Kulturë » Berisha
Cikël poetik nga Sejdi Berisha
E shtune, 24.11.2012, 06:41 PM
Sejdi BERISHA: Cikël poezish
Ty, tokë e dhembjes dhe e krenarisë, tapitë po të forcohen...
BISEDË FLAMURI ME BABAIN TIM...
(Në 100-vjetorin e ngritjes së Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë)
O, burrë dheu...
Ngrihu nga varri
Bashkë të nisemi për në Vlorë
Se gjithherë shkrumb e ke pasur
Flamurin kuq e zi
Ndërsa madhështi hapësire
Shqiponjën lartë Bjeshkëve të Nemuna
Kësaj radhe
Të kënaqemi me ngritjen e flamurit
Ti, pushoi eshtrat
Që kurrë nuk të kalben
Dhe, sërish do kthehemi në Dukagjin
Ti, prehu aty ku eshtrat zgjuar rrinë
E, unë
Do forcohem me qëndresën e sate zemër
Do shuaj mallin me ëndrrën tënde
O, burrë dheu...
E di
Edhe sot ke etje
Edhe në shpirt edhe në sy
S’kam çfarë të të bëj
Sepse tani
I tillë je më madhështor
Në 100-vjetorin e Pavarësisë...
O, burrë dheu...
Ngrihu nga varri
Se dua të të përqafoj
Për përrallat që m’i ke rrëfyer
Për ëndrrat që m’i ke fshehur...
TI, TOKË E GJAKUT DHE E LOTIT...
(Sot në Pejë u kthyen në bronz bijtë e saj, Sali Gjuka dhe Bedri Pejani, të cilët ishin nënshkrues të Deklaratës së Pavarësisë në Vlorë në vitin 1912)
Mos u zemëro
O, dheu i kësaj toke
Pse shumë herë
Je vendosur e zhvendosur
Mbi varret e njerëzve që vetë i rrite
Së paku sot gëzohu
Se do eshtra
Sërish po të kthehen në gjirin tënd
Është pak
Apo, shumë vonë...
Por, edhe kështu është krenari
Se, tani tapitë po të forcohen
Ti, tokë e gjakut dhe e lotit
Ti, tokë e dhembjes dhe e krenarisë
Të erdhën bijtë
Isë Boletini në Shkodër
Në Isniq e në Mitrovicë
Sali Gjuka e Bedri Pejani
Në Pejën e Haxhi Zekës
Të gjithë sot të erdhën në bronz
Dhe, sot
Të gjithë eshtrat në tokën arbërore
Sikur në këmbë janë ngritur
Shikojnë,...
Edhe ata festojnë
Por me frikën dhe etjen
Për përqafimin me njëri-tjetrin
Mos u zemëro
O, dheu i kësaj toke
Sot,...
E tërë shqiptaria
Është në rrugëtim kah Vlora
Janë me zemër në Pejë e në Prizren
Sepse,...
Janë këta eshtra që nuk harrojnë
Janë eshtra që flasin e nuk mashtrohen
Por prehjen e qetë e duan
Ne, duke bashkuar mendjen dhe zemrën
Kështu toka do të jetë më e pëlleshme
Me histori në dorë
Sa festë e madhe Viti 2012
Sa rrugëtim i dhembshëm deri këtu
Por
Mos u zemëro
O, dheu i kësaj toke...
Kemi edhe shumë rrugë për të bërë
Vitet dhe shekujt
Me vete janë duke bartur
Një fener të vjetër drite...
(Pejë, 21 nëntor 2012)