E hene, 29.04.2024, 09:23 AM (GMT+1)

Kulturë

Mihal Gjergji: Homazh, veprës së shquar të Rilindasve

E enjte, 15.11.2012, 07:53 PM


Mihal GJERGJI

 

Homazh, veprës së shquar të Rilindasve

 

SHTATË KËNGË PIKËLLIMI

 

I.

Shqipëria ime,

as në gjumë, as e zgjuar

Ëndrrat ja trazojnë frikshëm

shkjau, andartët e djalli…

Evropa,

kurva plakë,

në pesë copa e ndau.

Fle Shqipëria,

vetëm dhimbja rri zgjuar

Nata një shekull e gjatë

Sa e zezë kjo natë!

 

Kollitet Atdheu,

përgjakur nën thika traktatesh

nga Parisi, Berlini e Londra

Përgjunjet diku,

e prapë si Anteu!

Rilindja,

ngulmon e rënkon nën peshë tradhtie!

Në shtigjet e shpresës

shikoj një yll të venitur…

 

Në vënd të Krishtit paska ardhur Juda,

frika në këmbë të Muhametit

Barktharët,

lëngojnë e presin,

të ndukin gjinjtë e shterur të shtetit…

 

II.

Në zjarrminë e etheve

Digjet Tirana

Është sëmurë, më besoni

Jo gropat e zeza, as betonet pa fund,

Dëshpërimin njerëzor lexoni

 

Është drobitur qyteti-si shteti

Kryeministri-jo, as ministrat

Asnjëherë i sëmurë Presidenti !

 

III.

Jemi skllevër të lirë,

pa pranga,

te këmbët pa zinxhirë

(S’mund të thoni:

është gjëndje mjerane!)

Panairet e botës bredhim,

si statuja pa krahë

Në xhep pasaportë evropiane !

 

IV.

Për lotët e nënave askush s’përgjigjet:

Pse kaq shumë rëndojnë ?

E ç’vlejnë:

Muzeu Prado, në Madrid

Tate Modern, në Londër

Piramida e qelqtë, në Louvre ?!

Se ç’kanë brenda lotët

muzeumet,

s’kanë forcë ta tregojnë.

 

Brenda tyre janë brengat e dheut

prej mishi e gjaku,

psherëtimat e brezave, gjysh pas gjyshi,

të pathënat e tyre;

nga kërthiu i njomë te plaku

 

Ç’të bëj me ta ?!

Do t’ua nis mërgimtarëve

Ylberin e dhimbjes shqiptare

T’ia përplasin në fytyrë:

Evropës shurdhane

Botës së akullt,

verbane

T’ua tregojnë

Emisarëve-aktorë,

që bujari e nderim u jep Shqipëria

Ndërsa atyre,

më shumë se sa goja, u flet interesi:

Okej Albania !

 

V.

Mes qytetit-në zemër të shtetit

Kryevëndin ka zgjedhur një kryq

Tundet e s’di ç’mallkon

(S’flet shqip!)

Një korb kobëtar

‘lutjet’- lexon, në gjuhë të vet

Bien kambanat

Të gjithë nxitojnë e askush s’ndalon

(Edhe koha s’ka kohë të ndalojë!)

Gjysmëhëna

mes reve e fsheh pikëllimin

 

S’kam kë pyes:

Gjitonët,

ç’ditë kobi na ndjellin,

e ç’helm brënda ‘mjaltit’ na sjellin?!

 

Çudi!

As njërin, as tjetrin s’i ftuam

E harruam Diellin-Perëndi

Tomorrin me orakujt e shenjtë

Veten tonë e harruam

 

VI.

“Ushtar i panjohur”,s’është më vetmitar

Hijet rreth tij mërmërijnë:

A ke punë zotni?

Sa shumë anonimë e lypsarë !

Me Atdhe, por pa shpresë,

shtëpitë pa çati e vatrat pa zjarr

si morti u qepet trishtimi…

Jemi në Lindjen pa lindje,

jemi larg

Sa larg Perëndimi !

 

Gjallojnë “nga mshira e pamshirve”

lëvizin ngadalë, si shtatore

nga qëndra-përballë Parlamentit

Zemërthyer ua shoh:

prangat dhe frikën

Brenda syve të tyre-

kamzhikët e urrejtjes

godasin

kolltukët e butë të pushtetit

Më kryqëzon shikimi i tyre

më shpon gjer në eshtër

 

VII.

Në Tiranë,

mirësi prej tiranëve kërkojmë,

që Tetori i nxjerr kohë pas kohe

(Ky muaj, ç’mallkim që mban brënda

Pse lulet të thahen,

e buqetat pertokë t’i rrëzojnë?!

Pas argjëndit të vjeshtës

pse dalin hithra e gjëmba…?!)

 

Na ropën një grusht me kusarë

Na thinjën pusht-etarët,

pa gjak e pa shpirt e pa nder

Dhe ajrin, dhe fjalën, dhe jetën,

të gjitha i vënë në kandar

Kush vonon të paguaj

qefinin

e ka në defter.

 

Si thoni:

Të hesht e të lypi mëshirë?

Kam frikë

nga marazi mos plas

Ç’mendoni,

Të presim të biem martirë?

Kam frikë të flas

Nata është mbushur me xhinde

e xhindet, t’i lexojnë mendimet

dhe në heshtje ndëshkojnë…

Në ballin e tyre

s’hap brazda mjerimi

As Zoti s’pergjigjet, por hesht!

Nga viset e mia,

një qyqe do sjell

të këndojë këtë këngë trishtimi !



(Vota: 13 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora