Kulturë
Dy poezi nga Tahir Bezhani
E diele, 25.11.2012, 03:30 PM
Tahir Bezhani:
PUHIZË E ËMBËL
-Festave të Nëntorit-
Erëra të valta
Përmallshëm përkundin
Kujtimet e hidhura
Ngulitur në bebëza të lodhura
Pas shumë përplasje
Nga mall i djegur eshkë
Varur në degë zemre
Stinëve të gjata,
Të plasta !
Ngjyrë kuqe rrugëve të jetës...
Tani,
Nga zemra në zemër
Nga shpirti në shpirt
Fluturon lirshëm shpresa ime
Petaleve të luleve me aromë
Puhizë e ëmbël
Farkon valvulet e lodhura
E shpirtin e dehë me dashuri
Kënga ime e kuqe
Festave të Nëntorit
Me rastin e njëqind vjetorit,
Rrugëton....
Gjakovë,
15.10.2012
TRAZIM KOHE NË VUAJTE
- 100 vjet Pavarësi-
Më rrahën kokës mendime
Tërë natën mallëngjime të ndezura
Një mall i ngjizur në shpirt
Më nxori nga dhoma ime
Rrugëve të qytetit pushoi dënesja
Në përqafim të flamujve
Kuq e Zi,Kuq e Zi,
Varur shtizave të zemrës
Në valëvitje i puthja etshëm
Lot rrjedhin në hap kohe
Zemra dridhej gëzueshëm
Vuajtja e gjatë-një shekull
Tirrej flokëve të mija
Fërkohej ofshamës së mija nënëlokeve
Shekullit plak të ikur,
Plot tradhti!....
Tani,
Si rreze dielli ndriçon flamuri
Ngrohtë,ngrohtë në zemrat tona
Bukë e eshtra të thyer me shekuj
Për gjithmonë,BASHK! BASHK!....
Gjakove,
21.11.2012