Kulturë
Hyqmet Hasko: Demir Gjergji - ''Orë akulli''
E shtune, 24.11.2012, 07:18 PM
Rreth
përmbledhjes poetike “Orë akulli” të poetit Demir GJERGJI
Një akt poetik midis traditës, modernizmit e postmodernizmit
Nga Hyqmet Hasko
Demir
Gjergji është një nga poetët më të rëdësishëm të brezit të tij, brez që u
konturua në letrat poetike shqipe në fund të epokës së realizmit socialist dhe
në fillimin e ndryshimeve demokratike në vendin tonë, që sollën me vete një
çlirim të gjithçkaje e, në këtë kuadër, dhe të letrave tona, nga shtampat dhe
falsitetet.
Autor i
njëmbëdhjetë vëllimeve me poezi, që kanë arritur të zgjojnë vëmendjen e
lexuesit dhe të kritikës, pra të vendosin një raport të kënaqshëm
marrëdhëniesh, Gjergji sjell një optikë të veçantë këndvështrimi poetik, ku
befasimi, akuareli i pamjeve dhe peisazheve të pikturuara me penelein e fjalës
së magjishme, janë mjete strukturore, që ai i kthen në një mënyrë të procedimit
të tij poetik.
Nga
përmbledhja në përmbledhje, për të ardhur tek vëllimi i fundit “Orë akulli”,
Tiranë 2012, botim i shtëpisë botuese “Ombra GVG”, poeti ka ardhur duke ngjitur
kurba të reja parashtrimi dhe realizimi të artit poetik, në një poezi e cila ka
ardhur duke u bërë gjithnjë e më e pjekur, më filozofike dhe më mbresëlënëse.
Nga vetë
titulli, “Orë akulli”, duket se është një metaforë e çmitizimit të kohës reale
në raport me kohën poetike, e cila nuk matet me njësi normale kohe, por me një
njësi shpirti, me pejëzat e shpirtit që dridhen pas çdo regëtime dhe gjallimi
të bukurisë, në kuptimin më të gjërë të kësaj fjale, në këtë botë, ku
përditshmëria në përgjithësi nuk të ofron asgjë poetike.
Demir
Gjergji ka një poezi që endet midis poezisë më të mirë të traditës poetike
shqipe dhe poezisë moderne e postmoderniste, duke ruajtur gjithmonë
individualitetin e tij, aq të spikatur dhe të pacënueshëm nga “shkollëzat”
eksperimentale, që lulëzojnë si kërpudhat pas shiut në këtë vend, ku për fat të
mirë, letërsia është çliruar nga çdo presion i jashtëletrares.
Gjergji
është i natyrshëm dhe veveteja, qoftë, bie fjala, në poezinë me titull “Hija”
(Kushtuar poetit Ali Asllani), e cila është një poezi e matur, me rimë dhe
ritme të rregullt, pra një poezi tradicionaliste, qoftë në poezinë moderne
“Shiu i atij prilli”, qoftë në poezinë me tendenca postmoderniste “Testament i
gjallë”. Të trija këto prirje të aktit të plotë poetik të Gjergjit i bashkon
sponaniteti, pasi poeti nuk “shtërëzon” për të prodhuar vargje, por shkruan
ashtu siç i vjen për shkruar. me pejëzat e shpirtit, me frynën e gjoksit, thënë
ndryshe, shkruan ngaqë nuk mund të rrijë pa shkruar dhe pa nxjerrë jashtë
tallazet që i vlojnë nga brenda.
Në
vizatimet e tij poetike, Gjergji shpalos një botë të thyer, me amplituda
lëkundjesh të mëdha, me përplasje të forta shpitërore, me trille e “kurthe” të
shumta, me pasione dhe ëndrra të kulluara, me drama dhe dyzime, ku konurohen
dukuri të transfiguruara të realitetit të jetës së përditshme.
Poezia e
Demir Gjergjit është një endje në tezgjahun e kujtesave, ndjesive, përvojave jo
të zakonshme, një kërkim në kujtesën e kohës, e cila duket se ka lënë gjurmë jo
vetëm në lëkurën por dhe në shpirtin e tij. Ajo është poezi e flladit dhe
psherëtimave dashurore në breg, e grunajave të dehura dhe e femrave të etura
për nektar jete, e idileve të vrara dhe ëndrrave të copëtuara në kohët e pa
koha, një kërkim shpirtëror në pemën gjeneologjike të fatit njerëzor.
Si të
shkoj, të gjej vetveten,
Atje
larg, ku po vetmon?!
Udhët ma
ndalojnë ecjen.
Mbrapsht
më kthejnë në çdo stacion.
Ekzistencialist,
në kuptmin e filozofisë jetësore që e motivon, Gjergji iu shkon gjer në fund të
vërtetave të unit, i cili është dhe protagonist lirik i aktit të tij poetik.
Figura
bazë e poezisë së Gjergjit është metafora, rreth së cilës ai vërtit enumeracione,
metonimi, sinekdoka, figura të tjera të freskëta, të gjetura mjeshtërisht, që i
shërbëjnë për ta përforcuar dhe për të bërë më të prekshëm mesazhin e tij
poetik. Ky mesazh vjen sa me anë të tekstit aq dhe me anë të nëntekstit, duke
bërë që poeti të gjejë një të mesme të artë midis të thënës në mënyrë të
drejpërdrejtë dhe të nënkuptuarës, të aluduarës… Objekte të shqyrtimit poetik
të Demir Gjergjit janë të ndryshme, me një larmishmëri për t‘u admiruar, nga
gjërat e dukshme dhe të prekshme, deri tek transhendenca e së ashtuquajturës
“shqisë e gjashtë” (poezia “Parandjenjë”) etj. Ai shkrin një vektor realen me
fiksionin, të mundshmen me të pamundurën, realitetin me ëdnrrën e kulluar,
projeksionet e pavetëdijes me kredot e vevetishme.
Gjeografia
e tij poetike është e gjërë dhe e thellë, shfaqet e zhduket kodrave e maleve,
lumenjve e deteve, trilleve e idileve, mbretëive të vendit e mbretërive të
huaja, mëkatit e vyrtitit, brigjeve të ëndrrës e të zhgënjimit, kohës e
kundërkohës, kopështit të Edenit e apokalipsit, romancave në re e uverturave në
tokë, etj.
Gjergji
nuk është uniform në aktin e tij kriujes, ai përdor teknkia të larmishme
vjershërimi, duke operuar me stile dhe struktura të befta, me figura të gjalla
dhe të thyera, sicc është peisazhi i tij poetik.
Zhbirimet
e holla psikologjike, etike, filozofike, transhendente të Gjergjit në poezitë e
tij më të mira, tregojnë shkallë të lartë mprehtësie dhe inteligence natyrale,
fuqinë e poetit, për të na dhënë mirazhe dhe peizazhe të larmishme të jetës së gjallë
dhe të shpirtit njerëzor.
Ai është
si një lirik sa i ngrohtë dhe i shtruar, aq i thellë dhe i rrëmbyer, me një
diapazon të gjëra figurash, impresionesh, gjendjesh dhe mesazhezh, me teknika
bashkëkohore vjerërimi. Poezia e tij është një këngë gjithmonë në rrugëtim për
dashurinë, dashurinë në kuptimin më të gjërë të kësaj fjale, dashurinë të cilën
ai e ka ngritur në kult dhe për të cilën zhbiron e kërkon me artin e tij
poetik, me përkushtim krijues dhe teknika ta pasura krijimi.
Më shumë
se me tekstin, me fjalët dhe stilemat që përdor për të hyrë në korrelacione
esetike me lexuesin, poeti komunikon me nëntekstin, me të nënkuptuarën, me atë
thagmë shpirtërore, që përftohet nga gjendja, imazhi dhe strukturat e brendshme
të aktit poetik.
Gjergji
hyn në kategorinë e atyre që quhen “poetë të vështirë”, jo për shkak të ndonjë
manie shkrimore, ekstravangance apo moderniteti si qëllim në vetvete, por për
shkak se parapëlqimi i tij në lidhje me shkrimin dhe komunikimin me anë të
poezisë lidhet me një botëvështrim të veçantë që ai ka në lidhje me objektin
dhe subjketin e kësaj poezie.
Ky
botëvështrim, e mban atë të mbërthyer në ndjesitë e holla të investigimit të
dukurive që bën objekt shqyrtimi estetik, duke i parë ato në shumë pamje, për
ta lënë lexuesin, që në këtë mozaik, të zgjedhë pamjen që atij i pëlqen më
shumë dhe me të cilën mund të identifikohej bota shpirtërore dhe psikologjia e
tij.