Kulturë
Gijom Apoliner: Faik beg Konica
E marte, 27.11.2012, 07:01 PM
GIJOM
APOLINER
FAIK BEG KONICA
1 maj 1912
Prej
njerëzve që kam njohur dhe të cilin e kujtoj me aq dëshirë është Faik beg
Konica, njëri nga më të jashtëzakonshmit. Ai u lind para dyzet vjetësh në
Shqipëri, në një familje e cila i mbeti besnike kultit të religjionit katolik.
Ky shqiptar (Chkipe) qe edukuar e rritur në Francë dhe kur kishte përafërsisht
20 vjet, si besimtar i madh që ishte, deshi të bëhej murg në Manastirin
Kartuzian. Megjithatë, këtë nuk e bëri. Dhe pak nga pak besimi i tij jo vetëm
që u bë asnjanës, por edhe u shndërrua në një antiklerikalizëm të vendosur, i
cili të përkujton nga pak atë të Merime-ut. Vijoi studimet, po me që kishte një
dashuri të madhe ndaj atdheut të tij, Shqipërisë, duke u kthyer njëherë në
Turqi merr pjesë në një komplot që, sipas thënieve të tij, atje qe i dënuar dy
herë me vdekje në mungesë të tij. Kthehet në Francë, gjuhën dhe letërsinë e së
cilës i njihte jashtëzakonisht mirë. Ndërkaq, liria që kishte ky vend, atij nuk
iu duk e mjaftueshme, iku për t’u vendosur në Bruksel, në rrugën ‘Albania’ e
për të themeluar aty një revistë erudite: “Albania”, ku ai angazhohej për
politikë, e më tepër për letërsi, histori e filologji. Në këtë mënyrë ai ia
kushtoi një pjesë të madhe të jetës së vet Lëvizjes Shqiptare, duke pastruar
gjuhën shqipe prej fjalëve të huaja e parazite. Kështu, ai për pak vite prej
një të folme pijetoresh me detarë, e bëri një gjuhë të bukur, të pasur e të
fisnikëruar.
Megjithatë,
edhe liria që po e ndiente në Bruksel nuk ishte më e pëlqyeshme se ajo që
kishte Parisi. Njëherë ai pat punë edhe me një agjent policie. Ai e pyet: “-
Kombësia e juaj?” “-Unë jam prej Shqipërie (je suis d’Albanie)”. “- Ku banoni?” “Në rrugën Albania”. “- Çfarë
profesioni keni?” “-Unë redaktoj Albaninë”. “- Për njëmend, e dini ju, mendoj
se ju po talleni me mua”, tha agjenti dhe atdhetari shqiptar u deshtë ta kaloj
natën në post komandën policisë.
I
irrituar nga Brukseli, Faik beg Konica u nis për Londër. Braktisi
shtypshkronjën e tij të bukur, e cila karakterizohej me shkronja platini e në
të cilën ai vetë kishte kompozuar e shtypur vepra të vogla, sot fare të rralla.
Kjo nuk zgjati shumë pasi ishte i vetmi punëtor dhe duke i përzier të gjitha
shkronjat mund t’i bënte të papërdorshme.
Faik
Konicën e njoha në Londër më 1903. Banonte në Oakley Crescent, City Road, E.C.
Nuk e kisha parë kurrë më parë. Ai më kishte ftuar për t’i kaluar disa ditë tek
ai dhe duhej të vinte të më priste në stacionin hekurudhor. Duhej një shenjë në
mënyrë që ta njihja. Ishim marrë vesh që ai të bartte në thile të jakës një
orkide. Treni im arriti me vonesë të madhe. Kur arrita në Stacionin-Viktoria
pashë se të gjithë zotërinjtë që ndodheshin aty kishin nga një orkide në thile
të jakës. Si ta njihja shqiptarin tim tash? Hipa në një karrocë dhe arrita tek
ai mu në çastin kur po dilte të blinte orkidenë.
Qëndrimi
im në Londër qe i këndshëm. Faik beg Konica kishte një pasion për gërnetën,
oboan dhe bririn anglez. Në sallonin e tij kishte një koleksion të vjetër të
këtyre instrumenteve prej druri. Në mëngjes, duke pritur kafjallin, gjithmonë
me vonesë, zoti i shtëpisë më këndonte arie të vjetra me tinguj hundorë dhe
rrinte ulur me shikim përtokë, me pamje serioze para tavolinës së vet.
Hanim
mëngjesin në mënyrë shqiptare, do të thotë, pandërprerë. Në çdo të dytën ditë
kishte krem me mazë, që unë nuk e shijoja fare, ndërsa ai e hante me kënaqësi.
Të nesërmen kishte krem të ftoftë me badem, të cilin ma ka ëndja shumë, ndërsa
ai nuk e hante. Të ngrënët zgjaste aq shumë sa asnjëherë nuk arrija të vizitoja
asnjë muze të Londrës, sepse ne arrinim gjithmonë në çastin kur ato mbylleshin.
Megjithatë,
ne bënim shëtitje të gjata dhe unë përfitoja nga rasti ta njihja çfarë shpirti
i pastër e i edukuar ishte Faik beg Konica. Gati si të gjithë shqiptarët e
racës së mirë edhe ky kishte një vesvese, e unë isha shumë i prekur nga miqësia
që më dëshmonte edhe me atë se nuk e shihja fare se sa shpenzonte shumë.
Vesvesja e tij manifestohej në mënyrën më të çuditshme. Nëse duhej të hynte në
ndonjë shitore për të blerë gjësende, dilte prej andej me frikë se mos po
vraponte shitësi pas tij, duke menduar se e ka vjedhur mallin: “Dhe vërtet,
thoshte ai, si do ta dëshmoja se nuk e kam vjedh mallin?”
Kur e
pashë në Londër, Faik beg Konica sapo i bënte reformë bibliotekës së vet; ai i
kishte shitur të gjithë librat e përparmë për të blerë ato botimet angleze,
teksti i të cilëve ishte shtypur me shkronja të ima, sa që duhej një thiersë
për t’i lexuar. Kështu ai kishte bërë një bibliotekë të re, të madhe, që e
mbante të tërën në një vitrinë. Ai nuk kishte ruajtur asgjë prej librave të
vjetër pos fjalorit të Bejlit, të cilin e konsideronte dhe e kishte zgjedhur
për mësues, dhe fjalorin e Darmesteter-it. Adhurimi më i madh i tij letrar
ishte z. Remy de Gourmont. Kur e kam gjetur më vonë një prej portreteve të tij,
ia dërgova e ai m’u falënderua shumë për këtë.
Faik beg
Konica, sikurse ai tjetri Bejl, ka pasur gjithmonë ves pseudonimet. Ai i
ndërronte shpeshherë. Gjatë kohës kur u njoha me të, ai quhej Thrank Spirobeg,
sipas emrit të një heroi të romanit historik, të Léon Cahun (Leo Kahën) që
është një prej kryeveprave dhe vepra më e mrekullueshme, e frymëzuar nga
historia qytetare e shqiptarëve. Por, duke parë se tipografët ia shkruanin
gjithmonë pseudonimin: Thrank Spiroberg, Faik beg Konica vendosi të nënshkruhej
në këtë mënyrë.
Kjo nuk
zgjati më shumë se dy-tri vjet; ai mori një pseudonim tjetër me të cilin
nënshkroi një vepër shumë të begatshme e të shkruar shumë mirë që titullohet:
“Ese për gjuhët artificiale” nga Pyrrhus Bardyli.
Në Londër
kalova edhe ca kohë te Faik beg Konica, i cili ishte martuar dhe banonte në
Chingford. Ishte pranverë, ne shëtitnim nëpër fushë dhe kalonim kohën duke
shikuar lojën e golfit.
Pak para
se të arrija, Faik beg Konica kishte blerë ca pula për të pasur vezë të
freskëta; por, kur ato i kishte bërë, ishte e pamundshme t’i hante njeriu vezët
e tyre. Me të vërtetë, si t’i hante vezët e pulave që i njeh e që i ushqen
vetë?
Nuk vonoi
shumë e pulat filluan t’i hanin vezët e veta dhe kjo e shqetësoi Faik Konicën,
duke i shikuar këta zogj të mjerë me llahtari e duke mos guxuar më t’i lejonte
të dalin nga koteci i tyre, ku ato ngordhin duke u grindur ndërmjet tyre,
përveç njërës, e cila, pasi kishte dalë ngadhënjimtare, jetoi edhe ca kohë në
vetmi. Të tillë edhe unë e kam parë. Ajo ishte bërë e egër dhe marrë; ashtu siç
ishte e zezë dhe ishte dobësuar, i ngjante pastaj një korbi dhe para nisjes
sime, pasi i kishte humbur pendlat, ajo ishte shndërruar në një lloj miu.
Faik beg
Konica botonte “Albaninë” me një kujdes të madh. Mbi kopertinë kishte si shenjë
stemën e mbretërisë së ardhshme të Shqipërisë të vizatuar prej një skulptori
francez të talentuar, të cilit ia kam harruar emrin e i cili vdiq para disa
vitesh në rrethinat e Nju-Yorkut nga rënia e një balloni. Kujdesi që kishte Faik
Beg Konica për t’i redaktuar artikujt e vet dhe puna e ngadalshme e tij ishin
shkak që revista të dilte gjithmonë me vonesë të madhe. Më 1904 dilnin numrat e
1902-tës dhe me 1907 dilnin rregullisht numrat e vitit 1904-tës. E vetmja ishte
revista franceze L’Occident (Perëndimi) që mund të krahasohej në këtë pikë me
“Albaninë”.
Kur
shpërtheu Revolucioni Turk, Faik beg Konica mendoi se do të kthehej në atdheun
e vet. Ai u nis papritmas për Amerikë, në momentin kur u nxit revolta
shqiptare.
Herën e
fundit ai më shkroi, para se të nisej për këtë rrugë, pastaj nuk më njoftoi më
për punët e tij. E dija se atje në Amerikë ishte një koloni shqiptare e
rëndësishme dhe e pasur. Mendoja se ajo (koloni) e kishte pritur me një
ngrohtësi të posaçme ndërtuesin e gjuhës shqipe. Më vinte keq që nuk më
lajmëronte për aventurat e tij, kur vitin e kaluar e gjeta rastësisht te një
librari numrin e parë të një reviste me titull “Trumbeta e Krujës”, do të thotë
La Trompette de Croya, e cila qe kryeqyteti i Skënderbeut. Aty pashë se Faik
beg Konica jetonte në Sent-Luis, në Missuri, i cili kishte hequr dorë të
shkruante në frëngjisht, të cilën e njihte shumë mirë, për t’u shërbyer me
anglishten që e fliste keq.
I shkrova
në Sent-Luis, por s’mora fare përgjigje. Mirëpo, këto ditë një letër e ardhur
nga Çikago ma përkujtoi shqiptarin tim. Ajo ishte dërguar prej njëfarë Benjamin
DeCasseres (një fjalë me dy shkronja të mëdha). Por, shkrimi mbi pliko nuk më
bëri të dyshoja, ky ishte shkrimi i Faik beg Konicës me siguri, i formuar bukur
me a-të e ngjashme me ato të shtypit e të cilat ishin kopje të marra nga
shkrimi i Petrarkës. E hapa letrën. Ajo përmbante të shtypur një lloj prospekti
në dy faqe, në anglisht, titulluar Prélude, kushtuar të gjithë atyre që e shtyn
egoizmin tim luftarak. Kjo ishte një lloj poeme në prozë, plot fjali filozofike
dhe të fytyrave biblike, ku janë përmendur Betoveni, Gëte etj. Kjo përshëndetje
e jashtëzakonshme e dërguar nga Faik beg Konica për ata që i ka njohur dhe me
të cilët ka ndërprerë të gjitha lidhjet e miqësisë, nuk më lë më kurrfarë
shprese se do ta shoh serish.
Ai ka hequr dorë nga Evropa dhe nuk boton më “Trumbeta e Krujës”, ndoshta as Shqipëria nuk bën pjesë më në preokupimet e tij dhe kështu në mesin e pjesëtarëve afaristë të Miçigenit, ky pasardhës i brezit të Gjergj Kastriotit shëtit tash melankolinë e vet të Evropianit shumë të edukuar, të poetit të zhgënjyer, me vesvesen e tij i syrgjynosur dhe pa kurrfarë dyshimi, me katër vëllimet e mëdha të fjalorit të Bejlit.
Përktheu nga frëngjishtja: Shefik Shkodra
__________________
Shënim:
Ky rrëfim për Konicën, më parë është botuar në revistën “Mercure de France”,
nga Apoliner. Pas vdekjes së autorit është ribotuar në Anecdotiques”
(Anekdotat) të G. Apoliner-it (1880 – 1918), të përmbledhura nga P. M. Adema,
me shënime dhe komente. Në vitin 1965 e ka përkthyer në serbo-kroatisht dhe
është botuar në “Gjurmime Albanologjike” të IA, në Prishtinë. Më 1985, autori i
këtyre, e ka përkthyer në shqip dhe e ka botuar në revistën “Fjala”, në
Prishtinë. Pastaj, është botuar nëpër të përkohshmet e ndryshme shqipe në
mënyrë anonime.