| E hene, 19.11.2012, 09:09 PM |
Këngët
për UÇK-në vazhdimësi e këngëve historike të trimërisë
Nga Dr.
Myzafere Mustafa, Instituti Albanologjik
Në stuhinë e shekujve, që nga
antikiteti, në mesjetën e hershme dhe të vonshme e deri në ditët e sotme,
populli shqiptar është përballur me pushtues të egër të ardhur nga Karpatet, nga Azia dhe nga viset tjera apo dhe me fqinjët që kanë synuar
ta nënshtrojnë dhe asimilojnë. Në përballje me armikun ka pasur humbje, por
edhe fitore, të cilat janë arritur me sakrifica dhe flijime. Krijuesi gojor nëpërmjet
këngës ka krijuar një mjet të përshtatshëm për të fiksuar përballjet, luftërat,
sakrificat, fitoret, jehonën e ngjarjeve të rëndësishme historike si dhe për të
shprehur ndjenjat liridashëse, patriotizmin, forcën e karakterit etj. Kënga e trimërisë
është reflektim i ngjarjeve dhe i rrethanave historike dhe sociale përkatëse në periudha kohore të ndryshme. Nëpërmjet
shprehjes artistike krijuesi i këngës synonte që të projektojë dhe të
reflektojë dëshirat, synimet, arritjet për një jetë të lirë, pa robëri. Ideja
qendrore e këngës së trimërisë është fuqizimi i ndjenjës morale dhe kultivimi i
ndjenjës patriotike për çlirimin nga zgjedha e pushtuesit. Ky fuqizim
stimulonte ndjenjën se liria është pasuria më e shtrenjtë njerëzore. Intenca e
këngës ishte të mobilizojë moralisht të gjitha shtresat e popullatës për
mbrojtjen e atdheut dhe ruajtjen e
qenies kombëtare. Krijuesit dhe bartësit e
këngëve popullore në vazhdimësi e kanë stimuluar ndjenjën e mbrojtjes së
familjes, të pragut të shtëpisë dhe të trojeve etnike nga
pushtuesi. ”Heronj të këngës historike janë luftëtarët që dalin nga skena e
jetës, që udhëheqin popullin në ngjarjet vendimtare historike. Kënga historike
kështu bëhet zëdhënëse e kohës...në këto këngë shfrytëzohen mjete artistike,
formula e shprehje, elemente të morfologjisë e të sintaksit poetik që vihen në
funksion të ideve të reja.[1]Në to
ruhen një tog procesesh dhe dukurish themelore, siç janë: skemat e të treguarit
emocional, kuadrot e gjalla të aksioneve luftarake, portretet entuziaste të
heronjve, përshkrimet karakteristike të kundërshtarit etj.[2] Këngët
historike janë shprehje e traditës krijuese dhe e talentit të individit
kreativ, nëpërmjet tyre krijohet një relacion me historinë, me aspiratat, me
temperamentin dhe kërkesat estetike të folklorit letrar gojor. Megjithatë vlen të theksohet se përveç funksionit estetik këto këngë
kishin edhe mision dhe porosi të veçanta, si të tilla:”Këngët për mbrojtjen e
atdheut nuk kanë figuracion të paqartë. Mënyra e komunikimit është e thjeshtë,
e drejtpërdrejtë, porosia është kuptimplote, e prerë dhe nuk lë kurrfarë
dyshimesh apo mundësish për pavendosmëri, luhatje. Ato paraqesin qëndresën dhe
flijimin e individit dhe të kolektivitetit”[3] “ruajnë
kujtime të shtrenjta përkitazi me gjakderdhjen e sakrificat e mëdha të popullit
tonë, të shumë e shumë luftëtarëve që u hodhën
në fushat e betejave, ranë në zjarret e përleshjeve...u bënë fli në
altarin e atdheut.”[4] Krijuesi aktual gojor, pra
këngëtari popullor kishte para vetes një krijimtari të pasur të këngëve
historike të trashëguara nga brezat e kaluar e me të cilën janë ushqyer
gjenerata të tëra. Lindja e këngëve të UÇK-së është vazhdimësi e kësaj
krijimtarie, lufta e fundit e iniciuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka
frymëzuar krijuesit, këngëtarët popullorë për krijimin e këngëve
të reja të trimërisë me tematikën e luftës. Në këto këngë trajtohen shumë çështje lidhur me rolin
dhe rëndësinë historike të formimit UÇK-së dhe të përpjekjeve të pareshtura të luftëtarëve të lirisë për t'u
ballafaquar me një pushtues jo të barabartë për nga
forcat por edhe të pabarabartë nga qëllimet dhe synimet. Kjo luftë e bën krenar
krijuesin tonë gojor prandaj dhe këngët i përshkon ndjenja e krenarisë.
Krijuesi gojor, pra këngëtari popullor këndon nga këndi afirmativ gatishmërinë
e luftëtarëve të lirisë, të cilët në çastet
më të ndjeshme dhe më të vështira të qenies sonë kombëtare i janë përgjigjur thirrjes dhe detyrës patriotike kombëtare për
t'iu kundërvënë një pushtuesi agresiv dhe të
pamëshirshëm. Lufta e vështirë dhe e pabarabartë solli rezultatet e saj,
por arritja e qëllimit, çlirimi i
trojeve nga okupatori pati pasojë humbjen e luftëtarëve të lirisë por edhe të
popullatës civile. Pas përfundimit të luftës mbetëm pa shumë trima
dhe trimëresha, që sakrifikuan jetën. Vepra e tyre po përjetësohet në
krijimtarinë letrare gojore në veprat e shkrimtarëve dhe të piktorëve dhe në historinë tonë kombëtare. Është
e natyrshme që kjo kohë i krijoi heronjtë, të cilët u përjetësuan edhe në
traditën rrëfimtare dhe në atë muzikore. Sakrifica e luftëtarëve ndikoi lindjen
e shumë këngëve që tani janë bërë jo vetëm pronë e mjedisit ku lindin dhe barten, por edhe pronë e të gjithë shqiptarëve në
trojet e veta dhe në të gjitha anët
e botës ku jetojnë. Tani këtë e mundëson mënyra e komunikimit dhe e bartjes
nëpërmjet mediumeve të ndryshme elektronike.
Motivin e
sakrificës së heroit të ditëve tona krijuesi i këngës popullore e thur sipas modelit të këngëve tona historike të krijuara gjatë
shekujve lidhur me sakrificën e trimave që njeh historia.
Në rrethana të reja është e natyrshme të lindin këngë me përmbajtje të reja, me figura e shprehje të reja stilistike e gjuhësore. Motivi patriotik në
këto këngë merr një kahe të re, në kuadër të kësaj krijimtarie formohet një
fond i ri me një gamë të pasur temash e motivesh .
Tematika e këtyre këngëve është lufta
e pa kompromis për çlirim nga okupatori i egër dhe arritja e lirisë. Brenda kësaj tematike zgjerohen motivet si:
sakrifica, heroizmi, trimëria, arritja e unitetit, krenaria kombëtare,
kontinuiteti historik i ekzistimit të shqiptarëve në trojet e veta, lufta për
pavarësi etj. Ide qendrore e shumë këngëve është ruajtja e qenies kombëtare,
krijuesi këtë ide e shpreh me shumë emocione:
Jo nuk shuhet kurrë Kosova! Ose Nuk
durojmë me na u fikë zjarri! Zjarri simbol ky mitiko biblik i ekzistencës së
njeriut.
Edhe pse këngët e tilla korrespondojnë me ngjarje historike konkrete “krijuesi
gojor i njëmendet, krijimit të vet nuk i ngarkon vetëm dimensionin tematik dhe vetëm cilësinë e informacionit të
zakonshëm, përherë i kushton kujdes dimensionit artistik, shprehjes gjuhësore
poetike, nëpërmjet të së cilës përjetësohen artistikisht ato ngjarje dhe bën të
mundur funksionimin më intensiv dhe më jetëgjatë” [5] ky mendim i shprehur për
këngët me tematikë historike përkon edhe me natyrën e këngëve të mirëfillta për
UÇK-në.
Brenda kësaj
tematike zhvillohen subjekte konkrete
përkatëse si: lufta e familjes Jashari në Prekaz, betejat e lavdishme të
Koshares, Jezercit, Llapushnikut
etj., rënia e heroit në betejë, përballjet e familjeve me armikun. Është e natyrshme që në një sërë këngësh figurë qendrore të
jetë komandanti Adem Jashari ndërsa personazhe, vëllai i tij Hamzë Jashari,
babai Shabani, nëna Zahide si dhe familja e tërë Jashari, komandanti Mujë
Krasniqi Kapuçi, figurë kjo madhështore e trevës së
Dukagjinit, bashkëluftëtari i tij Rexhë Sefë
Gashi – Mleqani, komandanti Zahir
Pajaziti, komandanti Luan Haradinaj, komandanti Agim Ramadani, luftëtarët dhe trimat e tjerë, që kanë rënë gjatë Luftës
Çlirimtare dhe trima që krijuan lëvizjen për çlirim kombëtar në rrethana të
rënda të një sundimi të egër. Në një
sërë këngësh, kur këndohet komandant Mujë Krasniqi, këngëtari veprimtarinë e tij heroike e trajton të ndërlidhur me
veprimtarinë e komandantëve, shokëve dhe bashkëluftëtarëve të tij, ai gjithashtu
trajtohet si bashkëluftëtar i Komandant
Adem Jasharit.
Në këngët për
komandant Mujë Krasniqin këndohet edhe bashkëluftëtari i tij Beqir Sefë Mleqani, të cilin Muja e kishte pasur bashkëluftëtar dhe shok kënge, me të kishte thurë dhe kishte kënduar
këngë trimërie që nga fëmijëria. Këto këngë i kishin frymëzuar për veprat e
tyre heroike të ardhshme. Por këngëtari popullor
po ashtu thur këngë edhe për Xhevë e Fehmi
Lladrovcin, për Shpend e Bekim
Bajraktarin, për komandant Kumanovën, Adrian Krasniqin, Shkëlzen Haradinajn,
për Islam Zeqir Rexhën, Ramadan
Bytyqin e Mentor Gashin. Në popull thuhet: “Kënga del nga gryka e pushkës”, pra
kënga lind pas një trimërie, apo pas ndonjë ngjarjeje të rëndësishme. Kështu, lindi edhe kënga e bukur që e këndojnë të bijtë e dëshmorit dhe rapsodit
Beqir Sefë Gashi-Mleqani, pastaj kënga
për vëllezërit Palucaj, Leonardin luftëtar dhe për vëllain e tij Agronin që u
vranë nga dora serbe. Kënga lindi në kohën kur atyre ua varrosën
eshtrat.
Krijuesi i
këngës është krenar që i takon një kombi trim dhe kryeneç, që asnjëherë nuk është pajtuar të jetë nën thundrën e sunduesit prandaj edhe historikisht e
ka kundërshtuar atë qysh në kohën e luftërave
të Skënderbeut, pastaj në kohën e lidhjes së Prizrenit, kur ishin bërë
përpjekjet më serioze në planin politik dhe luftarak për fitimin e pavarësisë,
si dhe në kohën e Serbisë e Jugosllavisë.
Në këtë plan
ngjarjet e luftës së sotme dhe figurat e kësaj lufte ndërlidhen me ngjarjet historike dhe me personalitetet e
shquara historike si Skënderbeu,
Jakup Ferri, Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni, Haxhi Zeka, Çerqiz Topulli, Hasan Prishtina, Mic Sokoli, Isa Boletni, Shote dhe
Azem Galica, që konsiderohen simbol
i qëndresës dhe heroizmit, Ismail Qemali, Isa Boletini, Luigj Gurakuqi si
simbole të pavarësisë etj. Kjo
ndërlidhje bëhet për t'ua dhënë peshën ngjarjeve dhe personaliteteve të luftës
së sotme çlirimtare, ashtu siç e kanë
peshën dhe rëndësinë personalitetet dhe ngjarjet historike si dhe për ta vërë në kontinuitet historik
veprimtarinë patriotike. Krahas luftëtarëve
të sotëm këndohen edhe veprimtarët dhe dëshmorët e lirisë Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Enver Hadri, Fazli Grajqevci, Fahri Fazlia, Afrim Zhitia, Hyzri
Talla, Nezir Gashi e shumë e shumë trima e luftëtarë të rënë.
Sikurse Tomori
që nga rilindësit shqiptarë konsiderohej vend i shenjtë ku qëndrojnë hyjnitë
shqiptare, në këngët e UÇK-ë Prekazi trajtohet si simbol i shenjëtërisë
atdhetare, i rezistencës kombëtare.
Këngët e UÇK-së
kanë ruajtur strukturën e këngës sonë historike apo të trimërisë e cila kultivohet me shekuj nga krijuesit e
këngës popullore, por edhe janë pasuruar me elemente të reja të kohës aktuale. Shumë motive dhe tema përsëriten në vazhdimësi,
gjithnjë duke i shprehur specifikat e ngjarjeve përkatëse.
Vërehet një
përpjekje e krijuesve të këngëve
që mos të dalin nga rrjedhat e shtratit të krijimtarisë së traditës, si në
planin e strukturës
kompozicionale, në planin tematik dhe motivor të këngëve ashtu edhe në planin
muzikor, të sajimit të melodisë dhe të
përcjelljes me instrumente muzikore. Në këngë dominon kryesisht fryma e tipit
heroik që madhëron trimërinë, sakrificën etj. Herë-herë dëgjohen këngë të tipit
të elegjisë, por këngët e tilla janë më të rralla. E tillë
është bie fjala kënga: Priste me ditë e priste me orë/ nana të birin n'derë të shtëpisë; ku vërehet një mpleksje e elementeve tradicionale me elemente të këngëve të reja.
Këngët kryesisht fillojnë me fraza dhe me
formula të njohura të këngëve të trimërisë.
Si bie fjala: Kush e nisi luftën ma i pari; Ose Ushton Gryka e Llapushnikut; N'ballë t’ushtrisë kush prin i
pari/ komandant Adem Jashari, që njihen si formula hyrëse të këngëve
të trimërisë. Tani krijohen fraza të reja që marrin karakterin e formulave të këngëve të trimërisë si bie fjala: Ushton
mali ushton kodra/ flakë po
digjet krejt Kosova; Kush me dhe e mbuloi ftyrën/ për Kosovë e lau detyrën;
Mu në prill nantdhetë e tetë/ i hap shqipja krahtë e vet; Ra kushtrimi në
malësi/ çonu n’ kambë o bijtë e mi/ me
marrë rrugën për liri; Nisi luftën Dukagjini/ para u printe Mujë
Krasniqi; Diell e hanë more lot
lëshun/ po nanë loket s'u dorzun. Oj Drenicë bija Shqipnisë / brez mas brezi
luften ke nisë; Rreth flamurit që na prin / S’ duron shqipja robërinë;Në Prekaz
e kem konakun /Për vatan e derdhim gjakun.
Me kalimin e kohës
këngët lirohen nga elemente të tepërta dhe pasurohen me figura dhe mjete
artistike, ku zënë vend simboli, krahasimi, metafora. Këngëtari që në vargjet e
para të këngës kërkon dhe gjen metafora të bukura që ushqejnë jo vetëm ndjenjën
patriotike, por edhe ndjenjën artistike për të bukurën e artit popullor. Derisa
vargjet e këngëve të cekura më lart si: Kush
me dhe e mbuloi ftyrën /për Kosovë e lau detyrën, apo Ra kushtrimi në malësi/çonu n’kambë o bijtë e mi/ me marrë rrugën për
liri, kanë për qëllim të madhërojnë
veprën patriotike të dëshmorëve të rënë për liri si dhe kanë karakter
programatik për Luftën Çlirimtare, vargjet: Diell
e hanë more lot lëshun/ po nanë loket
s’u dorzunë, janë një metaforë e zgjedhur për të shprehur dhembjen e nënave
për humbjen e të bijve, dielli dhe hëna dy simbole të dritës, përkatësisht
lirisë reagojnë për humbjen e trimave të rënë në mision të lirisë, ndërsa nënëloket nuk i dorëzohen
dhembjes, ato lirinë e kanë më të
shtrenjtë se jetën e bijve të vet.
Në planin leksikor dhe
mitologjik vërehet përdorimi i mjeteve
shprehëse nga aktualiteti dhe
riaktualizimi e rifunksionalizimi i
figurave të mitologjisë sonë, të cilat funksionojnë sidomos në këngët epike për kreshnikët. Heronjtë e lirisë krahasohen
me dragoin, figurë mitike e cila simbolizon heroin kulturor, ndërsa armiku
cilësohet si kuçedër që në mitologjinë popullore është simbol i të keqes, i ndaljes
së ujit, burimit të jetës.
Simbolet kombëtare si: shqipja dykrenore,
flamuri kombëtar dhe Skënderbeu, që tani më kanë
karakter të simbolit të krenarisë dhe të unitetit kombëtar rifunksionalizohen
natyrshëm në këto këngë. Vargu i
këngëve është zakonisht monokolor, sikurse ai këngëve të vjetra të trimërisë,
por hetohet edhe ndarja e këngës në strofa dhe bëhet ndërkallja e refrenit, që
është veçori e krijimtarisë muzikore të shkruar artistike. Këngët zakonisht këndohen nga një, dy apo më shumë
këngëtarë të përcjellë me instrumente
muzikore popullore si çifteli, sharki, e herë - herë çifteli, sharki dhe def
apo tupan (daulle), ose çifteli,
sharki dhe fyell pastaj hetohet përdorimi i shpeshtë i zurlave dhe daulleve.
Kur këndohen në grup, grupi funksionon
si një tërësi mjaft homogjene. Ndonjëherë vërehen përpjekjet që grupi të marrë karakterin e korit.
Këngët për UÇK-në kanë
një rëndësi të shumëfishtë, meqë ruajnë përtërijnë dhe
pasurojnë këngët popullore të trimërisë. Këngët e lirisë, ato më cilësoret,
përjetësohen në kujtesën popullore si përmendore artistike që u ngrihet
luftëtarëve të lirisë. Kjo përmendore do të jetojë
dhe do të mbetet pjesë e historisë sonë të lavdishme për t’u kultivuar brez pas
brezi në krijimtarinë tonë artistike.
[1] Qemal Haxhihasani, Epika popullore historike shqiptare,në Kultura popullore, Tiranë,2,1982, f.13.
[2]
[3] Rrustem Berisha, Kënga art dhe histori, Instituti Albanologjik i
Prishtinës, Prishtinë,
[4] Demush Shala, Mbi epikëntonë
popullore historike, Rilindja, Prishtinë,
[5] Anton Nikë Berisha, Qasje poetikës së letërsisë gojore, Rilindja,
Prishtinë,