E enjte, 01.05.2025, 11:02 PM (GMT+1)

Kulturë

Flora Nikolla: Bisedë me Kozeta Zylon

E hene, 26.11.2012, 07:00 PM


KOMUNITETI SHQIPTAR NE USA, VLERE KOMBETARE, MUSHKERIA E ATDHEUT NE BOTE

Bisedoi Flora Nikolla, kryredaktore pranë ATSH-s

Zonja Kozeta Zylo, tashmë ju jeni një emër i mirënjohur në diasporën shqiptare, për aktivitetin shumë planësh që ushtroni, cili është çelësi i suksesit tuaj?
Të detyruar të largoheshim nga Mëmëdheu ynë, në pragluftën civile në fund të shkurtit 1997, tri ditë para se të mbyllej aeroporti, dhe kjo falë vizës amerikane që kishim qysh në vitin 1996, të bekuar si familje që bashkëshorti im Qemal Zylo punonte si inxhinier, shef transporti në Korpësin e Paqes pranë Ambasadës Amerikane, ndjeva se duheshin realizuar mjaft ëndrra të kahershme kur shkela në këtë tokë të bekuar.
Isha edukuar qysh në fëmijëri nga prindërit me dashurinë për Amerikën, ngase gjyshërit e mi kishin emigruar qysh në fillim të shekullit të kaluar. Gjyshi nga babai me fitimet që pruri prej andej bleu toka ne Mezhgoran të Tepelenës dhe shtepinë ku unë kalova fëmijërinë time.
Sigurisht këto ëndrra nuk realizohen me shkopin magjik, por duan vullnet të tejskajshëm dhe ndershmëri. Aktivitetet e ndryshme që kemi organizuar në New York kanë qenë gjithmonë në shërbim të Kombit dhe të njohjes së kulturës sonë të lashtë në botë. Ne patëm fatin që të dy të punonin për disa vite në kolegj pasi e mbaruam atë u emëruam aty, ndërkohë Qemali doli si studenti më i mirë i kolegjit (valedictorian) dhe për këtë gëzonte të drejtën ligjore të përshëndeste në emër të gjithë studentëve nga shumë vende të botës, për rrjedhojë fjala e tij në ceremoninë e gradimit filloi me frazën: "Jam krenar që jam shqiptar". Ishte një fjalim emocionues, dhe mbresëesëlënës. Detyrohem ta përmend këtë pasi ky lloj suksesi modest na dha frymëzim për të organizuar shumë aktivitete të bukura, veçanërisht për Kosovën dhe Flamurin Kombëtar, që i kemi festuar çdo vit me shqiptarët e shumtë si në kolegj dhe në mjedise të tjera. Simpoziumi shkencor që u organizua për Kosovën para Pavarësisë së saj me pjesëmarrjen e qindra vetëve dhe njëkohësisht duke u ndërprerë mësimi për disa orë, ku folësi kryesor ishte ish kongresisti Joe Dio Guardi nuk do të hiqet lehtë nga kujtesa e shqiptarëve dhe amerikanëve. Disa herë aktivitetet kanë qenë një pjesë e sensibilizimit dhe sinjaleve të pastra që i shkonin Shtëpisë së Bardhë për të zhdukur genocidin që po ushtronte Milloshevici mbi shqiptarët.
Por nuk është momenti këtu të flasim për aktivitetet tona, pasi ka shumë shqiptarë që punojmë shumë, unë thjesht po i përgjigjem pyetjes suaj se çelësi i suksesit modest që kemi arritur është bashkëpunimi dhe mirëkuptimi që kemi me shqiptarët dhe amerikanët të cilët vazhdimisht kanë qenë pranë nesh. Ne kemi qenë në lëvizje të pandërprerë, në punë me orar dhe pa orar dhe kemi vepruar, që siç thotë Picasso se: "Action is the foundational key to all success". Pra veprimi eshte çelësi kryesor i të gjitha sukseseve. Pa vepruar pozitivisht dhe konkretisht nuk mund të arrish asgjë.
Cfarë ju ka dhënë Amerika?
Amerika na bëri qytetarë të lirë të Botës, dhe na dhuroi pafund Liri për t'i shërbyer Shqipërisë dhe Amerikës me dinjitet dhe kulturë.
Si gazetare si mund ta përcaktoni komunitetin shqiptar në USA…?
Komuniteti Shqiptar në USA është vlerë kombëtare, eshte mushkëria e Atdheut nëpër botë. Diaspora si në shekullin e kaluar me dy korifejtë e saj Nolin dhe Konicën si dhe në këtë kohë lufton për ta ringritur Shqipërinë në nivelin që meriton dhe të qëndrojë një zonjë e rëndë midis shoqeve të saj.
Ju së bashku me bashkëshortin tuaj, keni themeluar TV Alba Life dhe Shkollat Shqipe në Staten Island dhe Brooklyn, si i realizuat dhe si punoni me to?
Pasi u liçensuam nga qendra e TV amerikan ne Staten Island, kemi disa vite që kemi themeluar me bashkëshortin dhe familjen shkollat Shqipe dhe TV Alba Life. Organizata "Alba Life" kryen tri aktivitete të rregullta çdo javë, me mësimin e gjuhës shqipe dhe dy programe të rregullta televizive në kanalin 35 të shtunë dhe të dielë në Staten Island dhe në Brooklyn gjatë javës. Gjithçka ështe në mënyrë vullnetare pasi ne jemi në punët tona të rregullta me të cilat mbajmë familjen. Në lidhje me TV kur shkojmë me xhirime dhe pastaj me editimin që merret Qemali si producent, këto i realizojmë gjithmonë pas pune në orët e vona të natës si dhe në fundjave. Ndërsa për shkollën shqipe kemi një bashkëpunim shumë të mirë me mësueset e apasionuara dhe të talentuara. Gjatë kohës së shkollës në fundjavë ndahemi të dy, Qemali shkon në Brooklyn ndërsa unë në Staten Island ku mësimi shqip zhvillohet në mjediset e shkollave publike amerikane. Televizioni është vënë në shërbim të Atdheut, komunitetit ku së bashku me drejtorin e saj djalin e talentuar Amir Suka kanë realizuar një sërë programesh tepër serioze dhe profesionale. Të gjitha materialet do t'i ngelen arshivit të historisë së Diasporës. Për këtë gjej rastin për t'i falënderuar gjithë bashkëpunetorët për gjenerozitetin e tyre pa të cilët asnjë veprimtari s'ka sukses, asnje bamirësi nuk kryhet. Ndryshe është ashtu siç thotë shkrimtari amerikan Xhon Spalding se: "Një shoqëri që s'ka shpirt mirëbërës është një shoqëri barbare".
Ju keni intervistuar një mori shqiptarësh në Diasporë që vërtët jane excellente … a mund të përmëndni disa prej tyre?
Duke pasur fatin të bashkëpunojë qysh në fillim me gazetën "Illyria", "Dielli", TV Kultura shqiptare, pastaj me TV Alba Life kam intervistuar shumë personalitete, ata janë shumë, por unë po përmend disa prej tyre:
Prof.Peter R Prifti, At Artur Liolin, prof.Sami Repishti, Dr.Elez Biberaj, Joe Dio Guardi, Sabri Gjoni, regjisori i Hollivudit Stan Dragoti, Fadil Berisha, Tony Dovolani, Ermira Cunmulaj, Amir Suka, Dritan Mishto, Ruben Avxhiu, Dr.Gjon Bucaj, Joe Dio Guardi, Dr.Gjon Bucaj, dr.Gani Abazi, Pëllumb Kulla, Naum Prifti, Fatos Kongoli, , Gjeke Marinaj, Ramiz Gjini, Adnan Mehmeti, Dalan Luzaj, Skifter Këllici, Hajro Ceka, Aurela Gace, Entela Barci, Bledar Maqellara, Diana Zerega, Richard Lukaj, Gani Perrolli, Blerim Cami, Petrit Lumaj, Mark Gjonaj, Ken Biberaj, Emin Egriu, Edmond Xhani, Petrika Melo, Lindita Tole Mezini, Sokol Asllani, Taulant Hoxha, Sali Bollati, Kadrije Pronjo, Ibrahim Kolari, John Hodgson, Peter Lumaj, Ken Biberaj, Kleriket Dom Pjeter Popaj dhe Edin Gjoni, Joshua Martson, Andamiano Murataj, ..., Dhimitri Ismaili Valona, Roland Uruci, Herion Mustafaraj, Janë dhe personalitete të tjera nga Shqipëria por unë përmenda vetëm disa personalitete në Diasporë...
Një histori pikante që ju ka ndodhur gjatë intervistave tuaja ?
Nuk është e lehtë kur interviston personalitete, jo pse janë të tillë, por ajo që mua më preokupon vazhdimisht është se sa unë nëpërmjet pyetjeve do t'i transmetoj lexuesit dhe teleshikuesit mesazhe të qarta dhe sa ata do të ndikojnë në jetën e tyre? Me të gjithë të intervistuarit kam përjetimet e veçanta emocionale, por ato që i kam përjetuar më dhimbshëm sigurisht janë më së shumti me të burgosurit e diktaturës si: me profesor Sami Repishtin i cili ka qenë i burgosur i regjimit dhe që kur u arratis nga Shqipëria, nuk ariti ta shikonte kurrë familjen dhe nënën e tij e cila vuante aq shumë nga diktatura dhe pa e parë të birin.... Biseda me ish të internuarin z.Dalan Luzaj të cilin babai i tij profesori i shquar Isuf Luzaj e takoi pas 47 vjetësh. Ata nuk ishin parë kurrë me njeri tjetrin. Biseda me ish të burgosurin të internuarin Lek Pervizi ku midis dramës së tmerrshme të familjes është dhe lidhja e tij me bashkëshorten, të cilës hetuesi i kërkoi që të plotësonte një formular për të ikur në Mal tëZi, pasi nëna e saj dhe vëllezërit u larguan. Por bashkëshortja e tij fisnike Bebe zgjodhi internimin, punën skllavëruese nga dashuria e madhe që pati për Lekën... Po ashtu dhe me topmodelen 15 vjeçare Mikaele Brokeri të cilën e intervistova në studion e Fadil Berishës. Asaj pak ditë kishte që i kishte ndërruar jetë babai papritur, në moshe të re, e cila kur tha se do të përmbushte ëndrrën e babait nuk mundi ta vazhdonte më bisedën pasi u mbyt nga lotët e nxehtë për të atin i cili e kishte ndjekur vazhdimisht në aktivitete... Në këtë kohë pashë dhe përlotjen e Qemalit i cili ishte në xhirim dhe ndërkohë lamë punën të dy duke e përqafuar me dhimbje si vajzën tonë për këtë tragjedi që i kishte ndodhur... Në kahje tjetër kam mbresa me shumë të intervistuar si me prof.Peter Priftin ish sekretarin dhe bashkëpunëtorin e Nolit i cili tregonte me emocion takimet dhe miqësinë që kishte pasur me Nolin, po ashtu dhe me përkthyesin anglez z.John Hudgson i cili nuk e kishte njohur fare Shqipërinë më parë.
Ajo kishte qenë një mister më parë...etj
Ju jeni nderuar me titullin e lartë gruaja e vitit 2008… përjetimet e këtij titulli …?
Unë i shpreh mirënjohjen më të thellë organizatës së mirënjohur të gruas "Zëri Ynë" me qendër në New York për çmimin që më akordoi. Ishin rreth 500 gra në aktivitetin e festës së gruas dhe miratimi me duartrokitje më dha emocione të papërshkrueshme, ndoshta ka të tjera që e meritojnë më shumë, unë jam një pjesë e punës së tyre të gjitha së bashku përbëjmë suksesin.  Sigurisht ky çmim të vë detyra për të punuar më shumë me Diasporën.
Çdo të thotë t’ju mësosh fëmijëve në Amerikë gjuhën amtare …. ç’ mund të tregoni për këtë inciativë dhe përvojën tuajën të vyer? …
Eshtë një nga detyrat dhe përvojat më të bukura të jetës sime dhe të familjes. Profesioni i mirëfilltë imi i mësuesisë më ka dhënë dhe më shumë mundësi për t'ju gjendur pranë fëmijeve të një pjese të Diasporës dhe t'ju mesoj gjuhën e ëmbël shqipe. Duke qenë gati një këshill pedagogjik në familje që unë shpesh e përdor me humor, pasi Qemali ka qenë shef katedre dhe profesor i lëndëve inxhinierike në Akademine ushtarake si dhe pati shansin të jepte lëndët e kompjuterit në kolegj në Manhattan, po ashtu dhe vajza Valbona është profesore për letërsinë dhe spanjishten në tri universitete në Amerikë, ndikoi fuqishëm që ne të hapnim shkollat shqipe në Staten Island dhe Brooklyn. Por gjithmonë dua t'i mëshoj idesë se pa bashkëpunimin e mësueseve patriote dhe të talentuara si dhe prindërve shëmbullorë asnjëherë nuk do të kishim suksese, ose do të ishte një punë anemike... Nuk ka më bukur se bashkëpunimi, ai është çelësi i suksesit. Duke qenë të përfshirë në aktivitetet e komunitetit gjithmonë na kishte shqetësuar që shume femije me prindër shqiptarë nuk e flasin gjuhën shqipe, ose gjysma gjysma. Kjo fatkeqësi kombëtare gjithmonë do të më cumbojë në zemër pasi vetëm gjuha është ajo që na lidh me njeri-tjetrin, e ndjen më shumë origjinën dhe kulturën tënde. Pikërisht këto dhimbje të japin një fuqi të çuditshme dhe të bëjnë që t'i futesh me shpirt punës duke shfrytëzuar ditët e fundjavës për t'ju mësuar fëmijëve gjuhën shqipe, pasi sic thotë Sami Frasheri se: “Viktimat e gjuhës janë më të shumta se ato të shpatës”.
Sa përqind e jetës tuaj janë të mbartura në poezitë dhe librat tuaj?
Me përqindje është shumë e vështirë të them rreth përjetimeve nga jeta ime në poezi dhe libra, por pohoj se ato kanë një pjesë të konsiderueshme.
Çfarë është për Kozetën një poezi?
Poezia është nje tingull i bukur që shpirtëzohet në se ke vendosur shpirtin tënd poetik brenda tij... Vetëm kështu lexuesit do të ndjejnë trokitjen e butë dhe të fortë të zemrës së poetit që është brenda gjakut të pastër të metaforës.
Cilët janë shkrimtarët e huaj që kanë lënë gjurmë në ‘kuzhinën’ tuaj letrare dhe po ashtu ne jetën tuaj?
Oscar Wilde, Nietsche, Shekspir, Gabriel Garcia Marquez, Balzak, Heminguei, Franz Kafka, Mario Vargas Llosa, me librin e tij “Festa e cjapit” , Federico García Lorca, Mark Twain, Tolstoy, Proust, Borges etj...
Një grua në karrierë përballë familjes së saj ,… Cili do të ishte komenti juaj …
Gjithçka e bukur që realizohet ka vetëmohim dhe sakrificën brenda. Që të merresh me krijimtari dhe aktivitete duhet të privosh shumë gjëra nga vetja për të mos humbur asgjë brenda familjes së shenjtë. Ajo ngelet pjesa më e vyer e jetës sonë, ndonëse i kemi marrë kohën e bukur që duhet të shpenzonim më shumë me vajzat tona, e vetmja pasuria jonë e patundshme...
Si e konsideroni iniciativën e AE-së?
Eshtë një nismë e bukur, që vetëm i shërben kulturës. Dhe kur nismat vihen në shërbim të kulturës padyshim që ato konsiderohen vlera për Kombin.
Ju uroj që ta vazhdoni më tej dhe kurrë mos u ndalni në këtë punë të dobishme.



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx