Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Thanas Gjika: Mozaik shumëdimensional për Korçën

| E merkure, 21.11.2012, 08:44 PM |


NJE MOZAIK SHUMEDIMENSIONAL PER KORCEN

(Vlerësime për veprën KORCA QYTETI DHE KUJTIME të poetit Vangjush ZIKO)

Nga Thanas L. GJIKA

Në këtë vit të 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, midis dhuratave që iu bënë Korcës prej bijve të saj, një vend të rëndësishëm zë dhe vepra e poetit V. Ziko KORCA QYTETI DHE KUJTIME, botim i Librarisë KOTTI, sponsorizuar prej Bashkisë së qytetit.

Vangjush Zikoja është një nga bijtë e shquar të qytetit ku lindi, u rrit e shërbeu për dekada të tëra. Ne, që patëm fat ta kishim pedagog të letërsisë kemi për të treguar shumë kujtime mbushur me emocione pozitive. Sytë e tij të kaltër, buzëqeshja që nuk i ndahej e nuk i ndahet kurrë, fytyra e pastër në ngjyrë gruri të celur, fjala e ëmbël mobilizuese, afërsia prej shoku, etj, etj, ishin disa nga tiparet e tij që rezatonin e rezatojnë optimizëm.

Puna e gjatë dhe e pasionuar e mësuesit është profesioni me të cilin ai ka të drejtë të mburret para cdo korcari, kurse ndihmesa e tij me krijimtarinë e shumanshme dhe cilësore: nëntë vëllime poetike, gjashtë drama, tre skenarë, dhjetë vëllime me përkthime nga letërsia botërore dhe tre vëllime në prozë, ku bën pjesë dhe vepra për të cilën po shkruajmë, përbëjnë vlerat e tij të vecanta mbarëkombëtare, të cilat e bëjnë atë të mburret para kombit kudo ku jeton ai.

 

* * *

Përshkrimet e hollësishme të aspekteve të ndryshme të jetës së qytetit, ilustruar me fotografi të shumta, gërshetuar me momente e hollësi të familjes Ziko, na krijojnë ndjesinë sikur po jetojmë edhe ne në Korcën e viteve 1935-1990. Rëndësi të madhe ideore ka fakti se autori mban një qëndrim kritik ndaj dëmtimeve morale e shirtërore që ndodhën gjatë viteve të diktaturës komuniste, kur u punua dhunshëm për krijimin e “njeriut të ri”, njeriut servil e të pakurajo.

Para syve na dalin nënat e gjyshet duke thurrur corape e bluza tek sofatet e rrugëve e rrugicave, shohim baballarët duke u kthyer nga pazari me cantat plot apo me ndonjë qingj që do të therret për gosti, dëgjojmë në mbrëmje serenadat korcare dhe kujtojmë kantautorët e vjetër e të rinj. Bëjmë xhiron e mbrëmjes në bulevardin Shën Gjergji, shkojmë në kinematë Lluksi, Majestiku, kinoteatri A.Z. Cajupi, dalim me familet ose shokët për të ngrënë e pirë te kafeneja e Pandës, vizitojmë galerinë e pasur të Vangjush Mios, muzeun Bratko, ndërtesat e donatorëve korcarë të kurbetit, meditojmë e flasim me përmendoren e Ushtarit të Panjohur, të Themistokli Gërmenjit, hyjmë në shkollën Mësonjëtorja e Parë Shqipe, ngjitemi në kodrat e qytetit e pijmë ujin e freskët nëpër burimet e Moravës. Shikojmë mullinjtë e vjetër anës lumit, kishat e shumta, hanet karakteristike dhe xhaminë e bukur të Iliaz Bej Mirahorit. Shoqëruar këto bukuri dhe me disa nga poezitë e qëlluara të autorit kushtuar Korcës, mbushesh me krenari dhe pa dashje të del nga zemra: S”KA SI KORCA JONE!