| E shtune, 17.11.2012, 04:25 PM |
Qasje
Gjaku që këndon- lirikë e trazuar
Nga Ilir Sefaj
Dihet mirëfilli se vitet ’90 të shek.
XX e gjetën popullin shqiptar
përgjithësisht e në veçanti atë në Kosovë në një situatë tejet të palakmueshme
politike, ekonomike e sociale, ku represioni ndaj shqiptarëve në Kosovë rritej
dita e ditës. Një situatë e tillë tejet e pafavorshme e cila rëndonte çdo ditë
e më shumë mbi jetën e njeriut tonë sigurisht se influencoi edhe në
krijimtarinë letrare, por edhe atë artistike përgjithësisht.
Është e natyrshme se këtë situatë tejet të
rënduar, që rrezikonte në maksimum qenien tonë, më parë se gjithsecili duhet ta
kenë ndjerë poetët, meqë bota shpirtërore e poetit është gjithnjë më e ndjeshme
karshi këtyre situatave, dhe krijuesi i mirëfilltë, nuk mund të qëndrojë
indiferent karshi këtij oguri që impononte dekada e fundit e shekullit të
kaluar.
Sigurisht në mesin e poetëve që prore i
kënduan njeriut halleve, brengave dhe përsiatjeve të tij për një jetë më të
dinjitetshme, përpjekjes së po këtij njeriu për të përballuar furtunat që sjell
jeta pa dyshim është Din Mehmeti.
Nga kritika letrare e kohës, por edhe nga e
ajo e mëvonshmja arti poetik i Din Mehmetit është krahasuar me atë të Migjenit.
Në shikim të parë ky konstatim edhe mund ta krijojë një dozë inferioriteti, por
nëse hyjmë në thelbin e krijimtarisë letrare të artit që plasoi pena e këtyre
dy kolosëve të letërsisë shqiptare, do të shohim se ata faktikisht janë pandan
i njëri-tjetrit, ani pse mjetet e tyre shprehëse dallojnë në esencën e tyre.
Përderisa arti poetik i Migjenit ishte
kryekëput realist, dhe dominonte shprehja e parë, poezia e Din Mehmetit përçon
pothuajse të njëjtin mesazh, vetëm se në vargun e tij dominon figura stilistike
e në veçanti metafora, por jo në masë më të vogël ironia dhe alegoria.
Jemi të një mendjeje me ata që konstatuan
se krijimtaria letrare e Din Mehmetit pësoi transformime të dukshme gjatë
viteve si në planin e shprehjes gjuhësore, po ashtu edhe në atë të zgjerimit të
gamës tematike.
Arti poetik i këtij krijuesi bëri për vete
lexuesin e supozuar qysh në paraqitjen e tij të parë, mirëpo kjo krijimtari
sigurisht se kulminacionin e saj, sa i përket vlerës letrare do ta arrijë
pikërisht në vitet ’90 të shekullit pararendës, ngase poeti ynë tashmë kishte
një përvojë të gjatë në artin e fjalës së shkruar, dhe se dekada e fundit e
shek. XX, influencoi dukshëm në poezinë e këtij poeti, ngase tashme kishte
ardhur koha që t’i armatosësh vargjet siç do të shprehej mjaft bukur ai në
një poezi të tij.
Siç u tha poezia e këtij krijuesi i dedikohet halleve të njeriut, dilemave të këtij të fundit përballë situatave jetësore që gatuan koha, mynxyrave me të cilat ndeshet njeriu gjatë rrugëtimit të tij, sfidat që duhet ët kalojë ai në jetë. Dhe për poetin jeta është një lojë me rregullat e saja të cilave njeriu duhet përshtatur me doemos:
Mbi vdekje ngritet jeta
Mbi jetë vdekja
...
Çdo gjë tjetër është harrim
Pra, kjo vjershë është e ndërtuar kryesisht
mbi kontrastin, jetë-vdekje, aty ku ka lindje ka edhe vdekje, aty ku ka vdekje
ka edhe lindje. Mesazhi ose toni ironik që përçon poezia është i qartë: “jeto
edhe atëherë kur është më së vështiri të jetohet”, ngase gjithnjë ‘mbi
vdekje ngritet një jetë e re’, e cila vjen si rezultat i qëndresës së
njeriut përballë furtunave që sjellin motet.
Karakteristike për
poezinë e Din Mehmetit, por edhe e një numri të konsiderueshëm të poetëve që
krijuan në dekadën e fundit të shekullit njëzet, mbetet gjuha e depatetizuar
(jo-patetike) dhe kjo poezi është e çliruar nga iluzionet dhe dogmat të cilat
në njëfarë mënyre e ngufatin shprehjen e
lirë.
Libri poetik “Gjaku që
këndon” dhe pothuajse e tërë krijimtaria letrare e Din Mehmetit e krijuar në
periudha të ndryshme nuk pëson transformim të madh ideostilistik, dhe kjo është
dëshmi se poeti kishte krijuar një profil serioz krijues, mirëpo siç edhe është
pritur, në poezinë që krijoi viteve të fundit, dominon toni ironik
karakteristikë kjo për artin postmodern.
Një dozë e theksuar ironie e cila shpreh zhgënjimin e autorit përballë një sistemi të egër monist që mbretëroi në Shqipërinë e idealeve të tij për afro 50 vjet, vihet në pah në poezinë “Monologu i Bertës”, ku poeti shpreh mllefin për ato idealizmat e rreme që ushqente një popull i tërë dhe për ato sakrificat e shpërfillura që bënte njeriu ynë andej e këndej kufirit për një ideologji e cila u dëshmua utopike:
Kemi shkruar parulla
lavdie për ta
I kemi mbështjellë me
to sheshet
Qytetet e fshatrat
U kemi ngritur
përmendore
Pallate e
Por ata prapë na
burgosnin
Na vritnin...
Edhe pse vargjet e
sipërcituara shprehin atë indinjatën e thellë të poetit karshi një etape kohore
e cila kishte fanitur ëndrrat e shumë brezave, dhe përkundër fakti se periudha
e tranzicionit në Shqipëri në optikën e poetit shihet si një sfidë e vërtetë,
ndërsa në Kosovë ekzistonte një situatë tejet e brishtë politike e sociale, Din
Mehmeti, prore ka dëshmuar me vargun e tij, por edhe me jetën e tij tokësore,
se njeriu duhet të qëndrojë stoik dhe i pathyeshëm karshi realiteteve që
shpeshherë dinë të jenë të hidhura.
Poezi e patosit kombëtar
Krijimtaria letrare e Din Mehmetit
përfshinë një gamë të gjerë tematike-motivore dhe karakterizohet me një fond të
pasur të mjeteve shprehëse ku dominojnë figurat stilistike si: metafora,
alegoria, ironia, etj. Pastaj veçanti e kësaj poezie është edhe toni lakonik i përdorur me shije nga autori,
si dhe fondi i pasur i fjalëve apo i neologjizmave që ka krijuar ai.
Duke qenë poet i esencës nacionale në kuptimin e parë të kësaj fjale, do të ishte e pamundur që muza poetike e këtij krijuesi të mos prekte dashurinë e vrarë, gjysmën tjetër të autorit (atdheun e ndarë) e cila kishte ngelur prapa e mbyllur me mjegull e tymnajë dhe kishte fanitur ëndrrën e tij për t’u bërë tërësi:
I kam shtrirë duart deri në pafundësi
Gjysmën tjetër për ta kapur
Sa për t’u çmallë
Por erdhën dimrat e u bëra akullnajë
Erdhën shirat e u bëra vërshim
Erdhën mjegullat e i mbyllën rrugët
E agimit të bardhë
Kur të vdes
Lerëni pranverat të lotojnë për mua
Se kurrë s’u bëra tërësi
Pra, ky njeri i përgjysmuar sikurse
edhe sugjeron titulli i kësaj poezie, do ta ketë statusin e njëjtë edhe pas
ikjes së tij fizike, dhe ky mall i pashuar i cili ka bërë që njeriu ynë të
ndjehet edhe fizikisht i përgjysmuar do të bëhet njëri nga obsesionet tematike
për breza të tërë krijuesish, të cilët në nuhatjen e tyre e ndjejnë se, do të
ikën nga kjo botë pa u bërë tërësi. Sigurisht, plagë kjo e cila do t’u
rëndojë edhe mbi varr.
Diskursi i Din Mehmetit buron kryekëput nga
përditshmëria, nga jeta reale, autorin e inspirojnë edhe gjërat më të imta që
ngacmojnë muzën e tij, mirëpo kjo nuk do të thotë se poeti nuk njihte në thelb
kryeveprat e letërsisë Evropiane e botërore, madje ai jo njëherë e pranon se
pikërisht nga këta poetë të mëdhenj botërorë si: Neruda, Rembo, Malarme,
Bodleri etj., kishte mësuar se si shkruhet poezia.
Kur flasim për statusin e tekstit mund të
themi se poezia e këtij autori në të shumtën i përgjigjet diskursit ironik,
ndërsa nisur nga kriteri i kategorisë ky varg i përgjigjet në masën më të madhe
lirikës personale.
Krijimtaria poetike e Din Mehmetit është e
pashkëputur nga intonacioni i saj ironik thumbues, e në veçanti atëherë kur
vihet në pah tendenca e poetit për inkuadrimin e temave të reja në artin poetik
e që kanë të bëjnë me ngjarjet tragjike që përcollën popullin e poetit gjatë
historisë.
Libri poetik “Prapë fillimi” të cilin në
fakt më shumë do e konsideronim si përmbledhje poezish ku nuk mungojnë edhe
vargjet deklarative, është i ndarë në katër cikle: “Fjalëve u ra kuptimi”,
“Kërkime, “Në ëndrrën e barit” dhe “Meditime lirike” ku secili cikël në vete
jep fatin e individit i cili gjendet në udhëkryq, i mbyllur shpeshherë në
vetminë e tij pa e pasur të qartë udhëtimin e tij nëpër shtigjet e jetës.
Din Mehmeti me vargun e tij poetik prore u
mundua që ta pasqyrojë dhe ta gjykojë gjithsesi në mënyrën e tij, dramën tonë
jetësore, ecejaket tona kombëtare gjatë historisë, dhe ky varg u ngrit gjithnjë
kundër destrukcioneve të njerëzve që synonin t’i fanitnin ëndrrat, t’i shuanin
shpresat dhe të ngjallnin frikën.
Poezia e këtij autori është tejet kritike,
jo rrallë edhe përjashtuese ndaj rrethanave të caktuara historike, por këtë
protestë autori e shfaq bukur me metaforat e tij, dhe nuk rrëshqet asnjëherë në
folklorizëm estradesk. Çka do të thotë
se, poeti gjetjet artistike dhe teknikat e tij krijuese, si dhe temë-dilemat i
vë në shërbim të figurës letrare, që të shumtën është metaforë e jo më rrallë
ironi, alegori, kontrast, antitezë etj.
Karakteristike për këtë autor është edhe
fakti se brenda kopertinave të të njëjtit libër gjejmë vargje që për nga
tematika rrinë larg njëra-tjetrës, dhe kjo e vërtet na çon te konstatimi se në
të shumtën ky autor është paraqitur më përmbledhje poezish së sa me libra poetikë.
Ta zëmë në libërthin “Prapë fillimi” autori
ka një cikël poezish ku i këndohet përpjekjes së njeriut për mbijetesë, në po
të njëjtin libër ekziston një cikël i dytë ose i tretë poezish ku i këndohet
dashurisë, ose ambientit, apo edhe idealizohet një figurë e dashur nga
fëmijëria e poetit.
Sidoqoftë, kur flasim për artin poetik të
këtij krijuesi, teknikën e tij krijuese, përgjithësisht jemi të një mendjeje me
atë që konstaton edhe studiuesi e kritiku i njohur i letrave shqipe Adriatik
Kallulli i cili ndër të tjera shton; “Din Mehmeti realizon me nivel të lartë
edhe poezinë me subjekt, edhe atë meditative, edhe elegjinë e ngrohtë lirike,
edhe dramat epike”.
Din Mehmeti është poet që frymëzohet edhe
nga dromca tejet të imta të jetës individuale e shoqërore, ai me artin e tij
poetik synon që t’i prek përhershmëritë dhe kurdoherë t’i ushqejë shpresat e
njeriut se në botë do të dominojë toleranca e mirëkuptimi, ani pse njeriu i tij
është rritur përballë imazheve të vrazhda që ka gatuar koha.
Doemos, arti poetik që dha pena e këtij
krijuesi meriton vëmendje më të madhe në komitetin e kritikës letrare jo vetëm
në Kosovë, por gjithandej nga krijohet ajo, dhe jemi më se të bindur se një
qasje më serioze drejt këtij arti do të japë rezultatet e veta.