E premte, 18.06.2021, 04:45 AM (GMT+1)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Nuk do të gjesh një Atdhe tjetër

E diele, 25.11.2012, 06:00 PM


Nuk do të gjesh kurrë një Atdhe tjetër…

Përsiatje rreth librit “Atdhe tjetër” i shkrimtarit Faruk Myrtaj.

Nga Timo Mërkuri

1-Atë ditë    në Tiranë mbritën eshtrat e ish mbretit, vdekur mote  të shkuara, nuk e di se ku,  atë ditë, tek unë në Sarandë, mbriti shpirti i shkrimtarit Faruk Myrtaj, që jeton në mërgim. Nuk e ndoqa dot fatin e eshtrave të të vdekurit, se në duar më përpëlitej shpirti i të gjallit. Një shpirt i plandosur e i palosur në dyqint e ca faqe të  librit “Atdhe’ tjetër”, që më rrëndonte në duar e në shpirt  gjer në shpinë-e-shpirt-kërrusje, nga pesha e dhimbjes që mbartëte (qënka dhimbje ikja). Një libër ku  çdo rresht i shkruar, kullonte mall e lotë, përzier dhimshuri e brengë. Dhe një dashuri, që valëvitej  mbi direkun e bashkëtingëllores  “t” ,të    fjalës “atdhe”. Dashuri për këtë atdhe, që e braktisi, bashkë me qindramijra, në kërkim të një atdheu tjetër...

2-Miku im, që pive helmin e kurbetit.

Pije gjer në fund kupën me helm ekzili,  se nuk do gjesh kurrë një Atdhe tjetër. Sado të trishtohesh apo… të fërkosh sytë që të djegin njomshëm.  Nuk do ta leshë dot në atdheun e vetë mërzinë. Do ta marrësh me vete, si xhaketën. Edhe zhgënjimin e madh, sepse i besove edhe ato që  shkrove dhe lexove, duke bërë kështu edhe ti gabimin e tyt eti.

3-Do gjesh një vend  që do të sigurojë mirëqënie, do të japë  punë e  shtëpi, libra (jo vetëm Amerika by Kafka), do keshe fqinjë që do të ftojnë për drekë, të cilën do ta paguash vetë, (iku, iku Selenica),  fqinjë ,që do thonë të zemëruar…Kush dreqin ua dha adresën time…(krejt ndryshe nga vendlindja jote, ku i thoshje mikut edhe në telefon që…po s’gjete njeri në shtëpi, çelësin e portës e ke te vazoja e luleve.)...do keshë vetminë, si tokë të premtuar për krijuesin, dhe kohë të tepërt me tepricë, por , miku im… ky nuk është atdheu.

4-Atdheu është  aty larg dhe ecën si ai treni i ngadalshëm, nga mund të zbresësh prej vagonit të fundit, të ndezësh cigarin te një këmbësor dhe të  hipësh sërish në të, në ecje e sipër. Fqinjët qeshin me këtë tren-atdhe dhe me ecjen e tij të ngadalëshme, por për ne, rëndësi ka që atdheu ecën. Ngadalë, por ecën përpara.( Sepse ka raste, miku im, që ky dreq tren-atdheu ecën edhe mbrapa, si në ’97 ).

Për ti shpejtuar ecjen në të përpjetën e demokracisë, shumë  bij    tij zbritën nga vagonët, i dolën përpara asaj dreq lokomotive, lidhën  litarë e kavo  në të dhe nisën ta tërheqin, lokomotivën e vagonat bashkë. Duke u bërë ata, njëfarë lokomotive e gjallë, që tërheq  drejt Europës këtë tren-atdhe. Kjo ska mbaruar,miku im me ambasadat dhe me ikjen përmbi telat me gjëmba të kloneve kufitare. Kjo vazhdon edhe sot, në ikjet me pasaporta biometrike.

Edhe ti, e ke lidhur kavon tënde te kjo lokomotivë, miku im, dhe e tërheq këtë tren, që kërcet me rrapëllimë. Pak, vërtet pak e tërheq. Por rëndësi ka që e tërheq. Shpesh herë këputet kavua, por ti nxiton të hedhësh e të lidhësh kavon tjetër.. Herë nga “Fjala e lirë” e herë nga PEN Klub Kanada. Dhe e tërheq, dhe e tërheq, ecën ti dhe atdheu pas teje, shpesh pa e kuptuar edhe vetë.  Ja, shiko pak veten si ecën, pak i kërrusur e pak i sforcuar. Nga tërheqja e kësaj kavoje mik, nga asgjë tjetër.

5-Nuk do gjesh  dot një atdhe tjetër.

Pavarësisht se  këtë atdheun tonë e kemi me dy emra, një për ta përdorur vetë e tjetrin për ta përdorur të huajtë. Ashtu siç është dhe ai shpendi në flamur, me dy krerë. Në atë flamurin e kuq, që  të parët tanë, kur shkonin të blenin bezen  mbi të cilën  Marigotë do të  qëndisnin shqiponjën , nuk i kërkonin shitësit thjeshtë një beze të kuqe, por i kërkonin një “rrobëgjaku”, duke nënkuptuar me këtë fjalë cilësinë më të mirë të bezes për qëllimin që duhej.

Atdheu duhet dashur edhe kur të vret, perifrazon    madhin Dhimitër..

Unë do të thoshja se nuk të vret atdheu, por ata që tentojnë të vrasin edhe atdheun, nga postet ku ulen, por le ta diskutojmë tjetër herë këtë temë.

6-Mund të të vrasë apo braktisë atdhe(kinse atdhetarët)u, por si mund të të vrasë apo braktisë mëmëdheu? A nuk e sheh se si mëmëdheu i mer në prehër bijtë e tij (madje dhe ata që tentojnë ta …shesin apo që e braktisin atëherë kur ka nevojë më shumë për ta), i përkund me ninulla e ligjërime, i mbulon me flokadën e jeshiltë apo të murmë, i mbron nga shiu e nga harimi. I bën pjesë të  qënies së saj.

Sepse është mëmë-dhe.

A të kujtohet si të mbante nëna në prehër netëve të dimrit, kur i ftohur në lodrat fëminore, të digjej balli nga temperature? A të kujtohet si të puthte ballin dhe të hiqte zjarrminë, duke të çliruar trupin nga ngërçi i dhimbjes.( Mos guxo t’i harosh këto çaste, miku im. Haro ç’të duash, psh , haro portofolin në  metro apo taksi, po jo këto çaste të perëndishme).

Në qoftë se kur shqipton fjalën “atdhe”, instiktivisht ngre kokën lart, krenarisht, trimërisht, a e ke vënë re se kur shqipton fjalën mëmëdhe, ndjen një dridhje në zemër. Sepse është nëna, miku im dhe nënën e duam dhe na dridhet zemra për të, edhe kur s’na vijnë letrat që ajo shkruan përditë për ne. Në qoftë se kemi diçka të bukur në jetën tonë, në qënien tonë, ta dishë mirë që këtë e kemi nga nënat.

7-Nuk do gjesh dot atdhe tjetër, miku im, se mëmëdhe tjetër s’gjen as në atë botë.

Mund të gjesh ndonjë ..baltëdhe… por jo si ajo balta më e ëmbël se mjalta…

Prandaj ….Atdheu duhet dashur edhe kur ikim prej tij…në emër të fëmijëve,

A e di që duke lexuar librin tënd, mendova se ishte pikërisht mëmëdheu, ai që ju këshilloi …ikni…të paktën shpëtoni fëmijët…  edhe sepse… atdheu është shumë i madh për tu ndjerë i braktisur prej një njeriu…

8-Sepse këtu, ne prej kohësh kishim mërguar prej të qënit njeri.

Jetonim si  …makineri të programuara. Kush dilte jashtë programit, si mbetej gjë tjetër, veçse të shkonte të fshihej pas ndonjë dallge.

9-Aty ku je, natën, i drobitur dhe i përmallur, do dalësh (ke dalur, në fakt) në gërxhet e internetit dhe do më sokëllish me emaile që nga larg…dërgomë një gur, dërgomë, ta vë jastëk ndënë kokë…se kam kaqë net që s’më zë gjumi…

Prandaj më dridheshin nëpër duar fletët e  librit tënd “Atdhe’ tjetër”, sepse  dridhej shpirti yt nëpër to, plot ankth e stress e mall përzier bashkë.

Ndajë po ta nis  këtë shkrim me urgjencë, si një gur a një grusht dhe, ta puthësh e të kërresh mallë…për të të thënë se,  nuk ke pse kërkon atdhe-mëmë-dhe tjetër, sepse e ke atdheun tënd, i cili të do dhe nuk të haron.

10-Edhe ne nuk të kemi haruar,  love you…të kemi xhan.

Në të gjitha gjuhët e botës, por shqip kryesisht.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora