E merkure, 30.04.2025, 09:44 AM (GMT+1)

Kulturë

Roland Beqiraj: Shtëpia e vjetër e burrit plak

E merkure, 14.11.2012, 08:31 PM


Roland Beqiraj

Shtëpia e vjetër e burrit plak

Ka mbetur i vetëm. Kishte kaluar të tetëdhjetat, por përsëri mbahej mirë. Jetonte në shtëpinë 180 vjeçare të trashëguar nga i ati. Kjo shtëpi e madhe dy katëshe i kishte rezistuar kohës vetëm  në sajë të restaurimeve të pjesshme, por mbi të gjitha ajo u kishte mbijetuar furtunave të historisë. Por ti shpëtoje të kaluarës, nuk do të thotë asgjë për të tashmen. Këtij burri të vjetër, tani i mbetej edhe një betejë e fundit. Në shekullin e ri nuk e vriste njeri mendjen për sentimentalizmin. Në një botë të tillë askush nuk pyet për kujtimin e pleqve. . .

1.

Jetoj i vetëm në këtë botë,
por kam shtëpi të madhe.
I vjetër jam unë, e vjetër është edhe ajo.
Nuk dimë më si të mbrojmë njëri-tjetrin.
Kur të vdes unë, le të rrënohet dhe ajo,
le të kthehet në një muranë
me mua brenda. Ta braktis nuk dua,
pasi kështu braktis paraardhësit,
truallin prej balte dhe mjalti;-
aty qëndron edhe ngrehina e krenarisë time.
Brenda këtyre mureve të gurtë;
në çdo kthinë apo skutë,
brenda këtyre sendeve,
në mobilie;- dollapë, musëndra,
qilarë, zamzane rakie,apo bute vere,
gjenden kujtimet e të parëve dhe ato të mia.
A mundet të ikë kështu njeriu nga shtëpia,
duke braktisur gjithçka dhe kujtimet... ?
Një plak si unë
nuk mund të largohet me duar në xhep,
pa kujtimet e të vdekurve të tij.
Nuk ka asnjë mundësi të transportosh
kujtimet ,njësoj si sendet.
A mund të ketë fuqi një plak si unë
të thërras kujtimet e stërgjyshërve ,gjyshërve,prindërve
apo vajzës së shtrenjtë dhe gruas së dashur,
mes lutjesh t’u them : - ejani kujtimet e mia,
ejani hyni në baule, pasi do u çoj në shtëpi tjetër.
Zoti mos e dhëntë. Kjo është një përçartje pleqërie,
kujtime nuk mund të jetojnë kudo,
aty ku shpirti dhe trupi nuk kanë jetuar.

2.

Gjithmonë kam pasur besim tek vetja
për të sunduar fatin.
Të gjithë më kanë quajtur burrë të fortë.
Tani e di,do më quani të çmendur.
 Por më tregoni ju që po më lexoni;
- përse të mos ndodhë kështu?
Këtë tokë e shkatërrojmë dhe e lulëzojmë ne,
lërojmë dhe korrim atë çka mbjellim,
ndërtojmë shtëpitë tona me djersë dhe gjak.
Kur bëjmë të gjitha këto
përse të mos jemi unë zot i fatit?

Kështu kam besuar dhe ende kështu besoj.

Shumë gjëra më vijnë ndërmend,
mendimet nuk më lenë të qeta.
Meditoj sidomos mbrëmjeve.
Kur dielli perëndon, i qetë pres natën të bjerë.
Kështu më ndodh edhe netëve të ftohta.
Stinët janë mosmirënjohëse me pleqtë.
Ata e duan natyrën,
stinët i duan të gjitha njësoj,
ndërsa dimri gjithmonë na kërcënon...
Frikën na fut në palcë dilema
nëse do të zgjohemi në mëngjes.

Ky është shkaku i pagjumësisë tek pleqtë; -
filozofojmë nga frika jo nga mençuria.

3.

Sa të marrë janë bërë njerëzit e sotëm,
djelmosha arrogantë,
që djalli u ka dhënë pushtet,
e kanë zënë keq me ne pleqtë.
Duke u vërtitur lart e poshtë,
hiqen si të zgjuar,prodhojnë ide.
Ne na quajnë teveqelë.
Na urdhërojnë të braktisim shtëpitë atërore
Për të ndërtuar gjoja një qytet modern.

Fillimisht e zunë me heronjtë.
I lëvizën nga vendet.
Këta buzëqumësht
nuk mund të jetojnë bashkë me ta.
Tërbohen nga lavdia dhe hija e tyre.
Askush nuk ngre krye.
Thonë se këta spurdhjakë
janë shumë të zotë,
sa të lënë me gisht në gojë.
Mes tyre nuk kam asnjë mik.

Fillikat jam,
Asnjeri se kalon pragun e shtëpisë.
Mbetem i vetëm në këto mbrëmje
që si unë vuajnë mbretërinë e heshtjes.
Të gjallët na kanë braktisur,
na mbeten vetëm të vdekurit.

***

Po më ndodh diçka e çuditshme;
ndoshta më keni dëgjuar që kam thënë
se njerëzit janë bërë të këqij!
Ende e kam këtë mendim.
Por nuk e di ç’ të them;
Nuk më pëlqen aspak të vi tek ju,
Preferoj të ruaj
këtë status quo; ju atje, unë këtu.

Dua të jem gardian kujtimesh
në këtë vatër ku vdiqët ju e jetoj unë.
E shtrenjta ime më fal
që nuk mund të jem me ty.
Nëse dhe unë jam aty,
kush do i ruaj kujtimet tona,
që kanë vlerë vetëm kur janë
të gjalla mes njerëzish të gjallë.
Të gjithë na lanë.
Vajza jonë që krah teje pushon,
do qajë siç qante gjithmonë
kur i mungonin sendet e saj.
Të gjitha i kam këtu, në këtë dhomë.
 Çdo mëngjes më pëlqen ti vizitoj.
U them mirmëngjes
sendeve që ajo më shumë do.
Arushi prej pellushi
qëndron në të njëjtin vend
ku ajo ditën e fundme 
e la me dorën e saj.
Po kështu dhe kutinë e bizhuve.
Një i kuq buzësh ndodhet ende
në dritaren që sheh nga rruga.
Është tretur si qiri,
por unë nganjëherë
vetëm e prek dhe e lë sërish.
Ndërsa rrobat ende kanë aromën e saj;
nuk dua ti dhuroj ashtu
siç bëra me rrobat e babait.
Po me pajën e saj
çdo të bëjmë e dashur?
Disa plaka më thanë
që ta largoj nga shtëpia.
Ato thonë se kur një vajzë
e rrëmben vdekja,paja e saj
i jepet një nuseje me dhëndër.
Më duken të djallëzuara;
pasi më morën të gjitha stolitë e tua.
Tani që më mungojnë aq shumë,
më duket se më vdiqe për herë të dytë.

Të gjithë më kanë lënë vetëm,
në shtëpinë tonë
askush nuk shkel nga farefisi.
Unë nuk jam më ai  i pari,
shtëpia është lënë pas dore,
bodrumet janë mbushur me ujë,
dhomave luajnë merimangat.
Dhe rruga para shtëpisë
është lënë në mëshirë të fatit.
Trëndafilat janë tharë,
kopshti është mbuluar nga hithrat dhe bari. 
Mos u shqetëso e dashur,
më kanë lodhur hallet me të gjallët;
janë djelmoshat lapangjozë
që duan rrënimin e shtëpisë tonë,
prandaj disa gjëra janë lënë pas dore.

4.

Një grua e veshur me të zeza
ecën rrugës së ngushtë,
që të çon në pazarin e thashethemeve.
Mësoi çfarë thuhej për të mëdhenjtë
e qytetit; për djelmoshat potentë e impotentë,
për vajzat e ndrojtura që nuk dalin as për kafe
si dhe për kurvicat që orën vrasin duke pirë cigare.
Ato epshin  shfryjnë në tualete
nga  paaftësinë e djemve për të qenë meshkuj.

Në mbrëmjen e vonë gruaja e rraskapitur kthehet,  
mbledh yjet që rrëzohen, i fut në një shportë
për t’ua lënë tek koka të vdekurve të rinj,
që nuk janë miqësuar akoma me varrezat.

Nuk do e kuptoni miqtë e mi se çfarë bëhet,
të gjithë çmenden nga pak.
Askush nuk kapet nga fjala Ati im.
Kemi mbetur në ditë të hallit
mes shpresës dhe pikëllimit.
Jetojmë me  ndërgjegje të vrarë
që lejuam indiferencën
për të shkatërruar gjithçka,
shkatërruam dhe veten.
Egërsia na vrau.
Na hyri tinëz si miku dhe armiku.
Ranë kambanat e frikës.
Nga tmerri vjellim gjak -
Njëherë e një kohë
vrer villnin të parët tanë.
Ne kur kemi qenë të rinj,
zbeheshim pasi ishim të dobët,
turpëroheshim që bëheshim dhëndurë
në moshë të vogël- pasi në shtëpi
nuk kishim ngritur asnjë mur.
Sot nuk ka turp : -
të penduar nuk janë as ata
që thikën të ngulin në shpinë.
Të rrëmbejnë atë që nuk kanë;
shpirtin dhe shtëpinë.
Shoh ato që kurrë nuk i kisha parë;
rrënimin dhe frikën në të njëjtën kohë.
Rruga është e shkurtër për të parë fundin – varrin!
Mundimi  është tepër i gjatë.
Uzurpatorët e pushtetit na prishën vatrat.

Luftë bëjnë me historinë në kohën e paqes.

5.

Revolucioni nuk iku ... erdhi ...!
Mbi gërmadhat e pleqve
ndërtohet  qyteti modern ! –
Këto parulla i dëgjoje ngado.
Koha jonë quhej e vjetër,
që meriton të zëvendësohet.

Dhe e zëvendësuan.

Nuk ka nevojë të numërosh
ato që janë rrënuar.
Numërohet një, dy... dhjetë,
gjithçka tjetër është shkatërrim. 
Kush e thotë këtë? – Bërtet kryetari bashkisë.
E themi ne, - ia ktheu miku im.
Ai ia priti : Ti! Kush je ti?
Ti je një plak që po jeton  gabimisht.

Shumë gjëra që zemra nuk i do, syri i sheh.
Megjithatë nuk bëmë çfarë kishim ndërmend,
nga frika apo koha e pamjaftueshme, nuk ka rëndësi.

Rrënim, mjegullnajë deri në harrim ...

***

Mëngjes vjeshte. Plaku dha dorëheqje nga jeta. Serioz , i ftohtë.
Shpirti iu vra. Zemra iu rebelua, kërkonte të arratisej nga gjoksi,
nuk mundi. Nga e keqja plasi vetë zemër e shkret. E burri plak
përgjithmonë hesht, pret të bashkohet me pjesën tjetër, të shkojë
tek të vdekurit e tij. Do apo s’ do, mbi gërmadha nuk mbeten
kujtimet. Kishte nevojë për Zotin. Nuk iu lut të ulej me të,
të kuvendonte për hallet e të gjallëve. E dinte që nuk do kishte
asnjë mrekulli- nëse Zoti do të zbriste në tokë, pa kaluar shumë ditë,
do të bëhej njësoj si ata. Burri plak mbylli sytë përjetë
             i bindur se Zoti më tepër mëshiron të vdekurit.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx