E shtune, 27.04.2024, 03:14 PM (GMT+1)

Kulturë

Ilir Sefaj: Gjaku që këndon- lirikë e trazuar

E shtune, 17.11.2012, 04:25 PM


Qasje

Gjaku që këndon- lirikë e trazuar

Nga Ilir Sefaj

Dihet mirëfilli se vitet ’90 të shek. XX  e gjetën popullin shqiptar përgjithësisht e në veçanti atë në Kosovë në një situatë tejet të palakmueshme politike, ekonomike e sociale, ku represioni ndaj shqiptarëve në Kosovë rritej dita e ditës. Një situatë e tillë tejet e pafavorshme e cila rëndonte çdo ditë e më shumë mbi jetën e njeriut tonë sigurisht se influencoi edhe në krijimtarinë letrare, por edhe atë artistike përgjithësisht.

Është e natyrshme se këtë situatë tejet të rënduar, që rrezikonte në maksimum qenien tonë, më parë se gjithsecili duhet ta kenë ndjerë poetët, meqë bota shpirtërore e poetit është gjithnjë më e ndjeshme karshi këtyre situatave, dhe krijuesi i mirëfilltë, nuk mund të qëndrojë indiferent karshi këtij oguri që impononte dekada e fundit e shekullit të kaluar.

Sigurisht në mesin e poetëve që prore i kënduan njeriut halleve, brengave dhe përsiatjeve të tij për një jetë më të dinjitetshme, përpjekjes së po këtij njeriu për të përballuar furtunat që sjell jeta pa dyshim është Din Mehmeti.

Nga kritika letrare e kohës, por edhe nga e ajo e mëvonshmja arti poetik i Din Mehmetit është krahasuar me atë të Migjenit. Në shikim të parë ky konstatim edhe mund ta krijojë një dozë inferioriteti, por nëse hyjmë në thelbin e krijimtarisë letrare të artit që plasoi pena e këtyre dy kolosëve të letërsisë shqiptare, do të shohim se ata faktikisht janë pandan i njëri-tjetrit, ani pse mjetet e tyre shprehëse dallojnë në esencën e tyre.

Përderisa arti poetik i Migjenit ishte kryekëput realist, dhe dominonte shprehja e parë, poezia e Din Mehmetit përçon pothuajse të njëjtin mesazh, vetëm se në vargun e tij dominon figura stilistike e në veçanti metafora, por jo në masë më të vogël ironia dhe alegoria.

Jemi të një mendjeje me ata që konstatuan se krijimtaria letrare e Din Mehmetit pësoi transformime të dukshme gjatë viteve si në planin e shprehjes gjuhësore, po ashtu edhe në atë të zgjerimit të gamës tematike.

Arti poetik i këtij krijuesi bëri për vete lexuesin e supozuar qysh në paraqitjen e tij të parë, mirëpo kjo krijimtari sigurisht se kulminacionin e saj, sa i përket vlerës letrare do ta arrijë pikërisht në vitet ’90 të shekullit pararendës, ngase poeti ynë tashmë kishte një përvojë të gjatë në artin e fjalës së shkruar, dhe se dekada e fundit e shek. XX, influencoi dukshëm në poezinë e këtij poeti, ngase tashme kishte ardhur koha që t’i armatosësh vargjet siç do të shprehej mjaft bukur ai në një poezi të tij.

Siç u tha poezia e këtij krijuesi i dedikohet halleve të njeriut, dilemave të këtij të fundit përballë situatave jetësore që gatuan koha, mynxyrave me të cilat ndeshet njeriu gjatë rrugëtimit të tij, sfidat që duhet ët kalojë ai në jetë. Dhe për poetin jeta është një lojë me rregullat e saja të cilave njeriu duhet përshtatur me doemos:

Mbi vdekje ngritet jeta

Mbi jetë vdekja

...

Çdo gjë tjetër është harrim

Pra, kjo vjershë është e ndërtuar kryesisht mbi kontrastin, jetë-vdekje, aty ku ka lindje ka edhe vdekje, aty ku ka vdekje ka edhe lindje. Mesazhi ose toni ironik që përçon poezia është i qartë: “jeto edhe atëherë kur është më së vështiri të jetohet”, ngase gjithnjë ‘mbi vdekje ngritet një jetë e re’, e cila vjen si rezultat i qëndresës së njeriut përballë furtunave që sjellin motet.

Karakteristike për poezinë e Din Mehmetit, por edhe e një numri të konsiderueshëm të poetëve që krijuan në dekadën e fundit të shekullit njëzet, mbetet gjuha e depatetizuar (jo-patetike) dhe kjo poezi është e çliruar nga iluzionet dhe dogmat të cilat në njëfarë mënyre e ngufatin shprehjen  e lirë.

Libri poetik “Gjaku që këndon” dhe pothuajse e tërë krijimtaria letrare e Din Mehmetit e krijuar në periudha të ndryshme nuk pëson transformim të madh ideostilistik, dhe kjo është dëshmi se poeti kishte krijuar një profil serioz krijues, mirëpo siç edhe është pritur, në poezinë që krijoi viteve të fundit, dominon toni ironik karakteristikë kjo për artin postmodern.

Një dozë e theksuar ironie e cila shpreh zhgënjimin e autorit përballë një sistemi të egër monist që mbretëroi në Shqipërinë e idealeve të tij për afro 50 vjet, vihet në pah në poezinë “Monologu i Bertës”, ku poeti shpreh mllefin për ato idealizmat e rreme që ushqente një popull i tërë dhe për ato sakrificat e shpërfillura që bënte njeriu ynë andej e këndej kufirit për një ideologji e cila u dëshmua utopike:

Kemi shkruar parulla lavdie për ta

I kemi mbështjellë me to sheshet

Qytetet e fshatrat

U kemi ngritur përmendore

Pallate e vila

Por ata prapë na burgosnin

Na vritnin...

Edhe pse vargjet e sipërcituara shprehin atë indinjatën e thellë të poetit karshi një etape kohore e cila kishte fanitur ëndrrat e shumë brezave, dhe përkundër fakti se periudha e tranzicionit në Shqipëri në optikën e poetit shihet si një sfidë e vërtetë, ndërsa në Kosovë ekzistonte një situatë tejet e brishtë politike e sociale, Din Mehmeti, prore ka dëshmuar me vargun e tij, por edhe me jetën e tij tokësore, se njeriu duhet të qëndrojë stoik dhe i pathyeshëm karshi realiteteve që shpeshherë dinë të jenë të hidhura. 

Poezi e patosit kombëtar

Krijimtaria letrare e Din Mehmetit përfshinë një gamë të gjerë tematike-motivore dhe karakterizohet me një fond të pasur të mjeteve shprehëse ku dominojnë figurat stilistike si: metafora, alegoria, ironia, etj. Pastaj veçanti e kësaj poezie është edhe  toni lakonik i përdorur me shije nga autori, si dhe fondi i pasur i fjalëve apo i neologjizmave që ka krijuar ai.

Duke qenë poet i esencës nacionale në kuptimin e parë të kësaj fjale, do të ishte e pamundur që muza poetike e këtij krijuesi të mos prekte dashurinë e vrarë, gjysmën tjetër të autorit (atdheun e ndarë) e cila kishte ngelur prapa e mbyllur me mjegull e tymnajë dhe kishte fanitur ëndrrën e tij për t’u bërë tërësi:

I kam shtrirë duart deri në pafundësi

Gjysmën tjetër për ta kapur

Sa për t’u çmallë

Por erdhën dimrat e u bëra akullnajë

Erdhën shirat e u bëra vërshim

Erdhën mjegullat e i mbyllën rrugët

E agimit të bardhë

Kur të vdes

Lerëni pranverat të lotojnë për mua

Se kurrë s’u bëra tërësi

Pra, ky njeri i përgjysmuar sikurse edhe sugjeron titulli i kësaj poezie, do ta ketë statusin e njëjtë edhe pas ikjes së tij fizike, dhe ky mall i pashuar i cili ka bërë që njeriu ynë të ndjehet edhe fizikisht i përgjysmuar do të bëhet njëri nga obsesionet tematike për breza të tërë krijuesish, të cilët në nuhatjen e tyre e ndjejnë se, do të ikën nga kjo botë pa u bërë tërësi. Sigurisht, plagë kjo e cila do t’u rëndojë edhe mbi varr.

Diskursi i Din Mehmetit buron kryekëput nga përditshmëria, nga jeta reale, autorin e inspirojnë edhe gjërat më të imta që ngacmojnë muzën e tij, mirëpo kjo nuk do të thotë se poeti nuk njihte në thelb kryeveprat e letërsisë Evropiane e botërore, madje ai jo njëherë e pranon se pikërisht nga këta poetë të mëdhenj botërorë si: Neruda, Rembo, Malarme, Bodleri etj., kishte mësuar se si shkruhet poezia.

Kur flasim për statusin e tekstit mund të themi se poezia e këtij autori në të shumtën i përgjigjet diskursit ironik, ndërsa nisur nga kriteri i kategorisë ky varg i përgjigjet në masën më të madhe lirikës personale.

Krijimtaria poetike e Din Mehmetit është e pashkëputur nga intonacioni i saj ironik thumbues, e në veçanti atëherë kur vihet në pah tendenca e poetit për inkuadrimin e temave të reja në artin poetik e që kanë të bëjnë me ngjarjet tragjike që përcollën popullin e poetit gjatë historisë.

Libri poetik “Prapë fillimi” të cilin në fakt më shumë do e konsideronim si përmbledhje poezish ku nuk mungojnë edhe vargjet deklarative, është i ndarë në katër cikle: “Fjalëve u ra kuptimi”, “Kërkime, “Në ëndrrën e barit” dhe “Meditime lirike” ku secili cikël në vete jep fatin e individit i cili gjendet në udhëkryq, i mbyllur shpeshherë në vetminë e tij pa e pasur të qartë udhëtimin e tij nëpër shtigjet e jetës.

Din Mehmeti me vargun e tij poetik prore u mundua që ta pasqyrojë dhe ta gjykojë gjithsesi në mënyrën e tij, dramën tonë jetësore, ecejaket tona kombëtare gjatë historisë, dhe ky varg u ngrit gjithnjë kundër destrukcioneve të njerëzve që synonin t’i fanitnin ëndrrat, t’i shuanin shpresat dhe të ngjallnin frikën.

Poezia e këtij autori është tejet kritike, jo rrallë edhe përjashtuese ndaj rrethanave të caktuara historike, por këtë protestë autori e shfaq bukur me metaforat e tij, dhe nuk rrëshqet asnjëherë në folklorizëm  estradesk. Çka do të thotë se, poeti gjetjet artistike dhe teknikat e tij krijuese, si dhe temë-dilemat i vë në shërbim të figurës letrare, që të shumtën është metaforë e jo më rrallë ironi, alegori, kontrast, antitezë etj.

Karakteristike për këtë autor është edhe fakti se brenda kopertinave të të njëjtit libër gjejmë vargje që për nga tematika rrinë larg njëra-tjetrës, dhe kjo e vërtet na çon te konstatimi se në të shumtën ky autor është paraqitur më përmbledhje poezish së sa  me libra poetikë.

Ta zëmë në libërthin “Prapë fillimi” autori ka një cikël poezish ku i këndohet përpjekjes së njeriut për mbijetesë, në po të njëjtin libër ekziston një cikël i dytë ose i tretë poezish ku i këndohet dashurisë, ose ambientit, apo edhe idealizohet një figurë e dashur nga fëmijëria e poetit.

Sidoqoftë, kur flasim për artin poetik të këtij krijuesi, teknikën e tij krijuese, përgjithësisht jemi të një mendjeje me atë që konstaton edhe studiuesi e kritiku i njohur i letrave shqipe Adriatik Kallulli i cili ndër të tjera shton; “Din Mehmeti realizon me nivel të lartë edhe poezinë me subjekt, edhe atë meditative, edhe elegjinë e ngrohtë lirike, edhe dramat epike”.

Din Mehmeti është poet që frymëzohet edhe nga dromca tejet të imta të jetës individuale e shoqërore, ai me artin e tij poetik synon që t’i prek përhershmëritë dhe kurdoherë t’i ushqejë shpresat e njeriut se në botë do të dominojë toleranca e mirëkuptimi, ani pse njeriu i tij është rritur përballë imazheve të vrazhda që ka gatuar koha.

Doemos, arti poetik që dha pena e këtij krijuesi meriton vëmendje më të madhe në komitetin e kritikës letrare jo vetëm në Kosovë, por gjithandej nga krijohet ajo, dhe jemi më se të bindur se një qasje më serioze drejt këtij arti do të japë rezultatet e veta.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora