E premte, 02.05.2025, 04:53 AM (GMT+1)

Kulturë

Ali Jasiqi: Kënga

E premte, 23.11.2012, 07:57 PM


Ali D. Jasiqi

KËNGA

Gjelbërimi e kishte mbuluar natyrën. Pyjet e zhveshura gjatë dimrit i kishte mbuluar dushku, kurse mollët, dardhat dhe pemët tjera mbanin lulet e fundit para se të formonin frytet e tyre. Fusha që pas shkrirjes se borës ishte dukur e shkretë tani ishte gjelbëruar nga bari. Edhe shpezët shtegtare kishin filluar të bënin shtrofullat e tyre.

E gjithë kjo dëshmonte se pranvera kishte arrite.

Tufat e deleve të uritura këputnin barin, kurse qengjat pasi këputnin dy tri fije të barit të njomë vraponin. Vraponin disa herë rreth nënave të tyre dhe pastaj pasi lodheshin lëshonin një zë, sikur donin të thoni se duhet të thithnin qumështin nga e ëma. Delja pa e ngritur kokën fare me gojën e mbushur bar, sikur e ftonte qengjin që të thithte sisën e saj. Qengji i lodhur dhe i uritur lëshonte dhe një blegërimë dhe me vrap i afrohej nënës. E kapte sisën dhe duke e lëvizur bishtin, në shenjë gëzimi thithte qumështin. Delja i merrte erë disa herë duke u përpjekur të bindej se qengji që po e thithte qumështin ishte i saj. Pas pak ajo fillonte të bënte disa hapa, kurse qengji nuk e lëshonte sisën,por si peshku nga dora e pafuqishme i rrëshqiste ajo dhe ai mbetej me gojë hapur. Atëherë atij nuk i mbetej gjë tjetër pos të këpuste përsëri disa fije të barit të njomë dhe pastaj të merrte vrapin e t’i afrohej tufës, që kishte bërë disa hapa në drejtim të caktuar. Nëna e tij nisej pas dhe me vrap i bashkohej tufës.

- Na i përzjeve dhentë, o kushëri! - thërriste i gëzuar bariu, që kishte takuar një shokë me të cilin do të ndërronte ndonjë fjalë. Përpiqej t’i ndalonte qengjat, por ata me vrap treteshin në tufën tjetër.

- Leri këta naksë se tash do të ndahen vetë. Veç mos t’i lemë të na përzihen delet, se ato më vështirë mund t’i ndajmë - thoshte tjetrin dhe tretej pas tufës se vet.

Pasi i qetësonin delet, barinjtë i afroheshin njëri tjetrit dhe fillonin bisedën.

- A po të kullosin? A po mund me i ndalë ?- pyeste njëri.

- More, po e bukur të mirë. Na shpëtojë Zoti me këtë mot të mirë. Edhe me i ndalë po i ndali disi veç këta naksët nuk po priten. E ty apo të kullosin?

Bashkëbiseduesi pasi i përgjigjej ngulte shtagën në dhê dhe mbështetej në te.

- Sot është lehtë, por kur të zihen livadhet ditën e Shën Gjergjit çka bëjmë se?! Atëherë nuk bëhet qare me to.

- Lehtë atëherë ia mësyjmë bjeshkës. Qenin me veti dhe pak miell, një enë dhe nisu përpjetë. Lëshoji burrë kah të duash. Bjeshka e gjere dhe e gjatë.

- A do të dalësh këtë vit Vegim? - pyeti shoku.

- Besoj se po. Nëna nuk do të ma prish edhe pse po i preton, por besoj se këtë vit do të pajtohet me mua që të dalin edhe ne, veç me gruan nuk po bëhet punë. Me të thënë të drejtën që pesë vite që nuk kam qenë me ka marrë malli për ata shkëmbejë.

Shoku donte të thoshte edhe diçka, por delja që kërkonte më shumë barë u nda prej tufës duke shkuar në drejtim të panjohur. Bariu e lëshoi një të thirrme “ A ha ku po e vret veten atje oj shejtane?” dhe vrapoi pas saj.

- Që ku mbeten këta naksë tani!

- Hajt se po i ndaj unë - mundohej t’i ndajë tjetri qengjat e përzier, por ata vraponin dhe i bashkoheshin tufës pa e ditur se a është e tyre apo jo. Duke e hetuar mungesën e qengjave të vet delja fillonte të blegërojë duke i ftuar kështu qengjin e vet që t’i bashkohej tufës.

Në mbrëmje Vegimin nuk e zinte gjumi. Sillej në krevat sa në njërin sa në krahun tjetër. E kishte kapluar njëfarë nostalgjie për bjeshkën, të cilën nuk e kishte parë pesë vite. I parafytyrohej bukuria e saj, ku i kishte kaluar ditët më të bukura të fëmijërisë për shumë vera. I dukej se po i shihte ata kreshta të rrëpirëte, e ato kroje me ujin e pastër dhe të ftohtë që del nga rasat e gurta. Mendonte se si do ta kalojë këtë verë pas kaq vitesh të mungesës. “Nuk ka si të me duket bjeshka ndryshe pos ashtu siç e kam pas lënë atëherë. Nuk besoj të këtë ndryshuar diçka”. Mundohej të kotej por mendimet se si do ta presin shoqëria dhe gëzimi se prapë do t’u bashkohet shokëve të dikurshëm, nuk e lejonin të kotej... Dikur i lodhur tepër e mashtroi gjumi. Fjeti si i vdekur.

Kur u zgjua i tha nënës se do të nisej për në bjeshkë, andej duhej t’ia bënin gati gjërat e nevojshme, ato elementare, që i duheshin bariut, kur niset vetëm për në bjeshkë.

- Qoftë sahati i hairit ! - uroji nëna dhe shtoji - Çka u bë kaq për nguti?

- Mos pyet më gjatë vetëm bëmi gati do enë të nevojshme, postajën e ogiçit, atë me të mirën, do miell dhe unë u nisa kësmet prej Zotit, atij i kofshim falë.

- Rruga e mbarë të qoftë e kalofsh mirë. Po sa të mbaroji viti shkollor, kur fëmijët do të dalin në pushim do të vijmë edh ne.

Pa vonuar shumë bariu me shtagë në dorë dhe strajcën krahaqafë të lidhur me rrip dhe me gjybën në krah i printe tufës që shkonte drejt majave të larta. Pas tyre si t’i grahte dikush shkonte gomari i ngarkuar dhe fare në fund të vargut qeni. Ogiçi ecte i pari e pas tij dashi me komonë thuajse e tregonte rrugën nga duhej të ecnin delet dhe qengjat e gëzuar që po vraponin edhe pse nuk e din se ku po shkonin. Pas pak qengjat lodheshin dhe mbeteshin pas tufës, por edhe delet e ngadalësonin hapin sikur donin t’i prisnin. Sharovi që ecte i fundit, me bishtin e ngritur përpjetë, ngutej si të donte t’u thoshte qengjave të vegjël, që kishin mbetur prapa “Ngutuni, ngutuni, se delet shkuan e ju mbetet!”

Të gjithë ishin të gëzuar. Edhe qengji i vogël që ecte ngadalë ishte disi i gëzuar. Delet shtonin hapin, ngase kishin kuptuar se po shkonin në kullosën më të mirë. Gëzimin e bariut, që pas pesë vitesh po udhëtonte për në bjeshkën nuk mund ta përshkruante askush. Ecte pa ndier kurrfarë lodhje.

Dielli i afrohej bregut, pas të cilit do të zhdukej. Edhe bariu po i afrohej stanit ku do të qëndronte për muajt e verës. Ai shkonte pas deleve, të cilat tani ecnin më shpejt se më parë. Me fyell ndër duar ai filloi të këndonte një këngë dashurie. Atë herë pas herë e shoqëronte me tingujt e fyellit. Prapë ia merrte këngës. Ndalej dhe përsëri i frynte fyellit me një melodi të këndshme.

Delja e parë kishte dalë në fund të vendbanimit të rinj të Vegimit, kurse qengji i fundit kishte mbetur bukur larg. Vegimi ishte në mes të tyre. I shikonte delet edhe njëherë, se a i kishte të gjitha, pasi iu kujtua se ujku ka mund të ia hajë ndonjë e ky nuk e ka hetuar. Mund t’ia kishte grabitur ndonjë qengje që kishte mbetur pas e as Sharovi nuk e ka hetuar. Kur u bind se i kishte të gjitha i hodhi një shikim bjeshkës se pafund që shtrihej para tij. Iu kujtuan ditët e kaluara në këto vende. Iu kujtuan edhe shokët me të cilët ishte shoqëruar dikur,disa nga të cilët tanimë nuk janë në jetë. E shikoi tërë hapësirën që i shtrihej para syve si të donte të vërente ndonjë ndryshim, qoftë ai sado i vogël qoftë. Pasi u bind se gati asgjë nuk kishte ndryshuar nga koha kur ishte larguar para pesë vitesh uli kokën dhe një shi lotësh i përshkuan mjekrën, që e kishte rruar në mëngjes dhe i nduki disa fije bari të njomë që të luante me to.

Kush do të mund të përshkruante momente më prekëse në jetën e tij, ato momente mallëngjyese të një të riu që po kthehej edhe njëherë në vendin ku i kishte kaluar momentet më të gëzuar të jetës se tij. Aty kishte luajtur me shokët, aty ishte freskuar me ujin e ftohtë si akulli, ishte freskuar nën hijen e brehu të gjatë që e shponte qiellin. Janë të paharruara ditët kur me vajzat e fshatit shkonin për boronica e kush e di sa gëzime të tjera kishte përjetuar në kohët e kaluara.

Pasi u shqetësua nga ajo tronditje që i erdhi e papritur e shikoi edhe njëherë bjeshkën e mandej delet që i ishin afruar shkëmbit afër stanit, ku do të vendosej ai bashkë me tufën e tij. Shtagën e mbështeti për gjoksi kurse fyellin e mur në duar dhe fillojë të fryjë një melodie pikëlluese. Pastaj ia mur këngës. Kënga e gëzueshme përhapej anë e kënd bjeshkës. Dëgjohej edhe ndër stane ku banonin fshataret që aty ishin vendosur më herët. Kënga e tij i nxiti gratë dhe vajzat e reja të dilnin dhe të dëgjonin atë këngë që nuk e kishin dëgjuar kush e di se sa kohë. Kurse Sharovi i ishte afruar thua se edhe atij i pëlqente kënga e Vegimit. Ai qëndronte pranë tij, e shikonte dhe e luante bishtin e ngritur lartë sikur të donte të thoshte “Të lumtë goja, sa bukur po këndon!”

Kur e mbaroi këngë Vegimi e mori fyellin dhe e fillojë një melodi tjetër.

- I biri i kurvës me këto këngë e melodi po u lutet grave dhe çikave tona. Besa e Zoti nuk do të lutesh më - tha dhe krisma e pushkës ushtrojë ndër shkëmbeje.

Fyelli rrëshqiti nga dora e Vegimit dhe u rrokullis teposhtë. Edhe bariu shkoi pas tij.

- Zoti të vraftë se prej mallit e pata - mezi i shkrepi fjalët Vegimi. Deshi të thoshte edhe diçka por nuk pati fuqi. Fryma ia ndalë dhe gjaku nuk lëvizte më.

Bjeshka e gjerë flinte në qetësi. Bashkë me te edhe një i ri pushonte i pa shpirt dhe i shtrirë mbi gurë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx