çlirim nga okupatori i egër dhe arritja e lirisë. Brenda kësaj tematike zgjerohen motivet si: sakrifica, heroizmi, trimëria, arritja e unitetit, krenaria kombëtare, kontinuiteti historik i ekzistimit të shqiptarëve në trojet e veta, lufta për pavarësi etj. Ide qendrore e shumë këngëve është ruajtja e qenies kombëtare, krijuesi këtë ide e shpreh me shumë emocione:  Jo nuk shuhet kurrë Kosova! Ose Nuk durojmë me na u fikë zjarri! Zjarri  simbol ky mitiko biblik i ekzistencës së njeriut.

Edhe pse këngët e tilla korrespondojnë me ngjarje historike konkrete “krijuesi gojor i njëmendet, krijimit të vet nuk i ngarkon vetëm dimensionin  tematik dhe vetëm cilësinë e informacionit të zakonshëm, përherë i kushton kujdes dimensionit artistik, shprehjes gjuhësore poetike, nëpërmjet të së cilës përjetësohen artistikisht ato ngjarje dhe bën të mundur funksionimin më intensiv dhe më jetëgjatë” [5] ky mendim i shprehur për këngët me tematikë historike përkon edhe me natyrën e këngëve të mirëfillta për UÇK-në.

Brenda kësaj tematike  zhvillohen subjekte konkrete përkatëse si: lufta e familjes Jashari në Prekaz, betejat e lavdishme të Koshares, Jezercit, Llapushnikut etj., rënia e heroit në betejë, përballjet e familjeve me armikun. Është e natyrshme që në një sërë këngësh figurë qendrore të jetë komandanti Adem Jashari ndërsa personazhe, vëllai i tij Hamzë Jashari, babai Shabani, nëna Zahide si dhe familja e tërë Jashari, komandanti Mujë Krasniqi Kapuçi, figurë kjo madhështore e trevës së Dukagjinit, bashkëluftëtari i tij Rexhë Sefë Gashi – Mleqani, komandanti Zahir Pajaziti, komandanti Luan Haradinaj, komandanti Agim Ramadani, luftëtarët dhe trimat e tjerë, që kanë rënë gjatë Luftës Çlirimtare dhe trima që krijuan lëvizjen për çlirim kombëtar në rrethana të rënda të një sundimi të egër. Në një sërë këngësh, kur këndohet komandant Mujë Krasniqi, këngëtari veprimtarinë e tij heroike e trajton të ndërlidhur me veprimtarinë e komandantëve, shokëve dhe bashkëluftëtarëve të tij, ai gjithashtu trajtohet si bashkëluftëtar i Komandant Adem Jasharit.

Në këngët për komandant Mujë Krasniqin këndohet edhe bashkëluftëtari i tij Beqir Sefë Mleqani, të cilin Muja e kishte pasur bashkëluftëtar dhe shok kënge, me të kishte thurë dhe kishte kënduar këngë trimërie që nga fëmijëria. Këto këngë i kishin frymëzuar për veprat e tyre heroike të ardhshme. Por këngëtari popullor po ashtu thur këngë edhe për Xhevë e Fehmi Lladrovcin, për Shpend e Bekim Bajraktarin, për komandant Kumanovën, Adrian Krasniqin, Shkëlzen Haradinajn, për Islam Zeqir Rexhën, Ramadan Bytyqin e Mentor Gashin. Në popull thuhet: “Kënga del nga gryka e pushkës”, pra kënga lind pas një trimërie, apo pas ndonjë ngjarjeje të rëndësishme. Kështu, lindi edhe kënga e bukur që e këndojnë të bijtë e dëshmorit dhe rapsodit Beqir Sefë Gashi-Mleqani, pastaj kënga për vëllezërit Palucaj, Leonardin luftëtar dhe për vëllain e tij Agronin që u vranë nga dora serbe. Kënga lindi në kohën kur atyre ua varrosën eshtrat.

Krijuesi i këngës është krenar që i takon një kombi trim dhe kryeneç, që asnjëherë nuk është pajtuar të jetë nën thundrën e sunduesit prandaj edhe historikisht e ka kundërshtuar atë qysh në kohën e luftërave të Skënderbeut, pastaj në kohën e lidhjes së Prizrenit, kur ishin bërë përpjekjet më serioze në planin politik dhe luftarak për fitimin e pavarësisë, si dhe në kohën e Serbisë e Jugosllavisë.

Në këtë plan ngjarjet e luftës së sotme dhe figurat e kësaj lufte ndërlidhen me ngjarjet historike dhe me personalitetet e shquara historike si Skënderbeu, Jakup Ferri, Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni, Haxhi Zeka, Çerqiz Topulli, Hasan Prishtina, Mic Sokoli, Isa Boletni, Shote dhe Azem Galica, që konsiderohen simbol i qëndresës dhe heroizmit, Ismail Qemali, Isa Boletini, Luigj Gurakuqi si simbole të pavarësisë etj. Kjo ndërlidhje bëhet për t'ua dhënë peshën ngjarjeve dhe personaliteteve të luftës së sotme çlirimtare, ashtu siç e kanë peshën dhe rëndësinë personalitetet dhe ngjarjet historike si dhe për ta vërë në kontinuitet historik veprimtarinë patriotike. Krahas luftëtarëve të sotëm këndohen edhe veprimtarët dhe dëshmorët e lirisë Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Enver Hadri, Fazli Grajqevci, Fahri Fazlia, Afrim Zhitia, Hyzri Talla, Nezir Gashi e shumë e shumë trima e luftëtarë të rënë.

Sikurse Tomori që nga rilindësit shqiptarë konsiderohej vend i shenjtë ku qëndrojnë hyjnitë shqiptare, në këngët e UÇK-ë Prekazi trajtohet si simbol i shenjëtërisë atdhetare, i rezistencës kombëtare.

Këngët e UÇK-së kanë ruajtur strukturën e këngës sonë historike apo të trimërisë e cila kultivohet me shekuj nga krijuesit e këngës popullore, por edhe janë pasuruar me elemente të reja të kohës aktuale. Shumë motive dhe tema përsëriten në vazhdimësi, gjithnjë duke i shprehur specifikat e ngjarjeve përkatëse.

Vërehet një përpjekje e krijuesve të këngëve që mos të dalin nga rrjedhat e shtratit të krijimtarisë së traditës, si në planin e strukturës kompozicionale, në planin tematik dhe motivor të këngëve ashtu edhe në planin muzikor, të sajimit të melodisë dhe të përcjelljes me instrumente muzikore. Në këngë dominon kryesisht fryma e tipit heroik që madhëron trimërinë, sakrificën etj. Herë-herë dëgjohen këngë të tipit të elegjisë, por këngët e tilla janë më të rralla. E tillë është bie fjala kënga: Priste me ditë e priste me orë/ nana të birin n'derë të shtëpisë; ku vërehet një mpleksje e elementeve tradicionale me elemente të këngëve të reja.

Këngët kryesisht fillojnë me fraza dhe me formula të njohura të këngëve të trimërisë. Si bie fjala: Kush e nisi luftën ma i pari; Ose Ushton Gryka e Llapushnikut; N'ballë t’ushtrisë kush prin i pari/ komandant Adem Jashari, që njihen si formula hyrëse të këngëve të trimërisë. Tani krijohen fraza të reja që marrin karakterin e formulave të këngëve të trimërisë si bie fjala: Ushton mali ushton kodra/ flakë po digjet krejt Kosova; Kush me dhe e mbuloi ftyrën/ për Kosovë e lau detyrën; Mu në prill nantdhetë e tetë/ i hap shqipja krahtë e vet; Ra kushtrimi në malësi/ çonu n’ kambë o bijtë e mi/ me marrë rrugën për liri; Nisi luftën Dukagjini/ para u printe Mujë Krasniqi; Diell e hanë more lot lëshun/ po nanë loket s'u dorzun. Oj Drenicë bija Shqipnisë / brez mas brezi luften ke nisë; Rreth flamurit që na prin / S’ duron shqipja robërinë;Në Prekaz e kem konakun /Për vatan e derdhim gjakun.

Me kalimin e kohës këngët lirohen nga elemente të tepërta dhe pasurohen me figura dhe mjete artistike, ku zënë vend simboli, krahasimi, metafora. Këngëtari që në vargjet e para të këngës kërkon dhe gjen metafora të bukura që ushqejnë jo vetëm ndjenjën patriotike, por edhe ndjenjën artistike për të bukurën e artit popullor. Derisa vargjet e këngëve të cekura më lart si: Kush me dhe e mbuloi ftyrën /për Kosovë e lau detyrën, apo Ra kushtrimi në malësi/çonu n’kambë o bijtë e mi/ me marrë rrugën për liri,  kanë për qëllim të madhërojnë veprën patriotike të dëshmorëve të rënë për liri si dhe kanë karakter programatik për Luftën Çlirimtare, vargjet: Diell e hanë more lot lëshun/ po nanë  loket s’u dorzunë, janë një metaforë e zgjedhur për të shprehur dhembjen e nënave për humbjen e të bijve, dielli dhe hëna dy simbole të dritës, përkatësisht lirisë reagojnë për humbjen e trimave të rënë në mision  të lirisë, ndërsa nënëloket nuk i dorëzohen dhembjes, ato lirinë e kanë më të  shtrenjtë se jetën e bijve të vet.

Në planin leksikor dhe mitologjik vërehet përdorimi i mjeteve shprehëse nga aktualiteti dhe riaktualizimi e rifunksionalizimi i figurave të mitologjisë sonë, të cilat funksionojnë sidomos në këngët epike për kreshnikët. Heronjtë e lirisë krahasohen me dragoin, figurë mitike e cila simbolizon heroin kulturor, ndërsa armiku cilësohet si kuçedër që në mitologjinë popullore është simbol i të keqes, i ndaljes së ujit, burimit të jetës.

Simbolet kombëtare si: shqipja dykrenore, flamuri kombëtar dhe Skënderbeu, që tani më kanë karakter të simbolit të krenarisë dhe të unitetit kombëtar rifunksionalizohen natyrshëm në këto këngë. Vargu i këngëve është zakonisht monokolor, sikurse ai këngëve të vjetra të trimërisë, por hetohet edhe ndarja e këngës në strofa dhe bëhet ndërkallja e refrenit, që është veçori e krijimtarisë muzikore të shkruar artistike. Këngët zakonisht këndohen nga një, dy apo më shumë këngëtarë të përcjellë me instrumente muzikore popullore si çifteli, sharki, e herë - herë çifteli, sharki dhe def apo tupan (daulle), ose çifteli, sharki dhe fyell pastaj hetohet përdorimi i shpeshtë i zurlave dhe daulleve. Kur këndohen në grup, grupi funksionon si një tërësi mjaft homogjene. Ndonjëherë vërehen përpjekjet që grupi të marrë karakterin e korit.

Këngët për UÇK-në kanë një rëndësi të shumëfishtë, meqë ruajnë përtërijnë dhe pasurojnë këngët popullore të trimërisë. Këngët e lirisë, ato më cilësoret, përjetësohen në kujtesën popullore si përmendore artistike që u ngrihet luftëtarëve të lirisë. Kjo përmendore do të jetojë dhe do të mbetet pjesë e historisë sonë të lavdishme për t’u kultivuar brez pas brezi në krijimtarinë tonë artistike.


[1] Qemal Haxhihasani, Epika popullore historike shqiptare,në Kultura popullore, Tiranë,2,1982, f.13.

[2] Po aty. f.13.

[3] Rrustem Berisha, Kënga art dhe histori, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1998.f.35.

[4] Demush  Shala, Mbi epikëntonë popullore historike, Rilindja, Prishtinë, 1982, f.9.

[5] Anton Nikë Berisha, Qasje poetikës së letërsisë gojore, Rilindja, Prishtinë, 1998, f.355.



(Vota: 27 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora